Presidentja e Komitetit të Helsnikit në Serbi, Sonja Biserko, ishte e ftuara e Amela Ferkos në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në SYRI TV.
Ajo tha se Perëndimi e ka toleruar shumë Beogradin dhe ngjarjet në Banjskë ishin një sinjal se ka potencial për destabilitet në rajon.
“Ngjarja në Banjskë ishte një sinjal se ka potencial për të shkaktuar destabilitet në rajon. Grupi serb nuk e pranon realitetin dhe nuk e ka mbyllur këtë çështje. Veriu i Kosovës dhe jo vetëm, duket se është në një problematikë. Ajo që ndodhi ishte një sinjal alarmi për Perëndimin, sepse duket se e ka toleruar shumë Beogradin, duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur zhvillimeve në terren, sidomos armatosjes së Serbisë,” tha Biserko.
Sipas saj, Beogradi në vend që të pranonte situatën dhe të merrte masa, nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura. “Kjo tregon mungesën e dëshirës së Beogradit për të trajtuar këtë çështje,” tha ajo.
“Pas situatës në Ukrainë, Rusia duket se ka një tendencë për të nxitur aktorët, sidomos Serbinë, për të shkaktuar tensione dhe konflikte, në mënyrë që vëmendja të shkojë në Ballkan dhe të largohet nga Ukraina. Kjo është situata aktuale”, theksoi Biserko.
Sipas saj, Serbia nuk është gati për procesin e integrimit evropian, pasi nuk ka bërë progresin e nevojshëm për t’u reformuar.
Biserko tha se duket se Beogradi po ashtu nuk është gati të vërë në zbatim ndonjë pikë të Marrëveshjes së Ohrit dhe se dialogu që po zhvillohet vjen vetëm për shkak të presionit dhe jo sepse Serbia është gati të pranojë realitetin.
“Për mendimin është në interesin e nacionalistëve të Beogradit që të përshkallëzojë tensionet në rajon. Po ashtu është edhe në interes të Rusisë. Reagimi i Beogradit me mbështetjen e Rusisë është që të marrë një shpagim për atë që ndodhi në vitet ’90,” tha Biserko.
Ajo foli për një transformim rus të Serbisë. “Rusia perceptohet si mbrojtësi kryesor dhe kjo është e pavërtetë dhe as nuk përputhet me faktet historike,” shtoi Biserko.