Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka lëshuar 21 masa sigurie në kuadër të një operacioni për goditjen e grupit kriminal të Suel Çelës, një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në qytetin e Elbasanit. Për 18 prej tyre është caktuar masa ‘arrest me burg’, për një avokate masa ‘arrest në shtëpi’, si dhe ‘detyrim paraqitje’ për dy gazetarë.
Operacioni është ende në vijim, teksa ditën e sotme SPAK ka njoftuar se do të dalë me një komunikatë zyrtare për të dhënë një informacion më të zgjeruar rreth këtij operacioni.
Mësohet se mbi anëtarët e kësaj organizate kriminale rëndojnë nga akuzat e trafikut të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës, deri te vrasjet.
Burime bëjnë me dije se nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar ‘Sky ECC’, SPAK ka zbardhur dhe atentatin ndaj Ardian Çapjes, i regjistruar më 8 qershor të vitit 2020.
Në atë kohën Çapja u qëllua me armë zjarri snajper nga një distancë e largët, kur ai ndodhej në oborrin e vilës së tij në Elbasan, të monitoruar në çdo cep nga kamerat, teksa qitësi dyshohet se ishte pozicionuar në kodrën e Krastës.
Çapja arriti që t’i shpëtojë atentatit, teksa mori një plumb në shpatullën e majtë, pranë zemrës. Në momentin që u rrëzua dhe ra në tokë, ai mori edhe një frakturë në kokë.
Në atë kohë Ardian Çapja u dërgua fillimisht në spitalin e Elbasanit dhe më pas u transportua në Tiranë te ‘Trauma’, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe arriti t’i shpëtonte plagës së marrë.
Nga operacioni i fundit i SPAK, mësohet se autori i dyshuar i këtij atentati ka qenë snajperisti Prek Kodra, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti, ndërsa porositës ka qenë grupi i Suel Çelës.
Prek Kodra është shpallur në kërkim nga SPAK edhe në dy operacione të mëparshme të SPAK, teksa dyshohet se është një vrasës me pagesë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Shqipëri dhe në Kosovë.
Me origjinë nga fshati Shtoj i Ri i Shkodrës, Prek Kodra konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar edhe për një atentat të mundshëm ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në vitin 2021.
Kjo u zbulua nga e mail-et e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të cilat u nxorën në publik nga grupi i hakerave iranianë, pas hakerimit të institucioneve shtetërore.
Sipas dokumentit të Njësisë Kundër Terrorizmit, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Ai përshkruhej si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit snajper dhe dyshohej se ishte përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.
Sipas planit, fillimisht do të vritej një komandant i UÇK-së Ismet Haxha dhe më pas deputeti Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.
Gjithsesi, përmes një deklarate për mediat kosovare në atë kohë, Prek Kodra i mohoi të gjitha akuzat për atentate ndaj politikanëve në Kosovë.
‘Ça të shpjegoj, vetëm po shpika diçka sikur kanë shpikur persona të paidentifikuar për mua. Albin Kurtin e njoh vetëm prej televizionit. Më keni akuzuar dhe po më merrni më qafë mua dhe familjen time. Për herë të parë, paradite rreth orës 11 kam qenë në Shkodër në kafe dhe dikush më ka telefonuar nga Gjermania dhe më thotë a je duke i parë lajmet dhe më ka nisur linkun. E kam parë linkun dhe pashë një gjë që se kisha imagjinuar kurrë në jetën time.’ – tha Prek Kodra.
Ai ka treguar gjithashtu se e kanë ndaluar në Kosovë kur ka shkuar për të blerë një makinë dhe nuk i kanë treguar arsyet pse po e mbanin prej orësh.
‘Më kanë ndaluar në Kosovë para një viti në doganë, më 24 nëntor nëse nuk gaboj. Isha duke shkuar në Kosovë për të blerë një kamionçinë. Kur më kanë ndaluar kam qenë me makinën e vajzës time për të blerë një kamionçinë për firmën time. Kur kam shkuar në doganë më kanë ndaluar dhe më kanë mbajtur nga ora 2 e pasdites deri në orën 11 në darkë pa më thënë pse më kanë ndaluar. Në doganë më kanë arrestuar. Kisha 15 mijë euro me vete. Më kanë çuar në Prishtinë dhe më kanë marrë në pyetje nga Departamenti i Krimeve të rënda. Nuk e dija pse po më ndodhte ajo gjë. Kur më thanë që dyshohesh për falsifikim parash por unë isha i sigurt sepse i kisha marrë te firma ime.’ – deklaroi Prek Kodra.
Mediat kanë raportuar dhe se Prekë Kodra është arrestuar dhe në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës dhe se ishte simpatizant i njërës prej dy partive të mëdha në Shqipëri. Po ashtu, dyshohej edhe për lidhje të forta me mafien e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë kapur me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.
Gjithashtu, ai është shpallur në kërkim edhe në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. sn