Nga data 21 maj deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes ushtarake më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit “Defender Europe `23”. Ky ushtrim organizohet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë, me ndihmën e forcave aleate të 25 vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tyre. Në këtë ushtrim FSK-ja do të marrë pjesë me 1 mijë e 300 trupa.
“Defender Europe 2023”, është padyshim ngjarja më e madhe jo vetëm për FSK –ën por është ngjarje historike edhe për vetë Republikën e Kosovës. Kjo dëshmon besimin e SHBA-së në ushtrinë e Kosovës, e cila po dëshmon se është e gatshme për të kryer detyra në mbrojtjen e vlerave më të larta euroatlantike në mbrojtjen e paqes, demokracisë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
Kështu vlerësojnë për Radio Kosovën ekspertë të çështjeve ushtarake.
Ish komandanti i Përgjithshëm i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati, për Radio Kosovën thotë se nga ky ushtrim, FSK-ja përfiton përvojat nga ushtritë më të avancuara botërore.
“Kur janë në pyetje pajisjet dhe armatimet që kanë ushtritë e NATO-s kanë një ndërveprimtari apo përvojat e përdorimit të armëve që Ushtria e Kosovës nuk i ka, ndërsa tani ka mundësinë që në ushtrime jo vetëm t’i shohë ato por edhe të manovrojë me to, e që dihet se këto janë përvojat që na kanë munguar, sepse e kemi një ushtri që është shumë e re e që është në ngritje e sipër të kapaciteteve të veta operacionale”, thotë Kastrati.
Ndërkaq Hisen Berisha, anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, thotë se me këtë ushtrim do të certifikohen kapacitetet e dy regjimenteve të këmbësorisë. Sipas tij, Kosova është në një rrugë të mirë të implementimit të projektit për krijimin e Forcave të Armatosura, por, rrethanat e reja që janë krijuar pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, kanë imponuar disa ndryshime në planin 10 vjeçar.
“Kanë imponuar nevojën e heqjes së kufizimit në numër dhe tejkalimin e blerjeve të planifikuara, flasim për teknologji dhe teknikë të avancuar siç janë dronët dhe armatimet e tjera të cilat e mbajnë luftën në distancë. Misioni ynë është krijimi i kapaciteteve mbrojtëse mirëpo, këto kapacitete duhet të kenë aftësinë e parandalimit të çfarëdo invazioni në distancë nga vijat e kufirit”, deklaron Berisha.
Kontingjenti prej 1 mijë e 300 trupave do të jetë ndër katër kontingjentet më të mëdha krahas kontingjentit amerikan. Kjo tregon shkallën e ndërveprueshmërisë ushtarake të Kosovës përkrah forcave të shteteve partnere,shprehet gjeneral Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ushtrimi më i madh ndërkombëtar “Defender Europe 2023” do të mbahet në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës, ku do të marrin pjesë mbi 20 mijë ushtarë nga 25 vende të NATO-s. Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të shërbejë në çdo mision të NATO-s. syri.net