Në dhjetor të ‘90-ës, Edmond Budina po kthehej nga Zvicra me trupën e Teatrit Kombëtar, ku kishin shkuar për të dhënë shfaqje. Në kufi mësoi se në Tiranë ishte përhapur fjala se ai dhe Yllka Mujo kishim kërkuar azil politik atje. Me të mbërritur në kryeqytet, dikush i tha se, “në Qytetin Studenti ka plasur revolta…”. Të nesërmen ishte mes studentëve. Nga ai moment, Edmond Budina iu bashkëngjit lëvizjes së studentëve deri në rrëzimin e plotë të diktaturës së gjatë komuniste.
Z.Budina rrëfen për gazeta “Panorama” ngjarjet e atyre ditëve që bënë histori, që nga takimi në Pallatin e Brigadave me Presidentin Ramiz Alia, te përgatitja e programit të PD-së në shtëpinë e Gramoz Pashkos. Edmond Budina tregon se u kujdesën për ta ruajtur atë nga policia deri te studentët. Ai flet edhe për rivalitetin dhe debatet brenda protagonistëve për drejtimin e PD-së. Bashkëthemeluesi i PD-së hedh dritë edhe mbi takimin e Edi Ramës në Qytetin Studenti në mars të vitit 1991-it.
Z.Budina, cila ishte situata në Tiranë dhe në Qytetin Studenti paraditen e 8 dhjetorit 1990? Kur u bëtë pjesë e lëvizjes studentore?
Nuk di të them se cila ishte atmosfera e datës 8 dhjetor 1990, sepse unë isha duke u kthyer nga Zvicra me trupën e Teatrit Kombëtar, ku kishim shkuar për të dhënë shfaqje. Di të them që atmosfera e gjithë atyre muajve, që përgatitën 8 dhjetorin, ishte e nderë në të gjithë Shqipërinë. Këtë atmosferë ne e kishim marrë me vete edhe në turneun tonë zviceran, ku për herë të parë vizitonim një vend perëndimor, që për ne ishte si një përrallë. Në Tiranë ishte përhapur fjala se unë dhe Yllka Mujo kishim kërkuar azil politik në Zvicër. Oficeri i kufirit, kur më pa që u ktheva, e shprehu hapur habinë duke më thënë: “Shyqyr që erdhe o Mond Budina, se këtu janë përhapur fjalë se ke kërkuar azil politik”.
Të njëjtën gjë më thotë edhe një shok i vëllait tim, Robertit, të cilin e kisha përgatitur për të hyrë në Akademinë e Arteve: “Pse u ktheve o profesor, se këtu janë hapur fjalë…”. Për një çast më erdhi në mendje kisha e famshme, Duomo e Milanos, të cilën e pamë për herë të parë në orën 4 të mëngjesit, pas një udhëtimi të lodhshëm. Binte një vesë shi i imët dhe përreth kishte një tis të hollë mjegulle. Shkova te porta në krahun e majtë, mbështeta duart dhe unë, që nuk besoja në Zot, u luta: “O Zot, ndihmoje popullin shqiptar!”. E thashë atë lutje në italisht e shqip, thua se Zoti nuk do të më kuptonte. Pas lutjes dhe asaj që kisha përjetuar në perëndimin e anatemuar për dekada e dekada të tëra nëpërmjet propagandës së regjimit, përgjigja ime nuk mund të ishte veçse: “Jam kthyer për të luftuar”. Dhe ai më tha: “Në Qytetin Studenti ka plasur revolta”. Të nesërmen isha mes studentëve.
Ky ishte momenti që ju u bëtë pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen e Dhjetorit ‘90? Si i keni përjetuar ato ditë?
