“Nuk është se po e ndërtojnë molin në Dhërmi brenda rregullave: po marrin inertet aty ku ndërton Gjikuria e i shtrojnë në det se u duhet një mol për skafet e tyre gjatë sezonit të verës.
Pra, rruga e Jorgo Goros për në SPAK do të jetë e shpeshtë, do të jetë shumë e gjatë, sepse ai nuk është thjesht një ish-kryetar bashkie humbës, po është akoma në detyrë. Madje edhe për këtë do ta kallëzojmë në SPAK.”
Të tjera denoncime priten të mbërrijnë këto ditë në SPAK për zhvatjet dhe abuzimet e pushtetit të Edi Ramës në bregdetin më të bukur të vendit, në Himarë.
Pas demaskimit dhe padisë që i ka bërë kryebashku i burgosur Fredi Beleri, grabitjes së 4600 m² tokë nga ish-ministrja Olta Xhaçka Gaçi me bashkëshortin e saj, ish-deputet dhe biznesmen Artan Gaçi, një zë nga Himarë, ish-këshilltari demokrat Skerdjan Dhuli paralajmëroi sot se po përgatitet një tjetër padi për ndërtimin e një moli skafesh në Dhërmi nga oligarku i Ramës në jug, Gjikuria si edhe disa padi të tjera për korrupsionin e kryebashkiakut socialist në detyrë, Jorgo Goron.
Z. Skerdjan Dhuli e bëri këtë njoftim sot në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në SYRI TV:
“Që prej ditës që z. Beleri është arrestuar, Olta Xhaçka mori flamurin e mbrojtjes së kauzës nacionaliste që përmbledh gjithë kjo historia e zgjedhjeve të Himarës, – tha Dhuli, – dhe ne u bëmë kuriozë se cili ishte interesi i këtij personi. Sigurisht që informacionet i kishim nga terren. Informacioni ishte që bashkëshorti i saj, ish-deputeti i PS, Artan Gaçi, kishte marr një pronë me letra të falsifikuara dhe në një moment të caktuar, bëmë kallëzimin penal.
Po e shpjegoj shumë thjeshtë se çfarë ka ndodhur. Në vitin 1993, ligji i famshëm 7501 i jep shtetasit Pavllo Mihali, njëmijë metra tokë. Po t’i shikoni letrat, që unë i kam, por për arsye publike nuk mund t’i bëj publike, do të shihni se ky person, ditën që i shet Artan Gaçit pronë, nuk i shet njëmijë metra, por i shet pesëmijë e gjashtëqind metra! Pra, 4500 metra nga dolën?!
Çfarë ka ndodhur? Nga e dinte Komisioni i Ndarjes së Pronës në vitin 1993, që në vitin 2019 kur të hidhej në sistem Regjistri i Pronave, kjo pronë do të kishte numrin “X”?! Se ne këtu e kapëm falsifikimin!
Po të shikoni dokumentet, do të kuptoni që prona ekziston në Kadastër me numrin “X”.
Tani, nga e dinte, në vitin 1993 a 1994, që pas 25 vjetësh do të ishte një Edi Ramë kryeministër dhe që ky kryeministër do të ndërtonte një sistem online dhe në këtë sistem online, prona në fjalë do të kishte numrin “X”?!
Këta edhe në falsifikim janë shumë të trashë! Se mirë që vjedhin, po nuk dëgjuan as Shalsin që të vidhnin siç duhej, po i lanë këmbët jashtë…
Ky shtetas, Pavllo Mihali, nuk i bënte dot letrat, pronës dhe ia shiti Artan Gaçit meqenëse ai ishte njeri i pushtetit dhe Hipoteka para njerëzve të pushtetit rri sus; hipoteka e Vlorës!
Artan Gaçi, për të marrë edhe pronën tjetër që nuk ishte e këtij personi… Që, si ishte e mundur që ky person shet një pronë që nuk është e tij dhe jo pak pronë, po 4600 metra?!
I gjithë kallëzimi penal është shuam i thjesht për t’u zbërthyer. Kanë kaluar vetëm pak javë nga kalimi ynë dhe prokuroria, për shkak se provat i ka të qarta në tryezën, e di mirë se ç’duhet të bëjë, nuk është se ka ndonjë vështirësi të madhe që të fillojë hetimi.
Pastaj, patjetër që ish-kryetari i bashkisë ka dhe dosje të tjera, ne nuk do të ndalemi me kaq, se ka dosje korrupsioni, dosje abuzimi me pronat, ka dosje tenderësh, ka raporte të tëra të KLSH-së.
Edhe të kësaj KLSH-je që e drejton Rama, të cilat bashkinë e Himarës e nxjerrin “lakuriq” kur është fjala për abuzimin me tenderët. Tenderët në Himarë i marrin dy-tre oligarkë pranë Edi Ramës ku njeri ndër ta është Gjikuria.
Unë kam shpërndarë dje një foto në rrjetet e mia sociale dhe në këto momente në Dhërmi është duke u ndërtuar një mol në det. E ndërton Gjikuria, që është oligarku kryesor i Edi Ramës në qarkun e Vlorës, në të gjithë jugun Shqipërisë. Po qe se ka tenderë ku luhet për ndërtim, është Gjikuria. Edhe për këtë ne do të bëjmë kallëzim penal edhe për këtë do të shkojmë prapë në SPAK se bashkia Himarë ka detyrë të mbrojë territorin e saj.
Imagjinoni, edhe në fshatrat e thella të bashkisë së Himarës, në fshatrat e Labërisë nuk ndërton dot murin rrethues të portës se të vjen Policia bashkiake dhe IMT dhe të kërdisin në gjoba. Ndërtoke mol në det, në fshatin më të lakmuar të Shqipërisë më Dhërmi e si ndodhka kaq rastësisht e nuk të hyn asnjë gjemb në këmbë?!
Se nuk është se po e ndërtojnë molin brenda rregullave: po marrin inertet aty ku ndërton Gjikuria e i shtrojnë në det se u duhet një mol për skafet e tyre gjatë sezonit të verës.
Pra, rruga e Jorgo Goros për në SPAK, e ish-kryetarit të bashkisë, do të jetë e shpeshtë, do të jetë shumë e gjatë.
Unë ia kam premtuar që do të ketë shumë punë në SPAK dhe ne nuk do ta lëmë me kaq sepse ai nuk është thjesht një ish-kryetar bashkie humbës, po është akoma në detyrë. Madje edhe për këtë do ta kallëzojmë në SPAK, sepse është duke ushtruar një detyrë në paligjshmëri.
Këshilli bashkiak duhet ta kishte larguar ish-kryetarin dhe të kishte mandatuar një kryetar në detyrë, një nga nënkryetarët por për shkak se ish-kryetari i bashkisë e ka ndërtuar vetë listën e këshilltarëve të PS dhe ata kanë shumicën në këshill, ende Jorgo Goro shkon në zyrë. Ne nuk do ta lëmë me kaq sepse dimë edhe ne të kundërpërgjigjemi, sepse kemi përballë një kundërshtar që është lehtësisht i atakueshëm në institucionet e drejtësisë.