MUSINE KOKALARI
KRONIKA 1/
Korçës i kishte dalë emri, si qyteti ku ndodhej e vetmja shkollë shqipe në Jug të vendit, që qëndronte e hapur, me gjithë kërcënimet e turkut apo të grekut. Atë e drejtonte një mësuese trimëreshë, mjaft e aftë dhe aq entuziaste, sa meritonte vlerësimet më të larta. Kjo shkollë ishte gjithmonë plot me nxënës, ndonëse po ta vazhdoje atë, si për prindërit, ashtu edhe për nxënësit vetë, do të thoshte të përndiqeshe nga turqit ose të shkishëroheshe nga prifti grek. – MERI EDITH DURHAM/
KRONIKA 2
Instituti “Kyrias” u themelua më 1891 prej zonjës Sevasti Kyrias Dako dhe u çel për herë të parë në Korçë, më 23 Tetor 1981, në shtëpinë e zotit Grigor Eliadh Frashëri, afër Shën Gjergjit me tri nxënëse. Në kohërat më të mira, Instituti arriti deri në 87 nxënëse e në kohët e ndjekjeve më të rrepta, numri zbriti në 19. Në shtator të vitit 1913, shkolla nuk u hap dot, si shkak i sundimit grek. Më 2 mars 1914, pas largimit të ushtrisë greke, zonja Dako u kthye nga Manastiri në Korçë dhe shkolla u çel, po nga shkaku i trazimeve prej ushtrisë greke, shkolla u transformua në spital për të plagosurit.
Në 6 korrik 1914, themeluesja e Institutit u shtrëngua të largohej, e kërcënuar prej andartëve grekë, që hynë në qytetin e Korçës më 10 Korrik 1914. Kështu, shkolla u mbyll për herë të parë, pas 22 vjet shërbimi.
Në janar të vitit 1922 zonja Dako dhe zonjusha Parashqevi Kyrias u kthyen nga Amerika dhe më 2 tetor të po atij viti, dhe çelën shkollën në Tiranë, në shtëpinë e Sulejman Kusit, në rrugën e Fiqve, ku e vijoi punën për 5 vjet.
Në tetor të vitit 1922 shkolla u vendos në Kamzë.
Rrëfimi Ganimet Gilanit:
“Musinenë e kam njohur në Institutin “Kyrias” në Tiranë. Kishim mësueset e shquara Sevasti Dakon dhe Parashqevi Kyrias, të cilat na mësonin me dashuri dhe zell. Musinea erdhi nga Gjirokastra. Ishte ende fëmijë, por dukej si vajzë e rritur. Ishte jashtëzakonisht e sjellshme dhe e urtë. Ne kishim bërë anglisht dhe ishim më përpara. Musinea dallonte në të gjitha mësimet dhe vështirësitë e anglishtes, i kapërceu me punë e me një vullnet të jashtëzakonshëm, sepse të gjitha mësimet i bënim në gjuhën angleze. Gjuhën shqipe na e jepte Sevasti (Qiriaz) Dako.
Zonjusha Parashqevi na përsëriste gjithnjë fjalën e Gjergj Uashingtonit:
“Dora që tund djepin, sundon botën”.
Ambienti i shkollës dhe konvikti ishin të përsosur, me një pastërti shembullore. Çdo mëngjes, bënim banjë, visheshim me uniformë, fund e bluzë, këndonim hynin e flamurit. Hynim në mensë e hanim në tryeza të veçanta. Kishim mësuese italiane, angleze e franceze. Kishte edhe nxënëse franceze, armene, italiane, të cilat e mësuan aq bukur shqipen, sikur të qenë rritur në Shqipëri.
Pasi mbaronim mësimet në shkollë, vijonin orët e studimit në konvikt dhe në kohën e lirë, secila merrej me ç‘të dëshironte më shumë: dikush merrej me muzikë e të tjerat me sport, hendboll e basketboll.
Nuk e mbaj mend të dallohej në ndonjë sport Musinea.
Tefta Naçi ishte mësuesja jonë e re. Ajo vinte nga familja e njohur e Naçeve, miq tejendanë, të KYRIAZEVE. Tefta na mësonte historinë e Shqipërisë dhe edukatën.
1.Në ditët e vjeshtës së dytë tiranase, Musinea erdhi në këtë tempull me emrin KYRIAZ. Me të vërtetë kishte qenë me fat, por sidoqoftë, ajo ishte ende një vajzë e vogël dhe e merrte malli. E merrte shumë malli për anenë, për borën, për shiun, për shtëpitë e gurta me rrasa të hirta e të ftohta, për odatë e dimrit.
Instituti i tyre ishte në ndërtim. Në brendësi të ndërtesave solide, po punohej për t’i modifikuar gjithnjë. Flitej edhe për një projekt për të ndërtuar dhomat e banimit të mësuesve. Çdo ndërtesë kishte fjetore, dhoma studimi e pushimi.
Rruga që lidhte kryeqytetin me Kamzën nuk ishte sistemuar ende, po së shpejti do të ndërtohej një urë.
