E jo vetëm kaq! Pohimet e tij përgënjeshtroheshin edhe nga zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë. Një vend i veçantë në këtë botim i lihet shpërthimit në Gërdec, të vrarëve, të plagosurve dhe hetimit që, ndonëse “në fillim dukej sikur do të dilte e vërteta, u tulat shpejt”. “GSH” boton edhe sot pjesë nga libri “Armët dhe çunat”.
… Dy shokët e mëritur kishin muaj që nuk flisnin. Pas kontrollit, Diveroli kishte pyetur veten nëse Packouz-i e kishte tradhtuar dhe e kishte kallëzuar te DCIS-ja. Kishte arritur në përfundimin se Packouz-i nuk do të kishte vepruar kundër interesave të tij të mëdha ekonomike e të rrezikonte paratë që kishte për të marrë. E përshëndetën njëri-tjetrin dhe Diveroli u soll si të qenë ende shokë të ngushtë, duke e përqafuar fort. Sollën pipën dhe Diveroli e ftoi shokun të thithte ca bar. Packouzi e pranoi ftesën. Diveroli dukej më kryelartë se kurrë, i paduruar që të dëgjonte nga shoku. – Dreq çmendurish po ndodhin, ë? – e hapi bisedën Diveroli. – Çmenduri, – ia ktheu Packouzi me sytë nga pipa. – Të thirri qeveria? – U thashë të flisnin me avokatin tim, – gënjeu Packouz-i. – Shkëlqyeshëm! Ashtu duhet sjellë me ata bastardë. S’duhen lënë të të vënë përfund. Po të nuhasin erën e gjakut, bëhen si të luajtur. – Mendon se mund t’u bësh bisht? – Kam pajtuar avokatët më të mirë që mund të blejë paraja, për t’u marrë me atë punë. Do t’i shpartalloj ata trapa. – A thua që ky hetim federal të mund të na e bllokojë punën? Ti e di si vërtitemi ne. – Vetëm hap sytë, mik. Duket se jemi në telash serioz. Dëgjo, or mik, ule kokën sa ta kalojmë këtë stuhi.
Do të na harrojnë edhe ne. Pastaj ti dhe unë mund t’ia nisim përsëri dhe ti do të marrësh paratë që meriton. – Ashtu shpresoj. Duke dalë nga apartamenti, Packouz-i vendosi se duhej t’i tregonte Mentavlosit se ishte takuar me Diverolin. Hetuesi u xhindos. E urdhëroi Packouz-in t’i tregonte për çdo takim që do të bënte me Diverolin në të ardhmen. “Mentavlosi më kërkoi që t’i regjistroja bisedat me Diverolin, – kujtonte Packouz-i. – Sipas meje, t’i rrëfeje qeverisë gjithçka që ndodhte, ishte një gjë, kurse të futje dikë në kurth, qoftë edhe Diverolin, ishte shumë e ulët. Nuk isha i gatshëm të luaja sipas skemave të Mentavlosit, edhe pse e kuptoja se mund të ishte në interesin tim. Dukej që Mentavlosi ishte gati të bënte gjithçka për ta kllaposur Diverolin.” Në fund të tetorit, duke udhëtuar me traget, Podrizki mbërriti në Shqipëri dhe zbriti në portin e Durrësit, për të shmangur aeroportin e Tiranës, ku me siguri që do ta njihnin. Kur mbërriti në Tiranë, shkoi në Sheraton dhe pyeti për Mentavlosin te banaku, siç e kishin udhëzuar. U afrua një amerikan i veshur krejt me të zeza e që fliste me një dreq theksi australian, dhe i tha të shkonte pas tij, por as të mos ia hidhte sytë e as të mos i fliste. “Ndërsa shkonim te hoteli ku do të rrija, ai tipi më tha që, sapo të zija një dhomë, do të më hidhte një shënim nën derë, që të më tregonte se në ç’dhomë rrinte ai, – tha Podrizki. – Dukej si kloun dhe kuptohej qartë se ishte amerikan i maskuar. Them se e kishin caktuar të më vëzhgonte. Ndërsa po ecnim, befas më ktheu krahët dhe u zhduk, si të ishte duke luajtur një lojë me agjentë të fshehtë. Kur takova Mentavlosin, ai mbajti qëndrimin sikur të ishte personazhi kryesor në një