Nga data 20 deri në datën 25 qershor 2016 bënë një vizitë në Shqipëri katër shkrimtar nga Suedia: Britta Stenberg, Anna Mattsson, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri. Ata erdhën për një vizitë miqësore të ftuar nga Bashkia dhe Biblioteka e qytetit të Lezhës. Ndërkohë që, në agjendën e tyre ishin planifikuar edhe takime me krijues dhe personalitetet të kulturës dhe medies, si dhe vizita në biblioteka, muze, shkolla etj. Në Lezhë ata u pritën në një takim të veçantë nga kryetari i bashkisë i qytetit e, më pas, vijuan me shkrimtarë, artistë, publicistë e lexues të shumtë. Takimet që ata zhvilluan ishin të bukura e mbresëlënëse, ndërkohë që u shoqëruan me veprimtari kulturore, artistike, këngë e valle dhe të traditës. Befasi për miqtë nga Suedia ishin bukuritë e natyrës shqiptare, mikpritja dhe bujaria, si dhe fakti se në Shqipëri ka njohje për letërsinë suedeze nga të rritur, të rinj e fëmijë, e veçanërisht njihen mjaft mirë veprat me famë botërore “Pipi Çorapegjata” e shkrimtares Astrid Lindgren, “Udhëtimi i Nils Holgersonit” i Selma Lagerlëf, “Djali dhe Tigri” i Lars Westman, “Më shumë heroizma se sa grurë” i albanologut, përkthyesit dhe poetit Ullmar Kvik(Qvick), “Gjueti diamantesh” i Mats Wanblad” etj. Lexuesit shqiptarë treguan se kishin njohje edhe për disa nga veprat e shkrimtarit të madh suedez August Strindberg, si dhe shkrimtarë të tjerë, krijime të të cilëve kanë qenë botuar në Shqipëri në përmbledhjet: “Tregime dhe novela të shekullit të njëzetë”, botim i shtëpisë botuese Naim Frashëri, Tiranë 1983 etj., “Proza skandinave”, botim i shtëpisë botuese “Naim Frashri”, Tiranë 1984,” ku në rubrikën “Letërsi suedeze” janë prezantuar tregime nga Tage Aurel, Jalmar Sëdeberg, Pele Mulin, Per Halstrëm, Albert Engstrëm, Ludvig Nordstrëm, Sigfrid Siverc, Jalmar Bergman, Dan Anderson, Mua Martinson, Per Lagerkvist, Karin Boje, Ivar Lu-Juhanson, Harri Martinson, Gustav Sandgren, Marta Larson, Artur Lundkvist, Torstejn Stefanson, Stig Dagerman, Erland Josefson, Jan Fogelbek. Janë të lexuar gjithashtu, nëpërmjet përkthimeve të botuara në medie elektronike dhe të shkruara: Johan Stagnelius, Tomas Transtromer…
Ndërkohë që, janë të njohur edhe shumë shkrimtarë shqiptarë nga Kosova me banim në Suedi. Mbresëlënës ishte gjithashtu fakti se mjaft lexues të vegjël shqiptarë u shprehën me simpati dhe treguan deri në detaje episode nga libra të autorëve suedezë. Të katër shkrimtarët nga Suedia, krahas vizitës në Lezhë, bënë edhe vizita në dy shkolla 9-vjeçare, në Bibliotekën Kombëtare, në Bibliotekën e Durrësit dhe në atë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. E veçantë ishte edhe vizita në Muzeun Kombëtar, si dhe takimi me shkrimtarë, artistë e gazetarë në rezidencën e hotel “Livia”, Tiranë. Në të gjithë takimet u shpreh respekti për letërsinë dhe shkrimtarët e artistët suedezë, për shtetin suedez, që ka kontribuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe duke mirëpritur rreth 60 mijë emigrantë nga Shqipëria e Kosova, të cilët sot janë shtetas dhe qytetarë të nderuar të Suedisë.
Mësues e nxënës të shkollës 9-vjeçare
“Sherif Dervishi”, Krujë pritën shkrimtarët nga Suedia
Ishte një takim i rrallë e mbresëlënës ai në shkollën 9-vjeçare “Sherif Dervishi” në Budull të Krujës. Mësues e nxënës, dashurues të letërsisë dhe miq të librit, i pritën shkrimtarët nga Suedia me lule të freskëta, të këputura në kopshtet dhe oborret e shtëpive të tyre dhe, me dashuri e fytyra të qeshura ua dhuruan ato miqve dhe vëllezërve që vinin nga larg, nga vendi i shkrimtareve që kanë krijuar Pipi Çorapegjatën dhe Nils Holgerssonin.
Miqtë e ardhur, të shoqëruar nga prof. dr. Zyhdi Dervishi, personalitet i kulturës, i sociologjisë shqiptare dhe poet, nga shkrimtari Viron Kona, poetja Luljeta Pashollari dhe Faik Maqellara, u ndjenë menjëherë si në shtëpinë e tyre, u bënë njësh me mësues e nxënës që i rrethuan me dashuri, duke u uruar ngrohtësisht mirëseardhjen në shkollën e tyre. Letërsia dhe arti i përkasin të gjithë botës, ato nuk njohin kufi. Ajo vepër letrare që është e mirë në Suedi, është e mirë dhe bukur edhe në Shqipëri, është e tillë kudo. Si për ta vërtetuar këtë, shkrimtarja Anna Mattsson tregoi se sapo e kishte përkthyer Pipi Çorapegjatën në gjuhën kmer, që atë ta lexojnë edhe fëmijët kamboxhianë. Hamit Gurguri dhuroi libra të tij, Sokol Demaku dhuroi librat ”Djali dhe Tigri” e ”Gjueti diamantesh”, Viron Kona dhuroi: librat “Eh, more Bubulino!” të përkthyer edhe në suedisht, si dhe “Drithërimat e yjeve”, ”Zonja nga Borasi”etj. Të gjithë dhuruan libra, dhe, aq u desh. Lidhjet u vendosën. Librat janë “letrat kredenciale” të shkrimtarëve. Mësues e fëmijë shihnin e dëgjonin me respekt shkrimtarët e shumëpritur dhe ia nisën me fjalët e tyre përshëndetëse…Shprehën gëzimin që kishin mes tyre mysafirë aq të shquar, ardhur nga Suedia, një vend i largët mik që i është gjendur pranë Shqipërisë në kohë të vështira, treguan për shkollën, për mësuesit e tyre të dashur, për veprimtaritë që kryenin, ja, pak ditë përpara, kishin marrë pjesë në një konkurs poezie, por edhe në një ekspozitë pikture me punimet që i kanë vendosur në stenda për t`ua treguar miqve shkrimtarë…Ata pyesnin lirshëm, bashkëbisedonin miqësisht, recitonin vargje, vallëzonin e këndonin…Gaz e are në sallë, në fytyrat dhe zemrat e tërë pjesëmarrësve në atë ditë të rrallë festive për shkollën “Sherif Dervishi” dhe për miqtë e ardhur nga Suedia. E, në vazhdim, fillimisht dy mikeshat shkrimtare suedeze treguan se nga vinin dhe botimet e tyre. Britta tregoi se ka lindur dhe është rritur në një fshat të vogël në Veri të Suedisë, ku klima është ndryshe, pasi bënë shumë ftohtë, temperatura shkon deri -15 gradë, kurse dita dhe nata mbajnë nga 6 muaj… -Gjatë dimrit, – tregoi Britta,- në vendin tim është errësirë e plotë, kurse gjatë verës nuk errësohet. “Dielli i mesnatës”, i themi kur shkon mesi i natës, ndonëse atje është ditë. Jemi mësuar me këtë mënyrë jetese. Britta ka fëmijë, ka nipër e mbesa, shkruan romane dhe drama.