Musinesë i dukej vetja krejt e humbur dhe e huaj në ato ndërtesa të mëdha, hijerënda, ku çdo gjë ishte me orar, me zile, me disiplinë. Jo se donte të kundërshtonte orarin, rreptësinë, seriozitetin, e gjithë detyrimet e tjera. Jo, vetëm se e ndjente veten si të zënë në kafaz, andaj me të mbaruar orari i mësimit, vraponte në pyll. Pylli, që rrethonte kodrën, ishte zbulimi i saj, ishte rifuxhoja e saj. Nuk deshi të fliste me asnj] njeri për mallin, që po i brente zemrën e njomë. Ajo nuk e kish parë asnjëherë vjeshtën aq të bukur, aq të plotë, aq të dhimbshme, siç ishte në atë pyll, që rrethonte institutin “KYRIAZ”. Musinea vraponte në fillim nëpër udhën me gjethe, që binin e binin në atë fëshfëritje, në atë lëvizje marramendëse zogjsh në muzg. Kishte një thirrje brenda vetes, një klithmë, që i kërciste kur shkelte mbi gjethet, që i përplaseshin mbi kërcinjtë. E ajo zhurmë e gëzueshme e llafazanëve të pyllit e rrethonte Musinenë. Një sorkadhe e trembur, nën fërgëllimin e gjithë gjymtyrëve të trupit të brishtë. Era e vjeshtës rrëzonte gjethe, vetëm gjethe, një rrebesh, një breshër gjethesh shkundej mbi të, që ishte vetë bisk në shpërthim, një bisk i mbushur me lëngun e jetës. Era e vjeshtës ia mbështillte trupin, brinjët, mendimet dhe rrobat, që po ia ngushtonin, e ia ngushtonin trupin dhe e largonin, e largonin me vrull, çdo ditë nga qyteti i ëndërrave fëminore. Dhe ai zogu? Ku ishte zogu i nënos, ai zogu, që rrëfente aq bukur? Ku ishte vallë ai zog? Ndoshta, tretej prapa xhamit, si mikja e saj Selfixheja apo kishte ardhur aty midis atyre marroqëve të pyllit, në atë vjeshtë tiranase, e fluturonte degë më degë?
Sa të gëzuara do të ishin po të qenë së bashku me Selfixhenë. Ajo e dinte se vetëm Selfixhea do ta ndiqte aty në pyll. Ndoshta, vetëm ajo do ta kuptonte dridhjen e shpirtit të një 14-vjeçareje, me dëshirën për të thënë ç’ndjen, e ç’mendon. Si do të mund të rrëfente Musinea këtë mall? Si ta shkruante këtë shpërthim tundonjës, që e sillte në pyll, të fliste me ato rreze dielli, që thyheshin e depërtonin nëpër gjethe, e ndryshonin çdo ditë, çdo ditë në prarimin e ngjyrave?
Musinea thoshte me zë të lartë “Fjalët e qiririt”. “Fjalët e qiririt”, të mësuara përmendësh, fjalët e poetit të saj të dashur:
“Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke u përvëluar,
Që t’u ap pakëz dritë
Natën t’ua bëj ditë.”
Pakëz dritë. Pakëz dritë!
Ajo kish mbetur e pa gojë nga rrëfimi i Tefta Naçit, për takimin e Naim Frashërit me mësuesen e tyre Sevasti Kyriazin. Ai ishte një legjendë, që shkonte gojë më gojë dhe e bënte ta adhuronte atë grua, ashtu si adhuronte edhe dajkon e saj, që i këndonte “Qerbelanë”.
Sevastia, tashmë e moshuar, kishte mbaruar e para Shkollën e Vashave, në Stamboll. Ajo kishte dëgjuar Poetin ta porosiste: “Shko në Shqipëri, në atë vend të
dashur dhe të bekuar dhe përhap rrezet e dijes, rrezet e dritës”.
“Jam një shkëndijë prej qielli
Dhe një drudhëzë prej dielli
Edhe në qiej fluturoj”.
O zot, ç’bukuri. Ajo shkelte mbi gjethe. Mbi gjethe, po zemra ishte e mbushur me dritë, me bukuri, me paqe:
“Unë e dua njerëzinë,
Mirësinë e urtësinë … ”
2.Për një çast sheshin e zotëroi heshtja. Po ngrinin flamurin. Çdo mëngjes, në atë shesh ngrihej flamuri. Vajzat e Institutit “KYRIAZ” këndonin himnin e flamurit. Ishte një ditë e shënuar, ishte Dita e Flamurit. Edhe pak e do të hynte dimri. Vajzat do të përgatisnin një shfaqje, ku do të rrëfenin historinë e shkollës së tyre.
Musinesë i kishte bërë një përshtypje të jashtëzakonshme Sevastia trupvogël, me vështrim të butë e sy të qeshur. Gjithnjë e qetë, e përmbajtur, përhapte rreth vetes shumë mirësi e dritë.
“Unë s’njoh tjetër shenjë madhështie, veç mirësisë. Njeriu mund të jetë i madh, vetëm kur e ka shpirtin të madh, si poeti ynë Naim Frashëri”.
Sevastia nuk shpërthente kurrë, megjithëse ishte në këmbë që nga mëngjesi, deri në darkë. Ajo kishte hijen e një gruaje të shquar, me kulturë, që të bënte për vete dhe të detyronte të bindeshe.
Sevasti Dako e filloi kështu fjalën e saj: “Instituti “KYRIAZ”, që qëndron mbi këtë kodër të bukur e vazhdon në heshtje e në qetësi, veprën e tij dobiprurëse për hir të atdheut, derisa të mbërrijë këtu, i është dashur të bëjë një rrugë të gjatë e të vështirë. Përfytyrojeni jetën e tij, si një vajzë e re, së cilës iu desh ta rrahin dallgët e një deti me furtunë e që vetëm me një vullnet dhe ideal të shenjtë, mund të dilte faqebardhë. Dhe mendojeni, se kësaj vajze, një njeri fytyrë-engjëlli, me flakën e së vërtetës e dritën e dijes në dorë, i tha: “Mundime e rreziqe shumë të mëdha ke për të parë, po armët e diturisë do të të nxjerrin faqebardhë, prandaj ec përpara e mos u tremb, as mos u tut, sepse, po të përmbushësh qëllimin që ndjek, mundimet e tua do të kurorëzohen me kënaqësinë e ndërgjegjes sate!”
