Historik mbetet edhe rezultati për ekipin e Kosovës, që në herën e parë të paraqitjes në gara të tilla olimpike fitoi medalje të arit me anë të xhudistes Majlinda Kelmendi
RIO DE JANEIRO – Sonte në qytetin brazilian Rio de Janeiro do të mbyllen Lojërat e 31-ta Olimpike në të cilat prej 5 gushtit deri më sot më shumë medalje olimpike, siç pritej, ka fituar ekipi i SHBA-ve, ndërsa lista përfundimtare e fituesve të medaljeve do të publikohet pas garave të caktuara të cilat do të zhvillohet sot.
Në listën e fituesve të medaljeve olimpike, SHBA-të bindshëm janë në pozitën e parë me 116 medalje, nga të cilat 43 ari, 37 argjendi dhe 36 bronzi. Ekipi i Britanisë së Madhe është në vendin e dytë me 66 medalje, 27 ari, 22 argjendi dhe 17 bronzi.
E treta është Kina, e cila ka 70 medalje, konkretisht 26 ari, 18 argjendi dhe 26 bronzi. Britanikët janë para kinezëve meqë kanë më shumë medalje ari.
Me pezullimin e shumë sportistëve për shkak të aferës së dopingut, Rusia, e cila renditet e 10-ta, në Olimpiadën në Rio fitoi 53 medalje, nga të cilat 17 të arit dhe të argjendit dhe 19 të bronzit.
Historik mbetet edhe rezultati për ekipin e Kosovës, që në herën e parë të paraqitjes në gara të tilla olimpike fitoi medalje të arit me anë të xhudistes Majlinda Kelmendi. Ndërsa ekipi i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë nuk sollën asnjë medalje, duke marrë pjesë me nga 6 sportistë.
Në këtë renditje Kroacia është në vendin e 17-të me dhjetë medalje, pesë të arit, tre të argjendit dhe dy të bronzit.
Më pas edhe Turqia është në vendin e 41-të me një medalje ari, tre të argjendit dhe katër të bronzit, ndërsa BeH-ja me 11 garues edhe kësaj here mbeti pa medalje olimpike.
Rreth 11.000 sportistë morën pjesë në Olimpiadën në Rio, ndërsa në mesin e tyre për herë të parë ishin Kosova, Sudani i Jugut si dhe ekipi olimpik i refugjatëve.
Dy emra shënuan Lojërat Olimpike në Brazil, Michael Phelps nga SHBA-të dhe Usain Bolt nga Xhamajka.Ceremonia e mbylljes së Lojërave të 31-ta Olimpike në Rio do të mbahet sonte vonë në stadiumin Maracana, ndërsa pishtarin olimpik do ta marrë Japonia e cila në vitin 2020 do të jetë vendi pritës i Lojërave të 32-ta Olimpike. aa
Një skandal ndodhi në turneun e kikboksit që u mbajt në Cetinjë të Malit të Zi
Arbitri në ring Fegja Trbonja goditi me trofe në fytyrë trajnerin e kikboksierit nga Kosova, Nart Mehmeti.
Kjo për shkak se ai u fut në ring duke shprehur pakënaqësinë dhe bërë me gjeste në drejtim të trajnerit të kikboksierit nga Mali i Zi.
Sigurimi më pas ndërhyri dhe e përcolli nga arena trajnerin kosovar dhe kikboksierin e tij. E gjithë ngjarja është filmuar dhe tashmë është bërë virale në rrjetet sociale.
Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë në Kampionatin Botëror, Lara Colturi, ka siguruar një arritje historike.
Italiania që garon për flamurin “kuqezi” në Botërorin e Skive, arriti një rezultat historik, duke u renditur e 2-ta në këtë garë të rëndësishme sportive.
Flamuri shqiptar valvitet për herë të parë në podiumin e një kampionati botëror skish. sn
Në Nion të Zvicrës në selinë e UEFA-s po hidhet shorti për ndeshjet e ‘play off’-it në Ligën e Kombeve.