Kurse Anna është nga Goteborgu, është poete, shkrimtare për të rinj, përkthyese, por edhe anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Ajo ka jetuar për disa vjet në Kamboxhia dhe, duke përvetësuar gjuhën kmer ka përkthyer në atë gjuhë librin “Pipi Çorapegjata” të shkrimtares Astrid Lindgren, të cilin, ajo ua tregon me krenari nxënësve dhe mësuesve. “Njeriu i fortë,-thotë Anna,- duhet të jetë zemërmirë, që të mos e keqpërdor forcën…Ai duhet t`u vijë në ndihmë njerëzve më të dobët, të shtypurve…” Ishte moment emocionues kur, në emër të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të Borosit Suedi, poeti, përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Sokol Demaku i dhuroi Simbolin e Miqësisë drejtoreshës së shkollës “Sherif Dervishi” znj. Fatmira Sinani.
Gjatë takimit e bisedës fëmijët iu treguan miqve se kishin njohje për letërsinë suedeze, për Astrid Lindgrenin, për Selma Lagerlëfin, ata njihnin Lars Wastmanin, Ullmar Kvikun, por kishin dëgjuar edhe për Strindbergun dhe, ja, tani, ata po njihnin edhe katër anëtarë të tjerë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë: Britta Stenberg, Anna Mattsson, Sokol Demaku, Hamit Gurguri, si dhe shkrimtaren shqiptare që vinte nga Norvegjia, Emine Hoti, në fytyrën e së cilës shprehej dashuri për fëmijët shqiptarë, mall për atdheun, Shqipërinë… Ndërkaq, programi artistik i drejtuar nga mësueset Lirije Alushi (përgjegjëse e aktiviteteve) dhe Liliana Bakalli (mësuese e letërsisë) meritoi vlerësim e përgëzim nga miqtë e ardhur, nga mësues e nxënës. U duartrokitën ngrohtësisht nxënësit këngëtarë: Sindi Limanaj, Serxho Denjeli, Mina Mamoci, Stelina Egra, Armando Minja, Ertjana Hyka, Esmeralda Egra…
E ndërsa miqtë dalin në oborr dhe bëjnë fotografi, nuk mund të mos u tërheq vëmendjen kalaja e Prezës, me pamjen e saj tërheqëse dhe lapidare, që nxit dëshira për ta vizituar, nxitë përfytyrime për historinë e lashtë dhe kulturën, për njerëzit që kanë jetuar e jetojnë aty, gjithnjë në mirësinë dhe lirinë e tyre…
Duke u larguar nga shkolla “Sherif Dervishi”, Budull, ende i përfshirë në emocionin e asaj pritjeve aq të bukur dhe të çiltër, i kërkova një opinion prof. Zyhdi Dervishit. Ai më pa në sy dhe u shpreh:
Zyhdi Dervishi
“Vizita e dy shkrimtareve suedeze në shkollën Sherif Dervishi”, Budull, për mua ka qenë një ngjarje impresionuese për disa arsye:
Së pari, këto shkrimtare të shquara edhe si krijuese në letërsinë suedeze, por edhe si përkthyese, për shumicën e nxënësve të asaj shkolle ishin shkrimtaret e para jo shqiptare që takonin dhe gëzimi e kërshëria lexohej në sytë e tyre. Një takim i tillë uroj të shndërrohet në pikënisje që, disa nxënës të shkollës të bëhen shkrimtarë të ardhshëm, shkrimtarë që edhe fizikisht mund të jetojnë në shekullin e XXII.
Së dyti: me dy shkrimtaret suedeze, ishin edhe shkrimtarët shqiptarë mjaft të afirmuar në letërsinë shqiptare dhe suedeze: Viron Kona, Sokol Demaku, Hamit Gurguri, Emine Hoti dhe poetesha Luljeta Pashollari. Këta shkrimtarë shqiptarë dhe suedezë funksionuan si një orkestër shumë e harmonizuar që rezononte natyrshëm në kordat e botës shpirtërore të fëmijëve të shkollës.
Së treti, këngët, recitimet, vallet e fëmijëve të shkollës, simbolikisht e shprehën më mirë se shumëçka tjetër dashurinë për letërsinë, për shkrimtarët suedezë e shkrimtarët shqiptarë.
Filmi për Suedinë që u transmetua në këtë veprimtari e pasuroi ndjeshëm klimën e harmoninë ndërmjet shqiptarëve dhe suedezëve.
Së katërti, mendimet e shkrimtareve suedeze për jetën në Suedi do t`i ndihmojnë nxënësit e kësaj shkolle për të kuptuar më mirë bukurinë e vendit të tyre, të Shqipërisë, për ta dashur më shumë Shqipërinë.
Së pesti, në këtë shkollë, unë përjetoj emocione të veçanta, sepse është themeluar nga babai im, një mësues idealist i kësaj bote; kam qenë nxënës në atë shkollë në vitet e parë të shkollimit dhe tani kjo shkollë mban emrin e babait tim, i cili është një nga luftëtarët e popullit shqiptar për çlirimin nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së dytë Botërore. Kur shkoj në këtë shkollë dhe të gjitha shkollat e fshatrave të Shqipërisë, më kujtohet një fragment interviste i personalitetit të shquar të popullit bullgar dhe të të gjithë njerëzimit përparimtar, që u përballë me diktaturën naziste pasi ajo u instalua në Gjermani, Dimitrovi, i cili është burri që shkaktoi humbjen e parë të diktaturës naziste më gjyqin famshëm të Lajpcigut. Ai u shndërrua nga i akuzuar në akuzues që në vitin 1933. Në një intervistë nga fundi i jetës Dimitrovi, tashmë i njohur ndërkombëtarisht si sfidues i parë i regjimit nazist, kur e pyetën çfarë profesioni dëshironte të ushtronte, ai iu përgjigj me modesti të fisme: “Do dëshiroja të punoja mësues në fshat”.
Falënderoj në mënyrë krejt të veçantë shkrimtarët Viron Kona, Sokol Demaku, Hamit Gurguri, të cilët kanë funksionuar dhe funksionojnë si ndërlidhës ndërmjet kulturës dhe letërsisë suedeze nga njëra anë dhe kulturës dhe letërsisë shqiptare nga ana tjetër.
Falënderoj përzemërsisht nxënësit e mrekullueshëm të shkollës “Sherif Dervishi” Budull, që janë mjaft të ndjeshëm ndaj artit dhe që shkruajnë letërsi artistike, krijojnë piktura, këndojnë e vallëzojnë.
Falënderoj mësuesit e kësaj shkolle, që u qëndrojnë pranë nxënësve jo vetëm gjatë procesit mësimor, por edhe në veprimtaritë jashtëshkollore dhe, në mënyrë të veçantë, falënderoj drejtoreshën e shkollës Fatmira Sinani, e cila është në ballë të arritjeve të gjithanshme të shkollës.