Rruga ishte e shkretë, e errët nga drizat, ferrat dhe plot fole gjarpërinjsh. VAJZA u ndesh me dy egërsira, me dinakëri dhelparake: “Unë e kam fuqinë në dorë, do të burgos, do të vras e pres që kjo e mallkuar VAJZË, të mbetet pa frymë, se me ato germa të zjarrta, po më shkul rrënjët. Kurse ty, të dua për ndihmë, që të vë në veprim dhe të mbarojmë qëllimin. Ti, më ndihmo me anatema, mallkime, shkishërime e çdo mjet tjetër, që ta shpiem këtë kokëfortë, në dëshpërim dhe paralizë”.
Por VAJZA e re, duke u djersitur ditë e natë me djersë gjaku dhe me zemrën e saj të dëlirë, vijoi punën. Shkëndijat e dritës, që linte pas në errësirën e madhe, i shtonin guximin, megjithëse u përball me Ujkun faqezi.
Shtylla e Flakës i dha ngushëllim e bekim: “Dole faqebardhë. Drita e jote e mundi paditurinë”.
3.Mbrëmje me gjysmë hëne, e ftohtë akull. Muntazi, vëllai i madh, erdhi në institutin “Kyriaz” dhe i mori disa ditë leje Musinesë. Kishte vdekur dajkua, që e donin aq shumë të gjithë. Makina po i priste në të hyrë të shkollës.
Muntazi kishte noterinë e tij në Tiranë. Kishte mbaruar periudha e mësuesisë, që e pati filluar në shkollën fillore “Kosova”, në Ejup të Stambollit dhe pati përfunduar me daljen nga burgu, pas revolucionit të Qershorit. Tani Muntazi kishte shtëpinë në qendër të Pazarit të Tiranës dhe një nuse të bukur, e cila nuk e donte Musinenë. S’ishin parë me hënë të mirë. Musinea ishte një çupëz e njomë dhe s’e kuptonte, përse ajo nuse aq e bukur e të vëllait (që mund të kishte qenë edhe babai i saj nga mosha), e shikonte me sytë e akullt, si një rivale të rrezikshme. Po tani, asnjeri s’kishte nge të merrej me bukuroshen. Muntazi ishte i heshtur, fjalë pak. Ndoshta bluante në kokë bisedën me vëllanë e mesëm, Vesimin, që sapo ishte bërë baba dhe kishte një djalë.
Muntazi nuk kishte fëmijë. Siç dukej, e bukura do të mbetej beronjë. E kur burri ka një djalë, ai e ndjen veten më të plotë, më të sigurt, sepse e di që nuk do të vdesë asnjëherë plotësisht. Një pjesë e vetes do të vijojë tek djali, pastaj te djali i djalit, e kështu me radhë. Dhe kur burri arrin në këtë shkallë të jetës, duhet t’ia vërë mirë gishtin kokës. I kishin dëshpëruar njëherë për vdekje Reshatin dhe Hanushenë. Reshati ishte aq i nderuar në atë Gjirokastrën e tyre, sa që do të qe zgjedhur me kohë kryetar bashkie, po të mos kishte qenë kryeneçësia e tij kundër monarkisë.
Monarkët, tiranët, bajraktarët, bejlerët, rrinë në krye të fiseve, por janë në bisht të nderimit të njerëzve dhe ata, si intelektualë, e dinin fare mirë çdo të thotë të hysh në lojën e injorancës, mizorisë, varfërisë, e mjerimit pa fund.
E kishin provuar njëherë burgun në kështjellën e Gjirokastrës. Muntazi e dinte ç’donte të thoshte ai burgim. Dhe ja, tani, vdiq edhe dajkua, që u sëmur nga turbekulozi në atë burg të zi. Vdiq ai burrë, që u jepte shpresë aty, në muret e kështjellës me filozofinë e Sami Frashërit, vargjet e Naimit dhe fytyrën e Abdylit. Ishte ai, që u thoshte se burrat e vërtetë, gjithnjë, janë mbyllur nëpër burgje e kështjella, për lirinë e kombeve të tyre. Dhe ai vetë e kishte fytyrën e pashme, si të Naim Frashërit. Dhe atje lart, në kështjellë, u këndonte me zë “Qerbelanë” dhe u tregonte se si në rininë e tij kishte shkuar në shtëpinë e poetit, në Stamboll. Ishin falur, si përpara një tempulli të shenjtë. Dhe gjithë, gjithë jetën e tij u kishte mësuar që ta donin Naim benë, sepse ai kishte qenë profeti zemërzjarrtë, profeti i shqiptarëve.
Musinea dridhej ende në krahët e të vëllait.
“Po përse, përse? – e pyeti. “Përse?”
“Dajkua ka vite që lëngon”, – i tha prerë Muntazi.
– Ishte vëllai i vetëm, që i kishte mbetur Anesë, – tha përsëri Musinea. – Aneja e donte me mënd e kokës. O Zot, o Zot! Nuk e besoj dot që tani s’është më, kur kujtoj se sa bukur e kërceu “Boleron” në dasmën tënde dhe në dasmën e Vesimit! Ku kishte mësuar ta kërcente aq bukur? Nuk e di se ç’do të bëjë nënëdajkua, çdo të bëjnë nusja dhe kushërirat tona, pa vëlla e pa përkrahje, tani”.
“Të gjallët e gjejnë vetë rrugën e jetës, xhixhia ime e vogël”, – i tha vëllai. “E tani po të mbështjell mirë me këtë batanije, e përpiqu të flesh sadopak, se atje ku të vemi, s’do të kemi as kohë të marrim frymë”.
“Mbulohu edhe ti, Refo!”, i tha bukuroshes, që ishte nxirë e ishte bërë sterë, kur dëgjoi fjalët: “xhixhia ime e vogël”.
Në shpirtin e brishtë të Musinesë hynë njëherësh gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Jo, jo, jo, këtë nuk desh ta besonte. Aneja e saj qante të vëllanë. Oda ishte citë. S’kishte ku të hidhje gjilpërën. Atë mizëri s’ia kishin zënë sytë. S’kishte mbetur njeri pa ardhur. Dukej sikur do të binte odaja. Po u merrej fryma, megjithëse jashtë qe thëllim, brenda ajri ishte i dendur. Më në fund, dikush u kujtua të hapnin dritaren. Qiell i hirtë dhe flutura bore.
