Sot e nisa ditën me një telefonatê surprizë.
“Shkëlqim Basha jam e dua të të falenderoj se më keni kujtuar në komentin tuaj për teatrin”.
“Çim Basha aktori? – i thashë me një frymë.
“Po,- u përgjigj,- faleminderit që nuk më keni harruar”.
Biseda rrodhi natyrshëm për shumë minuta e sikur të njiheshim prej kohësh, ujitur dhe nga dialekti e shprehjet tironse që dalin nga shpirti.
Thjeshtësinë e takon vec tek shpirtrat fisnikë, është ajo rrënjë e ëmbël e të gjitha virtyteve njerëzore që sjellin mirënjohjen, respektin, zemërgjerësinë, qytetarinë.
“Kush ishte ma?, më pyeti im bir Valerio që ndodhej në makinë me mua.
“Ishte Roberto De Niro shqiptar”, i thashë. Jeton në Itali si ne e ndoshta një ditë do shkojmë ta takojmë.
“Roberto De Niro shqiptar? Kaq bravo është?”
“Po bir. Çim Basha ka interpretuar mbi 70 role në Teatrin Kombëtar, mbi 10 role kinematografike e me një karrierë 30 vjecare artisti.
Vashik “Miq të paftuar”, Arturo Ui “Arturo Ui”, “Leksi “Lumi i vdekur”, Xhep “Çatia e të gjithëve”, Duka i Milanos “Dy zotërinj nga Verona”, Rama “Ata që duhen”, “Çarli “Vdekja e një komisioneri”, Kryepeshkopi “Kush e solli Doruntinën”, Batista “Zbutja e kryeneçes”, Iskierdoja “Monserati”, etj janë disa nga rolet e tij më të sukseshëm.
Po Çim ti mund të ishe vërtetë një Robert De Niro sikur historia e vendit tonë mos të ndiqte rrugëtime të mbrapshta politike e ndoshta sot do interpretoje një tjetêr rol të ri në Teatrin që nuk duhej shembur.
Por një gjë nuk ia arriti dot prapësia e politikës; nuk ia doli të transformojë shpirtrat fisnikë.
E ti Çim je e mbetesh fisnik i skenës teatrale e kinematografisë shqiptare.
Faleminderit ty për emocionet e skenës e ekranit.