Në kalanë e Krujës
Në kalanë e Krujës, ku është ngritur Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, miqtë nga Suedia u njohën me historinë e Shqipërisë dhe të Heroit Kombëtar Shqiptar, i cili për 25 vjet reshtë mbrojti lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij, duke e shndërruar Shqipërinë edhe në një mur mbrojtës të pakapërcyeshëm për ushtritë osmane, që synonin pushtimin e Evropës.
Vizitorët miq, ndoqën me interesim shpjegimet e ciceronit të Muzeut që nënvizoi se, ky muze, është një nga më të vizituarit. Përurimi i tij është bërë në vitin 1982. Arkitektë janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha. Muzeu është ndërtuar në kalanë e Krujës, kryeqendër e shtetit të arbrit. Kalaja u ka rezistuar tre rrethimeve të famshme osmane. Muzeu është i pasur me objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e në vazhdim. Do të veçonim pavijonin e antikitetit dhe atë të mesjetës së hershme, të principatave shqiptare, pavijonin që tregon për pushtimin osman dhe luftimet e rrepta për ta përballuar, pavijonin e kështjellave mesjetare, të qëndresës shqiptare. Gjithashtu, tërhoqën vëmendjen e vizitorëve, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës, pavijoni i trashëgimisë si dhe pavijonet e muzeut ku janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.
Më pas vizita vijoi në qytetin e Krujës, në objektet social-kulturore, në monumentin e Skënderbeut, duke mos e shkëputur vështrimin nga mali i Krujës, mburojë e përhershme e qytetit, sinonim i forcës dhe i bukurisë krutane, kurse, në këmbë të tij shtrihet në një gjumë të gjatë letargjik Albanopolis, qyteti i famshëm e i lashtë… toka nga ku morëm emrin, kryeqendra e fisit ilir të Albanëve, përmendur për herë të parë nga gjeografi, astronomi dhe matematicieni Ptolemeu, qytet antik i lulëzuar nga mesi i shekullit të katërt deri në shekullin e parë para erës së re e që filloj të bjerë diku pas pushtimit romak…
Është prof. Zyhdi Dervishi, profesori dhe poeti, që u tregon miqve suedezë për vendlindjen e tij, për historinë e lashtë dhe atë moderne, për të veçantat e atij qyteti unik në botë; ai tregon për kujtimet që mban në zemër, për krutanët e bukur dhe me zemër të madhe, ashtu siç e njohim edhe ne Zyhdiun, profesorin nderuar, njeriun modest dhe plot dije, tek i cili, pamja, fjala, zëri e gjithçka burojnë mirësi njerëzore, kthjelltësi e pastërti si krojet gurgullues e jetëdhënës nga ka marrë emrin Kruja-qyteti legjendë… Sigurisht nuk mund të largohesh nga Kruja pa shijuar bukurinë dhe origjinalitetin e tregut karakteristikë artizanal në hyrje të Kalasë, ato produkte dore artistike, qëndisma shqiptare me ngjyrat e ylberit, që të tundojnë t`i blesh e t`i kesh në duar e në shtëpi, si kujtime nga ky vend i rrallë i Shqipërisë, ku mbi çdo gjë mbizotërojnë ngjyrat e flamurit kuq e zi, veshjet popullore tradicionale, që sikur u thërrasin kohëve dhe lashtësisë ilire, i afrojnë ato për të kuvenduar një copë herë me mall me njerëzit, me të parët tanë luftëtarë, të ditur e shpirt bukur…
Kafe me shkrimtarë e publicistë në Tiranë
Takimi i ditës së parë u mbyll me një kafe të thjeshtë dhe një bashkëbisedë me poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe artistë të zhanreve të ndryshme. U këmbyen mendime me vlerë, u shfaqën opinione, u piketuan veprimtari të mëtejshme të përbashkëta, si dhe për vendosjen e lidhjeve dhe afrimin mes dy letërsive veçanërisht nëpërmjet botimeve e përkthimeve.
Me këtë rast u vlerësua edhe kontributi i poetit dhe përkthyesit Sokol Demaku, i cili ka sjellë në shqip disa vepra të letërsisë suedeze për fëmijë. Ishin momente mbresëlënës dhurimi librave mes krijuesve shqiptarë dhe atyre suedezë të pranishëm në atë takim aq miqësor. E, ndërsa publicisti dhe studiuesi i mirënjohur prof. Murat Gecaj do të dërgonte menjëherë në medie artikullin e parë kushtuar këtij takimi, studiuesi i letërsisë Sejdo Harka do të shprehej:
Sejdo Harka
“Ka vite që mes kulturës suedeze dhe asaj shqiptare janë krijuar ura të fuqishme lidhëse, të cilat zgjaten e forcohen çdo ditë e më tepër. Përmes vizitave reciproke, veprimtarive të shumëllojta kulturore e diskutimeve dhe bisedave të ngrohta për kulturën e letërsinë, për kritikën dhe trashëgiminë, për arsimin dhe diturinë dhe për publicistikën e shoqërinë, kemi prekur si me dorë jo vetëm të veçantat, por edhe ato që i bashkojnë këto kultura në udhën e gjatë dhe të gjerë të universit shoqëror. Sa herë ndodhemi në biseda e diskutime të tilla të përbashkëta, e ndiejmë veten si miku mes miqve të sinqertë e të rrallë. Në pyetjet, përgjigjet dhe diskutimet plot kompetencë të shkrimtarëve suedezë Britta Stenberg, Anna Mattsson, Sokol Demaku, Hamit Gurguri, ne shijuam flladin e ngrohtë të paqes mbi 200-vjeçare suedeze, vrullin dhe magjinë e rrallë të artit dhe letërsisë së tyre, dhe mbi të gjitha, frymëmarrjen e thellë të shoqërisë së lirë të këtij vendi mik. Kështu e ndjeva veten edhe në takimin e kohëve të fundit që zhvillua në Tiranë, nën drejtimin e moderatorit dhe shkrimtarit të përkthyer edhe në Suedi, Viron Kona. Diskutuam dhe biseduam lirisht, se si ta ndihmojmë njëri – tjetrin për ta bërë letërsinë dhe artin e dy kombeve tona të dobishëm për njeriun dhe shoqërinë dhe për çlodhjen dhe begatinë e tyre. U ndamë mes nesh si miku me mikun, duke shkëmbyer libra e dhurata simbolike me njeri-tjetrin, për t’u ri mbledhur përsëri, në biseda të tjera më të ngrohta e frutdhënëse”.