E kishte dashur shumë atë dajko të pashëm, me sy ëndërrimtarë. Gjithë natën po e gdhin ashtu dhe vetëm tani, që fluturat e borës prekën dritaret e hynë brenda të ftohta e të hutuara, nga ajo zi e nga ajo gjëmë, Musinea e ndjeu se deri ku ishte prekur shpirti i saj. Binin kambanat në Varosh. Era i përplaste fluturat e borës. Përsëri binin kambanat. Njerëzit e shkretë ngritën sytë nga qielli.
“O Zot, përse ma more kështu dajkon tim?” – pyeti Musinea.
“Nuk e sheh ç’i bëre anesë sime? Ajo nuk kishte guxim ta vështronte gjatë Hanushenë. Sytë i qenë thelluar e i ishin nxirë. Jeleku i rrinte një pëllëmbë i gjerë. Rrobat i vareshin në trup. Dukej, sikur kishte lënguar gjatë. Kishte tre ditë pa vënë gjë në gojë, kurse nënëdajkëla, as që njihej fare. Gjithçka kishte mbaruar e ishte shembur në atë grusht njeriu, me zë të ngjirur nga të qarët.
“Ç’u këput ili nga hëna,
Djali se ç’u nda nga nëna
Djalë nënës kë i le
Bir, për kë të bëj be?”
“O Zot, o Zot, ç’kujë, ç’dhimbje brenda shpirtit!
Nënëzeza sa mbaroi së qari, s’duroi dot, i ra të fikët. Pushuan të gjithë. Sollën ujë në legen e mezi e përmendën. Hanusheja i foli me të butë:
“Bëhu e fortë, nënë! Mos na e steros zemrën më zi, se ç’e kemi!”
Nëndajkua e mblodhi veten. Nuk qau më. Lotët i patën shteruar krejt. Zëri i ishte marrë fare. Vetëm mërmëriste: “Bir, bir, bir!”
Musinea s’duroi dot më. Doli jashtë në oborr. Kishte gdhirë dhe bora kishte shtruar një shtresë të hollë. Dhe pemët ishin aq të vetmuara, aq të vetmuara e aq drithëronjëse, nga zëri i Hanushesë:
“Ç’u këput ili e ra
Mbeti babai pa krah’
Pleqërinë ia shkretove,
Krahn’ e djathtë se ç’ia thave
Vallë s’të erdhi keq për ne
Si na ike e na le? … ”
Aneja mbeti pa të dy vëllezërit. Do të vishej me të zeza. O Zot, ku po e shpie shpirtin e tij të bukur?!
Dajkua kërcente “Boleron”. Ai e kishte mësuar Musinenë, të kërcente “Boleron. Zëri i dajkos, një zë i bukur… ku është tretur ai zë i bukur?
“O moj fushë e Qerbelasë
Që më rri ndër sy
Plot me gjak t’Ali Abasë
Vallë ç’është ay?
Ç’është ay që shkon kaluar
ikën si veriu
Me dy tri foshnja në duar
është Abaz Aliu”.
Ajo fushë e largët, e tejlargët e Qerbelasë. Dhe ai Abaz Ali, shpëtimtari i fëmijëve, që po i shpie në lumë. Në lumë i po i shpinte foshnjat, se i kish marrë etja shumë, shumë, e s’duronin dot.
Nëpër ato shkretëtira të përtejme të luftës, të luftës për jetë a vdekje, gjithnjë, janë ata fëmijë, engjëjt e botës, të cilëve u vriten shpirtërat dhe u sakatohet jeta.
Bora binte me flokë të mëdha, të dendura. Musinea ishte fshehur aty, nëpërmjet mureve dhe ullukëve. Ndjente fluturat e borës të akullta e të mprehta, të cilat i shkriheshin nëpër faqe, që i digjnin nga lotët e nxehtë.
KRONIKA
Të dielën, më 24 Maj 1931, në orën 03:30 pas dreke, me një bukuri të jashtëzakonshme, filloi në Kamzë kremtimi i 40 vjetorit të institutit “KYRIAZ”. Kremtimi mbajti deri në 7.30 e u zhvillua me shumë madhështi. Morën pjesë afro 800 vetë, nga më të zgjedhurit e kryeqytetit, prindër e kujdestarë të nxënësve edhe nga qytete të tjera. Salla e madhe ishte e zbukuruar me lule, gjethe, piktura e flamuj.
Zonja Dako foli për historinë e shkollës. Zonjusha Eleonora Spiru recitoi vjershën “LAVDURIM”, të poetit Lasgush Poradeci. Disa nxënëse luajtën në piano pjesë të zgjedhura klasike. U dallua zonjusha Afërdita Osmani me “Sonatën e Dritës së Hënës”. Vajzat paraqitën historinë e Institutit në formë dramatike me pjesën “Foleja kombëtare”, të shkruar nga zonjusha Parashqevi KYRIAZ.
4.Musinea rrinte në një dhomë me Dita Osmanin. Pas asaj shfaqjeje të bukur, ku të gjitha kishin qenë aq të emocionuara e të gëzuara, ajo e ndiqte kudo Ditën, që ishte mësuesja e saj e pianos. “Sonata e dritës së hënës”, që e kishte luajtur aq mjeshtërisht Afërdita Osmani, e kish mahnitur. Dita ishte në kulmin e rinisë, të forcave dhe të bukurisë, dhe po përgatiste një pjesë teatrale të re për jetën e Shopenit.
Dita ishte aq e dashuruar me jetët e Bethovenit dhe të Shopenit, ashtu si edhe me muzikën e tyre.