nga romanet e Tom Clancy-t, me të gjithë intrigën dhe emocionin e duhur. U përpoqa të qetësohesha, por isha vazhdimisht nervoz dhe e urreja veten që po luaja një rol të tillë; gjithsesi, e kuptoja se nuk kisha asnjë rrugëdalje tjetër”. I ndodhur më në fund në Shqipëri, Mentavlosi mori mostra të municionit “kinez”. Para se të largohej, shkoi të takohej me Kosta Trebickën në shtëpinë e tij në rrethinat e Tiranës. Trebicka u tregua syçelët, por i gatshëm të bisedonte. Tha se, për ta demaskuar plotësisht çështjen, kishte folur me New York Times-in. Mentavlosi reagoi me zemërim, i tha që të mos fliste me asnjë gazetar, as në Shqipëri, as në Shtetet e Bashkuara. Mbi të gjitha, i tha se Trebicka duhej të ndërpriste komunikimin me Times-in. – Kam angazhuar një jurist shqiptar që të japë informacion për AEY-në, – i tha Trebicka Mentavlosit. – Mos fol më me atë juristin, – e urdhëroi Mentavlosi. Trebicka u mpak. – Pse? – Sepse dëmtohet një hetim shumë serioz. Trebicka vrau mendjen për sjelljen e Mentavlosit. Në fund të fundit, agjenti nuk kishte autoritet në Shqipëri, prandaj pse t’i jepte urdhra atij? Por Trebicka kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe kishte aq dijeni për tentakulat e fshehta të qeverisë federale, sa të kuptonte që bënte mirë të tregohej i kujdesshëm ndaj një hetuesi që, siç i dukej atij, ishte qepur me bukë në trastë për të “kapur” Efraim Diverolin. Hetuesi amerikan tha se donte të merrte gjurmët e gishtave të Kosta Trebickës. Tani Trebicka u alarmua vërtet. Ai ishte shtetas shqiptar dhe nuk kishte bërë asgjë të gabuar.
Ishte e qartë se Mentavlosi donte që me anë të gjurmëve të gishtave të kontrollonte në skedat e Interpolit për të parë nëse Trebicka kishte ndonjë dosje kriminale. Duke u mëdyshur, Trebicka u bind. Sapo u largua Mentavlosi, Trebicka i telefonoi Geri Kokalarit në Nju-Jork. I rrëfeu për gjurmët e gishtave dhe se si hetuesi ishte sjellë sikur të kishte përpara një kriminel ordiner. Ishte i shqetësuar. S’kishte bërë tjetër veçse kishte raportuar një veprimtari që dyshohej si ilegale, si në Shqipëri, ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara. – Nuk duhej ta kishe lejuar të të merrte gjurmët e gishtërinjve, – i tha Kokalari. TAKIMI I MEDIUT ME AMBASADORIN AMERIKAN Vonë atë natë, Mediu u takua me ambasadorin amerikan në Shqipëri, që të bisedonte për intervistën e Wood-it. Ai u mundua edhe që të fshihte punën e ripaketimit nga gazetari i New York Times-it, i cili kishte planifikuar që të vizitonte aeroportin të nesërmen në mëngjes. Sipas udhëzimeve të ministrit, në mes të natës të gjitha kutitë dhe ambalazhet kineze u larguan nga aeroporti dhe u çuan në një bazë ushtarake aty pranë. Në orën tetë të mëngjesit, Nick Wood-i i Times-it shkoi në aeroport sipas planifikimit. I thanë se nuk do të lejohej të bënte fotografi në zonën e ndaluar. As që ta mbante celularin me vete. E shoqëruan në një hangar të hapur, ku 3,5 milionë fishekë të AEY-së qenë sistemuar në platforma, gati për t’u ngarkuar. Fishekët qenë paketuar në qese plastike të futura në kuti kartoni. Wood-i vuri re se hangari ishte i pambrojtur nga agjentët atmosferikë: të nxehtët, shiu, të ftohtët. Por nuk të zinte syri gjëkundi as arka e as kuti metalike me shenja kineze. Disa minuta më vonë, kameramani i pavarur i telefonoi Wood-it