Muharrem Dardha
Gazetari i njohur Muharrem Dardha, u shprehë: “Pata fatin të isha edhe unë pjesëmarrës në një takim miqësor që u organizua me miqtë suedez në mjediset e hotel “Livia” të kryeqytetit. Ky takim, ashtu si e gjithë agjenda e kësaj vizite miqësore, ishte organizuar nga miku ynë i mirë dhe shkrimtari i mirënjohur Viron Kona, i cili prej disa vitesh ka krijuar një lidhje të bukur me shkrimtarë dhe artistë të këtij vendi të largët verior të Europës… Ishte ky një takim mjaft mbresëlënës, një bashkëbisedim i ngrohtë dhe i sinqertë mes miqsh krijues të letërsisë. Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri janë tashmë të njohur në Suedi, si për botimin e disa librave, në prozë e poezi, por edhe për punën e madhe që ata bëjnë për të mbajtur të gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare, sidomos te fëmijët e emigrantëve shqiptarë, duke hapur edhe shkolla shqipe atje, ashtu siç bëhet në këtë vend të lirë demokratike dhe për fëmijë e nxënës të kombësive të tjera botës. Ndërsa dy shkrimtaret suedeze, Anna Mattsson e Britta Stenberg, shquhen në krijimtarinë e tyre letrare në Suedi. Këto dy zonja të nderuara shprehën fjalët më të mira për vendin tonë, për shqiptarët dhe mikpritjen e tyre, për historinë dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë. Ato treguan gjithashtu për kujdesin që tregon shteti suedez për shkrimtarët dhe artistët pa dallim race apo kombësie…Në këtë takim, edhe disa nga grupi i shkrimtarëve, poetëve dhe gazetarëve shqiptarë pjesëmarrës trajtuan çështje të rëndësishme nga krijimtaria e tyre, për arritje të letërsisë shqiptare, si dhe nevojën e një zgjerimi të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes krijuesve të të dy vendeve tona miq…
Gjithçka kaloi bukur, shumë bukur! Dhe në fund, si një simbolikë e veçantë, erdhi pikërisht kjo foto e përbashkët, që realizuam me miqtë tanë suedezë aty në hyrjen e hotelit, foto e cila padyshim që do të mbetet gjatë në arkivin personale të secilit prej nesh. Faleminderit miku ynë i mirë Viron Kona! Faleminderit miq suedezë!”
Vjollca Spaho
Poetja dhe gazetarja e njohur Vjollca Spaho rreth atij takimi shfaqi këtë opinion: “Atë ditë që shkrimtari dhe miku im, Viron Kona, me njoftoi për një takim me shkrimtarë nga Suedia, kisha edhe emocion, edhe dëshirë për të njohur nga afër dhe për të komunikuar për shumë gjëra që na lidhin bashkë e, kjo është padyshim letërsia, por edhe për të marrë përvojë e mendime. Takimi, vërtet, i tillë ishte, plot diskutime, shkëmbime mendimesh e eksperiencë. Kishte një dëshirë e mjaft ngrohtësi midis nesh. Kështu mund ta quaj atë takim, ku bashkë me miken time, poeten Shpresa Kapisyzi , jo vetëm biseduam me miket e shkrimtaret nga Suedia, por biseda erdhi aty ku na dhëmb më shumë ne krijuesve shqiptarë, tek cilësia jo e mirë e përkthimeve, tek mungesa e lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë, te mungesa e librave klasikë dhe autorëve shqiptarë për fëmijë në bibliotekat e shkollave tona, tek botimet e reja pa nivel artistik, mungesa e një kritike letrare etj. Miket nga Suedia, Anna dhe Britta, në fjalën e tyre na shprehën kënaqësinë që janë në Shqipëri ku janë befasuar nga bukuria natyrore, me aq sa kanë parë, nga dashuria e mikpritja e shqiptarëve, nga dëshira e tyre për të ecur përpara. Gjithashtu ato na treguan se janë anëtare të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë dhe se si respektohen e kujdesen për poetët e shkrimtarët në vendin e tyre. Mjaft interesante ishte biseda rreth dashurisë që tregohet në vendin e tyre për librin, që nga fëmija në barkun e nënës, ku nënat shtatzëna shkojnë në biblioteka dhe u lexojnë fëmijëve në bark libra, që atyre t`u futet dashuria për librin. Një vend të veçantë zuri tema e librave për fëmijë. Me zhvillimet e këtij libri në Shqipëri foli Vironi, i njohur prej tyre me Bubulinon, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare,por edhe atë suedeze, pas përkthimit në këtë gjuhë. Me dëshirën për t’u takuar sërish dhe për të biseduar e “qarë hallin” bashkërisht me miq kaq të mirë, pasi i dhuruam librat tona, i uruan njëra –tjetrës takime sa më të shpeshta, kaq interesante dhe miqësore”.
Nuri Dragoj
Publicisti dhe studiuesi i njohur Nuri Dragoj, mes të tjerash u shpreh: “Pak ditë më parë, shkrimtari i njohur dhe miku im i mirë Viron Kona, më fton në një takim me disa shokë e miq të përbashkët, pranë hotel “Livia”, pasi kishin ardhur nga Suedia dy shkrimtare suedeze, Britta Stenberg dhe Anna Mattsson, të shoqëruara nga dy shkrimtarë shqiptarë me banim në Suedi, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri. Besoj se shkrimtaret erdhën në Shqipëri për t’u njohur me jetën, kulturën, evoluimin e mendimit të shkrimtarëve të këtij vendi dikur të izoluar. Mesa kuptova, donin të dinin më shumë për lirinë e shkrimtarit, për rolin e Lidhjes së Shkrimtarëve, të Sindikatës etj. Ato e kanë të vështirë t’i kuptojnë pengesat e mëdha që sillte egoizmi në sistemin e mbyllur një partiak, në raport me egotizmin e Stendalit dhe pasojat që rridhnin prej tyre. Egoizmi, qoftë socialist apo kapitalist, kërkon të shvasë me ashpërsi atë që u përket të tjerëve dhe sulet me duart lakmitare, shoqëruar nga ngërdheshja e shëmtuar e zilisë. Egoizmi është pa shpirt, i pangopur dhe i pasur me brutalitetin shterpë… Shkrimtaret suedeze nuk mund të kuptonin dot që, para viteve 1990, shkrimtarit që dëshironte të mbronte të vërtetën, i duhej të përballej me mërinë e shtetit diktatorial, me format më të papërfytyrueshme të dhunës, e cila nuk kishte formën e një shkopi, apo të prangave, por të një fenomeni që pati pushtuar gjithë jetën e shoqërisë së asaj kohe. Natyrisht, atij terrori i rezistuan pak vetë. Shumë shkrimtarë që nuk e duronin rreshtin u burgosën, të tjerë u vranë, u sakatuan në burgje e kampe internimi, u futën në spitale psikiatrike, por mbijetoi fryma e tyre e lirisë. Themeluesi i doktrinës së liberalizmit, filozofi anglez Xhon Locke, që jetoi në shekullin e 17-të, thotë: “Burrëria është rojë dhe mbështetëse e virtyteve të tjera dhe ai që e ka humbur burrërinë, është zor të jetë i patundur në kryerjen e detyrës