Janë disa ngjarje në jetën e njeriut, në të cilat ai përfshihet me ose pa dashje, por që mbeten të pashlyeshme në kujtesë dhe bëhesh pjesë e një historie. Të tilla ishin ato ditë të atij dhjetori të ‘90-ës. Unë mbase jam i vetmi që kam qenë pjesëmarrës në takimet me Ramiz Alinë, qoftë në atë të gushtit nëntëdhjetë me intelektualët e njohur të vendit, qoftë në atë me studentët. Nëse në takimin e parë mbresat nuk kanë qenë kushedi se çfarë, për shkak të reagimit të trembur të intelektualëve, përfshi edhe mua; në të dytin, për shkak edhe të atmosferës së krijuar, ishin tepër mbresëlënëse. Nuk do të harroj asnjëherë çastin kur hipëm në autobus për të shkuar në takim dhe dritën e shpresës në sytë e studentëve dhe qytetarëve që na përcollën dhe na pritën pas takimit. Kishte prej atyre që qanin, preknin, puthnin xhamat e tij si të ishte diçka hyjnore. Po ashtu, edhe atmosferën sa të nderë, por edhe të bukur brenda autobusit. Takimin, ku studentët, ndryshe nga intelektualët, u treguan të guximshëm, të vendosur për ta çuar luftën e tyre deri në fund.
Ato ditë ishin të ngarkuara me kaq emocion, ngjarje, përjetime, të cilat është e pamundur t’i harrosh. Nuk mund të harroj, për shembull, momentin kur autobusi në vend që të kthehej djathtas, pasi doli nga Qyteti Studenti, për të shkuar te Pallati i Kongreseve, sikundër na ishte thënë paraprakisht, mori majtas. Të qeshurat, entuziazmi për një çast mbetën pezull. Të gjithëve na shkoi ndërmend Mali me Gropa, atje ku ishin pushkatuar armiqtë e regjimit. Pas sqarimit të bërë prej ministrit të Arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushit dhe sekretarit të Komitetit Qendror të Rinisë, Lisien Bashkurtit, të cilët na thanë se po shkonim në Pallatin e Brigadave, u rikthye, në një farë mënyre, atmosfera e gëzueshme.
Mbresëlënëse ishte edhe mbërritja në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku nga shkurret dekorative dilnin kokat e rojeve, disa civilë e disa ushtarakë, që na vështronin me kërshëri, apo mbase edhe me mllef. Ditët në vazhdim ishin si ditët kur vërshejnë lumenjtë, të cilat rridhnin kaq shpejt dhe të ngarkuara me ngjarje dhe emocione të paprovuara. Ishte lejuar pluralizmi, po krijohej një parti opozitare, një gjë gati e paimagjinueshme, veçse pak ditë më parë. Ishte thyer miti i Partisë së Punës, diktaturës së proletariatit dhe njerëzit ishin plot shpresë e ëndrra.
Si ishte takimi që ndau epokat, sepse të nesërmen Presidenti Ramiz Alia mblodhi menjëherë Byronë Politike dhe deklaroi të drejtën e pluralizmit politik…?
Takimi me Presidentin Alia u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi kishin ndodhur të gjitha ngjarjet, që tashmë dihen. Tensionin veç të tjerave, sipas meje, e krijonte disi edhe ajo perde, pas shpinave tona, që ndante sallën. Edhe sot nuk di se ç’fshihej pas saj. Gjithsesi, duhet thënë se studentët nuk u tutën. Alia u tregua, gjithmonë sipas mendimit tim, tepër dinak, kur pranoi pothuajse qysh në fillim formimin e një partie studentësh ose pluralizmin politik, por në një formë disi të zbehtë, të turbullt. Me një pohim të tillë takimi duhej të përfundonte dhe ne duhet t’i ishim mirënjohës presidentit, që po na bënte lëshimin e “madh”, po na falte, po na jepte mundësinë të krijonim një parti, por studentët nuk u kënaqën me aq pak dhe nuk ranë pre e atij kurthi.
Ata këmbëngulën për një pluralizëm të vërtetë dhe ia përplasën në sy të gjitha bëmat dhe defektet e Partisë së Punës, qeverisë e policisë. Për atë kohë, ndonëse gjërat kishin filluar të ndryshonin, qoftë edhe në arenën ndërkombëtare, nuk ishte fushë me lule dhe e lehtë t’i kundërviheshe diktaturës së proletariatit. Askush nuk e dinte se si mund të reagonte ajo. Eksperienca 45-vjeçare kishte treguar se kur qe nevoja, ajo nuk e kishte kursyer dhunën e represionin. Tani, mbas 34 vitesh, kur dëgjon disa “heronj” e llafazanë që pëllasin e thonë se gjithçka ishte e drejtuar, e organizuar nga vetë Partia e Punës, ose studentët nuk vepruan si duhet për këtë ose atë ngjarje, të vjen të ulërasësh e t’u thuash: “Mirë studentët dhe lëvizja e dhjetorit nuk veproi sa dhe si duhet, po ju “trima pas pilafit”, ku ishit kur ne realisht përballeshim me mllefin dhe forcat e diktaturës?”. Mbase jo gjithçka u krye në perfeksion dhe ashtu si duhej, por ama për herë të parë studentët u ngritën kundër diktaturës dhe u vendos pluralizmi politik, i mirë ose i keq, me vlera apo defekte. Ajo që nuk kishte ndodhur qysh prej 1944, me gjithë pakënaqësitë dhe revoltat e herëpashershme, ndodhi më 1990, falë revoltës së studentëve.