për t’i thënë se njerëz nga Ministria e Mbrojtjes ia kishin rrëmbyer me forcë kasetën e intervistës me ministrin. Wood-i i dërgoi ministrit një mesazh: “Z. Mediu, duhet të bisedojmë. Është në interesin tuaj të pranoni”. Mediu u përgjigj: “E paraqitët keq veten tuaj, prandaj nuk kam asgjë tjetër për të biseduar. Aq sa folëm, ishte më se e mjaftueshme”. “Keni kërcënuar kameramanin, – ia ktheu Wood-i. – Njerëzit tuaj kanë grabitur kasetën. Ju sugjeroj të më telefononi. Nuk isha nisur të shkruaja për ju, por tani mund ta bëj.” “Nuk di për çfarë po flisni. Ende po paraqiteni keq. Mund të shkruani ç’të dëshironi.” Me kaq, komunikimi u mbyll. Fusha e zhbirimit të New York Times-it tani përfshiu edhe qeverinë shqiptare. Në përpjekje për të shmangur publicitetin negativ, kryeministri Sali Berisha u shkroi pronarëve të Timesit. Me gazetën kontaktoi edhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili i dërgoi një letër personale plot zemërim drejtorit ekzekutiv, Bill Keller-it, ku i shkruante se ishte sulmuar pabesisht nga Wood-i: Komentet e Z. Wood qenë të natyrës sulmuese, duke më akuzuar edhe për pandershmëri. Dyshimet e tij bazoheshin vetëm në thashetheme e në aluzione, duke shtrembëruar faktet e vërteta dhe duke vënë në dyshim reputacionin tim si Ministër. U përpoqa të shpjegoja faktet, por Z. Ëood nuk deshi të dëgjonte. Sjellja e tij u karakterizua nga arroganca dhe vrazhdësia që shoqëron tipikisht shembujt më të këqij të gazetarisë së verdhë, dhe mungesa e paanshmërisë profesionale. “NY Times-i mund të jetë duke shkruar një histori për AEY–në dhe ka gjasa që ajo të jetë e shëmtuar, – u shkroi një zyrtar amerikan i ambasadës së SHBA-së në Tiranë kolegëve të tij. – Tregoni kujdes. Ambasadori është shumë i shqetësuar.
GËRDECI
Fshati Gërdec ishte vendi ideal për çmontimin e municioneve. Vetëm pesëmbëdhjetë kilometra larg Tiranës, baza ushtarake ishte e fshehur në rrëzë të kodrës, duke qenë njëkohësisht edhe shumë pranë, edhe larg syve kureshtarë. Gjatë dimrit të vitit 2008, te porta e bazës mblidheshin dhjetëra fshatarë vendës, me synimin që të përzgjidheshin nga përgjegjësi. Pagesa qe 20 dollarë në ditë, rrogë e madhe kjo në Shqipëri. Përzgjidheshin kryesisht gra dhe vajza të reja, sepse kishin duar të vogla e të përshtatshme për punë të imëta. E shtuna e 15 marsit 2008 ishte ditë e bukur pranvere në Shqipëri. Në qiellin e kaltër lundronin re fluturake dhe fytyrën ta përkëdhelte puhiza e ngrohtë që vinte nga Adriatiku. Por në mesditë u pa diçka e tmerrshme: një zjarr që lëvizte përgjatë dyshemesë së bazës ushtarake. Flakët qenë të vogla, ndoshta me lartësi një metër, por po lëviznin drejt depos së madhe, ku mbaheshin mijëra tonë municione të kalibrit të madh. Atje kishte edhe dhjetëra thasë me barut, çka e bënte depon, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, fuçi baruti. Qindra punëtorë vendës nisën të largoheshin me vrap, sapo panë të ngrihej tymi. Shpërthimet e fishekëve të kalibrit të vogël mbytnin klithmat e tyre. Askush nuk e kuptoi ku u shfaqën së pari flakët: një shkëndijë, një cigare, sabotim. Ishte edhe mundësia e një shpërthimi rastësor, po të mbahej parasysh natyra e pa-qëndrueshme e municioneve. Pastaj shpërtheu depoja kryesore, duke flakur në ajër copëra predhash si në skenat e filmave aksion të Hollivudit. Shpërthimi