Qeveria e Maqedonisë ka shpallur ditën e hënë ditë zie në vend, në një mbledhje të saj të jashtëzakonshme, pas vërshimeve që goditën Maqedoninë të shtunën në mbrëmje.
Qeveria vendosi që në dy javët e ardhshme të mbajë gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoninë Perëndimore, që u godit më së rëndi nga vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pas vërshimeve që goditën Shkupin dhe pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në mbrëmjen e të shtunës, shkaktuan edhe lëndimin e dhjetëra qytetarëve të tjerë dhe bëhet me dije se ka edhe disa të zhdukur.
Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë dy vjeç.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Mitko Cavkov, tha policia dhe institucionet tjera të vendit me ekipet e tyre gjenden në terren, ku vazhdojnë kërkimet, duke kontrolluar çdo metër për gjetjen e viktimave.
“Mbetet që institucionet shtetërore, bashkë me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të aktivizohen masovisht, sepse gjatë ditëve të ardhshme na presin shumë sfida për sanimin e pasojave nga vërshimet”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme.
Nga 21 persona, 13 veçse janë identifikuar nga organet kompetente, ndërsa të tjerë janë në proces të identifikimit.
Ndërkaq, Ambasada e Shteve të Bashkuara në Shkup, përmes rrjetit social Facebook, ka theksuar se ndjehet e pikëlluar nga humbja e jetëve.
“Ne jemi thellë të pikëlluar nga humbja e jetëve gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të natës së mbrëmshme. Lutemi që të shpëtojnë personat e zhdukur, si dhe të shërohen të lënduarit. Përshëndesim qytetarët të cilët janë organizuar për të mbledhur ushqim dhe gjësende tjera të nevojshme për ata që janë prekur”, theksohet në postimin e ambasadës së SHBA-së, në rrjetin social FB.
Demolli: Kosova e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Qeverinë e Kosovës, Haki Demolli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë të gatshëm të dërgojnë ekipet e kërkim shpëtimit në Maqedoni, por që për këtë duhet të bëhet një kërkesë formale nga shteti i cili kërkon ndihmë.
Demolli ka bërë të ditur se deri më tani një kërkesë e tillë nuk ka ardhur nga autoritetet e Maqedonisë.
Ai ka shtuar se për të dërguar ekipet e FSK-së jashtë vendit kërkohet një procedurë e theksuar dhe vendimi duhet të merret nga presidenti i Kosovës.
“Ne shprehim gatishmërinë tonë si ministri e FSK-së të dërgojmë pjesëtarë të trupave tanë në vendin mik Maqedoninë, ku kemi një bashkëpunim të mirë në sferën e sigurisë. Për këtë dërgim kam biseduar edhe me kryeministrin, Isa Mustafa, që të dërgojmë ekipet tona, njësitet tona më të mira, në veçanti ekipin e përgatitur të kërkim shpëtimit me qëllim të gjetjes së personave të zhdukur”, ka theksuar Demolli.
Megjithatë, ministri Demolli ka sqaruar se para se të iniciohen procedura e brendshme për dërgimin e ekipeve të FSK-së në Maqedoni, “kërkohet që vendi që ka nevojë për ndihmë të dërgojë një kërkesë formale, qoftë nga ambasadori i Maqedonisë, qoftë nga ministri i mbrojtjes së Maqedonisë apo edhe nga kryeministri”.
Njëherësh, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Qeverinë e Kosovës, Haki Demolli ka shprehur ngushëllimet për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë, si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore.
Viktima nga vërshimet në Shkup
Liza Bendevska, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar numrin e të vdekurve.
“22 janë të lënduar dhe ndodhen në Klinikën e Shkupit, përderisa 6 llogariten të humbur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Të gjitha viktimat janë nga Hasanbegu, Haraçina dhe Stajkovci”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë Liza Bendeska, zëdhënëse dikasterit të policisë.
Gjatë natës së kaluar, por edhe sot, ekipet e Shtabit për Siguri dhe Shpëtim të qytetit të Shkupit po intervenojnë për t’u pastruar rrugët e bllokuara nga reshjet e shiut.
