1.
Nëpërmjet aktiviteteve, rrjeteve sociale, apo hapësirës së `cukëlt` mediative, përveç bla -bla-blave të llafologjisë politike, analistike, gjithfarëllojistike… kemi fatin ndonjëherë mes gjithë kësaj tymnaje të dëgjojmë, shikojmë dhe lexojmë edhe për ndonjë të re në art, letërsi, sport apo arritje të tjera të cilat na pasurojnë duke na dhuruar gjendje të mirë shpirtërore, shpresë dhe pritshmëri se mbase vërtet nesër… “do të bëhet më mirë”.
Ishte emisioni “Mirëmëngjes Shqipëri” në “RTSH” prill 2020, ‘Sirena e vogël’ që ka lexuar 180 libra “, i cili më tërhoqi vëmendjen, teksa e dëgjova dhe pashë që vajza dymbëdhjetë vjeçare nga Tirana, Aleksandra Pano, që ishte e ftuar në këtë emision, jo vetëm që kishte lexuar rreth 180-të libra, dhe fliste me aq pasion dhe kujtesë të detajuar dhe përvetësim të admirueshëm të asaj çfarë kishte lexuar, por ajo tashmë edhe kishte botuar librin e saj të parë, dhe pikërisht një roman të titulluar “ Lili dhe varësja e sirenës”.
Një libër ky, që m`u imponua edhe më shumë, (në kuptim të mirë të fjalës), nga ajo çfarë autoja përçoi gjatë këtij emisioni me çiltërsinë, oratorinë dhe aftësinë e saj, si një vjazë mendje hapur, shëmbull për tu ndjekur nga moshataret e saj, të rinjtë. Unë e mora librin, me dëshirën për t`ia dhuruar mbesës time 13- vjeçare, ndonëse pasi e lexova, nuk mund të mos e dëshiroja për bibliotekën time, por nuk hoqa dorë nga dhurata, duke menduar menjëherë për të marr edhe një tjetër libër si ky, për t`ia dhuruar mbesës, pasi tashmë jam e bindur se do i dhuroj vërtet një dhuratë shumë të çmuar siç është libri, por në veçanti edhe sepse do i dhuroj një libër të realizuar në mënyrë kaq të arrirë nga një moshatraja e saj.
2.
Autoja e romanit me titull: “Lili dhe varësja e sirenës”, Aleksandra Pano, ka lindur më 10 janar 2008, në Tiranë. Ajo është nxënëse në shkollën “Lidhja e Prizrenit”. Pasioni për të shkruar i ka lindur natyrshëm, pasi ajo është një lexuese e zellshme e letërsisë për fëmijë por edhe të rritur, duke filluar kështu me dedikime të bukura dhe të ngrohta në prozë për familjarët e saj, mamin, babin, vëllain e saj të vogël, etj. Ajo tregon gjithashtu, se ka shkruar edhe poezi, duke rimuar dhe vënë në dukje ndjesitë e bukura fëminore, fantazinë dhe shpirtin e pasur prej artistje.
E rritur në një familje artistësh, të cilët kanë ditur ta motivojnë dhe ta ushqejnë me dashurinë për librin dhe botën e mrekullueshme të leximit. Pa harruar shkollën dhe aktivitetet shkollore ku ka gjetur horizontet e dijes dhe shtysen drejt tyre. Në moshë fare të vogël, vetem dhjetë vjeçe, ajo pati frymëzimin dhe dëshirën që të ulet dhe të shkruaj; dhe më e rëndësishmja, të arrijë të fantazojë dhe të formulojë një roman duke renditur ngjarjet në një rrjedhë të kthjellët pa teprica fjalësh, të përmbledhur dhe të pasur njëkohësisht. E më pas të mësonte të shkruante në kompjuter, në `word`, të hidhte dorëshkrimin aty, që dalëngadalë libri të formësohej dhe të arrinte të rrëfente për Aleksandren dhe fantazinë e saj në duart e lexuesve.
Duke arritur kështu hap pas hapi, të botohej në shkurt të vitit 2020-të.
3.
“ Me urdhër të Poseidonit dhe lavdisë së tij, unë, Mbrojtësja e Princeshës Laguna, zotohem se do t`i mund Sirenat e Errësirës.”
Një zotim që bëhet nën një urdhër..!
Po a do mund të zbatohet urdhëri i Poseidonit sunduesit suprem të perandorisë së madhe detare? A do përmbushet zotimi nga Mbrojtësja e Princeshës Laguna? Ku zhvillohen ngjarjet? Kur? Kush janë personazhet kryesore? Kush është Lili? Ç`është kjo hajmali magjike…?
