Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së çiftit çek në Prekal të Shkodrës. Ai është 20-vjeçari, Sokol Fran Mjacaj, lindur dhe banues në Lotaj të Dukagjinit.
Gjatë operacionit për kapjen e Sokol Mjacajt, i dyshuar si autori i vrasjes së turistëve çekë është plagosur një efektiv policie.
Mësohet se polici është plagosur nga pakujdesia, teksa tentonte të shtinte me armë zjarri në ajër. Arma e tij është shkrepur para kohe dhe ai ka marrë një plumb në dorë.
Sipas informacioneve të Policisë së Shkodrës, ai ka kryer 5 vjet burg dhe ka dalë nga burgu para një muaji. Policia thotë se autorësia e krimit është vërtetuar shkencërisht me disa gjurmë daktiloskopike në brendësi të mjetit.
Motivi i vrasjes mendohet të ketë qenë tentativa për të grabitur automjetin e dy viktimave. Pas dështimit të grabitjes, autori ka vrarë dy viktimat.
Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po zhvillojnë operacionin. Ato kanë rrethuar të gjithë zonën e Grudës ku fshihet autori i vrasjes së dyfishtë.
Policia u ka bërë thirrje banorëve që të mos e ndihmojnë autorin, por të kontribuojnë në kapjen e tij.
Tashmë mbetet vetëm çështje orësh deri sa Policia të bëjë të mundur kapjen e autorit. Ky i fundit mund të jetë i armatosur dhe i lënduar për shkak të aksidentit që ndodhi me automjetin e dy turistëve çekë.
Gjatë paradites së sotme mediat e tjera raportonin se Sokol Mjacaj ishte një prej 35 të ndaluarit të cilët po pyeteshin, ndërkohë që gazetarja e Panorama, Etleva Delia, konfirmoi se i dyshuari për vrasjen e dy turistëve çekë nuk ishte i ndaluar dhe se për të po bëhej një operacion i policisë së Shkodrës, FNSH-së dhe RENEA-s.
Komentet