dhe në manifestimin e tipareve të një njeriu me të vërtetë dinjitoz”. Kur bisedonim me shkrimtaret suedeze dhe vëllezërit tanë, Demaku e Gurguri, dëshironim të ishim të lirë. Të lirë sepse popujt në botë, pavarësisht nga distanca gjeografike, kanë të përbashkëta çështjet themelore të njerëzimit: Të gjithë duan lirinë, demokracinë, miqësinë dhe dashurinë. Askush prej tyre nuk e ka në gen urrejtjen, ligësinë, smirën, egoizmin. Është kjo arsyeja që në Shqipëri ka bërë aq vend shkrimtarja suedeze, Astrid Lindgren, për mesazhet e qarta që përcjellë me anë të veprës së saj “Pipi Çorapegjata”. Një tjetër libër që ka fituar qytetarinë është “Udhëtimi i Nils Holgersonit” i shkrimtares nobeliste Selma Lagerlëf. I njëjti motiv bëri që “Bubulino” i shkrimtarit shqiptar Viron Kona, të flasë suedisht dhe fëmijët e atij shteti social, të mësojnë diçka më shumë edhe për Shqipërinë. Tashmë Bubulino që ka shëtitur nëpër Galaktikë, mesazhet për çfarë ka parë dhe për çfarë mendon, po ua përcjellë dhe fëmijëve suedezë, të cilët mbushen me gëzim, pasi libri përçon mesazhet e kalitjes së vullnetit, guximit, edukon lexuesin me tiparet e vendosmërisë, burrërisë, forcës që ka efekt nëpërmjet mençurisë dhe e vë në kërkim të së resë. Për të njëjtin shkak, shkrimtari Sokol Demaku na sjellë në shqip librin e autorit suedez Jonas Hasen Khemiri, të titulluar “Gjithçka që unë nuk mbaj mend”. Pra siç shihet popujt janë të pastër si kristali dhe në zemrën e tyre qëndrojnë shkrimtarët që duan të thonë të vërtetën, që pëlqejnë lirinë dhe demokracinë, që lusin për më shumë dashuri dhe miqësi midis njerëzve. Grindjet dhe mëritë, urrejtjen dhe luftën, i nxitin politika të caktuara, individë dhe grupe individësh. Këto mangësi të njerëzimit janë të pranishme kudo në botë, pavarësisht se diku janë më të theksuara e gjetkë më të zbehta. E rëndësishme është që ato nuk kanë të bëjnë fare me vullnetin e popujve dhe që shkrimtarët me veprat e tyre synojnë zbutjen e egërsisë së politikës dhe ambicieve ndërshtetërore. Gjatë bisedës me dy shkrimtaret suedeze, ne menduam se duke thënë të vërtetën, nuk e dëmtojmë vendin dhe shoqërinë shqiptare, por japim ndihmesën tonë modeste për shpejtimin e procesit të emancipimit të saj dhe të shërimit nga sëmundjet e trashëguara. Besoj se edhe shkrimtaret kishin të njëjtin objektiv, kur shfaqën dëshirën për t’u informuar mbi ecurinë e këtij procesi. Kur ne u thamë se Lidhja e Shkrimtarëve nuk është aktive dhe kritika letrare e zbehtë, se vendin e librit të vlefshëm e mbyt reklama e librave pa vlerë, nuk patëm si qëllim të hedhim baltë mbi kulturën dhe letërsinë shqiptare, por ta pastrojmë atë nga pluhuri që nuk e lejon të marrë frymë lirisht. Flisnin lirshëm pasi qemë të bindur që edhe mikeshat nga Suedia nuk synojnë denigrimin, por përparimin. Duke parë mangësitë tona, mbase do të mendojnë diçka për të na ndihmuar, duke na dhënë eksperiencën e tyre, duke na këshilluar e zgjatur dorën për të ecur së bashku përpara, pasi asnjë vend nuk mund të jetë i qetë dhe i lumtur, nëse tjetri vuan dhe jeton në mjerim. U thamë shkrimtareve të atij vendi të përparuar, se aktualisht në Shqipëri nuk ka censurë letrare. Sot ka prodhim të bollshëm letrar, botime të një numri të madh librash, por cilësia lë për të dëshiruar. Mbi të gjitha, më problematike është ajo çfarë u afrohet fëmijëve në shkolla. Shpesh libri që duhet të lexohet prej tyre, nuk është në dorë të ekonomisë së tregut, të përzgjedhjes që mund të bëjnë mësuesit e letërsisë, apo vetë nxënësit, pasi shpesh herë diktohet nga autoriteti i zyrtarëve të ndryshëm dhe jo nga vlera që përcjell vepra që i rekomandohet për t’u lexuar e mësuar nga brezi i ri.
Petrit Malushi
Në mbyllje të opinioneve për takimin me shkrimtarët nga Suedia, po botojmë poezinë e gazetarit dhe poetit të njohur Petrit Malushi të krijuar me rastin e atij takimi:
“Tortë miqësie”
Në se për takimet tona,
Një fjalë nuk u thamë,
Ndihemi zotërinj dhe zonja.
Leje s’u marrim, politikanë !
Ju, veten e mbani për Zeus,
Polifem, të kontrolloni gjithçka,
T’na tulatni me “Hesht” e “Sus”!
Por, këtej kështu nuk ka.
E jona tavolinë ndihet zbukuruar,
Bisedat rrjedhin çiltërsisht.
Shkrimtare e shkrimtarë të nderuar,
Suedi-Shqipëri lidhin miqësisht.
Anna, Britta, Emine, Sokol, Hamit,
Skandinavas, mes nesh, në Tiranë.
“Tortë miqësie” kjo vizitë,
Fjalëmjaltëzuar, sa shumë thamë !
Kryetari Bashkisë së Lezhës
priti delegacionin e shkrimtarëve nga Suedia
Ishte shumë mbresëlënës për të gjithë takimi me kryetarin e bashkisë së Lezhës z. Fran Frrokaj, takimi aq i mrekullueshëm në bibliotekën e qytetit të Lezhës, e më pas vizitat në Memorialin e vendvarrimit të Skënderbeut dhe në sheshin e Kuvendit të Lezhës. Lezha, qytet në Shqipërinë veriore, ngrihet disa kilometra larg bregdetit të Adriatikut, në majën e një kodre në formë piramide (Mali i Shelbumit) dhe rrotull një kodre tjetër edhe më të vogël, në majën e së cilës sot dallohen bedenat e Kalasë Mesjetare. Qyteti ka bukuri të shumta natyrore, simbol i qytetërimit ilir-shqiptar. Miqtë nga Suedia dëgjuan me interesim historianë e qytetit, ndër më të vjetrit e Shqipërisë, qytet ku janë përplasur rreptë dallgët e historisë, aty ka qenë Jul Qesari, kurse Gjergj Kastrioti Skënderbeu u kërkoi aty besën princave shqiptarë në marsin e vitit 1444 për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Për vlerat e tij muzeale dhe arkeologjike, ashtu dhe për pozicionin e mrekullueshëm natyror e gjeografik, për ngjarjet e mëdha si Kuvendi i Lezhës dhe ndërtimet si kalaja e Lezhës, Lisi dhe Akrolisi, për Mauzoleun e Skënderbeut etj., qyteti është mjaft i vizituar, ndërkohë që, limani i Shëngjinit ka qenë në të gjithë kohërat limani detar i Lezhës. Kjo lidhje nuk është zhdukur asnjëherë. Në ditët tona është përjetuar një rol i ri i Shëngjinit, ai turistik e detar si dhe vizitat në parkun natyror ekologjik. Me 2 mars 1444 në qytetin e Lezhës, u organizua kuvendi i princërve shqiptare, i cili krijoi “Lidhjen Shqiptare” me Skënderbeun, si kryetar të saj me titullin :”Kapiten i Përgjithshëm” (Capitaneus Generalis). Kuvendi i Lezhës është nga ngjarjet më të mëdha të kombit shqiptar.
