Kam patur fatin të njihem me Prof Ndroqin si mjek dhe mik i familjes.
Sot do ta kujtoj në kontekstin e festës së Fiter Bajramit.
Prof.Ndroqi njihet ndryshe si babai i Pneumologjisë shqiptare, i dalluar prej viti 1945 për luftën kundër turberkolozit, minizimin e tij dhe më vonë kurimin e sëmundjeve të mushkërive, që pati në krah emra të shquar mjekësh si Prof.Dhimiter Lito, Prof. Sezai Agalliu, Prof.Elez Selimaj, Prof. Hektor Çoçoli, emra që do të nderonin klinikat më të famshme të botës. Veç kësaj, ky ekip i shkëlqyer akademikësh, me në krye Prof.Ndroqin, edukoi breza të tërë mjekësh dhe, prej 2008, Spitali Universitar mban emrin e tij.
Prof.Ndroqi ishte një tiranas dok, njeri i kulturuar, i civilizuar, studimet i kishte përfunduar në Francë, i nderuar me medaljen Kalorës i Urdhrit të Palmës Akademike të Francës dhe i propozuar për titullin e lartë të Legjioni i Nderit.
Për veprimtarinë e tij shkencore dhe humaniste Prof.Ndroqi nuk do të harrohet kurrë, por unë po e kujtoj sot kur festohet Fiter Bajrami.
Përse do të thoni ju.
Sepse shoh se në rrjetin social kjo festë fetare urohet periodikisht me foto që mbajnë mbishkrime dhe hieroglife arabe deri tek emoji me simbole islame.
Myslimanizmi shqiptar është unik brenda idientitetit europian shqiptar.
Në vitin 1991, kur regjimi diktatorial ndihej shumë i friksuar dhe pa të ardhme, diktatori i fundit Ramiz Alia i hapi burgjet për të burgosurit politikë dhe, po ashtu, lejoi besimin fetar, por pa kërkuar kurrë falje as për krimet kundër njerëzimit dhe as për luftën ndaj përfaqësuesve të fesë, të burgosur, të pushkatuar dhe të masakruar.
Pikërisht në këtë moment, për të mos lejuar që myslimanizmi shqiptar të përzihej me islamizmin arab dhe sektet fondamentaliste të tij, Dr.Shefqet Ndroqi u kujdes personalisht për organizimin e besimit mysliman në Shqipëri.
Ishte fat që një njeri si Prof.Ndroqi, i edukuar dhe shkolluar në Perëndim dhe me rrënjë qytetare tiranase t’i kushtohej këtij misioni kaq të rëndësishëm, pikërisht duke u druajtur nga interferimet fanatike arabe, të cilat e cënonin integritetin e myslimanizmit shqiptar.
Për herë të parë Kuranin, këtë libër të shenjtë, unë e mora në duar si dhuratë nga Prof.Ndroqi dhe e lexova shqip, sikur edhe Biblën që po ashtu kishte filluar të shpërndahej në gjuhën e bukur shqipe.
Pra, Prof. Shefqet Ndroqi, për të shmangur trushplarjen, u mor personalisht me Kuranin, që Libri i Shenjtë të vinte në Shqipëri në gjuhën shqipe dhe t’ju shpërndahej besimtarëve.
Ne jemi shqiptarë, populli më tolerant sa i përket besimeve fetare, me një harmoni religjioze shembullore për gjithë botën. Myslimanizmi shqiptar është kombëtar, element i shqiptarizmës që nuk ka nevojë për arabishten, sikur edhe arabishtja nuk ka nevojë për shqipen. Secila gjuhë përdoret nga popujt e vet, edhe sa i përket liturgjive fetare apo konotacioneve festive. Shqipja, një gjuhë indoeuropiane, nuk ka lidhje me arabishten që hyn në grupin e gjuhëve semite në familjen gjuhësore afro-aziatike, as hieroglifet nuk kanë asfare afërsi me gërmat tona shqipe. Lutjet ndaj Zotit tingëllojnë bukur shqip, sepse jemi shqiptarë.
Nëse sot do të ishte gjallë, Prof.Shefqet Ndroqi natyrisht që do të alarmohej kur të shihte shqiptarët si këmbejnë urimet me sloganë arabisht dhe jam e sigurt se do të fillonte një lëvizje që të ndalej ky shpërfytyrim.
Prof. Shefqet Ndroqi lindi në Tiranë më 1912 dhe u nda nga jeta në 2001, pra ishte rreth 80 vjeç kur u mor vetë personalisht me institucionalzimin e fesë myslimane në Shqipëri, menjëherë pas rrëzimit të diktaturës.
Dhe gjëja e parë që bëri ishte që libri i shenjtë i myslimanëve shqiptarë, Kurani, të ishte në gjuhën shqipe, që shqiptarët ta kuptonin lutjen dhe t’i luteshin Zotit në gjuhën e bukur amtare, e njëjta detyrë edhe për përfaqësuesit fetarë.