Para disa vitesh erdhi të më takonte në Muzeun Historik Kombëtar Prof.Lucia Nadin e shoqëruar nga Prof. Gherardo Ortalli. Kam vite që njihem me Lucia Nadin, ajo ka punuar për shumë kohë në dhënien e gjuhës italiane në Universitetin e Tiranës. Njihem familjarisht me të dhe në mënyrë të veçantë vajza ime e madhe Arnisa ka dhe një detyrim moral ndaj Lucias. Kur Arnisa botoi në moshën 14 vjeçare librin e saj të parë në poezi në dy gjuhë në shqip dhe në italisht, ishte pikërisht Lucia Nadin, që shkroi një parafjalë për këtë libër.
Më vonë i kemi ruajtur lidhjet tona miqësore dhe shkencore. Më 1995 Lucia Nadin botoi librin në italisht dhe në shqip “Venecia dhe Shqipëria: gjurmë të lidhjeve antike”.Unë bëra të vetmin recension në shtypin e shkruar për librin e saj të parë, që studion marrëdhëniet midis dy brigjeve adriatikase. Më pas, Lucia Nadin u sëmur dhe u largua nga Shqipëria për në Itali. Disa herë e kam marrë në telefon për t’u interesuar. Sëmundja qe e rëndë, por Lucia me stoicizëm plot dinjitet jo vetëm s’u shkëput nga puna shkencore por me një përkushtim të mahnitshëm bëri një zbulim të madh: zbuloi Statutin e Shkodrës, që datohet si i gjysmës së parë të shek.XIV dhe që ka funksionuar si një realitet juridik deri më 1469. Ky Statut botohet në “Corpus Statutario delle Venezie”.
Statuti i Shkodrës ka një rëndësi të posaçme për të kuptuar diçka substanciale nga qyteti i Shkodrës, i cili ka qenë në zotërimin venedikas për shumë kohë. Lucia më dha kopjen e librit të saj më të ri, të quajtur në italisht “Statuti di Scutari”. Ky libër ka në kopertinën e vet një stemë të veçantë të pikturuar marrë nga dokumenti origjinal. Stema ka një emblemë në formë skude, që mban sipër një shqiponjë dykrenare me kurora mbretërore mbi të dy kokët, me një fushë blu, kurse në pjesën e poshtme në një fushë ngjyrë okër, janë tre rozeta pesëfletëshe në ngjyrë të zezë. Sipër stemës heraldike është figura e një shqiponje njëkokëshe me krahë hapur me sqepin gjithashtu të hapur ku i dallohet një gjuhë e kuqe e hollë. Në anën tjetër është figura e një qeni vizatuar qartë me një kockë në gojë si një simbol heraldik, që lidhet me idenë e besnikërisë. Libri i Lucias ka 248 faqe, paraprihet nga një parafjalë e bukur dhe e saktë e Prof. Gherardo Ortallit. Ajo që është tepër interesante dhe që e fut në qarkullimin shkencor për studiuesit e Shqipërisë lidhet me përkthimin në shqip të gjithë nyjeve të Statutit të Shkodrës nga mesjetarologu i njohur Prof. Pëllumb Xhufi.
MITI I ALEKSANDRIT TË MADH DHE STATUTI I SHKODRËS
Duke e parë me vëmendje këtë libër dua të artikuloj disa ide dhe mendime për rëndësinë kolosale të monumentit juridik. Në fillim Statuti nis me një shënim të karakterit historik që është një tekst me të vërtetë i përkthyer në latinisht nga një dokument në gjuhën greke, që titullohet “Privilegj i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë”. Kjo parafjalë në latinisht krijon si të thuash paraqitjen nismëtare të dokumentit të Statutit të Shkodrës, të shkruar në italishten venedikase mesjetare. Po çfarë thotë teksti i “Privilegjit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë”.
