Sot 25 Nëntori – Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
“Çdo njeri ka një përgjegjësi për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke filluar nga sfidimi i kulturës së diskriminimit që e lejon atë të vazhdojë.” –Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon
Pse një ditë ndërkombëtare?
Dhuna ndaj grave është një dhunim i të drejtave të njeriut.
Dhuna ndaj grave është pasojë e diskriminimit të grave, në ligj dhe në praktikë, dhe e pabarazive të vazhdueshme midis burrave dhe grave.
Dhuna ndaj grave ndikon dhe pengon përparimin në shumë fusha, duke përfshirë çrrënjosjen e varfërisë, luftimin e HIV / AIDS, si dhe paqen dhe sigurinë.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme. Parandalimi është i mundur dhe i domosdoshëm.
Dhuna kundër Grave Vazhdon të jetë një epidemi globale por sidomos shqiptare
Termat “dhunë ndaj grave” dhe “dhunë me bazë gjinore” përdoren për t’iu referuar një vargu abuzimesh ndaj grave që krijohen nga pabarazia gjinore dhe statusi i nënshtruar i grave në shoqëri në raport me burrat.
25 nëntori ka hyrë në historinë botërore si “Dita Botërore për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave”. Thuhet se kjo datë u zgjodh pas vdekjeve të tre motrave domenikane, të cilat luftuan për të pasur një vend të lirë dhe të shkëputur prej diktaturës së asaj kohe. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 35% e grave dhe vajzave në shkallë globale përjetojnë një ndër format e dhunës që ushtrohen ndaj kësaj gjinie.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave thonë se miliona gra bëhen perdite viktimë e formave të ndryshme të dhunës: fizike, seksuale dhe psikologjike. Por mbetet e vështirë për studiuesit që të japin një shifër të saktë të grave që pësojnë dhunë, pasi shumica e rasteve nuk raportohen.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë një nga format më të zakonshme të dhunës ndaj grave është ajo e ushtruar nga bashkëshorti ose partneri. Fakti që gratë janë shpesh të përfshira emocionalisht dhe të varura ekonomikisht ndaj atyre që i viktimizojnë, ka ndikime të mëdha si në dinamikat e abuzimit dhe në përqasjet për ta trajtuar atë.
Në 1933, Deklarata e Vjenës dhe Programi për Veprim e përkufizuan dhunën ndaj grave si një “akt i dhunës me bazë gjinore” i cili shkakton dëmtime fizike, psikologjike dhe një privim të lirive dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo individ, pavarësisht përkatësisë gjinore. Dhuna ndaj grave konsiderohet si një formë e përhapur e dhunimit të të drejtave të njeriut e sipas llogarive mund të prekë në një formë apo një tjetër, 1 në 3 gra në mbarë botën.
Në 48 studime të kryera në vende të ndryshme të botës, nga 10% deri në 69% e grave raportuan se janë dhunuar fizikisht nga një partner intim në një moment të jetës së tyre.
Sipas një studimi të realizuar në Shqipëri në vitin 2003, rezultoi se më shumë se 1/3 e grave të martuara (37%) kishin eksperienca të dhunës fizike gjatë vitit të fundit. Gratë me nivel të lartë edukimi dhe me karrierë profesionale rezultuan me risk më të lartë për t’u prekur nga dhuna. Shpjegimi për këtë fenomen lidhet me faktin se kjo kategori e grave e percepton më mirë dhunën dhe e raporton atë.
Në parandalimin e dhunës ndaj grave hapa të rëndësishëm përpara janë bërë me hartimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje, si dhe me miratimin e Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i cila ka hyrë në fuqi në 1 qershor 2007.
Me rastin e kësaj dite botërore, fillon dhe Fushata e 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave. Kjo fushatë është një traditë që nisi në vitin 1991 nga Instituti i parë i Lidershipit Global të Grave.
Fushata nis në 25 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në 10 Dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, duke lidhur simbolikisht dy ditë, me qëllim përforcimin e mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.
Fushata e 16 Ditëve organizohet në mbarë botën nga aktivistë të të drejtave të njeriut për të bërë thirrje për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave nëpërmjet:
Rritjes së informacionit në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar;
Fuqizimit të veprimtarive lokale;
Krijimit të lidhjeve midis përpjekjeve globale dhe atyre lokale;
Sigurimit të një forumi për dialog dhe shkëmbim përqasjesh;
Mbajtjes nën presion të qeverive për zbatimin e premtimeve të bëra bazuar në instrumentet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare;
Demostrimit të solidaritetit të aktivistëve në vende të ndryshme të botës.
Sipas aktivistëve, dhuna me bazë gjinore cënon parimet bazë që karakterizojnë të drejtat e njeriut, dmth: dinjitetin, universalitetin, barazinë, pandashmërinë, ndërveprimin, mosdiskriminimin, përgjegjësinë e qeverisë dhe atë personale.
Komentet