Lideri i lëvizjes ishte një student 28-vjeçar nga Tropoja. Quhej Azem Hajdari, studionte filozofi, ishte më i madh në moshë se sa shokët e tjerë. Cili ishte takimi juaj i parë me të dhe çfarë patë tek ai student, që u vu në krye të lëvizjes, duke dalë publikisht dhe duke hequr frikën e dhjetëra studentëve të tjerë?
Azem Hajdarin nuk e njihja, por rastësia e solli të njihesha me të në një rrethanë të veçantë. Sikundër e thashë, unë sapo isha kthyer nga Zvicra dhe të nesërmen nisem për në Qytetin Studenti. Rrugës takoj një student të artit dramatik, Arben Derhemin, i cili më thotë të shkoja në godinën ku po bëhej mbledhja e përfaqësisë së studentëve dhe pedagogëve, që do të përzgjidhnin grupin, i cili do të shkonte te presidenti. Sipas tij, kjo ishte një porosi e Arben Imamit, që ndodhej brenda godinës ku zhvillohej mbledhja. Dera me kuadrate qelqi e godinës ishte e mbyllur. Përtej saj shoh një djalë me xhup lëkure, i cili afrohet tek dera dhe më thotë: “Respekt për ju profesor. Kemi parë ‘Natë me hënë’ dhe na keni frymëzuar. (“Natë me hënë” ishte një dramatizim i imi i veprës së I. Kadaresë dhe shfaqje e vënë po prej meje në skenën e Teatrit Kombëtar, e cila bëri shumë bujë në atë kohë, pasi për herë të parë guxohej të shfaqej diçka që nuk ishte e realizmit socialist.) Këtu kanë ardhur disa intelektualë e pedagogë, por ne nuk i kemi pranuar. Do të më falësh sa të pyes përfaqësinë, që është brenda”.
Hyri dhe u rikthye pas pak. Duke hapur derën më tha: “Urdhëroni! Po ju presim!”. Ky ishte Azem Hajdari. Qysh në momentin e parë të njohjes sime me të, më ka bërë përshtypje mënyra e drejtpërdrejtë e komunikimit. Ai thoshte atë çka mendonte pa hezituar, pa frikë. Nuk kishte “qime në gjuhë”. Flas për atë kohë që e kam njohur unë. Dëgjonte me vëmendje ata që ishin më të mëdhenj, i respektonte, por nuk hezitonte edhe të kundërshtonte, kur e shihte të arsyeshme. Me mënyrën e tij veriore të të folurit, me një natyrë të hapur, që komunikonte me të gjithë, pse jo dhe me guximin ose kokëshkretinë e tij, ai ngjallte besim te të tjerët. Mbase ngaqë ishte edhe pak më i madh në moshë, ata e kishin përzgjedhur si udhëheqësin e tyre. Azemi, kam përshtypjen, në atë kohë ishte një lloj frymëzuesi për bashkëmoshatarët e vet. Mendoj se frika në përgjithësi në atë kohë kishte filluar të vritej dhe studentët guxonin, por natyrisht edhe shembulli i Azemit ka ndikuar te një pjesë e tyre.