‘Play-off’-et e Ligës B/C dhe ‘play-off’-et e Ligës A/B, si dhe çerekfinalet e Ligës A, në parim do të zhvillohen të gjitha të enjten më 20 dhe të dielën më 23 mars 2025. Pjesë e këtij shorti është edhe Kosova e cila u rendit në vendin e dytë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, pas Rumanisë.
Dardanët kanë mundësi të ngjiten në Ligën B me anë të ‘play-off’-it, ku do të ndeshet me njërin nga shtetet që përfunduan në vendin e tretë në grupet e Ligës B.
Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar në Website-n zyrtar, pas humbjes së ndeshjes 3-0 në tavolinë ndaj Rumanisë. FFK shkruan se pavarësisht vendimit të UEFA-s, ekzistojnë provat e mjaftueshme që çështja të fitohet në CAS.
REAGIMI I FFK:
Sot, pas ankesës sonë të bazuar në fakte për përdorimin e thirrjeve raciste, ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes nga tifozët rumun gjatë ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, UEFA ka marrë vendimin për të dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë prej 128,000 eurosh dhe një ndeshje pa shikues.
Për FFK-në dhe lojtarët e Kombëtares tonë ky vendim është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës. Për këtë, Rumania është dënuar me një vlerë totale prej 80,000 eurove. Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar.
Pavarësisht kësaj, ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë.
FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të patur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive.
Ky rast nuk është thjesht një sfidë për futbollin kosovar, por një betejë kundër racizmit dhe diskriminimit në të gjitha format e tij. Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll.
FFK mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e lojtarëve dhe të komunitetit tonë sportiv, duke vendosur standarde të reja për drejtësi dhe respekt në sport. Ne falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të na bashkohen në këtë betejë për barazi dhe dinjitet. bw
Organizimi i Kampionatit Europian të Futbollit U21 më 2027 nga Shqipëria dhe Serbia ka sjellë reagimin e radhës të Tifozave Kuqezi, që nëpërmjet pankartave në ndeshjen ndaj Ukrainës, dhanë mesazhe të rëndësishme në “Arenën Kombëtare”.
Tifozat Kuqezi e cilësojnë këtë bashkëpunim si të papranueshëm, duke kujtuar masakrat e bëra në Kosovë.
Postimi:
Mbrëmë, jo për të përmbyllur, por për të vazhduar edhe më, me reagime ndaj organizimit të përbashkët me shkijet të EURO’27 për kategorinë U-21.
Si një reagim ndaj FSHF-së si bashkëorganizatore dhe mbrojtëse e madhe e idesë së këtij bashkëpunimi, kemi shkruar disa nga të bëmat e shkijeve ndaj popullit shqiptar që konsiderojmë se janë të mjaftueshme, që bashkëpunime të tilla të konsiderohen TRADHTI.
– 15 mijë të vrarë vetëm në luftën e fundit dhe dhjetëra mijëra të vrarë e masakruar nëpër histori.
– 20 mijë gra shqiptare të dhunuara
– 1 milion shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre
– 650 shkolla të shkatërruara
– 30 masakra të kryera mbi civilë shqiptarë të pambrojtur për më pak se 6 muaj.
– 14.10.2014, kur një stadium i tërë në prani të gjithë krerëve shtetëror këndonte për vrasjen e shqiptarëve në kor. Këto thirrje vazhdojnë edhe sot në çdo ndeshje të tyre.
– Afrim Bunjaku, heroi më i ri, i cili u vra nga shkijet pak kohë më parë
– Përparim Thaçi, futbollist, i cili u vra nga shkijet në luftën e fundit
Këto ishin vetëm disa nga pankartat tona që u shfaqën në këtë ndeshje, por jo për të përmbyllur ciklin e reagimeve nga ana e jonë në lidhje me këtë organizim të turpshëm.
Reagimet tona, do të vijojnë, e do të radikalizon deri në dhënien fund të kësaj marrëzie që në emër të kozmopolitizmit po fyhen viktimat dhe e kaluara jonë e dhimbshme. bw
Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll duke u larguar nga ndeshja me Rumaninë në Bukuresht më 15 nëntor 2024.
Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, vendosi se Kosova është përgjegjëse për braktisjen e ndeshjes kundër Rumanisë, duke e humbur atë me rezultat zyrtar 3:0.
UEFA tha se Kosova humbi lojën në tavolinë për shkak se ishte përgjegjëse për ta luajtur atë deri në fund dhe me braktisjen e saj, ajo shkeli nenin 25.01 të Rregullores së Ligës së Kombeve të UEFA-s.
“Federata e Futbollit e Kosovës të dënohet me 6.000 euro për sjellje të pahijshme të ekipit të saj”, tha UEFA.
Në ndeshjen futbolliste në kuadër të Ligës së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të, pasi u ankuan për thirrje raciste nga tifozët rumunë në Arenën Kombëtare në Bukuresht.
UEFA shqiptoi 50.000 euro gjobë për Federatën rumune të Futbollit dhe e dënoi me një ndeshje pa prani të tifozëve “për sjelljen raciste apo diskriminuese të mbështetësve të tij [sa i përket brohoritjeve ksenofokike dhe antihungareze]”.
Kjo federatë u dënua edhe me 30.000 euro për transmetim të mesazheve provokuese politike “që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive”.
Federata rumune u dënua me 9.000 euro për hedhje të gjësendeve, me 4.500 euro për ndezje të fishekzjarrëve, 8.000 euro për përdorimin e laserëve, 12.500 euro për pengim gjatë antonimeve të himneve kombëtare dhe 14.000 dollarë për bllokim të korridorit në stadium.
Në minutën e 92-të të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, udhëzoi ekipin që të largohej nga fusha.
Ai tha se në stadium kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” nga tifozët vendës. Rrahmani deklaroi se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi i Kosovës ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Pas kësaj, UEFA hapi procedurë disiplinore ndaj dy kombëtareve.
Kombëtarja rumune në futboll një ditë pas ndeshjes kishte falënderuar tifozët e saj për “mbështetjen” dhe “sjelljen” gjatë lojës me Kosovën.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Federata e Futbollit të Kosovës më 16 nëntor dënoi ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes në Bukuresht.
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, u tha në reagimin e FFK-së.
Paraprakisht, FFK-ja la të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër (CAS), nëse UEFA vendos ia jep fitoren Rumanisë
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja është ndërprerë për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës. REL
Futbollistët e Kosovës (me fanella të zeza) gjatë një kacafytjeje me futbollistët e Rumanisë, para se ta braktisnin lojën e Ligës së Kombeve në Bukuresht, 15 nëntor 2024.
Tema më e diskutuar e ditëve të fundit ka qenë vendimi i futbollistëve të Kombëtares së Kosovës për ta braktisur një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë në Bukuresht. Cilat pritet të jenë pasojat e këtij veprimi?
Kosova argumenton se futbollistët e saj kishin të drejtë ta braktisnin njëanshëm ndeshjen e Ligës së Kombeve në futboll kundër Rumanisë në Bukuresht javën e kaluar, pas ankesave për thirrje raciste nga tifozët rumunë.
Por për këtë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tani duhet ta bindë Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), e cila pritet të vendosë për epilogun e ndeshjes së zhvilluar më 15 nëntor.
Disa ekspertë ligjorë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, megjithatë, thanë se ka pak mundësi që vendimi i shtëpisë qeverisëse të futbollit evropian të shkojë në dobi të Kosovës, duke parë mënyrën se si rrodhi ndeshja, e cila nxiti reagime madje edhe përtej futbollit, edhe nga krerët e të dyja vendeve.
Futbollistët e Kosovës e lanë fushën e lojës kur kishin mbetur pak sekonda para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, teksa rezultati ishte 0:0. Ndeshja fillimisht u pezullua, para se të braktisej një orë më vonë, sepse kosovarët nuk pranuan të ktheheshin në barin e gjelbër.
Kjo ndodhi pasi disa tifozë rumunë brohoritën “Serbia! Serbia!”, gjatë një kacafytjeje mes kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, dhe sulmuesit rumun, Denis Alibec.
