Kampionia iraniane e ngjitjes, Elnaz Rekabi, tha se pa dashje garoi pa hixhab në një garë ndërkombëtare në Korenë e Jugut. Kjo deklaratë vjen teksa janë rritur shqetësimet për sigurinë e saj, pasi shumë komentuan se ajo mbështeti protestuesit në Iran, të cilët po protestojnë qëkur një grua e re vdiq teksa ishte në mbajtje, nën akuzat se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.
Rekabi, që doli i katërta në Kampionatin Aziatik, u zhduk për disa orë pas garës, duke rritur frikën se autoritetet iraniane e kishin kthyer atë në Teheran më 18 tetor.
Sportistja 33-vjeçare tha përmes një postimi në Instagram se garoi pa hixhab – veshja e të cilit është e detyrueshme për gratë iraniane kur dalin në publik – për shkak të “planifikimit të keq dhe thirrjes së papritur për të garuar”.
“Pa dashje kisha një problem me mbulesën time”, tha ajo dhe shtoi se ishte duke u kthyer në Iran së bashku me ekipin e saj “sipas orarit të planifikuar paraprakisht”.
Nuk ka mundur të verifikohet nëse Rekabi e bëri këtë deklaratë vetë apo ishte nën presionin e zyrtarëve iranianë.
Kjo ngjarje kundërthënëse vjen një muaj pas trazirave në mbarë Iranin – që paraqesin një prej sfidave më të mëdha të regjimit islamik që nga revolucioni i vitit 1979 – që u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua nga policia nën akuzat se kishte shkelur rregullat e hixhabit.
Që nga nisja e protestave, disa kampionë të sporteve të ndryshme në Iran dhe figura të tjera të shquara, sikurse ylli i futbollit Ali Daei, janë thirrur në bisedë informative ose janë arrestuar nga autoritetet dhe u janë konfiskuar pasaportat, pasi kanë mbështetur protestat anti-qeveritare.
Hixhabi u bë i detyrueshëm për gratë dhe vajzat afgane pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Komentet