TIRANE – Në orën 18:00 do të hidhet në Nion të Zvicrës shorti për fazën finale të Europianit “Francë 2016”, ku Shqipëria do të njohë tre rivalët e saj për fazën e grupeve. Për tifozët shqiptarë, kjo do të jetë hera e parë që do të provojnë emocionet e këtij shorti, ndërsa trajneri italian i kuqezinjve, Xhani de Biazi, deklaron se nuk ka asnjë preferencë për emrin e rivalit, pasi Shqipëria është në vazon e katërt dhe të gjitha skuadrat që ajo do të ketë si kundërshtare, do të jenë të një niveli më të mirë.
“Nuk dua të zgjedh asnjë skuadër që e preferoj në grup, e as që do të doja ta evitoja. I marrim skuadrat një nga një. Jemi në vazon e katërt dhe nuk kemi probleme. Duke e pasur parasysh se të gjithë janë të fortë, nuk kemi dëshirë të evitojmë askënd”, u shpreh fillimisht De Biazi, në një bisedë për “Zërin”.
“Hera e parë, si gjithmonë, është mjaft e rëndësishme dhe emocionuese për të gjithë. Shkojmë të bindur, duke shpresuar që të kemi një short të mirë, dhe më pas të shohim se çfarë do të bëjmë”, – vazhdoi italiani, që nuk vendos objektiva.
“Sa u përket objektivave, do të flasim pasi të mësojmë kundërshtarët”. Në fund, De Biazi thekson se do të marrë në Francë skuadrën me të cilën përballoi fushatën eliminatore, ndërsa uron që të mos ketë probleme fizike me asnjë lojtar. “Shpresoj të mos ketë befasi në ekipin tim të Europianit. Nuk varet nga unë. Unë zgjedh në bazë të lojtarëve, se si janë, duke shpresuar që të mos ketë probleme me lëndime dhe gjëra të tilla”, – përfundoi strategu italian.
Delegacioni
Gjashtë funksionarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilëve u shtohet edhe trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, do të jenë të pranishëm në momentin kur do të mësohen emrat e rivalëve të Shqipërisë në evenimentin më të rëndësishëm kontinental. Delegacioni kryesohet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili shoqërohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zv.sekretari Çela dhe menaxheri i ekipit përfaqësues, Alban Bushi. Në Paris ata do të bashkohen me Drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë, Denis Bastari dhe Drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun, Xhankarlo Padovan, të cilët kanë marrë pjesë edhe në seminarin e organizuar nga UEFA.
Për faqen zyrtare të FSHF-së, presidenti Duka është shprehur se të shtunën, “me njohjen e rivalëve në ‘Euro 2016’, Shqipëria do të hyjë zyrtarisht në fazën finale të turneut”. Për sa i takon faktit se cilët kundërshtarë shpreson të evitojë apo skuadrat që mund të jenë më të lehtat për t’u përballur, zoti Duka tha se “nuk bëhet fjalë për preferenca, pasi të gjitha skuadrat finaliste janë të forta dhe e kanë merituar të jenë në Euro 2016”. Përpara shortit në Paris, drejtuesi më i lartë i futbollit shqiptar theksoi edhe një herë deklaratat se Kombëtarja shqiptare nuk do të shkojë për pushime në Francë, por do të provojë të zhvillojë Europianin e saj. JETON SELIMI
Komentet