plagosi shumë punëtorë, dhe varrosi të gjallë nën rrënoja edhe shumë të tjerë. Ata që nuk u dëmtuan, vrapuan në kodrat përreth dhe vetëm pak zemërtrima u kthyen në bazë, duke u përpjekur të ndihmonin të plagosurit e të mbeturit nën rrënoja. Predha të vetmuara vazhduan të shpërthenin aty-këtu: bambam. Dukej sikur më e keqja kishte ndodhur. Kaluan pesëmbëdhjetë minuta. Shpërthimi i dytë ishte edhe më i tmerrshëm se i pari, me një forcë apokaliptike. Koka raketash, predha artilerie të kalibrit të madh, tonelata të tëra baruti, krejt baza ushtarake u zhduk në çast nga faqja e dheut. Forca e shpërthimit të llahtarshëm flaku në ajër dhjetëra trupa. Pastaj drejt qiellit u ngrit një lëmsh i zjarrtë, i pasuar nga reja e zezë në formë kërpudhe që ngjante me atë të Hiroshimës. Ishte një nga shpërthimet më të mëdha jobërthamore që qenë parë qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Gjëmimi u dëgjua qindra kilometra larg dhe në kryeqytet u thyen xhama dritaresh. Njëzet e gjashtë njerëz u vranë në Gërdec. Shumë prej tyre qenë gra e fëmijë. Si tetëvjeçari Erison Durdaj, që kishte shkuar t’i çonte drekën së ëmës e që po rrinte te porta e bazës, kur shpërthimi i dytë e ngriti vrik në ajër. Treqind të tjerë u plagosën. Më shumë se katër mijë shtëpi dhe biznese u dëmtuan ose u shkatërruan. Katastrofa e Gërdecit shkaktoi zemërim në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu u detyrua të jepte dorëheqjen. Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji i Alb-Demilit u prangosën si shkaktarë. Një prokuror i pavarur hartoi padinë prej pesëqind faqesh. Dukej sikur do të dilte e vërteta. Por hetimi u tulat shpejt. Mediat botërore pothuajse nuk e zunë në gojë ngjarjen; vendin kryesor në gazeta e zinte beteja elektorale e 2008-s ndërmjet Barak Obamës dhe Hilari Klintonit, si dhe rebelimet në Afganistan e në Irak. Shpërthimi u zhduk shumë shpejt nga lajmet botërore. Ditën kur u botua shkrimi në Times, në Tiranë Kosta Trebicka kontrollonte i nervozuar në kompjuterin e tij çdo pesë minuta uebsajtin e gazetës. E dinte se shumë gjëra vareshin nga ato që kishte shkruar Chivers-i, dhe jo vetëm në drejtim të rrezikimit nga ligji. Trebicka kishte bezdisur kryeministrin shqiptar dhe ministrin e Mbrojtjes, dy nga figurat më të fuqishme në vendin e përfolur për paligjshmëri e dhunë. Trebicka shpresonte se publiciteti nga shkrimi i Timesit do t’i siguronte një lloj mbrojtjeje në Shqipëri. Shpresonte që zbulimi i korrupsionit brenda qeverisë shqiptare të kishte pasoja dhe zyrtarët të dënoheshin. Në javët që pasuan, Trebicka pati përshtypjen se shkrimi i Times-it nuk pati asnjë ndikim në Shqipëri. I vetmi njeri që dukej i interesuar për të, ishte Michael Mentavlosi i DCIS-së, i cili ishte xhindosur, ngaqë Trebicka nuk i qe bindur e kishte folur për gazetën. Pak kohë pas botimit të historisë, Mentavlosi mbërriti në Ti-ranë, i telefonoi Trebickës dhe, duke bërtitur me sa kishte në kokë, i kërkoi të takoheshin. I frikësuar, Trebicka gënjeu e tha se ishte jashtë vendit. Tri ditë më pas u dorëzua përpara asaj që dukej e pashmangshme, dhe u takua me Mentavlosin. Hetuesi i tha se duhej të shkonte në Florida, që të dëshmonte në procesin hetimor ndaj AEY-së. Trebicka pati përshtypjen se Mentavlosi s’kishte ndër mend të bënte asgjë për të dënuar Diverolin.