Dua të kujtoj se studentët e Akademisë së Arteve dhe veçanërisht ata të Artit Dramatik e Regjisurës, kanë guxuar të reagojnë edhe përpara 8 dhjetorit dhe kanë qenë tepër aktivë në gjithë lëvizjen. Një nga kujtimet e bukura që ruaj me të është kur në Qytetin Studenti uleshim në mensën e studentëve dhe hanim fasule me kos ose spinaq, në të njëjtën pjatë prej alumini, me ato lugët e shtrembra. Më ka bërë përshtypje tek ai, entuziazmi i jashtëzakonshëm. Ishte i palodhur kur shkonim mitingjeve për të krijuar PD-në dhe nuk hezitonte të përleshej me policinë, sikundër na ndodhi në Lushnjë. Ishte nga të vetmit, që edhe kur u bë deputet etj., pasi unë isha larguar nga jeta politike, i cili ndalonte makinën në rrugë dhe më takonte. Në gusht të vitit 1998, kur kisha ardhur me pushime nga Italia, në bulevardin e madh, tek bustet e vëllezërve Frashëri shoh Azemin mes një grupi njerëzish që e shoqëronin. U shkëput prej tyre dhe më takoi me përzemërsi. Kjo ishte hera e fundit që e pashë. Më 12 shtator e vranë.
Cili ishte roli i Sali Berishës ato ditë?
Sikundër e thashë edhe më sipër, unë u bëra pjesë e lëvizjes studentore më 11 dhjetor, ditën që shkuam në takimin me Presidentin Alia, kështu që nuk di të them se cili ishte roli i Sali Berishës në ato momente dhe e kujt ishte ideja për takimin. Përsa i përket zotit Berisha, atë e kam njohur diku rreth vitit 1986, kur isha me pushime në Pogradec prej një miku të paharruar, neurokirurgut të njohur Arian Xhumari. Berisha ishte një kardiolog me emër në atë kohë dhe veç kësaj, kishte botuar artikuj në gazetën “Zëri i Popullit”, kishte folur në “Zërin e Amerikës” dhe në takimin me intelektualët pati guximin të thotë se forcat policore kishin plagosur ose vrarë dikë në 2 korrik 1990, kur u bë dyndja nëpër ambasada, kështu që ishte i njohur në opinion si një kundërshtues dhe kërkonte ndryshime thelbësore të shoqërisë e politikës shqiptare. Sipas atyre që kam lexuar, dëshmive të atij vetë, kronikave të kohës, ka pasur një rol aktiv në gjithçka po ndodhte ato ditë.
Ju jeni një ndër bashkëthemeluesit e PD-së, si u arrit deri te krijimi i së parës parti pluraliste pas diktaturës së gjatë komuniste?
Pas kthimit nga takimi me Presidentin Alia në Qytetin Studenti, atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Ne ktheheshim nga takimi me një rezultat të jashtëzakonshëm, pluralizmin politik. Ndonëse ishte natë, pjesëmarrja ishte e paparashikueshme dhe entuziazmi i papërshkruar. Ndërkohë që prisnim të vinte nga presidenca shiriti i incizuar i takimit, i cili do të dëgjohej në shesh, ne ftuam të flisnin para turmës Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon, të cilët kishin ardhur të na mbështesnin së bashku me intelektualë të tjerë. Atje ramë dakord që të takoheshim të nesërmen në orën 8 të mëngjesit në shtëpinë e Gramos Pashkos për të hartuar një program minimal të PD. Gramozi kishte një shtëpi relativisht më të madhe se apartamentet tona modeste, ishte fare pranë Qytetit Studenti dhe kishte kompjuter. Më kujtohet madje, që për të hyrë në shtëpinë e Gramozit duhej të përdornim edhe një parullë, si ato që ne i kishim përdorur në filmat nga lufta dhe me ilegalë të realizmit socialist.
Të nesërmen, fiks në tetë, trokas në derë, por për dreq kisha harruar parullën. U deshën disa minuta derisa Shpendi, (me sa më kujtohet, kështu quhej një student i Gramozit, i cili ishte vendosur si roje) më hapi derën. Atje veç Gramozit, për herë të parë njoha edhe Aleksandër Meksin dhe Genc Rulin, të cilët ishin të afërt me të dhe të thirrur prej tij. Më pas, sikundër e kishim lënë, erdhën edhe Sali Berisha, Arben Imami, Azem Hajdari. Në bibliotekën e shtëpisë ishte edhe “Karta e të drejtave të njeriut”, të cilën e lexuam dhe po formulonim programin minimal të partisë, që qysh atje menduam ta quanim “Partia Demokratike”. Më kujtohet se si diskutonim dhe çdonjëri prej nesh jepte mendimet e veta. Një moment lindi nevoja për të mbajtur një lloj procesverbali dhe asnjëri prej nesh nuk ndjehej i aftë për ta bërë, kështu që thirrëm Eduart Selamin, i cili rrinte në katin përdhes së bashku me gruan e Gramozit, Mozën dhe Dashamir Shehin. Po ashtu, më kujtohet që në një moment erdhi edhe Agim Buxheli, i cili kreu disa xhirime me kameran e tij. Natën vonë ka ardhur një mik i Gramozit, që me sa mbaj mend, quhej Sokol, i cili punonte në ministrinë e jashtme dhe e pa materialin nga ana juridike.
