Mësuesit e fshatit tonë i kemi djem xhevahirë që ia dinë ku i rreh çekani punës. Njëherë, pasi mora katërditëshin e pushimeve të blegtorisë, vendosa të kaloja nga shkolla për të pyetur për djalin tonë, Velon, që vazhdon klasën e pestë. Në korridor u takova me Avenir Lakun, mësuesin e historisë i cili me regjistër në dorë po matej të hynte në klasën e tij. U gëzova që më ftoi. Sa për Velon, e ke djalë të urtë, tha.
-Sot kemi temë të re, shtoi dhe u hodh në mësimin e ri: Kryengritjet e Spartakut. Nxënësit, shokët e shoqet e djalit më ndiqnin me sy dhe pëshpërisnin tek rrija në këmbë. Por Aveniri më afroi karrigen e tij për t’u ulur.
-Atëhere, vazhdojmë!-u dëgjua zëri i mësuesit dhe në klasë si nga një dorë e padukshme, u vendos qetësia.
Po dëgjoja si ai nxënësi i zellshëm. Velos, atje në bankë, ia kishte mbuluar fytyrën ngjyra e lulëkuqes; por sikur u çel kur mësues Aveniri nuk pyeti për mësimet e kaluara dhe u hodh në shpjegimin e mësimit te ri: “Krengritjet e Spartakut”.
-Spartaku ishte një gladiator si qindra të tjerë,-tha mësuesi.-Gladiatorët ishin skllevër që ziheshin me njeri-tjetrin, ndërsa skllavopronarët kënaqeshin, argëtoheshin me ta sa s’ka më mirë. Spartaku, siç ju thashë, u bë komandant i tyre. Ai ishte i fuqishëm dhe kishte një trup…me kë t’ua krahasoj unë këtu në fshat? Me kë, hë? Me…Sulejmanin e Fatimesë!
Në klasë u dëgjuan të qeshura.
“Hë, më të lumtë, o Sulejman që të krahasuan me Spartakun”, -thashë me vete me bekçiun e fshatit tonë. Pasaj u futa në të thella: “More, po ku e ka parë ky Aveniri këtë Spartakun, xhanëm?! Po, nejse. Ai e di!”
-Pas kësaj në krye të ushtrisë së tij,-shpjegoi mësuesi,-Spartaku zuri qytetin Kapua. Më kuptoni? Qytetin Kapua, jo Kapo Kabadhën e fshatit tonë! Mos i ngatërroni këto të dyja.
Mësuesi, si mori frymë thellë, vazhdoi:-
-Ushtria e skllevërve me Spartakun në krye u gjend e rrethuar në një vend të ngritur, si t’ua them unë….Ja! Si në Lajthishten e Vogël. Ndërsa, ushtria e skllavopronarëve, që e ndiqnin këmba-këmbës, kishte zënë vend poshtë tyre, siii…..në Lajthishten e Madhe!,- dhe mësues Aveniri, si për t’u siguruar , pyeti klasën:
-Ku ishte ushtria e skllavopronarëve? Ku kishte zënë vend, pozicion?
-Në Lajthishtln e Madhe!, -buçiti klasa.
Unë, mend ia plasa gazit.
-Po skllevërit, skllevërit me Spartakun?
-Në Lajthishten e Vogël!.-.buçiti sërish kori i nxënësve…
-Pra, vetëm i krahasuam vendet,- sqaroi mësuesi duke vazhduar:
-Mirëpo, Spartaku, dha urdhër që skllevërit të këpusnin kulpra, kulpra si ato që kanë mbirë te Ura e Kardhiqit, dhe, duke u varur nga shkëmbinjtë me to, u dolën prapa shpine.
Befas, ra zilja dhe, kur do të ndahesha me mësues Avenir Lakun, ai më tha:
-Eja, eja përsëri të premten , po munde, që ta dëgjosh vetë djalin në mësim!
Kështu vendosa edhe unë.
Pas dy ditësh u duka përsëri andej nga shkolla. Seç më kishte hipur një dëshirë ta dëgjoja vetë zërin e djalit në mësim. Në lëndët e tjera Veloja i mori nga dy nënta e një dhjetë. Më nderoi qerratai. Më ngriti supet. Por, ama, në histori, më duket se e qullosi.
Nuk them se nuk foli. Por më mirë, le t’ju rrëfej ç’mbaj mend si sot, nga ligjërata e tim biri.
Mësues Aveniri, sa ra zilja e fillimit të orës së historisë, si ta kisha lënë me porosi, ngriti Velon në tabelë. Epo, do ta qajë Spartakun , mendova.
Dhe Veloja i ngritur në mësim, pak i hutuar nga prania ime në syë e shokëve, ia nisi temës që e kishte bërë ujë:
-Spartaku ishte një gladiator trim, që argëtonte skllaopronarët…Me trupin e tij të fuqishëm ai ngjante …ngjante si…Sulejmani i Fatimesë…
Në klasë u dëgjuan të qeshura.
“Edhe kjo na u desh, thashë me vete. Të qeshë edhe fshati, tani!…
Ndërkohë, mësues Aveniri e ndihmoi:
-Velo, përmbaju tekstit…
Mirëpo, ca nga unë që isha ulur si inspektor në tavolinë, e, ca nga të qeshurat, Veloja im po i merrte patat për rosa, duke thënë kuturu ato që mbante mend nga shpjegimi i mësimit të kaluar.
-…Më vonë Spartaku zuri qytetin Kapua.
Mua më bëhej se më hidhnin ujë bore në kokë.
-Por me gjithë trimëritë, ushtria e Spartakut u gjend e rrethuar në vendin e quajtur …në Lajthizën e Vogël, ndërsa skllavopronarët ishin vendosur në kodrat e një vendi më të ulët, në…Lajthizën e Madhe!…
“U hutua”,-u dhashë karar mendimeve që më sollën djersë dhe po dëgjoja, por, kësaj here, jo më si prind, por si nxënës.
-Si shpëtoi Spartaku nga ky rrethim i tipit unazë?-pyeti mësuesi me qetësi strategu, duke tundur ne ajër si ata dirigjentët në TV shkopin e tregimit të hartave të gjeografisë.
Por Veloja sikur e kishte në majë të gjuhës përgjigjen, ia nisi të bilbilojë:
– Ushtria e tij këputi kulpra në Urën e Kardhiqit dhe me to, u varën nga shkëmbinjtë e mprehtë. Kështu u dolën skllavopronarëve prapa shpine,
Mësuesi m’u drejtua mua:
-Unë u mundova t’ua bëj mësimin sa më konkret dhe sa më të kapshëm…Por është temë e vështrirë edhe, djali u hutua ca.
-E po, domosdo,-ia prita.-Kjo ndodh kur përshembëllehet mësimi me krahasime të goditura. Edhe nga fshati, edhe nga krahina jonë..Se ndryshe, nga njeri vesh do t’u hyjnë dhe nga tjetri do t’ju dalë.
Këto më erdhën ndër mend nga ato vite të kaluara, qëmoti, pa sot…sot në kohët më moderne, nxënësit janë, ku e ku, dhe të marrin gjak në vetull, e nuk e humbasin si Xhaferi simiten, siç thuhet nga anët tona.