Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” çelin fushatën elektorale sot, e shtunë, 15 prill, në orën 12.00 në stadiumin “Air Albania”.
Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua” opozita do të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt 14 majit.
PD ka bërë publik edhe spotin e çeljes së fushatës, ku përmes mesazheve ftohen qytetarët të marrin pjesë në mitingun e kësaj të shtune.
Në videon e spotit bëhet një retrospektivë se si mbërriti PD e rithemeluar deri këtu.
Pikënisja e këtij rrugëtimi është 16 shtatori i 2021, kur kryetari i PD, Sali Berisha nisi Foltoret me qytetarët.
Momenti i dytë madhor ishte Kuvendi i 11 dhjetorit, ku zbriti në stadium “formacioni i lirisë”, me miratimin e ndryshimeve statutore të PD ku u shkarkua Lulzim Basha dhe u bënë pjesë e statutit primaret.
Ndërsa në 6 mars 2022, shqiptarët i besuan rithemelimit me votë, në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Momenti kulminant i rithemelimit të Partisë Demokratike do të ishte 22 maji i vitit të kaluar kur lideri historik, Sali Berisha u zgjodh në krye të PD.
Demokratizimi i PD, tashmë më e hapur dhe më e bashkuar, paralelisht me aksionin opozitar si protestat dhe debati në Parlament, vijoi me zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie përmes procesit të primareve në 4 dhjetor 2022.
Kandidatë të cilët në 14 maj janë alternative ndryshe nga Edi Rama dhe përfaqësuesit e tij dhe mbeten garancia për nisjen e një rrugëtimi tjetër, këtë herë për ndryshimin e vendit.
Mesazhet e spotit të PD:
Ejani të shtunën, 15 prill 2023 ora 12:00 në stadium!
Rikthehemi në ‘Arenë’, aty ku nisi Rithemelimi!
Më të fortë për mbrojtjen e pluralizmit e demokracisë!
Më të hapur me kandidatët e dalë nga vota juaj!
Më të bashkuar të gjithë ata që nuk janë marrë peng nga pushteti!
Ndryshimi në duart e tua!
#BashkëFitojmë
syri.net