Kjo NGJARJE ME SQEPAR ndodhi në vitet 70-të, kur unë isha gjimnazist. Asokohe, veglat e dorës të marrangozit ishin zdruku, tryela, çekiçi, gleta, sharra, por unë nuk e dija se sqepari ishte vegla më e rëndësishme.
Ja si ndodhi:
Vjedhësi kish hyrë në punishten e marrangozit dhe rrëmbeu disa vegla; midis tyre edhe… një sqepar! Shoh marrangozin e fshatit, Ilo Koten, të hutuar, të menduar dhe pika loti i qenë mpiksur në cep të syve.
-Dukesh i mërzitur,- i thashë.
-Nuk kam fjetur tërë natën; më kanë vjedhur sqeparin, – u përgjigj e lëshoi shtëllunga tymi nga ullukët e hundës.
-Mos shkurto jetën për një sqepar, – i thashë për ta ngushëlluar.- Thuaji kovaçit të bëjë një sqepar tjetër dhe ti s’ke pse mërzitesh kaq shumë.
-Ahaaa!, – ofshau. – Që ta dish, unë kam edhe dy sqeparë të tjerë, si ai që më kanë vjedhur, por halli im është gjetkë….Sqepari është vegël e shenjtë!…
Hymë në punishte dhe vendosi mbi bangon e punës sqeparët e pavjedhur. Më spiegoi sekretin se, tehu i tyre, ish i mprehur nga pjesa e brendshme, ndërsa pjesa e jashtme qe e rrafshët.
-Nuk të kuptoj, – i thashë.
-Hej,- thirri. – Vjershat e tua i gdhend me sqeparin tënd apo, me sqepar të vjedhur?! Unë kam merak se sqepari im ka rënë në dorën e ndonjërit që nuk është marrangoz dhe ai do ta mprehë së prapthi…Vere vëth në vesh: Sqepari, i mprehur së prapthi, nuk vlen as për të pastruar haletë e kooperativës….
korrik, 1973
Komentet