Sot ditë e diel. Në Zvicër votohet.
Por në mëngjesin e vonë askush nuk e kish prishur gjumin. Qyteza jonë ende flinte të mblidhte energji për javën që do të nisë nesër.
Të flesh në ditën e zgjedhjeve, pa ndryshuar ritualin, nuk do të thotë se qytetarët këtu nuk janë të përgjegjshëm për detyrimin e tyre kushtetutes. Tashmë ky detyrim përgjithësisht është kryer.
Votohet për dy iniciativa popullore që kanë lidhje me pensionet e pleqërisë dhe dy votime në nivel bashkiak.
Iniciativa e parë me sloganin «Für ein besseres Leben im Alter», “Për një jetë më të mirë në pleqëri” kërkon votim për të drejtën e pensionit të 13-të AHV. Kjo nismë u dorëzua nga Federata Zvicerane e Sindikatave në maj 2021. Këshilli Federal dhe Parlamenti rekomandojnë refuzimin e nismës. Kjo iniciativë ose nismë popullore pati si shkas pasojat e inflacionit që ka rritur çmimet, ulur fuqinë blerëse. Ndërkohë janë shtuar blerësit nga Zvicra nëpër supermerkatot e shteteve limitrofe Gjermani, Francë dhe Itali.
Sindikatat bëjnë thirrje që kjo iniciativë të votohet “pro”. Nëse kjo nismë do të kalojë sot, do të ketë një kosto prej rreth 5 miliardë franga zvicerane në vit dhe do të hyjë në fuqi më 2026.
Iniciativa e dytë me nismëtarë të rinjtë liberalë radikalë synon të rrisë moshën e pensionit për burrat dhe gratë në 66 vjeç, nga 65 vjeç për burrat dhe 64 për gratë (pensioni i grave do të shkojë në 65 në vitin 2025).
Një muaj më parë, sikur ndodh rëndom, në kutitë e postës Bashkia shpërndau zarfat tek të gjithë qytetarët me të drejtë vote. Ishin dy zarfa. Një për zgjedhjet e reja në këshillin e qytetit dhe zarfi tjetër për dy iniciativat popullore dhe një votim për këshillin bashkiak. Kësaj here u votua në rang konfederate dhe të bashkisë. Zvicra ka një sistem politik të ndërtuar në tre nivele, atë të konfederatës, të kantoneve dhe të bashkive. Në zarfa gjeje gjithçka që duhej: broshurat sqaruese me qendrimet e qeverisë, fletëpalosje, listat e kandidatëve sipas partive, zarfat e vogla me fletën e votimit për dy iniciativat, fleta me emrin e votuesit e vendin bosh për firmën e tij dhe lista bosh me 7 kandidatë që priste të mbushej me dorë me propozimet nga ata që do të votonin. Votat numërohen nga administrata në bashki, partitë nuk afrohen.
I njëjti zarf që sillte dokumentacionin do të kthehej me postë B të paguar, prandaj këshillohej që hapja të bëhej me kujdes pa e dëmtuar.
Zarfat kthehen me postë ose hidhen direkt në kutinë e Bashkisë së qytezës dhe kështu shkon në rang konfederate.
Ndonjë i vonuar mund të shkojë të votojë edhe sot direkt.
Por kur dolëm për xhiron e mëngjesit rreth orës dhjetë, qyteti ende flinte.
Tashmë fati i këtyre dy inicitivave popullore është vendosur, po ashtu edhe të zgjedhurit për këshillin e qytetit dhe pjesërisht atë bashkiak.Rezultatin e ka vendosur sovrani.
Duke parë këtë proces zgjedhor që shkon “vaj”sikur gjithë të tjerët këtu në Zvicër, pa kontestime, ku rezultati jepet menjëherë posa mbyllen kutitë e votimit, vendi i referendumeve dhe iniciativave popullore, me një sistem demokratik unik, demokraci direkte, që nuk e favorizon kultin e liderit apo të individit, ku këshilltarët e Konfederatës, dmth anëtarët e qeverisë përdorin trenat dhe udhëtojnë pa skorta, ne zviceranëve me rrënjë shqiptare mendja na rreh për Atdheun e Shqipeve, Shqipërinë, e cila ka mbetur si një Republikë Banane me një sistem zgjedhor që i ka kthyer në feudalë kryetarët e partive. Se vendosin ata cilët do të jenë të zgjedhurit e tyre të zemrës në listat e votimeve për në Parlamentin paçavër apo ministrat e korruptuar në qeveri.
Edvin Rama, që në mënyrë pompoze pret e përcjell samite si furrtar amator simitesh, është kryeministri i një vendi që po shpopullohet në mënyrë drastike nga rinia, i gatshëm ta kthejë Shqipërinë në një burg për refugjatë të papranuar nga Bashkimi Europian, si konçesion me liderët e vendeve të BE-së për të zgjatur pushtetin. Për tri mandate në pushtet, janë larguar 1 milionë shqiptarë! Dhe është duke përgatitur mandatin e katërt, ndërsa mban të fshehur rezultatet e censusit që tregon se në Shqipëri kanë mbetur 1.4 milionë shqiptarë.
Protestat dhe presioni i BE-së e SHBA e detyruan edhe aleatin e tij Aleksandër Vuçiç, një lider autokrat me një background nga koha e regjimit kriminal të Milosheviçit, të rishpallë në Serbi zgjedhjet e reja pas manipulimit të zgjedhjeve më të fundit.
Largimi i Vuçiqit është në prag të derës.
Po në Shqipëri si do të bëhet!
A do të reformojë faktori politik sistemin zgjedhor që kërkon edhe ndryshime të Kushtetutës?
Apo në zgjedhjet e 2025 që po trokasin në derë do të përsëritet horrori zgjedhor, me numërime tribale votash që zgjasin me javë dhe, në fund, me zgjedhje të vjedhura dhe lideri ballkanik në shoqërinë e Aleksandër Soros do të organizojë samite te tjera për rrëzimin e sistemit demokratik në të gjithë Ballkanin!
E pra, Zvicra ka qenë gjithnjë model për Rilindasit!
Ata të vërtetët!