Një plejadë e tërë përkthyesish, pjesa më cilësore e të cilëve e ardhur nga letërsia, si M. Kuteli, L. Poradeci, S. Caci, V. Kokona, po dhe të tjerë si S. Papakristo, S. Luarasi, H. Selfo, H. Kokalari, B. Doko, P. Zheji, R. Shvarci etj., përballoi me nder detyrën fisnike për të sjellë në gjuhën shqipe disa nga vlerat e mëdha të letërsisë së përbotshme. Asnjëherë lexuesit shqiptar nuk i qenë hapur aq dritare të universit letrar sa në kohën kur punoi e krijoi kjo çetë mjeshtërish të gjuhës shqipe.
Dhe Sotir Caci është një nga këta mjeshtër të rrallë, pas emrit të të cilit qëndron jo vetëm një bibliotekë e tërë librash, po dhe një individualitet i spikatur në historinë e përkthimit shqiptar.
Sotir Caci lindi më 1917-n, në një familje atdhetare e kulturëdashëse në fshatin Borovë të krahinës së Kolonjës. Në këtë trevë aq të begatë me njerëz patriotë e mendjendritur, ai do të mëkohej e brumosej veç të tjerash, gjuhësisht me pasurinë dhe bukurinë e gjuhës së F. Nolit me shokë. Në Elbasan, Sotiri, do të kryente Shkollën Normale, do të ishte nxënës i Aleksandër Xhuvanit dhe me dashurinë për shqipen dhe dijen, ai do të punonte për vite me radhë mësues nëpër fshatra, ku buronte gjuha e popullit. Edhe pse në këto rrethana, mësuesi i thjeshtë do të bënte jetën e një intelektuali, jo vetëm duke lexuar, po edhe duke krijuar. Një brez i tërë letrarësh të ri në këtë kohë, pjesa më e madhe mësues, si Migjeni etj. do të debutonin në letërsi dhe do të dalloheshin për temat sociale dhe origjinalitetin krijues. Sotir Caci do të ishte një nga këto talente, që do të bashkëpunonte në revistat e gazetat e kohës me poezi dhe tregime dhe që do të tërhiqte vëmendjen e kritikës. Vjershat e tij, kryesisht me tema dashurie, janë lirika plot ndjenjë, të shkruara me një gjuhë të rrjedhshme dhe varg të shkathët. Disa prej tyre, jo rastësisht u botuan në të vetmen antologji të poetëve të rinj nga fundi i viteve ‘30, krahas poezive të Migjenit, P. Markos, Dh. Shuteriqit etj.
Por veprimtaria e hershme letrare e Sotir Cacit nuk lidhet vetëm me poezinë. Krahas kësaj, ai do të niste të përkthente sidomos prozë, të cilën do ta botonte në revistat e kohës. Pas sprovave të para të suksesshme, ai do t’u jepte lexuesve shqiptarë të përkthyer romanin popullor të atyre viteve “Ura e psherëtimave” të Mishel Xevakos.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, poeti i ri u lidh shpirtërisht dhe mbështeti popullin për çlirimin e atdheut. Pas masakrës naziste të Borovës, ku humbi të dy prindërit, i tronditur nga ngjarja e kobshme, shkroi poemën “Borova”, vepra e tij ndofta më e mirë, e cila më pas dhe u muzikua nga kompozitori Kristo Kone.
Pas çlirimit, Sotir Caci punoi në fillim si redaktor dhe përkthyes në gazetën “Bashkimi”, pastaj në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku për disa vjet ishte dhe anëtar i komitetit drejtues dhe në fund në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ai është një nga themeluesit e këtij enti me emër në kulturën tonë, shef redaksie, mbi të gjitha përkthyes, që ia kushtoi tërë energjitë dhe vitet më të mira kësaj pune fisnike.
Është fusha e përkthimeve, ku personaliteti i Sotir Cacit u konsolidua dhe u maturua për afro dyzet vjet. Përkthimi në vitet e pasluftës kaloi nga amatorizmi në profesionalizëm të vërtetë. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, që u kthye në qendër dhe laborator krijues, nxori në dritë me dhjetëra vepra të përkthyera mjeshtërisht, një pjesë e të cilave mbajnë firmën e Sotir Cacit. Dhe kur mbylli sytë, në nëntor të vitit 1983, në moshën 66-vjeçare, ai la prapa një fond të begatë përkthimesh, me një bilanc gati marramendës që përfshin dhjetëra vëllime, në mijëra faqe në prozë e në vargje. Në këtë bibliotekë me emrin e tij, është e pranishme letërsia botërore, me disa nga korifejtë e saj më në zë, përfaqësues të drejtimeve dhe epokave të ndryshme letrare, të të gjitha gjinive dhe llojeve kryesore.