K y tekst ravijëzohet kështu: “Unë, Aleksandri, biri i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i Monarkisë, krijuesi i Perandorisë Greke, bir i Zeusit të Madh, bashkëbisedues i brahmanëve dhe i pemëve, i Diellit dhe i Hënës, triumfues mbi mbretërinë e persëve e të medëve, Zot i botës prej ku lind e deri ku perëndon Dielli nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve ilirikë të Dalmacisë, Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë, që popullojnë Danubin dhe zonën qëndrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen e përshëndetjet e mia dhe të gjithë atyre, që do të më ndjekin në sundimin e botës.
Duke qenë se ju gjithmonë më jeni treguar të besës, të fortë dhe të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap dhe u dorëzoj juve, në zotërim të lirë gjithë hapësirën prej Akuilonit deri në skajin e Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, mos guxojë të vendoset e të qëndrojë në ato vende dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllav i juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj. U shkrua në kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje, buzë lumit madhështor të Nilit, në vitit XII. Me vullnet të hyjnive të nderohen mbretëritë e mija, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitarë të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe 11 princër të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashëgimtarë të mij dhe të gjithë botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.
Aleksandri i Madh i Maqedonisë më 355 para lindjes së Krishtit, ose siç njihet ndryshe viti 4874. (Që nga krijimi i botës)”. Ky tekst është tepër interesant dhe i çuditshëm. Mjeshtrit juristë që kanë formuluar Statutin e Shkodrës kanë dashur të japin një bazë ligjore shumë më të lashtë duke bërë një strukturë historike në formën e një parabole zyrtare historike, por që në të vërtetë ka një karakter apokrif, dhe është një parabolë më tepër mitologjike dhe evokuese.
Kjo traditë lidhet me trillin e gjenealogjive fantaziste, tepër të njohura të shek.XV, që u bë një pasion dhe një dalldi e përgjithëshme evropiane. Gjenealogji të tilla plot elementë mitologjikë kanë përdorur dhe princërit shqiptarë si psh Karl Topia, Gjon Muzaka apo dhe familja princërore e Ëngjëllorëve.
Teksti që lidhet me emrin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë gjithsesi ka një karakter mbrojtës apotropoik, është një element sugjestionues dhe një mënyrë konceptuale e konfirmimit lashtësor, të një diplome mesjetare, qoftë dhe e një materie juridike, siç është Statuti i Shkodrës. Këtu nuk është pa vend që të kujtojmë se disa nga kronikanët e mëdhenj osmanë të shek.XV kanë shkruar se gjoja emri i Shkodrës lidhet me një formë të korruptuar të emrit Iskanderia, që gjoja qenka emri i vetë Aleksandrit, se gjoja vetë Aleksandri i Madh e paska themeluar qytetin. Është për t’u habitur që, humanisti më i madh i shek.XV prifti erudit shkodran Marin Barleti e hedh poshtë tezën se Shkodra është themeluar nga Aleksandri i Madh. Besoj se Marin Barleti ka patur mundësinë për ta parë me sytë e tij dokumentin e Statutit të Shkodrës dhe ka lexuar hyrjen e këtij Statuti. Barleti në kryeveprën e tij “Rrethimi i Shkodrës” i botuar në Venedik më 1504, shkruan:
“Thonë disa të huaj se Shkodra paska qenë themeluar nga Aleksandri i Madh, mirëpo kjo s’duhet pranuar, sepse Shkodra ka ekzistuar shumë më parë se sa të lindte Aleksandri i Madh, por edhe vetë muhamedanët shkojnë me këtë arsyetim, sepse Shkodrën në gjuhën e vet e quajnë Iskander, dhe ky emërtim sipas shpjegimit të tyre është një me emrin Aleksandri, mirëpo ky është qyteti i Egjiptit që themeloi Aleksandri i Madh”.