Në faqen zyrtare të bashkisë Lezhë dhe në mediet lokale do të jepej ky njoftim: “Anna Mattsson e Britta Stenberg shkrimtare suedeze dhe Sokol Demaku, Hamid Gurguri dhe Emine Hoti shkrimtare shqiptare me banim në Suedi e Norvegji, u mirëpritën në një takim miqësorë nga Kryetari i Bashkise Z. Fran Frrokaj. Takimi vjen si shenjë falënderimi për kontributin në nxitjen e multikulturalizmit përmes përkthimeve dhe shkëmbimeve njerëzore që afrojnë kulturat për ta njohur botën si një mjedis të të gjithëve. Në Bibliotekën Publike Lezhë, ata prezantuan sot librat e përkthimet e tyre. Disa përkthime të reja në shqip nga autorë suedezë janë prej sot në Bibliotekën e Lezhës dhe të gatshme për lexuesin!”
Në bibliotekën e e Lezhës, pas prezantimit që sokol Demaku u bëri kolegëve të tij nga Suedia, Britta Stenberg prezantoi librin “Emigrantët suedezë” të shkrimtarit të njohur Vilhelm Muberj, të përkthyer në shqip nga Hamit Gurguri; Anna Mattsson shpalosi vepra të letërsisë që ka shkruar; Sokol Demaku, përveç që dhuroi libra, shfaqi dokumentarin që tregon për veprimtarinë kulturore artistike të shqiptarëve në Boros të Suedisë, teksa, shkrimtari Hamit Guruguri prezantoi një sërë librash, të cilat ia dhuroi bibliotekës së Lezhës… Mikpritësja, Suela Mino Bala – drejtoreshë e bibliotekës së Lezhës, drejtoi gjithë veprimtarinë me kulturë të lartë e profesionalizëm. Pyetjet, bashkëbisedat mes letrarëve dhe shkrimtarëve, recitimet e poezive, prezantimet e krijimeve të veçanta mes poetëve suedezë e shqiptarë, fotografitë e shumta, gjithçka e zhvilluar në atë mjedis letërsi-dashës ishte me një bukuri e hijeshi të rrallë.
I dhanë vlerë të veçantë mikpritjes së shkrimtarëve nga Suedia vizitat dhe nderimi nga ana e tyre i Mauzoleut të Skënderbeut, Sheshit të Kuvendit të Madh të Lezhës më 2 mars 1444; pastaj, një kafe dhe vizitë në vendlindjen e Fishtës. Veprimtaritë vijuan pasdite në Shëngjinin e bukur turistik e bregdetar.
Shkodra e vlerave, artit dhe kulturës
priti ngrohtësisht shkrimtarët nga Suedia
Ashtu si në Lezhë, edhe në qytetin e Shkodrës, veprimtaria e zhvilluar në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi” u quajt “Ditët e letërsisë suedeze”.
Mes studentëve, pedagogëve, njerëzve të artit e kulturës, znj. Ermira Omari, Alida Luka (B. U. Shkodër), Suela Mino (B. U. Lezhë ), Eri Omari, prezantuan vlera të letërsisë suedeze, prurjet e saj në vendin tonë, si dhe vepra të kësaj letërsie që disponon biblioteka e Universitetit.
U pasqyruan veprimtari dhe opinione për vepra të veçanta, u këmbyen mendime të ndërsjella për lidhje dhe bashkëpunim të mëtejshëm mes krijuesve dhe dy letërsive: asaj shqiptare dhe asaj suedeze etj. Ishte me interes vizita në mjediset e Bibliotekës, e cila është mjaft e pasur dhe e sistemuar bukur, me llojshmëri veprash, që plotësojnë kërkesat e shumta dhe bashkëkohore të lexuesve, veçanërisht studentë të Universitetit.
Miqtë patën rastin të shikonin dhe abetaret e para shqipe dhe arkivat e bibliotekës së Universitetit. Organizues i takimit letrar ishte EKO Mendje,(ku shquhej organizatori dhe artisti Mirsad Basha, si dhe Arjeta Ferlushkaj) në bashkëpunim me dy bibliotekat Lezhë e Shkodër. Takimit i dhanë vlerë dhe bukuri të veçantë fjalët dhe mendimet që shfaqën shkrimtarët miq nga Suedia: Britta Stenberg, Anna Mattsson-anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve Suedezë, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri(anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve Suedezë). Gjatë takimit ngjalli emocion të veçantë recitimi i vargjeve për Shkodrën nga shkrimtarja shqiptare me banim në Norvegji Emine Hoti. Ishte surprizë e bukur ardhja e violinistit të shkëlqyer Anton Kaftalli dhe kitaristit Artjon Qamili, të cilët luajtën mjeshtërisht, duke merituar duartrokitje të ngrohta dhe të përzemërta.
Shkodra, qyteti veror dhe qendër e kulturës dhe artit shqiptar, ofron sot shumë mjedise të këndshme qytetare: për shëtitje në pedonale, kafe dhe bashkëbiseda në mjedise të kulturuara dhe tërheqëse. Ndër vizitat e miqve shkrimtarë nga Suedia, paraqiti interes të veçantë edhe Fototeka Kombëtare Marubi, ku miqtë u mrekulluan nga fotot e realizuara me aq bukuri e mjeshtëri të rrallë, por edhe të ekspozuara në mënyrë moderne e digjitale.
Fototeka Marubi është një krenari e vërtetë e qytetin e Shkodrës, si dhe respekt për personalitetet e fotografisë me vlera kombëtare. Një kafe në bregdetin shkodran, në Shirokë, ishte përmbyllje e asaj ditë të bukur në Shkodrën e vlerave, kulturës dhe artit.
Faleminderit të gjithëve!
Sot ishim më të rëndësishëm se kurrë…
Me këto fjalë e përkufizoi veprimtarinë e zhvilluar në shkollën që drejton, drejtoresha e shkollës “Vëllazërimi” të Tiranës znj. Merita Prenga. Cilido që do të ishte në atë veprimtari, me siguri do të ndjente dhe emocionohej së tepërmi nga entuziazmi i nxënësve dhe mësuesve, nga ai bashkëbisedim aq i ngrohtë e i sinqertë mes delegacionit të shkrimtarëve suedezë dhe nxënësve e mësuesve të shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi” të kryeqytetit. E bënë emocionues këtë veprimtari, që në hyrje, dy flamujt të vendeve miq Shqipërisë e Suedisë, si dhe, në vazhdim, këndimi i të dy himneve: atij shqiptar dhe atij suedez. Ndërkohë që u prit me duartrokitje ardhja e znj. Ermioni Çekani, drejtoreshë e Zyrës Arsimore Kamzë.
Ishte zëvendësdrejtori i shkollës Bashkim Saliasi, njëherazi publicist i njohur, i cili u shprehu shkrimtarëve suedezë mirëseardhjen në shkollën “Vëllazërimi”, si dhe kënaqësinë që kishin mes tyre bashkëkombës të Astrid Lindgrenit dhe Selma Lagelëfit…Gjatë takimit,- theksoi ai,- do të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, do të pyesim dhe recitojmë poezi e pjesë nga librat që kemi lexuar, si dhe do të shprehim gëzimin dhe kënaqësinë tonë edhe me këngë e valle.