“Për momentin të gjitha ekipet e Shtabit janë në terren dhe po punojnë për ta lehtësuar komunikacionin”, theksohet në komunikatën për media nga qyteti i Shkupit.
Me këtë rast, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të mos dalin pa nevojë nga shtëpitë e tyre dhe bllokojnë rrugët edhe ashtu të pakalueshme në këto lagje.
Kryetari i Komunës së Shkupit, Koce Trajanovski, tha se më të goditura janë lagjet dhe fshatrat e komunës së Gazibabës.
“Menjëherë u formua Shtabi i Krizës dhe filloi të veprojë në terren. U gjend mekanizmi i cili merret nga ndërmarrjet publike, të cilat u kyçën edhe nga kompanitë private. Dhjetë makineri ndërtimore dolën në terren. Njësiti i zjarrëfikësve doli me varka dhe automjete, me qëllim që sa më tepër njerëz të evakuohen dhe të shpëtohen sa më tepër njerëz dhe të mira materiale”, tha Trajanovski.
Ai tha se nuk ndjen përgjegjësi si kryetar i komunës së Shkupit për numrin e madh të viktimave në këtë rajon.
“Bëhet fjalë për një bombë uji…ajo që ndodhi mbrëmë, për më pak se 20 minuta…kishim të reshura mbi 90 litra në në një metër katrorë…ishte e pamundur të interevenohej…vëshimet bartën pjesë të shtëpive, automjete,… ne jemi në terren tërë kohën dhe bëjmë të pamundurën për të ndihmuar”, tha Trajanovski.
Përderisa banorët e lagjes Hasanbeg të Shkupit, duke rrëfyer tmerrin që kanë kaluar gjatë natës së kaluar, thonë se ndërtimet pa plan urbanistik dhe mos pastrimi i kanaleve në këtë pjesë të qyetit të Shkupit , kanë bërë që uji të del nga rrjedhat e kanalizimeve, duke shkaktuar vërshime.
“Aq shumë ujë erdhi për pak minuta, mbi një metër, sepse shiu nxori jashtë kanalizimet. Ky kanalizim tërë kohën na bën probleme, por askush nga shteti nuk po ndërmer diçka”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, Destan Agushaj.
Burim Stavileci, të cilit i është përmbytur i tërë restoranti dhe kati i parë i shtëpisë, thotë se fëmijët ka arritur t’i shpëtojë, duke i ngjitur në katin e sipërm. E gjitha është shkatërruar dhe ka ndodhur brenda pak minutash.
“Erdhi uji për pesë sekonda, derisa unë i largova fëmijët nga kati i poshtëm në katin lart, kjo pjesa e poshtme u përmbyt me ujë…s’kishim kohë për të menduar çka të bëjmë, cka të shpëtojmë”, tregon Stavileci.
“Gjithmonë që ka të reshura shiu unë kam problem me ujin…[Gazetarja] Nga vjen uji? …Po del jashtë kanalizimit dhe tërë shtëpia mbushet me erë të keqe”, thotë ai.
Ndërkohë, Saiti, duke tregur plagët në gjymturë, thotë se ka qenë e pa mundur të ndihmojë fqinjët nga lëvizja e utomjeteve në rrugë, të cilët kanë qëndruar mbi ujë
“Kishte shumë vetura që i bartte uji, fqinjët kërkonin ndihmë, s’mund të afrohshim nga rryma e ujit që na barte mua me vëllaun, me ç’rrast morëm plagë në krahë”, thotë Saiti.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për në orën 16:30, ku supozohet se do te merret vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në pjesën e Tetovës dhe në rajonin e Shkupit , si rajone më të prekura nga vërshimet e mbrëmshme.
Nga Enti Hidrometeorologjik edhe për ditën e sotme parashohin mot të ligë, me shira të rrëmbyeshëm.
Kosova e gatshme të ndihmojë Maqedoninë
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Maqedoninë me njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim, në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje .
“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar”, thuhet në një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë, si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore. (REL)
Komentet