Ndeshja finale e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës do të mbahet në Stadiumin “Lusail”. Ai është më i madhi ndër shtatë stadiumet e reja që ndërtoi Katari posaçërisht për kampionatin botëror të futbollit. Megjithëse nuk dihet kostoja ekzakte e këtij stadiumi, Katari ka njoftuar se shpenzimet e përgjithshme për Kupën e Botës kanë arritur në rreth 200 miliardë dollarë.
Finalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës do të mbahet të dielën, më 18 dhjetor, në stadiumin “Lusail” me një kapacitet prej mbi 80 mijë vendesh.
Kjo do të jetë hera e pestë për Argjentinën që do të luajë në këtë stadium, ndërsa për Francën do të jetë hera e parë.
Në këtë stadium ndodhën disa nga më të papriturat e Kupës së Botës, si p.sh. kur Arabia Saudite mundi Argjentinën 2-1. Sidoqoftë, në këtë stadium argjentinasit kanë festuar fitoret ndaj Meksikës, Holandës dhe Kroacisë gjatë rrugëtimit të tyre drejt finales.
Kur Katari bëri aplikimin për t’u bërë vendi organizator i Kupës së Botës, kishte paraqitur në vitin 2010 një plan me 12 stadiume.
Pas tre viteve të para të përgatitjeve, numri i stadiumeve u ul në 8. Shtatë prej tyre u ndërtuan të rinj, dhe njëri u rinovua.
FIFA e pranoi këtë ndryshim të projektit fillestar, pasi futbollistëve të Katarit thjesht nuk do t’iu duheshin kaq shumë stadiume.
Nuk është e qartë kostoja e saktë e stadiumeve të Katarit. Shpenzimet totale për projektet që lidhen me përgatitjen e Kupës së Botës vlerësohet të jenë në rreth 200 miliardë dollarë.
Nga këto investime, Katari përfitoi shtatë zona të reja me tematika që marrin frymëzimin nga kultura vendase.
Stadiumet u ndërtuan nga dhjetëra mijëra punëtorë emigrantë që u sollën përgjithësisht nga Azia Jugore në kushte pune që u shndërruan në temën më të debatuar për këtë kampionat botëror.
Nuk është i qartë numri i punëtorëve që humbën jetën apo u lënduan gjatë projekteve, pjesërisht për shkak se Katari nuk mblodhi të dhënat dhe nuk hetoi rastet me persona të vdekur.
FIFA ka treguar vullnet pozitiv për t’iu përgjigjur thirrjeve për krijimin e një fondi kompensimi për familjet e punëtorëve që humbën jetën dhe atyre që u lënduan. Qeveria e Katarit i ka hedhur poshtë këto thirrje si një truk publicitar, dhe ka vënë në dukje përpjekjet që ka bërë që punëtorët të marrin pagat e prapambetura.
Stadiumi Lusail u projektua nga studioja britanike Foster + Partners, dhe u ndërtua posaçërisht për kampionatin botëror.
I gjendur 20 km larg qendrës së Dohas, në këtë stadium u zhvilluan gjashtë ndeshje të grupeve fillestare, dhe në vazhdim u përzgjodh për t’u mbajtur ndeshjet eliminatore dhe vetë finalja.
Forma ovale e stadiumit dhe paraqitja e tij komplekse reflektojnë motivet dekoruese që gjenden në mbarë botën arabe.
Pas përfundimit të Kupës së Botës, organizatorët kanë thënë se në stadiumin Lusail do të ngrihen “hapësira komunitare me shkolla, kafene, objekte sportive dhe klinika shëndetësore”.
Komentet