Që dokumenti i Privilegjit është apokrif kjo vetëkuptohet edhe nga rreshtat e fundit ku thuhet se Aleksandri i Madh po vdiste pa trashëgimtarë në Aleksandri, kur dihet se Aleksandri i Madh u sëmur dhe vdiq në moshën 33 vjeçare në Babiloni duke e lënë gruan e tij të bukur Roksana me djalin e tij. Kufoma e Aleksandri të Madh, e futur në një sarkofag alabastri, e zhytur në mjaltë u transportua nga Babilonia në Aleksandri për t’u varrosur në një vend sekret, që nuk është gjetur ende deri më sot.
Dokumenti i Aleksandrit të Madh përmend edhe një jurist me emrin Atleti, gjithashtu një personazh apokrif, por përmendja e një juristi të lashtë u ka interesuar juristëve mesjetarë, që kanë formuluar Statutin e Shkodrës. Dëshminë e parë për Statutin e Shkodrës e ka dhënë studiuesi Leone Fontana në një studim bibliografik të vitit 1907.
Këtë Statut e përmend edhe studjuesi i famshëm Zef Valentini, por studiuesi më i mirëinformuar dhe konceptual për tërë statutet e qyteteve shqiptarë në Mesjetë është gjeniu Milan Shuflai. Shuflai ka një njohje të mrekullueshme të situatës historike të periudhës së vetëpërcaktimit dhe vetëqeverisjes të qyteteve komunare, në formën e republikave mesjetare. Qytetetet shqiptare të Adriatikut Lindor e patën si nevojë të brendshme formalizimin statutor juridik. Që më 1924 Shuflai në disa studime të tij flet për statutet e qyteteve shqiptare.
Sipas Shuflait, që në shek.VIII pas Krishtit, në Dalmaci, në Italinë e Jugut dhe në tokën e Durrësit, dobësohet autoriteti juridik i Bizantit. Autonomitë qytetare krijonin një formësim të ri shtetëror duke ja dhënë fuqinë parësore kryenëpunësit të komunës qytetare. Juridiciteti i tyre ka disa ndikime të mëdha nga Perëndimi në kohën e Normanëve, të anzhuinëve dhe sidomos të periudhës së Shqipërisë, më saktë të bregdetit shqiptar nën zotërimin e Venedikut. Këto ndikime në shek.XII dhe të XIV i lidhin qytetet shqiptare me tipin e qyteteve dalmatine, duke i afruar me tipin e qyteteve të Italisë së Jugut më shumë se sa me qytetet e Italisë së Veriut.
Por në shek.XIV Italia e Veriut i jep më tepër ushqim shpirtëror në rrafshin juridik. Gjatë sundimit të Venedikut në vitet 1392-1401, në qytetin e Durrësit, sipas një dokumenti të ardhurat janë rreth 3000 dukate. Të ardhurat doganore të Shkodrës më 1416 çmoheshin në dokumente deri në 10.000 perpera. Dokumentet e llogarive financiare për Drishtin, Ulqinin, Danjën, Shkodrën dhe Durrësin, janë një element plotësues dhe tregues i saktë i jetës praktike të statuteve. Kjo autonomi do të çonte dhe në veprimtarinë e prerjes së monedhave të këtyre qyteteve.
Kështu monedha e argjentë e Kotorrit kishte figurën e Shën Trifonit, monedhat e Shkodrës kishin Shën Stefanin e Shkodrës, monedhat e Ulqinit, figurën e Shën Marisë, monedhat e Tivarit figurën e Shën Gjergjit. Prerjet autonome të monedhave shpesh punoheshin sipas figurës së vulës së qytetit. Kështu një monedhë e Drishtit ka figurën e një kështjelle me mure me bedena me një portë të madhe rrethore dhe një zambak në të. Stabilimentet e prerjes së monedhave të Shkodrës dhe të Ulqinit, punuan frutshëm nën sundimin e Balshajve. Venedikasit në Shkodër, prenë një monedhë me figurën e Shën Markut. Këto dukuri monetare lidhen me statutet e qyteteve në fjalë. Shuflai i njihte statutet e Durrësit të vitit 1392, të Shkodrës të vitit 1396, të Drishtit 1397, të Tivarit 1369 dhe Ulqinit 1376.