“Jeta e atyre, që ne përpiqemi t’u tregojmë historinë, pothuajse gjithmonë, ka qenë jetë martiri”, – i përsëriste Dita Musinesë.
“Jo vetëm një fat tragjik ka farkëtuar shpirtin e tyre mbi kudhrën e dhimbjes fizike e morale të mjerimit e sëmundjes, por edhe jeta e tyre ka qenë e shkatërruar dhe zemra e tyre është plagosur nga vuajtjet dhe turpet e padëgjuara, që pësonin vëllezërit e tyre. Kupton Musine?”
Unë nuk do të arrij kurrë, ta luaj sonatën, – i tha Musinea.
– Sonata është shpërthim i një pasioni të fuqishëm, – vijoi Dita. – Bethoveni ka qenë një furi, që ëndërronte lumturinë, megjithëse i gënjyer dhe i ndjekur nga dhimbja e hidhur. Xhulieta Guiçardi, të cilën ai e përjetësoi me “Sonatën e dritës së hënës”, ishte pasioni i tij në vitin 1802.
“Jeta më duket më e ëmbël. Këtë ndryshim ma solli bukuria magjepsëse e një vajze të dashur. Ajo më dashuron dhe unë e dashuroj. Janë çastet e para të lumturisë që jetoj”, – përsëriste Bethoveni.
– Dhe tani më dëgjo, dëgjo Musine! Të gjitha këto janë këtu, në këto nota, në këtë bukuri, në këtë thirrje gëzimi dhe shprese. Këtu është përmallimi. Këtu është heshtja, pritja, në këtë notë të ngurtësuar. Ja, pas kësaj vjen kjo më e kulluar, më e ëmbël. E ja, pasioni që vjen e rritet. Motivi i dashurisë, i mekur në fillim, pastaj kjo dehje e dhimbshme, që zotëron gjithë melodinë, – i shpjegonte. Dita, që luante me një respekt gati hyjnor për muzikën, e përqendruar, theksonte çdo figurë, nxirrte në pah çdo detaj.
Musinea ndjente hapat e dy qenieve, që vraponin mes dhimbjes e gëzimit, për t’u bërë një. A mos vallë ishte shushuritja e gjetheve, apo gurgullimi i një përroi? Notat kishin derdhur heshtjen mbi çdo gjë. Gishtërinjtë e Ditës fluturonin mbi tastierë, dhe muzika arriti një kulm të pabesueshëm, pastaj u shkoq në një pianissimo të beftë, të pamëshirshme, që dukej sikur po i shkiste toka e sikur po kridhej nëpër hone të thella. Hëna e praruar po dilte në një qiell ngjyrë myshku. Rreshtat e pemëve, që rrethonin Institutin shkëlqenin nën rrezet e hënës dhe era e blirëve ishte aq dehëse, sa të merrej mendja. Udha gjarpëronte nën dritën e llambave.
Brenda shpirtit të Musinesë digjej flaka e bumimit të ëndrrës drejt 15 pranverave të jetës. 15 pranvera … E kishte dëgjuar me dhjetëra herë Ditën t’i binte “Sonatës së hënës”. Ajo nuk do të mund t’i binte kurrë, kurrë ashtu, por pati një qartësi të jashtëzakonshme për thelbin e saj. Jo, s’ishte aspak një ëndërrim sentimental i mbuluar nga drita e hënës në një det argjendi, i një dashnori kredhur në ëndërr, as një rrënqethje emocionesh, por një klithmë e zemrës dhe e mendjes, që i jepte vlerë çdo note. Kjo Sonatë e hënës, ishte një pikëpyetje e një pyetje plot zëra të fshehtë, një ngjitje nëpër qiej dhe një zbritje në skëterrë. Shumë lart, deri në dritën e hënës, qenka ngjitja e shumë i thellë mund të jetë rrëzimi i njeriut e shumë i thellë, shumë i pamëshirshëm është pusi i thellë i heshtjes. Interpretimi i Ditës, pasqyroi një mirëkuptim dhe një fuqi të jashtëzakonshme.
Pasi mbaroi pjesën në piano, Dita Osmani, ndenji një copë herë me sy të ngulitur në duart e veta. Shkëndija që i ndriçonte shpirtin, ishte bërë inkadeshente. Ajo mund të lexohej tejpërtej.
“Mirësia është një gjë e rrallë, – tha Dita Osmani.
“Është mrekullia vetë. Çdo gjë është e kotë, në qoftë se njerëzit s’kanë dhembshuri. Gjithçka që quhet gjeni, famë nuk shërben për asgjë” – iu përgjigj Musinea.
* * *
Të gjithë po flinin. Vetëm drapri i hënës, i rrethuar me një aureolë yjesh, rrinte zgjuar. Sa më shumë i shihje, aq më të vegjël dukeshin. Një mizëri si një re pluhuri të ndritshëm rrethonte Kashtën e Kumtrit. Ja dhe konstelacionet e Binjakëve dhe të Luanit që humbitnin në rreth të ftohtë. E Musinea, ishte e rrethuar nga vetmia dhe ajo furi e shpirtit dhe e trupit, në pranverën e 16 të jetës së saj. Brigjet ndanin dritën e hijen në hënë e padashur, Musinenë e rrëmbente dëshira e pakuptueshme për fluturim në atë plazh hënor, të ndriçuar çuditërisht, në atë pafundësi qiellore. “O Zot, përsëriste vajza. Ç’është kështu? Përse s’po më merr gjumi?”