FFK-ja i akuzoi tifozët e Rumanisë për “sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese”, dhe tha se futbollistët e saj u larguan nga fusha për shkak të “mungesës së dinjitetit dhe sigurisë”.
Pohimet e saj u hodhën poshtë nga Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF), e cila tha se “nuk kishte thirrje raciste gjatë ndeshjes”, dhe shprehu keqardhje që Kosova mori vendim për ta braktisur ndeshjen.
UEFA njoftoi më 16 nëntor për hapjen e procedurave disiplinore ndaj të dyja federatave, dhe tha se do ta kumtojë vendimin rreth procedurave “kur të jetë koha e përshtatshme”.
Avokati sportiv italian, Claudio Monteleone, tha për Radion Evropa e Lirë se, megjithëse është herët të thuhet se cili do të jetë vendimi, në rastet kur një ekip e braktis lojën njëanshëm, ai e humb ndeshjen me rezultat zyrtar si pasojë.
“Në shikim të parë, faktet duket se thonë që këtu vlen rregullorja e UEFA-s, e cila përcakton se ekipi që e ka braktisur lojën konsiderohet ta ketë humbur atë me rezultat 3:0”, tha Monteleone.
Sipas rregullores së UEFA-s për siguri dhe mbrojtje, ndeshja braktiset në rast të incidenteve të rënda racizmi dhe ajo, në parim, duhet të bëhet me pajtimin e të gjitha palëve të përfshira.
Procedura me tre hapa kërkon që gjyqtari i ndeshjes të kërkojë thirrje publike për ndaljen e sjelljeve raciste, ta ndërpresë ndeshjen derisa të ndalen ato dhe, si zgjidhje e fundit, ta ndërpresë ndeshjen përfundimisht.
Gjyqtari danez, Morten Krogh, e ndërpreu ndeshjen në Arenën Kombëtare në Bukuresht për rreth 50 minuta, dhe më pas u kërkoi futbollistëve të Kosovës të ktheheshin në fushë për vazhdimin e saj. Por, ata nuk pranuan.
Avokati Sabin Gherdan, i cili përfaqësoi Rumaninë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në rastin e medaljes së bronztë të fituar nga gjimnastja Ana Barbosu pas Lojërave Olimpike, tha se në ndeshjen Rumani-Kosovë argumentet për një vendim të favorshëm janë në anën e rumunëve.
“Sa i përket asaj që ndodhi, nuk shoh ndonjë tjetër zgjidhje, përveç një ndeshjeje të fituar nga Rumania 3:0, në tavolinë”, u shpreh avokati për Radion Evropa e Lirë.
Por, jo gjithçka është shumë e qartë. Organi për kontroll, etikë dhe disiplinë i UEFA-s pritet të marrë kohë për të vendosur për këtë ndeshje, e cila ishte pothuajse një përsëritje e ndeshjes së para një viti në stadiumin e njëjtë ndërmjet dy kombëtareve të njëjta.
Kosova u ankua se tifozët rumunë të premten e kaluar brohoritën “Kosova është Serbi” dhe “Serbia” – nga e cila Kosova shpalli pavarësinë më 2008 – që ishte përsëritje e thirrjeve të bëra gjatë vizitës së fundit të Kosovës në Bukuresht në shtatorin e 2023-tës, për çka UEFA e kishte dënuar dhe gjobitur Rumaninë.
Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, tha pak pas ndeshjes se e kishte njoftuar gjyqtarin “së paku tri herë” për thirrjet, të cilat u bënë pasi ai u përfshi në një incident me lojtarin kundërshtar, Alibec.
Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala, tha më 17 nëntor se ekipi ligjor i FFK-së i ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e saj, dhe se është duke “punuar fort për të sjellë drejtësinë në vend”.
Monteleone, ndërkaq, beson se është e vështirë të përcaktohet në këtë fazë nëse Kosova është fajtorja e vetme për mosvazhdimin e ndeshjes më 15 nëntor.