Statuti më i vjetër i vitit 1214 është ai i qytetit ishullor Korcula në Dalmaci. Në Raguzë Statuti nis më 1272. Në Italinë e poshtme dhe në Sicili serinë e të drejtave komunare e hap qyteti i Barit në kohën e Karlit të I, Anzhu. Statuti i Budvës lindi nën perandorin Dushan më 1349. Redaktimin e ligjeve të Ulqinit e ka bërë konti Mark Polami nga Venediku më 1280. Durrësi nga viti 1350-1361 kishte një kod ligjesh në latinisht por gjatë sundimin të Balshajve dhe Topiajve më 1385-1392, qytetarët e Durrësit e fshehën këtë Statut dhe më 1398 u gjet në Kuvendin e Françeskanëve një fragment me 35 kapituj, të shkruar në letër. Origjina më e hershme e këtyre statuteve sipas Shuflait ka qenë shprehimisht bizantine.
E drejta bizantine është në bazën e statuteve të qyteteve shqiptare por kjo e drejtë është modifikuar nga elementi juridik që vinte nga Italia. Një ndikim të fortë mbi statutet e qyteteve të Shqipërisë së Veriut ka ushtruar e drejta enkorike e zonës së fortë me elementë reliktuarë, zakonorë, të popullsisë shqiptare.Zeqo
Mbas shek.XII rritet ndikimi i drejtpërdrejtë i shkollave juridike të famshme të Bolonjës dhe Padovës. Në shek.XIV Venediku ka përparësi dhe ndikimi nivelues i Venedikut nuk manifestohet vetëm në faktin se statutet konfirmoheshin në Venedik, por edhe se apelet gjyqësore përcaktoheshin nga guvernatorët që në instancë të fundit si p.sh. ai i Shkodrës apo i Durrësit caktoheshin me urdhër dhe se vetë statutet e Venedikut qenë burimi i së drejtës në statutet e qyteteve shqiptare.
Është fakt që Venediku, është nga polet e interesave të shqiptarëve në shekuj. Arkivat dhe monumentet e Venedikut, lidhen me shumë të dhëna herë herë të papritura, që kanë interes shpesh eskkluziv. Studjuesit kanë vënë re që në themelimin e disa pikave në periudhën helenistike rreth Venedikut arkaik janë dhe disa emra kështjellash me emra epirotë të epokës së Justinianit të Madh të Bizantit dhe të përmendura edhe në kronikën e Prokopit.
Prof.Vladimir Dorrigo i Universitetit të Venedikut, përmend popullsitë e hershme ilire në Venedik, madje venetët, konsiderohen si ilirë, prandaj edhe në të folurën shqipe, ruhet forma Venedik dhe jo Venecia siç e shqiptojnë italianët e sotëm. Venedik – është pikërisht nga venetët. Në kohën e Perandorit romak, Augustit, shumë qtytetarë, kolonë dhe veteranë venetë ishin transferuar në Durrës. Pra, lidhjet e shqiptarëve me Venedikun, kanë të bëjnë me një substrat shumë të hershëm. Në shekullin e XV një poet i quajtur Jakob Albizoti, mik i poetit Molmeti nga Firence shkruan një poezi, ku përmenden dhe shqiptarët në Venedik.
Aleanca Shqiptare Venedikase për Mbrojtjen e Shkodrës në kohën e Marin Barletit është një faqe e mrekullueshme e këtyre lidhjeve. Barleti librin e tij e botoi në Venedik. Një shekull mbas Barletit, një dijetar i quajtur Xhiovani Palaxxi, boton një histori të tij për Venedikun, të treguar në mënyrë origjinale nëpërmjet një palë letrash bixhozi me 52 karta. Pikërisht karta e 9-të e këtij libri, tregon figurën e një gruaje nga Shkodra, me qëndrim në këmbë pranë një tryeze, ku është një kafshë e vogël hermelini, një lloj maniferri dhe prapa saj është një dritare e hapur ku duket një pemë, që ka në një degë një turtull. Sipas Lucia Nadin, edhe hermelini edhe turtulli kanë qenë simbole të ruajtjes së zakoneve dhe besnikërisë bashkëshortore.