Vendin parësor në shqipërimet e Sotir Cacit e ka letërsia franceze, letërsia, që ai kishte më për zemër dhe që e shoqëroi tërë jetën. Falë kësaj lidhjeje të gjithanshme lindën shqipërimet e tij madhore, disa nga kryeveprat e kësaj letërsie, si komeditë më të spikatura të Molierit, romanet e njohura të Balzakut (“Kushëriri Pons”, “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” etj.), romani “Manastiri i Parmës” i Stendalit, tregime dhe novela të A. Dodesë, “Fëmija” e Zh. Valesë, deri dhe vepra të autorëve bashkëkohorë francezë, si romani “Familjet e mëdha” e M. Drionit dhe “Misteri i gjarprit me pendë” i R. Dyshato. Nga ana tjetër, fondi i shqipërimeve të Sotir Cacit nuk mund të kuptohet pa përkthimin e dy epopeve të letërsisë ruse, siç janë “Lufta dhe paqja” e L. Tolstoit dhe “Doni i qetë” i M. Shollohovit apo novelat e A. Çehovit, romani “Nëna” i M. Gorkit dhe “Garda e re” e A. Fadejevit etj. Gjithashtu, ai ka dhënë në gjuhën shqipe romane nga letërsia italiane, si romanet “Skënderbeu” i A. Xonkadës dhe “Çoçarja” i A. Moravias.
Mund të vijonim dhe më tej me renditjen e autorëve dhe veprave të tyre, që tërheqin vëmendjen pas kaq vitesh dhe që iu dhanë lexuesit shqiptar, por s’ka dyshim se nuk është numri i madh i tyre që e ngrenë S. Cacin në lartësinë e përkthyesve tanë më të mirë. Në radhë të parë është niveli i lartë i shqipërimeve të tij, aftësitë e shquara që tregon, individualiteti i spikatur krijues. Duke e studiuar nga afër këtë individualitet, nuk mund të mos vëmë re se te S. Caci kemi një nga personalitetet e dallueshme si përkthyes, me tipare origjinale, që flasin sa për dhuntitë e tij artistike, aq edhe për një formim gjuhësor shkencor. Duke ecur në shtigjet, që çeli Noli në fushën e vështirë të artit të shqipërimit, ai, së toku me kolegët e tij më të dalluar, krijuan dhe konsoliduan shkollën shqiptare të përkthimit. Kjo shkollë, vepër kolektive e një brezi përkthyesish-krijues, u ngrit mbi bazën e traditës sonë më të mirë dhe të disa principeve, që harmonizonin kriteret artistike me ato edukative-shoqërore. Një platformë e tillë, që gjen pasqyrim në punën e tyre, u hapi horizont dhe fushë pune S. Cacit dhe shokëve të tij, që për disa dhjetëvjeçarë dhanë në gjuhën amtare veprat më të dalluara të letërsisë botërore të të gjitha kohërave. Ata ndoqën rrugën e Nolit, jo vetëm duke përkthyer autorë dhe vepra, që u përgjigjeshin nevojave të kulturës dhe të stadit të shoqërisë shqiptare, por përzgjodhën faqe me nivele të larta artistike. Jo rastësisht, Noli i quajti përkthimet shqipërime, që nënkupton ridhënien e vlerave ideoartistike të letërsisë së huaj në gjuhën shqipe, me mjetet dhe aftësitë e saj shprehëse, me vërtetësi dhe tingëllim shqiptar. Në këtë vështrim mund të themi se përkthimet e S. Cacit qenë shqipërime në kuptimin më të saktë të fjalës. Ai kurdoherë do të synonte të mos përkthente fjalën, por duke njohur thellë autorin e duke zotëruar veprën, të jepte shpirtin e tyre, frymën e gjallë, që nënkupton tërësinë e ideve e mendimeve, thelbin social dhe frymën historike të ngjarjeve, karaktereve, tipave shoqërorë, gjithnjë përmes veçantive të individualiteteve krijuese. Dhe këtë do të arrinte në saje të njohjes së thellë dhe zotërimit të gjithanshëm të shqipes, jo vetëm të leksikut të pasur e të larmishëm, por në radhë të parë të përvetësimit të shpirtit të saj, të aftësive përtëritëse, të vitalitetit të brendshëm, të sintaksës së gjallë, të gamës së gjerë stilistikore që është në gjendje të rrokë e të japë gjuha jonë.
Sotir Caci kishte bindjen, dhe këtë e manifestoi dhe e mishëroi përmes përkthimeve të veta mjeshtërore, se gjuha shqipe është e denjë dhe e aftë të bartë me verbin e saj çdo mendim sado i thellë qoftë, çdo shfaqje të botës shpirtërore, ndjenja nga më të hollat dhe situata nga më të ndërlikuarat. Kështu, nga dora e tij do të kemi në gjuhën shqipe të transmetuara sa lirizmin, aq dhe epizmin e artistëve të mëdhenj të fjalës. Poezia dhe proza e huaj në shqipërimin e Cacit, duke mbetur origjinale në thelbin e tyre kreativ, në të njëjtën kohë tingëllojnë shqip, bëjnë jetën e tyre të vetvetishme nën petkun gjuhësor shqiptar.