“Nuk kemi qasje në dokumente zyrtare të asaj ndeshjeje, siç është raporti i gjyqtarit, që mund të merret për referencë specifike”, tha Monteleone, duke shtuar se shumë do të varet nga raporti i delegatit të ndeshjes.
Një arbitër në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë dhe në Gjykatën Evropiane të Arbitrazhit (ECA), Fisnik Salihu, tha se pret që UEFA t’i dënojë të dyja federatat. Raporti i gjyqtarit të ndeshjes, i delegatit zyrtar të ndeshjes, si dhe dëshmitë e të dyja federatave do të jenë vendimtare, sipas tij.
Futbollistët e Kosovës u panë duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore përballë tifozëve të Rumanisë derisa po largoheshin nga fusha, duke i zemëruar ata. Ky gjest është imitim i shqiponjës në flamurin kombëtar të Shqipërisë.
Edhe Kosova ishte gjobitur muajin e kaluar për shkak të ndërprerjeve në ndeshjen e parë me Rumaninë në shtator, kur tifozët kishin hedhur flakadanë, ishin futur në fushë dhe e kishin fishkëllyer himnin kombëtar rumun.
“Në veçanti janë të rëndësishme deklaratat e gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes, pasi në situata të tilla janë protokolle të caktuara të sigurisë që duhet të administrohen dhe aplikohen. Lidhur me këtë ndeshje, pres që të ketë dënime të ashpra nga organet përgjegjëse për të dyja palët. Nuk pres që palët të arrijnë ato që pretendojnë”, tha Salihu.
Ai shtoi se është interesant të shihet se si UEFA do ta interpretojë ankesën e Kosovës për racizmin dhe për sjelljet e publikut, dhe nëse përsëritja e këtyre veprimeve arrin standardin e mjaftueshëm për moszhvillim të ndeshjes.
Federata kosovare ka lënë të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, nëse UEFA vendos përfundimisht t’ia japë fitoren Rumanisë.
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA, por do të ishte e vështirë të mendohej çfarë do të kishte qenë vendimi i kësaj gjykate në një fazë kaq të hershme.
“Është herët të flitet për CAS, pa pasur vendimet e shkallës së parë dhe dytë të UEFA-së. Varësisht, këtyre vendimeve, pres që palët t’i drejtohen CAS-it për një vendim final”, tha Salihu.
Reagime përtej fushës së futbollit
Incidenti i 15 nëntorit në Bukuresht nxiti reagime edhe përtej fushës së futbollit, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që e mbrojti vendimin e lojtarëve të vendit të tij për ta braktisur fushën, duke e nxitur homologun e vet rumun, Marcel Ciolacu, ta kritikojë atë për “përzierjen e sportit me politikë”.
Kurti i takoi futbollistët e Kosovës pas kthimit të tyre në Prishtinë, një ditë pas ndeshjes në Rumani, dhe i përgëzoi për vendimin.
“Ai është qëndrim parimor, i drejtë e dobishëm edhe për Kosovën, për futbollin e për secilin qytetar të vendit tonë, që është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani”, u shpreh Kurti.
Ai i bëri thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të “mos lejojnë këto gjëra”.
“Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë, masakra e gjithçka. Nuk ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet të dinë se Kosova është Kosovë, ose se Kosova është Shqipëri, kaq, këtu mbaron”, tha Kurti.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i Rumanisë tha se homologu i tij kosovar po përpiqet ta shndërrojë “viktimën në agresor”.
Çfarë do të nënkuptonte për Kosovën fitorja apo humbja?
Kosova dhe Rumania i fituan ndeshjet e tyre të mbetura në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, të hënën e 18 nëntorit, që nënkupton se as fitorja jashtë fushës nuk do t’i kryente punë Kosovës për ta fituar grupin.
Rumania i prin grupit me 15 pikë, ndërsa Kosova ka 12 pikë, në vendin e dytë, pra pa llogaritur pikët nga ndeshja e braktisur më 15 nëntor.