Me rënien e Shkodrës në pushtimin osman më 1489 erdhën në Venedik shumë shqiptarë të emigruar. Ata ndërtuan një institucion të quajtur “Shkolla e shqiptarëve”, që kishte në fasadën e ndërtesës një reliev, ku tregohet Sulltan Mehmeti i Dytë me shpatë të ç’veshur në dorë përballë malit me kështjellën e Shkodrës. Po në këtë godinë është dhe një relief, që tregon portretin e Shën Marisë së Shkodrës në ballë të portës.Brenda godinës është realizuar një cikël afreskash pikturike të artistit të famshëm Viktor Karpaçi. Këto afreske lidhen me 6 histori të kushtuar virgjereshes Shën Maria.
Një e dhënë historike flet se në Venedik shqiptarët qenë më të mirët specialistë të kapeleve. Madje përmendet dhe emri i shitësit shqiptar të këtyre kapeleve një farë Mark Pena. Gjithashtu shqiptarët qenë të njohur edhe për prodhimin e arkivoleve, si muratorë, argjendarë, skalitës guri, teknikë për matjen e vëllimit të barkave, berberë dhe furrtarë. Por shqiptarët qenë edhe mjeshtra të xhamit. Pikërisht në Murano, që është qëndër e xhamit venedikas në shek.XV përmendet një Nikolla Biagi i cili kishte edhe një fabrikë të xhamit, që drejtohej prej tij.
Termi konvencional “Shqipëria venedikase” është përdorur nga shumë studjues. Ky term ka në substancë të vërtetën, sepse qytetet shqiptarë të bregut lindor të Adriatikut dhe Venediku kanë patur shumë elementë të jetesës së përbashkët qytetare, politike, ushtarake, ekonomike madje dhe artistike. Jo më kot një nga piktorët më të mëdhenj venedikas të shek.XV Mark Bazaiti është me origjinë nga Shqipëria zotërimet venedikase kanë vazhduar vonë në Shqipëri.
Fjala vjen deri në shek.XVIII qyteti i Butrintit së bashku me Korfuzin kanë qenë nën juridiksonin venedikas me ndërprerje, por mbas traktatit në Kampoformio, Napoleon Bonaparti i dha fund si shtet më vete Republikës së Venedikut dhe sipas këtij traktati, Butrinti dhe toka të tjera shqiptare i kaluan zotërimit francez.
Po kjo është një temë më vete. Ideja ngacmuese është që nuk duhen kufizuar marrëdhëniet e Venedikut me Shqipërinë vetëm në shekujt e mesjetës dhe kryesisht në shek.XII dhe XVI por kanë vazhduar edhe në shekujt e tjerë deri në fillim të shek.XIX. shumë arkiva familjare të Shkodrës ruajnë relike, piktura, dokumente, veshje, mobilje dhe sende të tjera të lidhjeve të vazhduara në hapësirë dhe kohë me Venedikun. Historia kështu rizbulohet papushim, sepse askush nuk duhet të ketë frikë apo të tutet nga e vërteta historike.
Shkrim i shkkelqyer. Moikom ti ke mirenjohjen e vleresimin e vjithe shqiptareve. Vetem shteti nuk do te dije fare. Te kam pare ne spital dhe jam lemerisur qe pashe me syte e mij qe te kishin lane ne kushtet mizerabel te spitaleve. Ti nuk ke bere asnjehere asnje kompromis me qeverite dhe prandaj jane sjelle keq me ty. Ti je Nder i Kombit dhe kete e thone te gjithe perveç pushtetareve