Ah, po, po, ndoshta, sepse dhe ajo kishte një ëndërr. Ëndrrën e rrëfimit. Si do ta rrëfente mallin e brengën e shpirtit? Gjatë gjithë atyre viteve në KYRIAZ, ajo shihte një ëndërr. Një ëndërr fikse. Një ëndërr që e dinte gjithnjë, që e kishte parë edhe më parë:
… Borë … Borë … Borë… Kështjella e Ali Tepelenës dhe Gjirokastra nën një ngrirje e një gjumë vdekjeje. Gjithçka e bardhë, gjithçka e mbuluar nga një shtresë e trashë bore. Shtëpitë, njerëzit, rrugët. Oh, sa larg! Sa larg kishin mbetur të gjitha! Dhe shtëpia, qilarët ku vraponin e fshiheshin. Një shtëpi. Një shtëpi me dy kate, me dhomën e madhe të zjarrit. Cila ishte ajo shtëpi? Cila është ajo dasmë? O Zot, ku po bëhej ajo dasmë? Dasma, po i zgjonte njerëzit nga ngrirja. Dhe ajo këngë. Nga vinte ajo këngë me zëra vajzërorë, zëra delikatë të dridhshëm vajzërorë në dritën e hënës? Ç’po ndodhte kështu me dritën e hënës që depërtonte nëpër katrorët e dritareve, një avull aq i bardhë, si një përpëlitje krahë mjellmash të argjendta?
Dhe ja, Perëndia me një aureolë shkëlqimi hënor dhe shumë djem të rinj, të bukur si yjet me vështrime lakmitare dhe në ekstazë. Gjithë ata djelmosha me trupa atletësh, të thekur në diell, vinin rrotull në atë dasmë. Aty ishte një piano, që qëndronte e heshtur, si një qivur i zi, i mbyllur. E ajo, Musinea gjashtëmbëdhjetëvjeçare, ishte e rrethuar nga gjithë ata djem, që ajo nuk i sheh apo bën sikur nuk i sheh, ndërsa vajzat me kurora lulesh, kërcejnë e këndojnë:
“Bolero. Bolero. Bolero”.
Musinea me fundin e kaltër dhe bluzën me jakën e bardhë të qëndisur dhe me dy gërsheta. Dhe fare pranë, mbi një vazo, janë dy purteka pjeshke me lule plot dritë, ngjyrë trëndafili.
Në rreth janë të gjitha, të gjitha: Selfixheja, Dita Osmani, Gania. Sa bukur kërcejnë! Dhe ata djelmosha të thekur nga dielli, me sy lakmitarë, i rrëmbejnë në krahë dhe i shtrëngojnë fort, fort, fort” .
Musinea, zgjohet qull në djersë. Vështron rreth e rrotull. Dita Osmani, fle e qetë, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë. Mjellmat përplasin krahët e nisen për në udhën e Kashtës së Kumtrit.
“O Zot, kur do të shpëtoj nga kjo ëndërr? Po kurora e saj, ku është kurora e saj me lule pjeshke? Pse ajo është gjithnjë pa kurorë në atë ëndërr, në atë dasmë?
Ç’i priste ato vajza në atë jetë, që u hapej para syve, si pafundësia qiellore?
Konstelacione që afroheshin dhe të tjerë të tejlargët. E qielli një sferë, që mbyllte gjithçka e që s’përmblidhej në asnjë kufi. Vetëm në një vend, ku ishte e hapur pak, formonte një të çarë, dukej Afërdita, ylli i vetëm, që varej mbi tokë me atë dritën e vet shpërthyese e të përqendruar në një pikë. E varur në këtë qiell, hëna e re, e ndritshme, e madhe, zbulonte natyrën e saj prej sfere opake të ndriçuar nga rrezet e diellit tashmë të fshehur. Musinea ndenji një copë herë, ashtu e palëvizur, e mrekulluar, para asaj bukurie, para atij presioni të bukurisë që i vinte nga jashtë e nga brenda vetes, si të dëgjonte vrushkullën e përplasjes së fustanit, nga fërfëllimi i flatrave të fluturimit të atyre mjellmave të bardha hënore, që lundronin në pafundësi.
Edhe pak do të agonte. Ajo do t’i ndjente t’i shprehte të gjitha ato vrulle e nota të “Sonatës së dritës së hënës”, të shpirtit të saj. Para saj ishte rruga e praruar me vlerat e mendimet, që po i sqaroheshin e po i kthjelloheshin, me një thjeshtësi të pabesueshme. S’do ta linte t’i ikte, t’i fluturonte ai çast, ajo shkëndijë e ndriçimit të shpirtit.
Ndërsa po zbardhte dita, Musinea u ngrit ende me këmishën e natës, që i rrotullohej nëpër trupin e brishtë. Diçka e tundonte në lakimet e prekjet e saj. Mori bllokun e shënimeve dhe filloi të shkruajë me vrull:
“Njeriun e bëri zoti të lirë
Po duhet kurdo të bënjë mirë
Dhe i dha mendjen që të peshojë
Dhe të paudhat t’i largësojë”.
N.Frashëri/
Rrëfim: Ganimet Gilani/
“Edhe pas mbylljes së Institutit “KYRIAZ”, vijuam mësimin në ish-shkollën “Naim Frashëri” dhe më vonë, në shkollën “Nana mbretëneshë”. Deri sa mbaruam shkollën e mesme, më 2 korrik 1937, kemi qenë në një klasë me Musinenë. Ajo u regjistrua në degën e Liceut, apo dega klasike, ndërsa unë në humanitaren e megjithatë, Musinea ndiqte me dëshirën e saj, psikologji- pedagogjinë, që na i bënte zoti Vinjau dhe historinë, që na e bënte Gavril Meksi.
Ne të gjitha i ndiqnim me interes diskutimet që bënte me profesorin e letërsisë, Karl Gurakuqi, sepse ajo lexonte shumë. Ne ishim të dyja të jashtme dhe shkonim vazhdimisht në Bibliotekën Kombëtare (tek Instituti i Monumenteve të Kulturës).
Drejtori, Sotir Kolea, ishte shumë plak, po e kishte shumë të dashur Musinenë, sepse ajo ishte nga vajzat e rralla, që harrohej me orë të tëra në lexim. Në atë kohë ka qenë e mërzitur për Vesimin, të cilin e kishin futur në burg, edhe për djalin e tij, që ishte i sëmurë.
