Festa arriti kulminacionin kur autobusi me futbollistët dhe drejtuesit e Real Madridit arriti në shesh
MADRID – Në rrugët e Madridit deri në orët e mëngjesit u festua titulli i 11-të në Ligën e Kampionëve të cilin Real Madridi mbrëmë e fitoi pas ekzekutimit të penaltive, ndërsa fitorja është më e bukur sepse në finale mposhtën rivalin më të madh të qytetit Atleticon.
Finalja e Ligës së Kampionëve mbrëmë u luajt në Milano, ndërsa ekipi i Realit mbrëmë vonë ka arritur në Madrid, ku është pritur nga disa mijëra tifozë.
Është festuar në sheshin qendror Cibeles të Madridit, ku mijëra tifozë gati tetë orë pritën lojtarët dhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Festa arriti kulminacionin kur autobusi me lojtarët dhe udhëheqësinë e Real Madridit arriti në shesh.
Pavarësisht motit të ftohtë dhe me shi, lojtarët respektuan tifozët dhe erdhën në shesh, por, festa me rastin e fitimit të trofeut të ri evropian do të vazhdojë edhe sonte.
Për sonte në ora 21:30, sipas kohës lokale, është paralajmëruar një festë e re dhe paradë e lojtarëve me kupën në një autobus të veçantë me platformë të hapur. Parada do të përfundojë me festimin në stadiumin Santiago Bernabeu.
Komentet