Nëse Kosovës i jepet fitore 3:0 për ndeshjen e braktisur, atëherë ajo do ta barazonte Rumaninë në krye të grupit, me nga 15 pikë secila.
Gjëja e parë që do të shikoheshin janë ballafaqimet kokë më kokë, dhe meqë Kosova e humbi ndeshjen e parë në Prishtinë 3:0, do të duhej të vendoste goldallimi, pra cila skuadër ka shënuar dhe pranuar më pak gola.
Edhe në këtë rast, të dyja skuadrat do të kishin goldallim të ngjashëm, +9, gjë që dërgon te një kriter tjetër: kush ka shënuar më së shumti gola.
Rumania i ka shënuar 15 gola në këtë fushatë, ndërsa Kosova 10, dhe sikur t’i shtoheshin tri gola nga fitorja e mundshme 3:0 nga ndeshja e braktisur, ato nuk do t’i mjaftonin.
Pra, Rumania e ka fituar grupin dhe është ngritur në Ligën B.
Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në Nations League këtë mbrëmje, në përballjen ndaj Ukrainës.
Para këtij takimi, në “Stadiumin Kombëtar” do të mbahet një minutë heshtje, për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili ndërroi jetë të hënën pas një sherri me bashkëmoshatarë.
Cani, së fundmi ka qenë pjesë e Dinamo U-15, ndërsa është impenjuar me Akademinë e klubit Partizani për dy vite, në ekipet e moshave U-13 dhe U-14. sn
Narcis Drejan është një gazetar dhe komentator sportiv rumun. Ai komentet e tij i shkruan në gazetën GSP (Gazeta Sporturiol), ndërsa së fundmi ai ka komentuar edhe për ndeshjen Rumani – Kosovë.
Drejan është i njohur për analizat e tij të detajuara dhe për opinionet e tij të hapura mbi ndryshime dhe ngjarje në botën sportive.
Shkrimi i tij nis me kritika ndaj UEFA-s dhe presidentit Aleksandar Ceferin, duke e cilësuar atë si fajtorin kryesor për të gjitha rrëshqitjet e motivuara politikisht në ndeshjet e futbollit.
“Është shumë e lehtë të shkosh përpara me paramendim, t’u hidhesh në qafë kosovarëve. Kur UEFA dhe FIFA miratuan që Kombëtarja e Kosovës nuk mund të luante kundër vendeve si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Rusia, ishte qartësisht një problem”, shkroi fillimisht Drejan për GSP.
Ai theksoi po ashtu se janë të ndaluara edhe ndeshjet Spanjë – Gjibraltar, Ukrainë – Rusi dhe Armeni – Azerbajxhan.
Me përjashtim të Spanjës dhe Gjibraltarit, të gjithë të tjerët janë në lindje dhe UEFA beson se ky nuk është problem.
Gazetari është futur në ndeshjet mes Kosovës dhe Rumanisë, duke nxjerrë edhe analiza politike, që datojnë para 25 vitesh, kur president i Rumanisë në atë kohë ishte Emil Constantinescu, i cili nuk e lejoi NATO-n në hapësirën ajrore rumune për kryerjen e operacioneve të forcave aleate, të cilat bombarduan ish-Jugosllavinë.
“Dhe meqë ra fjala, le të kuptojmë pak historinë, nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar nga serbët, po ashtu 25 vjet me parë. Nuk po flasim për vitet 1940, e vërteta është se ne jemi ende të traumatizuar sot për shkak të Revolucionit të 89-ës, ku rumunët qëlluan rumunët”, shkruan Drejan.
Ai ka shkruar për masakrat e shumta të vitit 1999 në vende si Lipjan, Gjakovë, Vushtri, Korishë, Prizen dhe Pejë, ku serbët vranë shqiptarët kosovarë në stilin mesjetar.
Drejan i kritikon rumunët, pasi sipas tij sillen si një popull i pashkolluar, një popull që nuk ka kaluar luftën, që nuk e ka empatizuar në jetë dhimbjen e të tjerëve.
