Sot shënohet 31 vjet që nga dita kur Ukraina shpalli pavarësinë dhe shkëputjen e plotë nga ish-Bashkimi Sovjetik, por për ukrainasit Dita e Pavarësisë do të jetë një ditë e zymtë pasi krerët e shtetit kanë paralajmëruar disa herë se Rusia mund të kryejë sulme me raketa në qytetet vendase.
Vitet e mëparshme kjo ditë është nderuar me festime dhe parada ushtarake, por sot gjashtë muaj që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia këto ceremoni solemne nuk do të kenë shkëlqimin e dikurshëm. Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Gjeneral Major Mykola Zhyrnov, tha se festimet janë ndaluar në kryeqytet dhe qytete të tjera në mënyrë që forcat e sigurisë të mund të përgjigjen në mënyrë sa më efikase ndaj sulmeve të mundshme ruse.
Në vend të një parade, automjete ushtarake ruse të kapura dhe të shkatërruara, përfshirë tanke, u vendosën në Khreshchatyk, rruga kryesore e Kievit, si dëshmi e përpjekjes së dështuar të Moskës për të aneksuar kryeqytetin në javët e para të luftës. “Armiku planifikoi të zhvillonte “një paradë” aty për tre ditë, por nuk funksionoi. Forcat tona të armatosura u përgjigjën”, shkroi në Telegram Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së Presidentit të Ukrainës, teksa mjetet luftarake ruse ishin ekspozuar në qytet. Në prag të Ditës së Pavarësisë, turma njerëzish u panë në Khreshchatyk, duke parë pamjet përmes një ekrani. Disa fëmijë u afruan deri në karkasën metalike të ndryshkur të një tanku, ndërsa të tjerë pozuan pranë mjeteve të dëmtuara.
Shumë prej të pranishmëve në shesh, të intervistuar nga CNN rrëfyen se kjo ditë nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, pasi të afërmit e tyre ndodheshin në vijën e parë të rrezikut. Gjithashtu, ata nuk pranuan të tregonin identitetin e plotë, pasi kjo përbën rrezik për jetët e tyre. Kësisoj, një qytetare e quajtur Liubov tha se ajo u shfaq për të parë “paradën e hekurishteve” së bashku me djalin e saj 8-vjeçar, Illia. Ndërsa Illia hipi në një mjet luftarak rus, Liubov e përshkroi paradën si “simbolike”, duke thënë “shumë njerëz në Kiev e kanë harruar luftën, kështu që unë mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për t’i kujtuar.”
Bashkëshorti i saj, i cili po lufton në vijën e parë, i është lutur që të largohet nga kryeqyteti për në shtëpinë e tyre verore 50 kilometra larg, tha ajo. Por ajo ka refuzuar të shkojë. Edhe nëse “ka sulme masive me raketa në Kiev ditën e sotme, ne nuk do të largohemi”, tha ajo, duke shpjeguar se ka një çantë urgjence në shtëpi, me rroba të mjaftueshme, kryesisht të gjera që ndihmojnë në mosdepërtimin e rrezeve të dëmshme në rast se sulmohen nga raketat. Ne nuk trembemi më aq lehtë prej tyre.”.
“Nuk ndihem e entuziazmuar për Ditën e Pavarësisë, më tepër ndihem e trishtuar sepse e kuptoj se çfarë po ndodh, burri dhe vëllai im janë në vijën e parë”, shtoi ajo. Duke mbajtur një flamur ukrainas, një tjetër qytetare i tha CNN se edhe ajo ka të afërm që luftojnë kundër Rusisë. “Babai im është në vijën e parë, shumë nga të afërmit e mi janë në vijën e parë… kështu që nesër nuk është festë në vetvete, por nderim dhe ndjenjë pavarësie, sepse këtë herë do të ndihet ndryshe nga 30 vitet e mëparshme”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi të martën se Rusia mund të shtojë përpjekjet për të nisur sulmet, përfshirë sulmet me raketa, “në objektet e infrastrukturës ose institucionet shtetërore” gjatë festës. Qeveria amerikane iu bashkua korit që ngritën shqetësimin duke u thënë amerikanëve të martën që të largoheshin menjëherë nga Ukraina.
Në Khreshchatyk, teksa shihnin plaçkën e luftës së Ukrainës, shumë qytetarë ndanë shqetësimet për një sulm të mundshëm nga rusët të mërkurën.
“Ne kishim planifikuar të vinim këtu nesër, por për shkak se kishte shumë paralajmërime, ne do të qëndrojmë në shtëpi,” tha Oleh Fetir, 51 vjeç, teksa shihte mjetet e ekspozuara me bashkëshorten e tij.
“Ne erdhëm këtu për të parë paradën e hekurishteve, sepse rusët na e kanë prishur festën. Vitin e shkuar në Ditën e Pavarësisë ne ishim këtu duke parë paradën e pajisjeve ushtarake të Ukrainës me aeroplanë, ishte madhështore dhe magjepsëse. Tani, kjo paradë aktuale është mjaft mbresëlënëse. Mungojnë fotot e atyre që ishin brenda”, tha ai duke iu referuar ushtarëve rusë.
Pas gjashtë muajsh konflikti që e kanë çuar ekonominë e Ukrainës në një krizë të thellë dhe kanë ndërprerë pothuajse çdo pjesë të jetës së përditshme, lodhja ishte e dukshme tek ata.
“Nuk ndihem entuziast për nesër, jo me humor festiv”, tha një 29-vjeçar, duke shpjeguar se është i shqetësuar për hedhjen e raketave drejt kryeqytetit. “Urrejtja ime për rusët është rritur aq shumë sa po më copëton”, tha Anna, 68 vjeçe, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj për arsye sigurie. Klinika ku ajo punon i ka thënë që ditët e ardhshme të punojë në distancë. “Unë kam punuar gjatë luftës, ndonjëherë duke u kthyer në shtëpi predhat më fluturonin mbi kokë”, tha ajo. Ajo e përshkroi presidentin rus, Vladimir Putin-in si të paparashikueshëm, si “një majmun që mban një granatë në dorë”. “Ai thotë një gjë, bën diçka ndryshe dhe askush nuk mund ta marrë me mend se çfarë ka në të vërtetë në mendjen e tij”, tha ajo.bw
Komentet