Ramë dakord që të nesërmen do të lexohej programi në mitingun e organizuar në qytetin studenti, prej Arben Imamit dhe do të përshëndeste në emër të studentëve Azem Hajdari. Programi u printua në disa kopje dhe unë personalisht ua kam dhënë disa studentëve të besuar në atë kohë të Akademisë së Arteve, për ta sjellë në Qytetin Studenti. Frika se dikush mund të pengohej prej policisë, na bëri të mendojmë këtë variant. Studentët do të hynin në Qytetin Studenti nga drejtime të ndryshme dhe do t’ia dorëzonin programin Benit ose mua. Këta studentë, të cilët i konsideroja të besuar ishin Robert Budina, Kastriot Çipi, Arben Derhemi, Hervin Çuli dhe Altin Basha. Në fakt nuk patëm asnjë pengesë prej policisë dhe Arben Imami lexoi programin përpara një mase të paparë njerëzish, të cilët gëzonin e deri qanin prej entuziazmit e shpresës.
Si u krijua PD-ja ku debatet mes vetë protagonistëve nuk kanë qenë të pakta… deri në vendimin final?
Në shtëpinë e Gramozit kishim dakordësuar edhe që do të zgjeronim rrethin e intelektualëve, do të krijohej një komision nismëtar, i cili do të merrej me organizimin e partisë së ardhshme. Më duhet të pranoj se të gjithëve ne na mungonte eksperienca e krijimit dhe drejtimit të një partie dhe gjithçka u bë në një lloj kuptimi e improvizuar “me të parë e me të bërë”. Shumë gjëra u kthjelluan dhe kuptuan rrugës. Kishte edhe në ato momente moskuptime, intriga, prurje elementësh që mbështesnin x-in ose y-nin. Kishte nga ata që kërkonin të futnin përkrahës të vetes, grupime që donin të merrnin përparësi në raport me të tjerë. Kishte nga ata që u serviloseshin atyre që mendonin se do të bëheshin udhëheqës, pra në një lloj kuptimi, kishte amulli, dëshirë, pasion, ambicie, por mbi të gjitha një të përbashkët, ndryshimin e Shqipërisë dhe afrimin e saj me Europën. Në klubin “Studenti” u bë një mbledhje ku do të përzgjidhej komisioni nismëtar për formimin dhe legalizimin e PD-së.
Një dyndje e jashtëzakonshme njerëzish, të cilët kërkonin të hynin në sallë deri duke u shtyrë. Disa prej pjesëmarrësve njiheshin, ndërsa një pjesë ishin krejtësisht të panjohur dhe propozimet ishin nga më të habitshmet. Më vjen në mendje dikush që u ngrit e tha. “Propozoj zonjën, e cila është luftarake, e aftë…” dhe shtoi një sërë cilësish që të linin me gojë hapur. Në fund e mbylli ligjëratën me fjalët: “Padyshim e meriton të jetë e zgjedhur, e njoh shumë mirë sepse është motra ime”. Nuk harroj fjalët e të ndjerit Gramoz që tha pak a shumë se, “na u bë si mbledhje kooperative me mjelset e dalluara”. Debatet, deri sa unë kam qenë pjesëmarrës, kanë qenë të shpeshta dhe herë, herë edhe të forta. Më kujtohet që mbledhjet na zgjatnin deri në orët e vona të natës, por padyshim kjo ishte një nga gjërat më të mira, sepse po sillte një mentalitet të ri. Nuk kishte një “Njësh”, i cili vendoste për gjithçka.