“Dhe pse? Sepse një bandë banditësh, shumë me precedentë penalë, e kuptojnë se është mirë në stadium prekësh një vend që kaloi tmerret e luftës. Nëse të nesërmen do t’i gjenit prindërit tuaj të varur në pragun tuaj dhe do të zbulonit se ata ishin serbë gjakatarë, a do të bërtisnit ndonjëherë, “Serbi, Serbi!”? Apo i keni harruar ndeshjet Serbi-Rumani kur na quanin “ciganët”? Por ne harrojmë shpejt se gjithmonë e zëmë kohën tonë me gjithçka tjetër”, shkruan ai në analizën e tij.
Në fund ai shkroi për UEFA-n, duke e cilësuar si organizatë të korruptuar që ende punon me paratë e Gazprom. sn
Kosova mundi 1-0 Lituaninë në shtëpi, në ndeshjen e fundit të Nations League.
“Dardanët” e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa kaluan në epërsi që në minutën e pestë. Presioni i skuadrës së Fodas u shpërblye më së miri, teksa kombinimi Muriqi-Jashari u finalizua në mënyrë perfekte. Jashari nuk fali, duke dërguar topin në rrjetë.
Jashari u shndërrua në protagonist negativ në të 45-tën, teksa u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.
Pavarësisht rasteve, në pjesën e dytë nuk pati gol. Kosova renditet në vendin e dytë në League C me 12 pikë, ndërkohë që ende nuk është mësuar fati i sfidës së ndërprerë me Rumaninë. bw
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë, e vlefshme për Nations League, vazhdon të bëjë bujë. “Dardanët” u larguan nga fusha e Bukureshtit pak sekonda para fundit të ndeshjes, pas thirrjeve raciste.
Skandalet nuk kanë të ndalur, pasi së fundmi, gazetari i njohur Arlind Sadiku ka siguruar një fotografi të arbitrit të ndeshjes, Krogh M, duke komunikuar në telefon.
Pamje me të vërtetë e rrallë e gjyqtarit danez, pasi dihet që gjëra të tilla janë rreptësisht të ndaluara në një sfidë të nivelit të lartë. Mediat në Kosovë shkruajnë se ende nuk dihet se me kë ka komunikuar Krogh, në ato momente.
Vlen të theksojmë se UEFA po merr në shqyrtim rastin dhe shumë shpejt do të dalë vendimi zyrtar për këtë ndeshje. Deri të martën, të dyja palët duhet të dorëzojnë të gjitha provat materiale. bw
Thellohet skandali në ndeshjen Rumani-Kosovë. Thirrjet raciste në shkallët e stadiumit nga tifozët të cilët në kor lëshuan mesazhe antishqiptare dhe në mbështetje të Serbisë u shoqëruan edhe nga sjellja brutale e policisë rumune.
Një grup i vogël i tifozëve që mbështesnin përfaqësuesen e Kosovës shpalosën në stadium flamurin kombëtar.
Siç duket nga pamjet që ka siguruar BalkanWeb, policia rumune ka ndërhyrë duke larguar flamurin kuqezi, ndërsa ka nxjerrë jashtë stadiumit me dhunë edhe tifozët.
Ndeshja Rumani-Kosovë u shoqërua me incidente të forta si në shkallët e stadiumit ashtu edhe në fushën e blertë. Tensioni që vinte nga ana e tifozerisë përmes thirrjeve të tyre raciste u reflektua në lojën e ekipeve teksa nuk munguan as përplasjet fizike. Duhet të vinte minuta e ’93-të e shtesës kur ndeshja do të ndërpritej pasi koret antishqiptare ishin intensifikuar. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u përplas fizikisht me një lojtar rumun në fundin e ndeshjes.
Ekpi i Kosovës braktis fushën dhe i drejtohet dhomave të zhveshjes.
Disa minuta më pas arbitri kërkon rikthimin e lojtarëve në fushë për të zhvilluar minutat e mbetura, por futbollistët e përfaqësueses së Kosovës refuzojnë vazhdimin e lojës dhe për rrjedhojë ndeshja u ndërpre përfundimisht.
Komentet