“Mentavlosi më tha se, kur të gjendesha përballë gjyqtarëve, duhej të thosha se Efraim Diveroli dhe Aleks Podrizki nuk e dinin që po shisnin ilegalisht municion kinez në Afganistan, – kujtonte më pas Trebicka. – Iu përgjigja se nuk mund ta bëja këtë, sepse ata nuk kishin thënë kurrë fjalë të tilla në praninë time.” Disa ditë më pas, Trebicka mori një imeil prej hetuesve të Kongresit. I telefonoi Mentavlosit dhe i tregoi se Komiteti Hetimor i Kongresit kishte shfaqur interes për të biseduar me të. “Mentavlosi tha se brenda tri ditëve duhej të isha në Florida, se nuk duhej të ndaloja në Uashington DC dhe se nuk duhej t’i jepja asnjë dokument komitetit, – kujtonte Trebicka. – Mbeta përsëri i habitur prej tij.” Trebicka shkoi në Shtetet e Bashkuara, por me shpenzimet e veta, që të shmangte çdo lidhje me DCIS-në. Shkoi së pari në Uashington, që të takohej me hetuesit e Kongresit e t’u rrëfente atyre ato që dinte për AEYnë, Gërdecin dhe M e n t av l o s i n . Pastaj shkoi në Majami, ku e pritën në mënyrë të çuditshme. Ndërsa u fliste prokurorëve në Florida duke u përshkruar korrupsionin në Shqipëri, nisi të dyshonte se sjellja e tyre agresive duhej të ishte sinjal se e kishin vënë në shënjestër për ta paditur. Dhe një gjë e tillë e habiti: ai ishte informator, jo kriminel. Por Trebicka po rrëfente gjëra që dukej qartë se agjencia nuk donte t’i dëgjonte. Siç qe versioni i tij për takimin me diplomatin amerikan Robert Njusam në Tiranë në majin e vitit 2007, dhe si, qysh para se të mbërrinte ngarkesa e parë në Kabul, Trebicka i kishte rrëfyer se AEY-ja po furnizonte municion “kinez” në Afganistan. “Dëshmitari ynë special Kosta Trebicka po na bën shaka të reja, – u shkruante një zyrtar i ambasadës në Tiranë kolegëve të tij. – Ai i tha agjentit special Mentavlos se po shkon të dëshmojë përpara Kongresit që i ka rrëfyer Robert Njusamit për municionin kinez qysh në vitin 2007 dhe se Roberti i ka thënë që ajo punë ishte legale e se duhej të vazhdonte të punonte për kontratën.”
“Sa për t’u mbajtur shënim, kjo nuk është e vërtetë, – u shkruante një tjetër zyrtar në Tiranë kolegëve të tij brenda ambasadës. – Trebicka mund të thotë ç’të dojë, por nuk është e vërtetë. Absolutisht.” Kurse Njusami shkroi: “Për ta bërë krejtësisht të qartë: nuk i kam thënë kurrë Trebickës asgjë të tillë”.
Komentet