Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga dy persona të afërt me ish-ministrin e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo nga Lista Serbe.
Gjatë një konferencë të mbajtur të mërkurën në hollin e Kuvendit të Kosovës, ai tha se sulmi ndaj tij ka ndodhur në afërsi të ndërtesës së Kuvendit.
Petroviq tha se në mëngjes ishte mysafir në një emision në Televizionin Publik ku kishte shpalosur disa detaje rreth punës së ish-ministrit Nenad Rikallo, çka sipas tij, mund të ketë qenë motiv i sulmit ndaj tij, pasi që sulmuesit, siç tha Petroviq, ishin njerëz të afërt me ish-ministrin Rikallo dhe Listën Serbe.
Petroviq tha se menjëherë pas sulmit ndaj tij, ka ftuar policinë në vendin e ngjarjes e cila tashmë është e njoftuar me rastin.
Por në reagimin e Listës Serbe thuhet se Petroviq ishte ai që i pari ka goditur me telefonin e tij zyrtarin e Listës Serbe.
Sipas Listës Serbe, anëtari i këtij subjekti politik, Millan Kostiq është sulmuar fizikisht nga ana e deputetit Sllobodan Petroviq në një restorant në Prishtinë.
“Ky është një sulm i turpshëm ndaj Kostiqit, të cilin në Kosovë e njohin si një njeri familjar dhe i cili në politikë është përfshirë me kërkesën e bashkëkombasve të tij”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, e cila e bën fajtor Petroviqin për këtë incident.
Për të njëjtin rast, Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka sqaruar se rreth orës 10:30, ka marrë informacionin se në rrugën “Fazli Grajqevci” në Prishtinë, ka ndodhur një mosmarrëveshje në mes të tre personave.
Policia tha se ka shoqëruar në stacionin policor dy persona për të cilët ekziston dyshimi se mund të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.
“Aktualisht në koordinim me prokurorin e shtetit po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore për të proceduar më tej në fazat e tjera”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sllobodan Petroviq, në anën tjetër, ka theksuar se ka kohë që ndaj tij dhe bashkë-partiakëve të tij zhvillohet një fushatë dhe presion i pandërprerë.
“Mund edhe të më vrasin, por unë nuk jam njeri që mund të më frikësojnë”, tha Petroviq, duke shtuar se veprime të tilla janë shqetësuese për familjen e tij, por dhe institucionet.
Sllobodan Petroviq është një nga 10 deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës. Nëntë deputetët tjerë nga komuniteti serb i përkasin Listës Serbe.
Ish-ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo të cilin e ka përmendur Petroviq, kohë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka liruar nga detyra dhe në vend të tij ka emëruar ministren, Dijana Zhiviq, nga Partia e Pavarur Liberale.
Komentet