Menjëherë fjala iu dha miqve. Sokol Demaku, shkrimtari dhe publicisti, përkthyesi dhe poeti i njohur në Suedi dhe në Shqipëri, prezantoi me emocion të veçantë shkrimtaret suedeze Britta Stenberg dhe Anna Mattsson, ashtu dhe mikun e tij, shkrimtarin e mirënjohur Hamit Gurguri. Gjatë gjithë kohës në sallë u krijua një atmosferë e rrallë festive, me këngë, recitime dhe valle me kostume popullore të bukura që të merrnin sytë. Fjalët e shkrimtareve suedeze, ashtu dhe ato të bashkëkombësve tanë me banim në Suedi Sokol Demaku e Hamit Gurguri, u ndërprerë shpesh herë nga duartrokitjet dhe fjalët miratuese e përgëzuese. Nxënësit bënin pyetje befasuese dhe të mençura, ndërkohë që miqtë përgjigjeshin qetësisht, duke e konsideruar auditorin përqark tyre tepër serioz dhe të përgatitur. Ishte emocionues dokumentari që shfaqi Sokol Demaku rreth veprimtarive që kryejnë në Suedi shqiptarët e Borasit, ato letrare, artistike, paradat e shkëlqyera, kostumet dhe traditat etj. Ai këmbim vlerash dhe festa e mrekullia festive që krijuan nxënësit me recitimet dhe pyetje-përgjigjet befasuese, me këngët dhe vallet festive me veshje popullore të trevave nga kishin ardhur…Në vazhdim, një kafe, i dha bukuri e vlerë kësaj veprimtarie të vlerësuar shumë dhe në mënyrë emocionuese nga miqtë e ardhur nga Suedia. Vlerësim të veçantë bëri edhe znj. Ermioni Çekani, e cila në mënyrë elokuente dhe të ngrohtë, përshëndeti miqtë e ardhur nga Suedia dhe veprimtarinë që po zhvillohej për nder të tyre. Gjatë fjalës së saj, drejtoresha e shkollës Merita Prenga, vlerësoi për organizimin aq perfekt të veprimtarisë zëvendësdrejtorët Bashkim Saliasi dhe Irena Pali, mësueset Mirela Kulla, Elda Nela, Mimoza Haxhiu.
Sikurse, në mënyrë të veçantë ajo falënderoi nxënësit pjesëmarrës që i dhanë gjallëri, freski, ngjyrë dhe bukuri kësaj veprimtarie: Ernesti, Marvini, Koli, Erjoni, Klevisi, Evelina, Xhoana, Glesja, Aretina, Ledjana, Redi, Klevisi etj., të cilit dinin aq bukur të pyesnin, të bashkëbisedonin, të shprehnin mendime rreth letërsisë, veçanërisht asaj për fëmijë, të këndonin, recitonin e vallëzonin.
Drejtuan pyetje të bukura dhe befasuese nxënësit: Koli Marko, Erjon Hoxha, Ernest Ballgjini, Endi Hoxhaj, Arentina Methasani, Evelina Kaca, Lediona Dishani, Klajdi Kacani, Redi Prengaj, Enea Kola, Glesja Rama, Nandi Elezaj. Ishte kuptimplotë vlerësimi që shfaqi për shkrimtarët drejtoreshë Merita: “Shpirti është një mbretëri, shkrimtari endacak që shkon nga një mbretëri në tjetrën për të kërkuar një copëz buzëqeshje. Faleminderit miku ynë, që Bubulinoja na bëri të udhëtojmë dhe jashtë vendit, por morëm akoma më shumë, falë këtij takimi mbresëlënës….Të shkruarit është një formë terapie. Nëpërmjet shkrimeve tuaja të nderuar shkrimtarë, paraqitët vlerat tradicionale, bashkëkohore, për të nxitur krijimtarinë e talenteve të reja… Faleminderit shkrimtarëve nga Kosova, që jetojnë e punojnë në Suedi: S. Demaku dhe H. Gurguri për shpalosjen e fjalës artistike dhe dhurimin e librave në shkollën “Vëllazërimi” …
Teksa lexoja pyetjet e nxënësve, më erdhi ndër mend edhe një pyetje ku, njëri nga nxënësit, pyeti shkrimtaren suedeze Britta Stenberg se si vendi i saj ka arritur të jetë ndër vendet më të zhvilluara dhe të përparuara. Suedezja u mendua një çast, pastaj ngriti vështrimin nga një citat mbi tabelën e zezë të klasës, ku shkruhej me shkronja të mëdha: “Dituria ka vlerë më shumë se pasuria”.
Në Bibliotekën Kombëtare
Në Bibliotekën Kombëtare, delegacioni i shkrimtarëve suedezë u prit nga z. Maksim Gjinaj, shef i sektorit të Bibliografisë, i cili bërë një ekspoze të gjerë e të plotë të gjendjes së librit në Bibliotekën Kombëtare, historikun e formimit të saj, sasinë dhe llojshmërinë e librave që disponon kjo bibliotekë, prurjet nga botuesit, mënyrën se si i përgjigjet Biblioteka Kombëtare kërkesave të shumta për librin nga vendi dhe bota etj.
Miqtë nga Suedia u treguan të interesuar për fondin e bibliotekës dhe, në pyetjet dhe bashkëbisedat e tyre, ndihej interesimi për vlerat e librit në Shqipëri, trajtimi dhe përhapja e tij. Në përfundim disa fotografi fiksuan këtë vizitë miqësore dhe me interes të ndërsjellë.
Në Muzeun Kombëtar grupi i shkrimtareve nga Suedia u prit nga stafi drejtues i këtij Institucioni, ku dhe ju përcollën përshëndetjet e drejtorit të MK, zotit Melsi Labi. Gjatë vizitës në Muze, të shoqëruar nga shpjegimet e znj. Etleva Demollari, Shefe e sektorit të edukimit të Muzeut, u shfaq dukshëm interesimi i shkrimtareve Britta Stenberg dhe Anna Mattsson për t`u njohur me historinë e kombit tonë të pasqyruar në pavijonet e ndryshme të Muzeut. Interesimi i tyre ishte i veçantë në ato pjesë të Muzeut ku pasqyrohej më konkretisht zhvillimi shoqëror dhe kulturor i kombit tonë në etapat të ndryshme të historisë e sidomos gjatë njohjes me shkrimet e para në gjuhën shqipe, librat e parë, pasqyrimi i jetës kulturore në krahina të ndryshme, ekspozimi i ikonave, si pasqyrim i kulturës dhe historisë sonë të vjetër.
Në fund të vizitës, gjatë një kafe pune me ekipin e Muzeut, shkrimtarët nga Suedia, shkëmbyen mendime dhe për një bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme siç ishte mundësia e bashkëpunimit midis Muzeut Kombëtar dhe Muzeut të Tekstileve në qytetin Boros të Suedisë. Në bisedë, duke qenë i pranishëm edhe dramaturgu Ferdinand Hysi, punonjës në këtë Muze, por dhe pjesë e takimeve të mëparshme me delegacionin suedez, u shkëmbyen mendime për zhvillimin e dramaturgjisë shqipe dhe mundësive konkrete të njohjes se saj në Suedi, si nëpërmjet përkthimeve apo mundësive të tjera.
