MIK Festival’ rikthehet në këtë edicion të shtatë në qytetit e Korçës, në një rrugëtim katër ditor nga 11 Korriku deri në 14 Korrik, që i përngjan një feste të hareshme të muzikës klasike, baletit, rrëfimeve për pjesët operistike më të famshme që janë vënë në skenat botërore, si dhe një panairi me punime dore nën tingujt e muzikës mesjetare. E ftuar në emisionin ‘Odeon’ në ‘Syri Tv’, themeluesja e festivalit Inva Mula rrëfeu surprizat e festivalit të sivjetshëm, që premton ditë të paharrueshme për shijuesit e artit dhe kulturës.
‘Fjala mik është një nga fjalët më të bukura që ne kemi në gjuhën tonë. Mik është gjithçka, por në fakt këtë rast është Muzika Internacionale në Korçë, pra përkon shumë bukur me idenë tonë edhe me gjithë dashurinë që ne japim, me miqtë tanë për të realizuar një festival të tillë, tashmë në edicionin e shtatë. Jetëgjatësia e festivaleve të jep edhe mundësinë që ti edhe të ekperimentosh, të jep mundësinë që ti të mësosh edhe nga gabimet, por të jep gjithashtu edhe sadisfaksionin më të madh që ti arrin të realizosh disa vepra, që nuk e ke menduar kurrë që mund të realizohen. Kjo bëhet falë mbështetjes sigurisht financiare nga partnerët që na mbështesin, por edhe falë miqve, për arsye se festivali nuk ka ndonjë buxhet shumë të madh për ato që merr përsipër.
Ne këtë vit jemi shumë krenarë, që po tentojmë të realizojmë një vepër skenike, dhe jo një vepër dosido. Për strukturën e festivalit, ne fillojmë nga data 11 deri në datën 14 Korrik. Në ditën e parë janë dy koncerte, i pari koncert fillon me Red Radojën, ndikimi i impresionizmit francez në art, në jetën kulturore në Korçë. Asnjëherë nuk është kapur në këtë këndvështrim. Gjithnjë kemi menduar që Korça ka pasur ndikim dhe në gjuhën franceze, për vet faktin që aty ka pasur një emigracion në qytetin e Korçës, po ka qenë më shumë se një emigracion. Kanë qenë studentë që janë edukuar në Francë. Fakti që ne kemi liceun e Korçës, që nuk e ka asnjë qytet tjetër tregon ndikimin e jetës franceze, ndaj unë doja që pikërisht të kapnim në këtë vështrim e të shihnim si ka ndikuar muzika franceze, impresionizmi francez, i fillimit të shekullit XX, si mund të përkthehet në jetë kulturore korçare.
Ky është një këndvështrim i bukur që do t’na e japi Red Radoja. Vazhdojmë me një koncert tjetër që do të ndodhi në Hanin e Pazarit me një trio nga Maqedonia e Veriut. Janë tre artistë të Operas së Maqedonisë, tre artistë të Operas së Shkupit, është një teatër i cili ka një programacion vërtetë mjaft të mirë dhe ne kemi krijuar një trio me dy djem maqedonas dhe një vajzë shqiptare, pikërisht në këtë bashkëjetesë që ato kanë dhe një kombinim të bukur në muzikë dhe në art. Duam ta sjellim me pianist, oboist dhe soprano.
Dita tjetër është ajo ditë që ne e presim të gjithë që do të jetë maja e piramidës së Festivalit tonë, që është realizimi i operetës ‘Agimi’, për të vazhduar ditën e shtunë në një nga Teatrot e improvizuar që ndodhen në natyrë. S’e kemi menduar që në një fushë të Drenovës mund të kemi një skenë madhështore, të ndriçuar bukur dhe me foni të bukur e të realizojmë një paradë të kompozitorëve më të mëdhenj francezë. Unë këtë ndikim jo të muzikës franceze, të jetës franceze, të folurit frëngjisht dua ta sjellë në festivalin tim, për arsye se muzika romantike franceze është gur themelor në të gjithë thesarin e muzikës klasike botërore. Ariet më të bukura, janë vepra kaq të dashura për publikun të mbledhura në një buqetë të dirigjuara nga një dirigjent më të mirë francezë Jean-Michel Ferran.
Do ta prezantojë vet këtë se dua që të mos jetë një koncert i thatë, vetëm me vepra, por të ndërthuren këto të fundit me tregime e rrëfime të kompozitorëve. Sot publiku nuk vjen vetëm për të shijuar, publiku duhet të vijë për të mësuar dhe për t’u përgatitur. Nuk kemi publik, ne do ta përgatisim publikun, ndaj do jetë në këtë prizëm ky koncert. Mbarojmë ditën e diel, në një koncert tjetër thjeshtë në natyrë, në Voskopojë që është një djep i një kulture të lashtë, të një kulture kaq të fortë. Doja që këtë koncert që quhet ‘Bashkohet shpirti e muzika’ ta realizonim këtë vit me Blerta Zhegun, me ariet më të bukura antike, me motrën time Adelina në piano dhe në oborrin e një nga kishave më të bukura të Voskopojës’, tregoi Inva Mula në emisionin ‘Odeon’.
