Aktori Edmond Budina ka zbuluar në emisionin ”Kjo Javë” të Nisida Tufës në News24 arsyet pse Aleanca për Teatrin dyshon se Soreca mund të ketë ndikuar tek Gjykata Kushtetuese në disfavor të tyre.
Aleanca për Mbrotjen e Teatrit kërkon që Soreca të shpallet ‘non grata’ teksa Budina e cilëson ambasadorin e BE një diversant që e ka sabotuar kauzën e tyre.
“Zoti Soreca për mendimin tim në çështjen e Teatrit Kombëtar është një diversant që ka sabotuar çështjen e Teatrit Kombëtar dhe këtë e them me bindje të plotë. Ne kemi bërë disa takime me të dhe ai nuk ka reaguar fare, shkon në gjykatën kushtetuese fshehurazi, ditën që do gjykohej cështja e Teatrit Kombëtar. Pse nuk e bëri publike siç i ka bërë të gjitha të tjerat? Pse nuk u shpreh z.Soreca edhe pas takimit, dhe pasi e zbuluam ne. Të thoshte: I kërkoj Gjykatës Kushtetuese të jetë e paanshme. Këtë duhet të bënte z.Soreca dhe jo të na akuzonte për shpifje, le të na akuzojë, ka për ta parë që të ato shpifje do të dalin të vërteta fjalët tona. Sepse aty padiskutim që është diskutuar për cështjen e Teatrit Kombëtar, dhe ne do të kërkojmë edhe prokurorë, hetues ndërkombëtarë që ta verifikojnë, ta zbulojnë sepse nuk ka asnjë protokoll për atë c’ka është biseduar atje. Nuk ka asnjë gjë publike, pastaj në fund të fundit, përse shkon ai në Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja e Gjykatës kushtetuese nuk ka tagër për reformën në drejtësi, as nuk cakton se kush do të jenë dy vakancat e lira. Përse shkon ai ditën që gjykohet cështja e Teatrit kombëtar.”- tha Budina ndërsa komentoi edhe vendimin e Këshillit të ministrave, për t’i siguruar mbrojtje ambasadorit të BE përmes gardës së republikës.
“Mbrojtjen nuk e ka kërkuar prej nesh sepse ne nuk kërcënojmë njeri. z. Soreca duhet të ketë bërë zullume të tjera pa ka frikë. Ne nuk kërcënojmë njeri. Ne na kanë kërcënuar shantazhuar, ç’nuk na kanë bërë e megjithatë ja ku jemi, ne jemi këtu, ballëlartë, nuk kemi marrë asnjë copë tullë nga Shqipëria, as nuk kemi abuzuar. Z.Soreca le t’i gjejë ata që e kanë kërcënuar, le ta zgjidhë. Ka një gjë, ku ka ‘tym ka dhe zjarr’, thotë një shprehje. Ai një gjë e ka, është punë e tij në fakt e mua nuk më takon ta gjykoj, është e drejtë s’është e drejtë, janë punë që i takojnë atij, ne nuk kemi kërcënuar njeri. Ne të drejtën tonë e kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë. Z. Soreca me ne nuk do ta kalojë kaq lehtë. Z.Soreca me ne do të përballet me komunitetin europian, do të përballet me SPAK, do ta denoncojmë z. Soreca për të gjithë veprimtarinë e tij për sa i përket cështjes së Teatrit Kombëtar. Që ditën e hënë ne do të vazhdojmë, luftën tonë dhe nuk dua të them gjëra të tjera, por z.Soreca ka ndërhyrë edhe në vende të tjera sa i përket cështjes së Teatrit Kombëtar që nuk dua t’i zbuloj këtu. Në nivele ndërkombëtare, por do t’i sqarojmë të gjitha një e nga një.”- tha Budina, ndërsa theksoi se e cilëson një vendim historik vendimin e gjykatës kushtetuese, duke shtuar se prej ditësh kur u publikua ky vendim, ka marrë shumë mesazhe nga qytetarë të ndryshëm të cilët e përgëzojnë për qëndresën e tyre.