Gjatë bisedës z. Hysi ngriti dhe disa shqetësime të ecurisë së dramës në vendin tonë dhe pengesave që ajo has në zhvillimin e saj. Ai theksoi ndryshimin e raportit të vënieve në skenë të dramaturgjisë së huaj dhe asaj shqiptare, që në ndryshim nga periudha para demokracisë, ku dominonte drama shqipe, tani ky raport është përmbysur. Në mendimin e tij, kjo vjen jo më shume nga që nuk kemi drama shqipe, por nga një konceptim mohues ndaj tyre. Në këtë pikë u shkëmbyen mendime, duke marrë shkas dhe nga mënyra si shteti Suedez ndihmon dhe ndikon në mbarëvajtjen e kulturës në përgjithësi por edhe të teatrit në veçanti.
Biblioteka e Durrësit, si përherë, aktive dhe prezente me letërsinë suedeze dhe përfaqësues të saj, të cilët janë shpesh herë të pranishëm në këtë qytet të madh dhe historik të Shqipërisë. Ishte një shprehje respekti dhe vëmendje e veçantë e drejtueses së Bibliotekës së Durrësit znj. Mirela Ylli, së bashku dhe me moderatoren e takimit Teuta Dhima.
Tërhoqi vëmendjen veçanërisht paraqitja me kompetencë letrare që Dr. Alisa Velaj i bëri poezisë së shkrimtares suedeze Anna Mattsson. Me kulturë dhe gjuhë të pasur, studiuesja deklamoi dhe solli në vëmendje të dëgjuesve vlera origjinale dhe të një standardi të lartë artistik të shkrimtares suedeze. Ndërsa Nikolla Spathari, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, ashtu dhe poetët Agim Bajrami, Vladimir Muca, Xhevair Cirongu, Kadri Tarelli, Abdyl Bucpapaj, si gjatë takimit dhe në bisedën që vazhdoi gjatë një kafeje, shfaqën lirshëm mendimet e tyre, drejtuan pyetje, bënë objeksione në interes të afrimit të mëtejshëm dhe bashkëpunimit mes letërsisë suedeze dhe asaj shqiptare.
24 qershori në Suedi është festa e Midsomarit (Dita e verës). Është një festë që festohet me madhështi, i gjithë vendi këndon e vallëzon, gaz e are sheh në këtë ditë në çdo cep e skaj të Suedisë. E shfrytëzuam edhe ne këtë rast që, bashkë me miqtë nga Suedia ta festonim Midsomarin në bregdetin e Adriatikut, në metropolin durrsak, që, dikur për nga madhështia, quhej ndryshe “Kostandinopoli i dytë”, sot, qyteti i dytë i Shqipërisë, me histori që do ta lakmonte cilido komb i qytetëruar i botës. Përplasje gotash, urime për shëndetin e mikeshave dhe vëllezërve tanë bashkëkombës, urime për popullin e përparuar suedez, mik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar. Gëzuar dhe faleminderit miq!
Është e gjatë lista përse ne e duam dhe e respektojmë aq shumë Suedinë dhe popullin e saj. Suedia është një ndër vendet më të zhvilluara të Europës, ashtu siç është në krye të saj gjeografikisht, ajo është në krye edhe të zhvillimeve ekonomike dhe të vlerave të lirisë dhe demokracisë.
-Është vendi që na është gjendur pranë në kohë të vështira. Kujtojmë këtu suedezin Johann Erich Thunmann(1746-1778) gjuhëtar, historian dhe teolog suedez, profesor i filozofisë në Universitetin Halle. I pari që studioi, argumentoi dhe publikoi në nivel akademik ndërkombëtar tezën se prejardhja e shqiptarëve është nga Ilirët. Këtë tezë e vijoi më tej danezi Pedersen dhe e zhvillon sot me pasion albanologu i shquar suedez Ullmar Kvik. Janë suedezët ata që ndihmuan aq shumë deri edhe duke sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por që edhe mik-pritën mbi 60 mijë shqiptarë që sot janë shtetas dhe qytetarë të denjë të Suedisë. Ish ministrja jashtme e Suedisë Anna Lindh, një personalitet i madh i lirisë dhe i demokracisë, u vra sepse mbrojti me zjarr çështjen e pavarësisë së Kosovës. Suedia i ka dhënë gjithë botës, ashtu dhe tërë shqiptarëve, veçanërisht fëmijëve, personazhin e Astrid Lindgren-Pipi Çorapegjata dhe, atë të Nils Holgerssonit-nga nobelistja suedeze Selma Lagerlëf. Bota krenohet me figura të mëdha suedeze si: Karl Linne, Anders Celsius, Alfred Nobel, Johan Sergel, Greta Garbo, Ingrid Bergman, Dolf Lundgren, Grupi ABBA… Shqiptarët janë të lidhur me Suedinë edhe për arsye të çmimit të madh Nobel, të cilin gjer më sot e kanë fituar dy shqiptarë: Nënë Tereza dhe Ferid Murati (medicinë), kurse, janë kandidat për Letërsinë, Ismail Kadare, dhe, për Paqen, qyteti verior i Shqipërisë – Kukësi, i quajtur ndryshe Qyteti i Mikpritjes dhe i Bujarisë.
Mbyllje
I kam kushtuar disa libra dhe shumë artikuj letërsisë suedeze, veçanërisht artikuj për August Strindberg, Selma Lagëlëf, Astrid Lindgren, Ullmar Qvick, Lars Westman, sikurse dhe shumë shkrimtarëve shqiptarë me banim në Suedi: Sadulla Zendeli-Daja, Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Hamit Gurguri, Hysen Ibrahimi… Lista e personaliteteve të letërsisë dhe të kulturës suedeze për të cilët kam dëshirë të shkruaj është shumë e gjatë, ndërkohë që do të desha me gjithë zemër që këtë dëshirë ta kthej në realitet, për të nderuar me sa mund personalitetet e kësaj letërsie, këta njerëz me botë të pasur, që i japin vlerë dhe shkëlqim të veçantë jetës dhe shoqërisë. Duke përshëndetur me gjithë zemër shkrimtarët suedezë që na nderuan këto ditë në Shqipëri, e, veçanërisht Britta Stenberg, Anna Mattsson, Hamit Gurguri, Sokol Demaku dhe Emine Hoti, u uroj suksese të mëtejshme dhe begati në krijimtarinë e tyre të vyer.
Të dashur miq!
Me vizitën që bëtë, ju na sollët më shumë dashuri dhe vëllazëri, vlera kulturore dhe letrare, nxitje për bashkëpunime të mëtejshme, gjallëri dhe freski në komunikimet tona për të ardhmen. Na dëgjuat dhe përjetuat bashkë me ne emocione në veprimtaritë që u organizuan e u zhvilluan për nderin tuaj. Kjo vizitë do të mbetet gjatë në kujtesë, për miqësinë dhe vlerat e ndërsjella, për modestinë tuaj dhe respektin që treguat ndaj vlerave dhe kulturës së popullit tonë. Ashtu si gjer më sot, edhe në të ardhmen, ju do të jeni ndër miqtë e përzgjedhur. Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me përshëndetjen me të cilën Anna Mattsson u drejtohej në gjuhën shqipe pjesëmarrësve thuajse në të gjitha takimet e organizuara: Tungjatjeta! Faleminderit!
Tack Britta, Anna, Sokol, Hamit!
Komentet