Agjensia Europiane e Zbatimit të Ligjit EUROPOL bëri të ditur sot se një rrjet i organizuar kriminal që vepronte në Spanjë dhe përbëhej kryesisht nga shqiptarë, të dyshuar për kultivim dhe trafikim të paligjshëm të drogës, u shkatërrua falë një operacioni ku u angazhuan agjentët e Policisë Kombëtare spanjolle, forcat e policisë së Katalonjës, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe asaj gjermane. EUROPOL-i, i cili mbështeti operacionin, deklaroi se “107 persona u arrestuan, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, sllovakë dhe grekë. Janë zbuluar 51 ferma kanabisi, janë sekuestruar 25.000 bimë kanabis, janë konfiskuar 70 mijë euro para të gatshme dhe automjete luksoze”.
Sipas njoftimit të EUROPOL-it “grupi kriminal besohet të ketë qenë duke menaxhuar plantacionet e kanabisit në Spanjë ku ata kultivonin dhe përpunonin marihuanën, para se të transferohej në vende të tjera evropiane për shpërndarje të mëtejshme. Grupi kriminal – shpjegon më tej njoftimi – ishte i organizuar me bazë klani, i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht. Disa nga anëtarët e arrestuar, kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme”
Nga ana e saj policia spanjolle tha se “hetimi filloi në qershor të vitit të kaluar, pas marrjes dijeni për një rrjet kompleks lehtësuesish, të cilët dyshoheshin se po mbulonin një organizatë me origjinë shqiptare për t’u vendosur në Spanjë. Ky rrjet ishte i përbërë nga profesionistë nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të energjisë elektrike, ndër të tjera, të cilët, kundrejt pagesës paraprake, ndihmuan organizatën të vendoset në Spanjë, duke u siguruar atyre logjistikën dhe infrastrukturën e nevojshme për kultivimin e marijuanës”.
Në fund të vitit 2020, në kryeqytetin e Gjermanisë, njëra nga dërgesat u neutralizua. Kjo organizatë kishte kamufluar 140 kilogramë boçe marijuanë të paketuara në vakum në një dërgesë frutash të thata, përmes një kompanie britanike. Në këtë fazë të hetimit, sipas policisë spanjolle, “u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, të cilëve iu sekuestruan përveç të tjerave 100 kilogramë marijuanë, 700 gramë kokainë dhe më shumë se 2.000 euro cash. Pas atij veprimi, agjentët filluan hetimet në Spanjë mbi drejtuesit e rrjetit dhe metodat e shpërndarjes së tyre, të gjitha të koordinuara nga Gjykata e Instruksionit numër 3 të Reus. Falë bashkëpunimit ndërkombëtar me Gjermaninë, Shqipërinë dhe EUROPOL, ishte e mundur të identifikoheshin krerët e organizatës kriminale, konkretisht një klan i familjes shqiptare, që banonte në Gjermani dhe Spanjë. Pas kësaj, u bë e mundur të lokalizohej një nga drejtuesit e rrjetit i cili, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, drejtuan një rrjet të madh kushtuar trafikut ndërkombëtar të marijuanës”.
Majin e kaluar një dërgesë e re në Gjermani u ndërpre, ku organizata kishte pjesëmarrjen e një shoferi sllovak të kamionit, i cili fshehu 100 kilogramë boçe marijuanë të paketuara me vakum në mesin e ngarkesës së tij të ligjshme. Në të njëjtën kohë, në Reus, një shkatërrua një plantacion prej 1.170 bimësh marijuanë, ku u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, anëtarë të rrjetit.
Nga hetimet ka rezultuar se pjesëtarët e grupit kriminal devijonin furnizimin me energji elektrike për të kultivuar ilegalisht bimët në ambiente të mbyllura. Është vlerësuar ,sipas Europol-it, se energjia elektrike e vjedhur arrinte në mbi 1.6 milion euro, në të ardhura të humbura të shërbimeve të enteve të energjsië.
Europol tha se një nga ekspertët e tij u vendos në Spanjë për të lejuar kontrolle të të dhënave të Europol-it, ndërsa tre hetuesë shqiptarë u vendosën gjithashtu në Spanjë në kuadër të Projektit IPA2019 që synon të luftojë krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Në krah të kolegëve spanjollë, gjatë prezantimit të rezultateve të operacionit të sotëm, Drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare Ardi Veliu bëri të ditur se pala shqiptare ka qenë e përfshirë që në fazat e para të hetimit, përmes shkëmbimit të informacionit me autoritetet spanjolle e deri në finalizimin e ndërhyrjes për goditjen e rrjetit të trafikantëve. Zoti Veliu deklaroi se “ne nuk do të mjaftohemi vetëm me mbylljen e operacionit, në këtë stad, por do të vazhdojmë në vendin tonë, duke hetuar mbi pronat që mund të jenë kryijuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal të të gjithë shtetasve të përfshirë. Sepse duke goditur dhe pjesën ekonomike, i japim një goditje shumë të fortë aktivitetit kriminal duke e paralizuar atë”.
Komentet