Saime Isufi, është një mësuese e pasionuar dhe organizatore e mësimit plotësues në Zvicër, mësimdhënëse për 25 vjet me radhë, aktualisht koordinatore e mësimit plotësues për kantonin e Bernës.
Pyetje: Si e përjetoni festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari?
Saime Isufi: 7 Marsin e përjetoj si një datë të shënuar historike, e cila më ngjall shumë emocion tek kujtoj përpjekjet e mëdha të patriotëve shqiptarë për të ardhur deri tek kjo ditë e madhe. Si brez edhe ne kemi përjetuar dhunën serbe në institucionet tona shkollore, andaj e kuptojmë më shumë se askush tjetër rëndësinë e kësaj date të shënuar historike. 7 Marsi më kujton sakrificat e mëdha, përpjekjet e gjata e me plot rreziqe të rilindësve tanë për të arritur deri te kjo ditë: “që dritë e diturisë përpara të na shpjerë, përpara drejt lirisë”. 7 Marsi është datë e zgjimit kombëtar të popullit tonë e gjithashtu si ditë e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, më 7 mars 1887.
7 Marsi i vitit 1887 është datë e shënuar historike, nga fakti se Shqipëria ndodhej nën sundimin otoman dhe shqiptarët nuk kishin të drejtë të shkuanin në gjuhën e tyre shqipe dhe se në këtë ditë u hap shkolla e parë shqipe nën përkujdesjen e rilindasve siç ishin: vëllezërit Frashëri, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Gjerasim e Sevasti Qiriazi e të tjerë. Dhe tani e tutje shqiptarët do të shkruanin e mësonin në gjuhën e tyre.
Pyetje:Në ketë ditë a të kujtohet mësuesi juaj i parë? Kush ka qenë mësuesi i juaj i parë?
Saime Isufi: Në këtë ditë gjithmonë kujtoj mësuesen time të parë, Ismete Ahmeti, shëmbëlltyrë e një mësueseje të kompletuar në aspektin edukativo-arsimor, por edhe në atë patriotik e emancipues. E theksoj këtë për faktin se në saje të mësueses Ismete, unë vijova shkollimin deri në universitet. Mësuesja Ismete erdhi e më mori në shtëpi, kur pas përfundimit të klasës së dytë, më kishin ndaluar padrejtësisht të mos e vijoja shkolllimin. Mësuesja Ismete më nxori nga errësira, andaj në 7 Mars dhe shumëherë e kujtoj me mall e dashuri mësuesen time të parë. Ajo ishte shembull frymëzimi gjatë gjithë jetës sime profesionale edukativo-arsimore, andaj edhe e zgjodha mësuesinë si profesionin më fisnik të jetës sime.
Pyetje:A ju kujtohet dita e parë si mësues/e kur dhe ku?
Saime Isufi: Natyrisht që dita e parë më kujtohet dhe nuk do të më hiqet nga mendja deri sa të marr frymë. Mora çantën e mësueses, mbushur libra e fletore atë ditë gushti të vitit 1993. Para shkollës më prisnin nxënësit e mi të ardhshëm, me lule në duar dhe me përshëndetjen shqip: “Mirëdita!”. Në atë moment kujtova mësuesen time të parë dhe po ashtu mësuesen e shkollës së parë shqipe të Korçës, Sevasti Qiriazi. Po filloja një mision të ri në rrugën e mësuesisë; të edukimit të brezit të ri në mërgim, duke e përjetuar këtë punë si një mision atdhetar e patriotik
Pyetje:Çfarë do të thotë të jesh mësues apo mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër?
Saime Isufi: Të jesh mësuese në Zvicër për mua do të thotë të kryesh një mision patriotik e atdhetar. Është të mësuarit e gjuhës e kulturës amtare nga ana e fëmijëve tanë. Përcjellja e dashurisë për gjuhën amtare, për historinë e gjeografinë tonë. Me një fjalë përgatitja dhe edukimi arsimor e atdhetar kombëtar i fëmijëve.
Pyetje: Lulet janë dhurata më zakonshme që nxënësi i dhuron mësueses, mësuesit si mënyrë për të shprehur atyre mirënjohjen dhe respektin për punën e tyre. A ju sjell nxënësit lule këtu në shkollën shqipe, a vazhdon tradita?
Saime Isufi: Nxënësit e mi më kanë sjell lule të panumërta gjatë punës sime si mësuese. Natyrisht që tradita vazhdon. Dhe jo vetëm në Ditën e Mësuesit, por edhe në rast festash kombëtare e shkollore kam marr plot tufa lulesh nga nxënësit e mi të mirë.
Pyetje: Brezi i shqiptarëve të asaj kohe të Mësonjëtores së Korçës u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, ishin me të vërtetë brezi më shembullor i kombit shqiptar. Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare?
Saime Isufi: E theksova më lart se brezi i Rilindjes Kombëtare ka bërë përpjekje stoike për gjuhën shkrimin e mësimin e gjuhës amtare. Theksoj pa hezitim se edhe brezi ynë në mërgim ka bërë përpjekje me sakrifica e sfida jo të vogla, për hapjen e shkollave shqipe të mësimit plotësues në Zvicër e më gjerë. Ne atëherë, në vitin 1990, nuk kishim shtet as institucione, andaj përveshëm krahët dhe organizuam mësimin plotësues në Zvicër.
Edhe sot mendoj se mësimdhënësit tanë kanë ideale atdhetare, për faktin se jemi jashtë atdheut dhe mendoj se pa qenë brenda mësuesit/es ideali atdhetar, nuk mund të ketë mësim cilësor. Për mua secili mësimdhënës i gjuhës shqipe është i brumosur dhe përcjell te nxënësit idetë atdhetare për vendin e prejardhjes.
Gjenevë, 6.03. 2023 Nexhmije Mehmetaj