Kur ishim në klasën e parafundit, një ditë, Qemal Stafa më ndaloi në rrugë dhe më dha një porosi për Musinenë. Unë, të them të drejtën, u tremba, sepse nuk qemë mësuar të na ndalonte një djalë në rrugë, megjithëse Qemalin dhe familjen e tij, i njihja mirë.
Musinea e mori porosinë, (ishte një letër) dhe më tha që të mos e bëja fjalë me njeri, se përgjigjen do t’ia jepte vetë Qemalit”.
Rrëfim: Gjinovefa Bojaxhi/
“Unë erdha nga shkolla e Kavajës dhe e njoha Musinenë, sepse qemë në një klasë, në shkollën “Nana Mbretëreshë”. Unë isha konviktore e ajo ishte e jashtme. Meqenëse vija nga shkolla e Kavajës, kisha shumë boshllëqe në lëndët shkencore. Isha e mërzitur që po mbetesha shumë prapa. Musinea m ‘u afrua vetë për të më ndihmuar. Vinte në konvikt, studionte së bashku me mua, për të më mësuar dhe harxhoi shumë kohë, që unë të mund t’i arrija shoqet. Ishte aq e gëzuar që unë përparoja, sa s’thuhet me fjalë. Më thoshte se i pëlqente shumë, kur binte borë. “Kur bie borë, mua më rrotullohet mendja”, – thoshte. “Më vjen vërdallë”.
Kishte një nënë shumë të urtë, që na donte si çupat e saj, edhe ne konviktoreve, që i kishim njerëzit larg, na dërgonte bukë misri me djathë dhe byreqe të ngrohta”.
Rrëfim: Andrea Varfi
“Musinenë e kam njohur në vitin 1935, në librarinë “VENUS”, të vëllait të saj, Vesim Kokalari (tek ish- libri ndërkombëtar, përballë pallatit të Kacelit).
Atëherë, sapo kish filluar të shkruante e po kërkonin një pseudonim. Unë ia gjeta pseudonimin “Muza”, sepse muzë ka qenë Musinea, me të vërtetë. Lexonte shumë dhe shpeshherë, këmbenim pikëpamjet për shkrimtarë të njohur, që i lexonim në gjuhën italisht dhe filozofë, si Niçja, Spinoza, etj.
Ishte një vajzë e jashtëzakonshme, me etje të madhe për dije dhe gjithnjë e pakënaqur e në kërkim”.
PJESA E TRETE- NE KERKIM TE VETES/
1.Edhe pse kanë kaluar vite e Dita Osmani është martuar dhe jetojnë fare pranë (një vrap pele nëpër rrugicat e Tiranës), Musinea shpeshherë, kur kthehet nga biblioteka, troket në derën prej hekuri, kalon oborrin me plloça e me mandarina, ngjit shkallët shpejt e shpejt dhe Dita e di që ajo ka dëshirë të çlodhet, të heshtë dhe të dëgjojë Sonatën e dritës së hënës.
Musinea ulet në kolltukun e vogël përballë bustit të Bethovenit dhe kujton Dita Osmanin, kur ishte një vajzë e shkujdesur, e cila i shkroi në bllokun e shënimeve më 27.06.1933: “Njeriu s’është as engjëll, as kafshë. Kush dëshiron të bëhet engjëll, bëhet edhe kafshë. Kafshë! Zot, na ruaj nga kafshërimi!”
Dita ishte aq e re, e rinia e saj sa e bukur, e ëmbël. I gëzohej lumturisë dhe i binte pianos e dukej se çdo gjë rreth saj këndonte. Ishte një vajzë qibërtare dhe kujdesej për veten.
Musinea vraponte t’i shpinte peshqirin dhe sapunin me erë të mirë.
Lakmohej nga të gjithë Dita dhe priste orën e saj, orën e përmbushjes së dashurisë, orën e Sonatës në dritën e hënës, kur shpirti shpërthen në një parajsë. Po ç’kishte pësuar kështu Dita e dashur? Dukej sikur kalorësi i natës me hënë, kishte fluturuar përtej hënës dhe kështjellat e ngritura në ajër, ishin rrafshuar nga themeli.
Fëmija qau. Dhe ajo dukej e hutuar.
“A thua mbaruan gëzimet, shpresat dhe bashkë me to, edhe bukuria, gjëja më tragjike e gruas?”, – mendon Musinea.
Ndoshta të gjitha qëndrojnë kështu, midis ëndrrës e zhgjëndrrës, deri sa një zë thërret me forcën e së vërtetës: “Mëmë! Mëmë!” Ndoshta, të gjitha, të gjitha jetojnë nëpër sonatën e tyre, që në fund të fundit, t’i durojnë vuajtjet vetëm për këtë të vërtetë. “Mëmë!”
Musinea kthehet në shtëpinë e saj dhe njeriu i parë që takon është pikërisht, mëma. Sytë e saj të trembur fshehin shumë hidhërime, burgun dhe lirimin e Vesimit. Vëllai ka hequr dorë përjetësisht nga politika. Hapi librarinë. Pas tre vjet
tronditjesh dhe ankthi, mëmës iu zbardhën flokët. Zija e rrobave dhe e shpirtit, ia vulosi çdo tipar. Shpesh herë e dëshpëruar, e brengosur, me sytë me lot, që i rrjedhin mbi faqet e fishkura. Trishtimi e shtyp dhe ia mpak trupin.
“Ja ç’është koha”, mendon Musinea. “Shfytyron çdo gjë”.
