“Davidi kundër Golias”. Të magjishmit, kundër surprizës. Mesi, Nejmar e Suarez kundër Tevez, Popba e Pirlos. Luis Enrike kundër Masimiliano Alegrit. Dhe në fund Spanja kundër Italisë. E sotmja në Berlin nuk do të jetë vetëm finalja e radhës e Championsit mes Barcelonës dhe Juventusit. Do të jetë lufta mes dy kombeve që i ndan një det, por edhe një armiqësi në futboll. Dhe kush mendon se Barça do ta ketë gabohet. Yjet ndonjëherë sugjestionohen në këto finale. Barça e di mirë, sepse finalja e 1994-ës ndaj një italiane si Milani, i shkaktoi tërmet. Por jo vetëm kaq, juventinët finalen e sotme e kanë nisur në sulm. “Juventusi është këtu për të fituar. Sigurisht Barcelona është një skuadër e jashtëzakonshme në sulm, por ne kemi ardhur për të ngritur trofeun. Katalanasit ashtu si çdo ekip tjetër kanë pikët e tyre të dobëta dhe ne do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë në maksimum ato.
Gjithsesi, unë mendoj se kjo do të jetë një ndeshje që do të vendoset në mesfushë. Ne e nisëm këtë kompeticion për të arritur deri në çerekfinale, ndërkohë që tani do të luajmë për trofeun. Ne kemi bërë diçka përtej asaj që pritej prej nesh, ndërsa Barcelona ka arritur aty ku ishte objektivi i saj që në fillim, por për ta realizuar atë duhet të fitojë dhe presionin ndonjëherë të dëmton. Mesi-Nejmar-Suarez? Të tre janë futbollistë të jashtëzakonshëm dhe vështirë se ndeshja do të përfundojë 0-0 me ata të tre në fushë, ndaj ne duhet të shënojnë dhe të shpresojmë që të kemi dhe pak fatin me vete. Kemi përballë një kundërshtar shumë teknik.
Do të jetë i rëndësishëm shfrytëzimi i kundërsulmit. E theksoj sërish, që jemi këtu për të fituar, në të kundërt nuk vinim ta luanim finalen por më mirë bënim një shëtitje buzë brigjeve të Shpresë”, është shprehur Alegri. Ky i fundit është përballur në të kaluarën e tij me Barcelonën, por në atë kohë drejtonte Milanin. Statistikat nuk i ka në favor, gjithsesi në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë, sidomos përballë një skuadre italiane.
Ndërsa kapiteni Bufon insiston se është e pamundur që një skuadër që ka lojtarë si Messi, Nejmar, Suarez dhe Injesta të mos jetë favorite. “Në një ndeshje si kjo do të merren parasysh të gjithë faktorët, por nga çdo pikëpamje, Barcelona është favorite, pasi ata kanë Mesin, Nejmarin, Suarezin dhe Injestën. Është e pamundur që të mos jenë skuadër favorite”, thotë Bufon. Në një prononcim për gazetën italiane “Gazzetta dello Sport”, Ksavi e ka quajtur Juventusin si një familje të madhe, e cila ka një mentalitet fitues. “Do të jetë finalja më e mirë në historinë tonë, por sigurisht që do të jetë shumë e vështirë.
Një Juventus që fiton 2-3-4 tituj kampioni radhazi, ka një mentalitet të madh. Ka njerëz që thonë se Juventusi e ka pasur të lehtë që të fitojë në Itali, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Ata janë një familje e madhe dhe e bashkuar, me futbollistë të mëdhenj si Buffon, Chiellini, Barzagli, Marchisio, Pirlo, Vidal, Morata e Tevez”, deklaroi Ksiavi. Veç ndeshjes ka edhe çmenduri të tifozëve. Dikush është gati të blejë biletën deri në 7 mijë euro, ndërsa të tjerë të bëjnë 1100 kilometra në këmbë për një biletë. Është kjo historia e veçantë e Nikolo De Markit, një tifoz të Juventusit, që përshkroi në këmbë distancën deri në Berlin për të siguruar një biletë për finalen e madhe të UEFA Champions League. Gjithsesi, deri sekondën e fundit, magjia do të jetë e pranishme në Berlin.
Bastet janë me katalanasit, italianët nuk llogariten
Fitorja e skuadrës së Luis Enrikes brenda kohës rregullt vlerësohet me një kuotë shumë të ulët. Nga 1,57 deri në 1,63 varion koefiçenti për suksesin e Barcelonës brenda 90 minutave. Që ndeshja të shkojë në kohën shtesë pra koha e rregullt të përfundojë me rezultat të barabartë koefiçentët variojnë nga 4 në 4,25. Akoma më lart kuotohet fitorja e Juventusit, që brenda kohës së rregullt vlerësohet me koefiçentin 6 por edhe më tepër. Për Barcelonën fituese të Championisit ka një kuotë të papërfillshme vetëm 1,22 ndërsa me koefiçentin 4 vlerësojnë bookmakers-at britanikë triumfin e bardhezinjve. Një sfidë brenda sfidës do të jetë edhe ajo mes dy argjentinasve Karlos Tevez dhe Lionel Mesi. Kështu fitorja e Barçës me Mesin që shënon minimalisht një gol ka kuotën 3, ndërsa shuma e vënë për Juventusin kampion të Europës d he Tevez që e çon topin në rrjetë në të paktën 1 rast brenda 90 minutave shumëzohet me 13.
Kielini: Fitojeni këtë trofe për të gjithë
Nga ana tjetër ai nuk do të jetë në fushë. bëhet fjalë për Xhiorxhio Kielinin i cili në mungesë ka shkruar një letër emocionuese për të gjithë shoëkt e skuadrës dhe tifozët. “Sikurse miliona të tjerë në gjithë botën, edhe unë e kam ëndërruar një finale Champions, por fati ndonjëherë tallet me ne. Shpresova se mund të rikuperohem në kohë, ashtu sikurse kam bërë herë të tjera, por kësaj radhe ishte e pamundur. Juventusi ka lojtarë të mëdhenj. Jam shumë i sigurt se skuadra do të luftojë në fushë më shumë se asnjëherë tjetër. Ata do t’i tregojnë botës forcën dhe vendosmërinë e skuadrës. Të bashkuar mund të arrijmë që të realizojmë këtë ëndërr. Shokë, do të jem me ju nesër(sot), do të brohoras dhe do të vuaj bashkë me ju. Fitojeni këtë trofe”, shkruan mbrojtësi italian i Juventusit.
Komentet