Vendimet edhe pse me debate merreshin në mënyrë kolegjiale. Kur dikush, për shembull, donte të largonte njërin ose disa nga kryesia, ngriheshin pjesa tjetër dhe e kundërshtonin fort. Më kujtohet një rast kur Arben Lika, Tef Malshyti, Shinasi Rama, Ritvan Peshkëpia e ndonjë tjetër kërcënuan se do të largoheshin e do të formonin një parti tjetër. Madje, njëri prej tyre shkroi edhe një letër ku thoshte se po tradhtoheshin aspiratat e studentëve. Pra ishte një rrugë e panjohur, jo e lehtë, por që gjithsesi e dha rezultatin e saj, krijimin e një partie opozitare, Partinë Demokratike, e cila mirë ose keq (por më shumë mirë) është një vlerë dhe pasuri e shoqërisë shqiptare.
A ishte Sali Berisha njeriu i duhur për të drejtuar PD-në?
Nëse ishte ose jo Sali Berisha njeriu i duhur për të drejtuar PD, këtë e tregoi koha. Gjithsesi, në atë moment duhej një njeri i fortë, me personalitet, sepse mendësia, sikundër vazhdon edhe sot, është ajo që gjithmonë kemi nevojë, na duhet një bari, i cili të ketë tiparet e një njeriu të pathyeshëm, një heroi, që t’i përngjasojë një qenieje gati hyjnore. Udhëheqësi duhet të krahasohet o me Skënderbeun, Zeusin, ose të shpallet hero, që e adhuron e gjithë Shqipëria. Harrojmë që udhëheqësi, pavarësisht personalitetit të fortë, aftësive vetjake, nuk është asgjë pa masën e mbështetësve dhe sa më i përbashkët të jetë drejtimi i partisë ose i vendit, aq më i suksesshëm është edhe vetë udhëheqësi.
Sali Berisha në atë moment u gjend në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me ambicien e duhur. Askush nuk mund ta gjykojë dot nëse në vend të Sali Berishës do të ishte dikush tjetër dhe gjërat do të kishin shkuar më mirë se sa shkuan. Mund të kishin shkuar më mirë, por mund të kishin shkuar edhe më keq, si fjala vjen një luftë civile. Këtu meritë kanë të gjithë ata që ishin në krye të punëve në atë periudhë.
Cilët ishin ata që shfaqën ambicien për drejtimin e PD-së?
Kur ktheheshim natën vonë nga mbledhjet e gjata me një grup miqsh, të gjithë thoshim se duke mos qenë politikanë në profesion, ne do të tërhiqeshim, sapo të vinin politikanët e duhur, por për fat të mirë, apo të keq askush nuk u tërhoq nga politika, përveç meje. Në ato fillime nuk është se kishte shfaqur dikush ambicie haptas për t’u bërë drejtues i PD-së dhe veprohej bashkërisht. Natyrisht duke mos pasur ambicien për t’u marrë me politikë, unë vija re se si përpiqeshin një pjesë për të qenë në qendër të vëmendjes, apo kryenin edhe ndonjë veprim për të marrë pozicionin e udhëheqësit, por haptas askush nuk ishte shprehur. Më pas, kur filluan të bëhen zgjedhjet, dolën edhe figurat që u prezantuan si kandidatë për të drejtuar partinë. Në kongresin e parë, që u zhvillua në Teatrin e Operës, ku u bë edhe votimi për kryetarin e partisë, di që pati një rivalitet midis Sali Berishës dhe Aleksandër Meksit, por që në fund u zgjedh Sali Berisha.
Në atë periudhë, Edi Rama a iu kundërvu sistemit me art…?
Të them të drejtën, nuk di të kem parë në atë periudhë ndonjë vepër të tij, që t’i kundërvihej sistemit. Më kujtohet po, që diku aty nga fundi i viteve ’80, ai kishte realizuar një murale në hyrje të degës së Dramës dhe Arteve Figurative, me aksionistë që mbillnin pemë dhe pëllumba mbi supet e tyre. Një vepër tipike e realizmit socialist. Mbase në artet figurative, me studentët e vet, mbase ka bërë edhe vepra që i kundërviheshin sistemit, por publikisht nuk kam parë. As nuk kam dëgjuar, që në kohën kur ne vinim në skenë “Natë me hënë” dhe erdhi e gjithë Byroja Politike për ta parë e për ta ndaluar, kur na dërgonin letra kërcënimi se po i kundërviheshim sistemit, që ai kishte realizuar vepra arti kundër sistemit. Nëse i ka pasur të fshehta dhe i ka ruajtur për t’i nxjerrë kur sistemi ra, kjo është tjetër gjë.