Aneja ishte ende e bukur, kur Musinea rendte pas fluturave dhe s’i linte të qeta të qëndronin mbi lule. Ajo ishte ende e bukur, edhe atë ditë, kur Musinea e trembur kishte zbritur nga dhoma e zjarrit nga kishte vështruar Malin e Gjerë dhe e kishte mbërthyer ajo frikë për vdekje. E llahtarisur, ishte gjendur në oborr dhe u kishte thënë të gjithëve të shtëpisë: “E dëgjuat? Do të bjerë kometa, erdhi fundi i botës!”
Dhe ata qeshën. Qeshën të gjithë. Po mëma nuk qeshi. E rrëmbeu në krahë dhe e mbajti një copë herë në gjirin e ngrohtë, ia qetësoi të rrahurat e zemrës, ia lëmoi flokët, sepse ajo e dinte sa e ndrojtur ishte çupëza e saj e vogël. Asnjëherë nuk ecte në mes të rrugës, po gjithnjë anash dhe në hije, sikur ta trembnin edhe muret e shtëpive.
– Ku ishe? – pyeti aneja.
– Te Dita Osmani.
– Dita tani, ka punë e fëmijë, – tha përsëri aneja.
– E di, e di, – tha Musinea, – Po Dita është Ditë, dhe i bie shumë, shumë bukur pianos, ane. Vetëm ta dëgjosh.
– Unë s’marr vesh, – tha aneja. – Pianot janë për leshraprerat. Ne kishim këngët tona.
– Mos më fol tani, si nënua plakë!
– Nënua plakë qe e bekuar, se i rrinin nuset qiri në këmbë.
– Ane, – pyeti Musinea, – Përse je kështu sot?
– Bija ime, jam helm për të voglin, – tha. – Nuk di, s’po na japin përgjigje nga ai spitali.
– Do të na shërohet djali, mos u merakos, ane! Sapo ta dërgojnë në Romë, në atë klinikë, do të eci, si të gjithë fëmijët e tjerë.
– Fjala jote në vesh të perëndisë! – tha aneja. – Hajde të hash darkë! – Nuk e shoh dot në sy as Fejzien, helm e pikë.
Musinea u ngjit lart në dhomën e saj e të anesë, për të mësuar. Yjet e shkëlqyer kërcenin në qiellin e pafund. Hëna e plotë lëvizte krenarisht, po a mund t’i jepte ajo përgjigje pikëpyetjeve të vajzës, që ishte në vitin e 18-të të pranverave të jetës?
2.Dritaret e shtëpisë binin në Rrugën e Kavajës. Kambanat dëgjoheshin që në orët e para të mëngjesit. Qielli nxin. Rrugët shkretohen. Muratorët hapin themelet e një ndërtese. Janë futur deri në kokë nëpër themele. Duart e lodhura shtyjnë kazmat më thellë, më thellë dhe më gjerë. Djersë në fytyrat e stërmunduara dhe dridhje ngashërimi. Një fytyrë e shëmtuar thërret me zë të çjerrë: “Punoni, punoni, mos rrini kot!”.
Zotëria qëndron larg. Ka frikë mos i ndoten këpucët. Pa pritur, buçet qielli e dheu. Ajri i rënduar të zë frymën. Punëtorët nuk ngrenë kokën nga themelitë. Shiu filloi ngadalë, si pa u ndier, pastaj goditi me furi çimenton e bulevardit e mbi baltën e kuqe të themelive që thithnin e thithnin ujë. Musinea merr çantën, çadrën e niset për në shkollë. Njerëzit vrapojnë herë në një anë e herë në anën tjetër. Gratë mbrojnë rrobat mos u prishen. Musinea është e gëzuar. Asaj i pëlqen të vrapojë nëpër shi, të shohë njerëzit si vrapojnë edhe ata. Dikujt i mungon kapelja e i lagen flokët, dikush e vërtit bastunin, sikur do të presë rrebeshin e ujit, dikujt që i mungon palltua dhe çadra, është bërë si kaposh deti i shpupuritur.
Musinesë i dhemb shpirti për ata punëtorët e themelive të futur në ujë, që nuk e ndalin punën e dridhen nga të ftohtit, e nuk kanë rroba të tjera. Vetëm ata vazhdojnë punën. Futen më thellë në themel apo në gropat që hapin. Janë të përbaltur e të stërlagur.
Shiu nuk pushoi edhe kur ajo hyri në oborrin e shkollës “Nana mbretneshë”. Akaciet vareshin të lodhura, ashtu si shelgjet vajtues dhe ata dy qiparisë, që e fshehin ndërtesën e shkollës.
Korridori i gjerë, disi i errët me dërrasat e shkallëve që kërcasin, kur ngjiten nxënëset nëpër klasa. Musinea e ka klasën në katin e dytë dhe bankën ngjitur me dritaren. Sado që ka dëshirë të përqendrohet në mësimin e matematikës me profesor Babameton, nuk e mbledh dot mendjen, që i vrapon nëpër shi…
Profesori i mirë e sheh me ata sytë gështenjë plot ëmbëlsi. Jo, ai e kupton vajzën, edhe pa e qortuar fare, e detyron të kthehet në klasë. Ashtu si është, trup-imët, me flokët e sapo thinjur, profesori i shkruan si me shaka në fletën e fletores, që është krejt e bardhë:
“Kujdesin dhe rregullin që je duke treguar në punët e shkollës, mbaji gjithnjë edhe në punët e jetës, që të jesh e lumtur!” …
Dhe Musinea, me një shkrim të hapur pyet: “Vërtet profesor?”
“Po bija ime, vërtet. Ç’të ka ndodhur sot?”
“Asgjë profesor. Më falni! Jam pak e hutuar nga shiu”.
Shiu përplaset me zemërim mbi xhamat e klasës. Një tufë zogjsh të trembur, s’dinë ku të fshihen. Era përplas degët e akacies mbi xhama.
Musinea vijon monologun e saj me duar të mbështetura në faqe, me sytë e ngulur te “shpjegimi”, nga i cili s’dëgjon asnjë fjalë.
Komentet