Te Sotir Caci, edhe pse përktheu një mal të tërë me prozë, shpirti i tij mbeti poezia. Tërë jetën ai shqipëroi poezi. Shqipëroi në rini, por edhe më shumë në moshën e pjekurisë, madje deri në ditët e fundit të jetës. Duke qenë dhe vetë poet, njohës i thukët i poezisë, me një ndjeshmëri të lartë artistike, sens të fortë gjuhësor si dhe përvojë të pasur shqipërimi, përkthimet e tij poetike, parë në tërësi përbëjnë një nga faqet më të ndritura të poezisë botërore në gjuhën shqipe
Është fakt i pakundërshtueshëm dhe për këtë gjë dëshmon qartazi “Antologjia e poezisë franceze” se S. Caci ishte dashuruar pas kësaj poezie. Duke u ndjerë i afërt shpirtërisht dhe intelektualisht me gurrat dhe rrjedhat e saj të fuqishme, ai do të rijepte në gjuhën shqipe zërat më madhorë të kohëve dhe drejtimeve të ndryshme letrare. Nga “Kënga e Rolanit” dhe “Romani i dhelprës” te poezia e Valmorit dhe La Fontenit, e Bualosë dhe Volterit, rikëndimet e Cacit do të arrinin nivelet më të reja të verbit francez me poezitë e A. de Mysesë, Sh. Bodlerit, A. de Vinjisë, Neolit, Rembosë e deri te P. Eluari. Ai do të botonte vëllime më vete si “Antologji poetike” e V. Hygoit, “Netët” e A. de Mysesë, “Poetët e Komunës”, “Poezi” të Potiesë etj.
S. Caci do të përkthente në radhë të parë poezinë klasike dhe atë të romantizmit francez, por nuk do të mbeteshin anash poetë me ndjeshmëri moderne, si Bodleri e Rembo apo simbolistët si Meterliku, që përfaqësonin shprehje të reja artistike dhe teknika novatore. Në fushën e shqipërimit të poezisë, ai i është qasur veprës me seriozitet dhe përgatitje të vërtetë profesionale, duke kërkuar dhe kapur tërë elementët e tekstit poetik: kuptimin e mirëfilltë, ngarkesën emocionale, tonin e brendshëm, ritmin, stilemat dhe veçantitë stilistikore, siç bënte një punë të madhe për të ridhënë dhe sistemin figurativ të poezisë, sado i ndërlikuar të paraqitej.
Vepra poetike, e vendosur në laboratorin krijues të Cacit, do t’i nënshtrohej një shqyrtimi anatomik, evidentimit të shtresave kuptimore, për të rrokur dhe ridhënë në gjuhën amtare, në radhë të parë, tharmin e origjinalit dhe pastaj tërë elementet e veshjes artistike. I nisur nga tradita noliane, për të cilën ai kish një venerim të thellë, shqipërimin e poezisë ai e përjetonte në mënyrë krijuese. Natyra e saj delikate dhe teknika e vështirë, e bënin jo vetëm të angazhohej shpirtërisht, por të përballonte me këmbëngulje gjithë kërkesat për një shprehje të mirëfilltë poetike. Ai luftonte me këmbëngulje kundër rreziqeve të përhershme që i kanosen punës së përkthyesit, siç janë fryma e huaj dhe artificialiteti, rrafshimi i nuancave dhe mosrespektimi i individualitetit artistik, ekuivokët dhe pasaktësitë. Çelësi i suksesit të Cacit ishte përvetësimi krijues i origjinalit dhe ridhënia e tij jo vetëm me një ekuivalencë gjuhësore shqipe, por mbi të gjitha me komponentët e përmbajtjes dhe këto të paraqitura natyrshëm dhe bukur.
Në punën e shqipërimit, që për nga shkalla e madhe e vështirësive, siç thotë Noli, është njësoj si t’i rrëmbesh çomangen Herkulit, S. Cacin e karakterizonte një ndërgjegje e lartë artistike. Duke e quajtur përkthimin akt nderimi ndaj autorit, duke qenë dhe vetë artist i fjalës, që jepte gjithnjë diçka nga vetja dhe e kthente përkthimin në një proces të vërtetë krijues, ai dallohet për seriozitet të spikatur dhe pasion për angazhim tërësor dhe vullnet të rrallë. Vepra, në dorën e Sotirit, përftohej sa përmes valës së emocioneve aq dhe të kërkesave për një gjuhë të saktë e të pasur. Puna e tij është antipodi i përkthimeve mekanike, i diletantizmit, i artizanit. Kjo i jep atij në rastet më të mira, privilegjin e rrallë të autorit të dytë, të artistit “rival”.
Tërë jeta e Sotir Cacit iu përkushtua shqipërimit dhe u identifikua me të. Por nga kjo duhet të veçojmë poezinë, sidomos atë franceze, të cilën ai e përjetoi thellë, e ktheu në frymëmarrjen e tij të dytë dhe arriti, pas dhjetëvjeçarësh pune titanike, t’ua japë bashkatdhetarëve të vet. Në 25-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta është rasti t’i bëjmë homazh kësaj figure të nderuar, njërit prej mjeshtërve të shquar të fjalës shqipe, krijuesit të talentuar dhe njeriut të virtytshëm.
26 mars 2008
Komentet