A ishte z.Rama në llogore të protestës studentore që solli ndryshimin e sistemit komunist. A është e vërtetë se ai fliste për një ndryshim sistemi dhe për procese demokratike që duhet të orientohen drejt Europës Perëndimore dhe jo Europës Lindore?
Dua të dëshmoj se ai nuk ka qenë në asnjë çast në llogore kur ishte fjala për veprime konkrete. Nuk ka qenë pjesëmarrës as në protestën e heshtur të qytetarë të Tiranës më 28 janar 1990, të orës 18, ku u shkul e gjithë Tirana, as në revoltën e studentëve në dhjetor të po atij viti, as në takimin me Ramiz Alinë, as në formimin e PD-së, as në grevën e urisë së studentëve për heqjen e emrit Enver Hoxha të Universitetit dhe as në rrëzimin e shtatores së diktatorit.
“Rastësisht me dashje”, ai ndodhej në të shumtën e rasteve jashtë shtetit. Personalisht nuk kam qenë asnjëherë i pranishëm kur ai ka folur për ndryshimin e sistemit, por për të qenë i vërtetë kam dëgjuar qysh në atë kohë se fliste për nevojat e ndryshimit. Në atë kohë ishte e lehtë të flisje ndonjë fjalë kundër, kur kishe prindërit anëtarë të Komitetit Qendror, apo deputetë ose kur shoqëroheshe me fëmijë e nomenklaturës, që jetonin në Bllok, por duhet të kishe këllqe për të vepruar konkretisht kundër, pa pasur asnjë lloj mbështetjeje.
Si është e vërteta e ardhjes së Edi Ramës te protesta dhe deklaratës së tij se “komunistët duhet ti varim në litar”? Pse u largua Rama dhe kush nuk donte që ai të ishte aty në ato momente…?
Në atë kohë çdokush që ishte kundër sistemit ishte i mirëpritur dhe dyert u ishin hapur të gjithëve. Të gjithë ne dëshironim të na afroheshin sa më shumë njerëz. Ne kishim nevojë për mbështetje sa më të gjerë. Nuk kishte asnjë që nuk e donte prezencën e tij. Veçse gjërat duhen parë në rrethanat në të cilën kanë ndodhur. Diku andej nga marsi i vitit 1991, ai u shfaq në Qytetin Studenti, në një kohë që në Shkodër, sipas njoftimeve të studentëve shkodranë si Arben Broci etj., kishin filluar raprezaljet e policisë. Ai erdhi, me ç’mbaj mend, i ftuar nga Gramoz Pashko. Hyri në mbledhjen që po organizonim dhe me një fodullëk e arrogancë të pashoqe, kërkoi të bënim gjithçka thoshte ai. Deri atëherë nuk ishte shfaqur askund, nuk kishte marrë asnjë iniciative dhe tani vinte të na diktonte urdhrat ose mendimet e veta.
Natyrisht të gjithë iu kundërvunë, sepse askush nuk donte hakmarrje e dhunë ose derdhje gjaku dhe ai kur pa se nuk kishte asnjë mundësi të realizoheshin propozimet e tij, ose të kishte një karrige për të, u largua. Qëndrimi i tij ishte ekstremisht i djathtë dhe kërkonte varjen e komunistëve, përfshi babain e tij. Këtë ai e shprehu publikisht në mitingun e marsit para stadiumit “Qemal Stafa”. Pikërisht ky ekstremist i djathtë një mëngjes na u gdhi i majtë dhe në krye të Partisë Socialiste. Fatmirësisht nuk u varën komunistët, por fatkeqësi që komunistët edhe sot vazhdojnë të votojnë një fashistuc të tillë. Mbase nuk thonë kot që ai, i cili të rreh, të do, imagjinoni sa i do Rama komunistët sa do edhe t’i varë…/Gazeta Panorama/
First class politcan