Spanja nuk e lejoi ekipin e grave në hendboll, Istogun, të luajë me simbole shtetërore në Challange Cup, që po zhvillohet në Malaga. Istogu pranoi të luajë vetëm me një kusht: që nga fusha, të largohen edhe flamujt e Spanjës.
Vajzat e Istogut udhëtuan sot në Malaga të Spanjës dhe menjëherë u përballen me probleme pasi që autoritet spanjolle nuk dëshironin t’i lejonin simbolet shtetërore të Kosovës në ndeshjen që u zhvillua sot në orën 18:30, shkruan Gazeta Express.
Plani i Spanjës funksionoi deri në një pikë, pasi Istogu u detyrua të luajë pa simbole shtetërore. Mirëpo, plani i tyre nuk shkoi në mënyrë të përsosur, pasi ata u detyruan t’i largojnë nga stadiumi edhe flamujt e Spanjës.
Pak para se të fillonte ndeshja, drejtuesit e klubit spanjoll kërkuan përsëri që në sallë të ishin të pranishëm simbole shtetëore të Spanjës, mirëpo drejtuesit e Istogut e kundërshtuan fuqishëm këtë propozim.
“Drejtuesit e Istogut kanë kundërshtuar ashpër, duke njoftuar se nuk do të dalin për të luajtur ndeshjen nëse në sallë shfaqet ndonjë flamur shtetëror dhe aty nuk është edhe flamuri i Kosovës. Vetëm pas vendosmërisë së drejtuesve të Istogut, në sallë u shfaqën vetëm flamuri i EHF-së dhe ai i Challenge Cup dhe jo flamuj shtetëror”, shkruan Federata e Futbollit të Kosovës.
Në fund, Malaga e fitoi ndeshjen me rezultat 40:9. Pas pjesës së parë, rezultati ishte 17:4 për spanjollet. Ndeshja e dytë luhet menjëherë të dielën (nesër) nga ora 11:00 në Alhaurin de la Torre, në afërsi të Malagas.
KHF Istogu në rrethin e tretë të Kupës Sfiduese e ka eliminuar skuadrën italiane Cassano Magnago, ndaj të cilës i fitoi dy ndeshje në Pejë.
Kjo nuk është hera e parë që sportistë kosovarë hasin në probleme të tilla në Spanjë, pasi që edhe në botërorin e fundit të Karatesë, Spanja ua kishte ndaluar përfaqësuesve të Kosovës të përdornin simbole shtetërore.
Për këto probleme, Spanja ka pasur vazhdimisht presion nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që i kishte kërcënuar autoritetet spanjolle se nëse probleme të tilla vazhdojnë të ndodhin, atëherë atyre mund t’u ndalohet organizimi i garave ndërkombëtare. /Gazeta Express/
Komentet