E pyetur nga drejtuesja e emisionit, sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula tha se është detyra e artistëve të mbrojnë muzikën simfonike operistike.
Egla Xhemalaj: Inva ma lejoni pas krahasimin apo përqasjen ngase shpesh thuhet se Opera shqiptare sidomos në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, përkatësisht drejtoresha e Operas Abigela Voshtina pak më parë në një intervistë për Syri TV, për emisionin ‘Odeon’ ku së bashku bisedojmë sot, më tha që publiku e ka shumë të vështirë të kapërdijë, të përtyp muzikën operistike shqiptare. Mbase ka qenë kjo një shkëndijë që ju keni dashur të jeni iniciatore e shpluhurosjes së historisë së kësaj muzike kaq të veçantë?
Inva Mula: Nuk dua të komentojë opinione, absolutisht. Detyra jonë është që muzika shqiptare e do apo s’e do, përtypet apo nuk përtypet është detyra jonë që muzika shqiptare të jetë pjesë e repertorit. Ju mendoni që ‘Madame Butterfly’, ‘Tosca’ ose ‘Aida’ do ta luajnë më mirë shqiptarët? Jo. ‘Agimi’, ‘Karnavalet’, Operën ‘Agimi’ e ‘Mrika’ asnjë njeri nuk e luan më mirë se ne.
Nuk dua ta komentojë këtë se unë nuk kam shtysa, unë kam detyrime të brendshme që më vijnë si artiste, si artiste shqiptare. Mbrojtja dhe rivlerësimi i muzikës operistike simfonike, muzikës së Baletit janë detyrimet tona. Ne duhet të mbrojmë muzikën kombëtare. Muzika Kombëtare ka një identitet shumë të fortë, është shkuar nga kompozitorë të mëdhenj. Detyra jonë është ta kemi gjithmonë prezente.
Interesit të publikut për rikthimin në skenën shqiptare, Inva Mula iu përgjigj duke zbuluar se pranverën e ardhshme do të ketë një projekt të rëndësishëm në Shqipëri.
‘MIK Festival’ shpluhuros historinë e muzikës operistike në një mënyrë krejt të veçantë. Stafi i organizatorëve së bashku me themeluesen Inva Mula do të sjellin natën e tretë të ngjarjes kulturore në skenën e Teatrit Andon Zako Çajupi operetën e parë shqiptare ‘Agimi’, 70 vite nga vënia e parë e saj në teatro.
Inva Mula: ‘Kjo operetë ka vënë gurin themelor, gurin e parë të muzikës vokale skenike në formën e një operete. Ideja ka qenë e një prej bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë Aleks Suliotit, i cili ka shumë kujtime, ngase gjyshi i tij kaq qenë interpretuesi i parë i rolit të Sokolit në operetën ‘Agimi’ dhe ma propozoi.
Unë e dëgjova dhe më pëlqeu shumë ideja që ne ta risjellim mbas 70 vjetësh. Është opereta që është shkruar në vitin 1954, si dhuratë në 10 vjetorin e Çlirimit. Fatkeqësisht te ne mungojnë arkivat, partiturat e vërteta, të cilat janë Bibla kryesore për ta çuar një vepër përpara. Pra, ishte një punë kolosale për ta marrë veprën, për të gërmuar, për ta ndërtuar, për të digjitalizuar.
Vepra ka qenë e shkuar me laps e me kalem dhe ka pasur shumë korrigjime, shumë numra që mungonin. Është bërë si një punë arkeologjike. Janë mbledhur copëza nga e kaluara për t’u ngjitur me njëra-tjetrën. Sigurisht, vepra duhej formatuar jo vetëm në aspektin letrar, po dhe në aspektin muzikor.
Janë vepra të cilat janë shkuar në një epokë të caktuar. Ajo që është thelbi i veprës është triumfi i dashurisë. Kemi tre çifte, tre të rinj që dashurohen me njëri-tjetrin dhe gjatë veprës i shfaqin dashurinë njëri-tjetrit dhe janë gjithmonë vajzat. Ky është një emancipim, që s’e besoj se ka qenë një emancipim në 10 – vjetorin e Çlirimit të vet shoqërisë, se kjo e fundit e dimë që edhe sot ka problematika të emancipimit të gruas. Mendoj që ka qenë një emancipim i vet karakterit të femrës shqiptare, e cila ka pasur gjithmonë diçka për të thënë në ADN-në e saj’, tha sopranoja ‘Odeon’.
Grupi që e solli për herë të parë në skenë ishte amatorë, megjithatë operata është përshatur mrekullisht me ditët e sotme falë punës që është për digjitalizimin e fotografive të vjetra, ndërsa kasti i të rinjve do të interpretoj historinë e dashurisë së tre të rinjve. Kohë e mbrapshtë për Shqipërinë që jetonte sistemin famëkeq diktatorial, por vepra e tejkalon gjithçka ngjette ato vite, ngase në fund triumfon dashuria. ‘Agimi’ që ka kuptimin dritës e të rilindjes tregon dhe anën e fuqisë së gruas shqiptare për të shprehur ndjeshmëritë e thella.