Ngjarjet zhvillohen në stinën e pranverës, në bregdetin e Sarandës. Aty personazhet (disa prej tyre) shkojnë kur kanë kohë pasi ata janë edhe në shkollë … Personazhet kryesore janë Lili dhe miqtë e saj Roksi, Moni, Oskari dhe Xhoi, të cilët janë adoleshent rreth moshës 15-vjeçare, si dhe plot personazhe pozitive dhe negative nga mitologjia e lashtë, të cilët akoma vazhdojnë misteret dhe fuqitë e tyre prej zotash…
Lili dhe miqtë e saj, një ditë krejt papritur gjetën në bregdet një varëse në dukje e zakonshme, por që rezultoi të ishte një hajmali misterioze dhe me aftësi magjike…
Autorja me penën e saj fëminore , ka kombinuar bukur kohën e hershme me të tashmën, vendet e lashta ku ekzistojnë ende edhe sot, duke mbartur histori botërore të përmendura edhe nga klasikët, elementet mitik të veshur me fuqitë të mbinatyrshme… kalon nga pergameni tek portali kompjuterik, hidhet më pas nga drejtoresha e shkollës, tek Troni, ndjellësi i së keqës, i lëvizë personazhet me makinën e kohës, ku për 30` i kthen pas 300-vjet në kohë , dhe të nesërmen përsëri i dërgon në shkollë, si njerëz të zakonshem. Sjell personazhe si Poseidoin, Princesh Laguna, që djemt u mrekulluan sa e panë, ndërsa vajazat u xhelozuan disi… Postierin e Heshtur që ishte në anën e sirenave të errësirës dhe që sillte lajme aq të këqija, saqë dhe korbat e mbyllnin sqepin nga frika… Sfinksi, gurët magjikë dhe vendet ku ata ndodhen, betejat dhe strategjitë e shumta nënujore e tokësore… etj.
Fiksion, aventurë dhe fantazi të ndërtuara në mënyrë mjaft tërheqës.
4.
Romani ” Lili dhe varësja e sirenës”, shtrihet në 64-faqe, të ndara në 28-të kapituj. Një libër i vogël, por që kapërcen kopërtinen e tij. Më befasoj kur e lexova, aq sa harrova për një moment që po lexoja një autore aq të vogël, teksa humbisja në kompaktësinë e ngjarjeve. Duke sjellë kështu një libër interesant dhe me vlera, si rezultat i talentin dhe njohurive të akumuluara nga lexueshmëria e admirueshme për moshën e saj, ku librat e lexuar gjer më tani kalojnë mbi 180-të.
Ngjarjet nuk ishte e nevoshme që t`i shtjelloja shumë, pasi autorja e ka sjellur librin vërtet mjaftë të qartë për fëmijët. Thjeshtë një këshillë për lexuesit e vegjël, por edhe për prinderit që do i shoqërojnë gjatë leximit – që kryesisht emrat e miteve, të mos i kalojnë thjeshtë si emra, si personazhe pozitiv apo negativ, por të rikujtojnë apo të lexojnë pak rreth tyre, pas ato nuk janë thjeshtë emra, por mbartin histori në vetvete, të ndërlidhur ndermjet tyre si heret në kohën klasike edhe tani në kohën e romanit të Aleksandres.
Rishikim i një libri, zakonisht përfundon duke dhënë rekomandime, sugjerime dhe shtysë lexuesve për ta lexuar librin, por me besoni , nuk do e beja një gjë të tillë nëse vërtet nuk do vëreja aftësitë e zhvilluara në të shkruar dhe të shprehur të autorës dhe lartësinë e romanit të saj.
Në këtë roman unë arrij të shoh shkëndijat e një shkrimtarje të madhe në të ardhmen, si një vlerë e shtuar që tani në letërsinë shqipe.
Ju ftoj të gjithëve ta bëni pjesë të bibliotekës tuaj këtë libër të realizuar me kaq botë dhe fantazi nga autorja e vogël Aleksandra Pano, në veçanti t`ua dhuroni fëmijëve si një dhuratë vërtet të çmuar.
“Ka shumë mënyra të vogla për të zgjeruar botën tënde.
Dashuria për librat është më e mira nga të gjitha. ” ~ Jacqueline Kennedy
Urime dhe suksese Aleksanda!
– Ishte kënaqësi për mua të shkruaja rreth librit tënd të parë, e bindur që do të keni vazhdimësinë e krijimtarisë së begatë dhe penës së ndritur.
Tiranë
10 Janar 2021