Skënderbeu ka shkruar historinë e futbollit shqiptar, teksa ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League, pas fitores 2-0 në “Elbasan Arena” ndaj Milsamit.
Kjo është hera e parë që një skuadër shqiptare arrin kaq shumë në kompeticionet europiane. Por nuk mbaron me kaq. Skënderbeu ka shansin ta thellojë rekordin, në rast se kalon play-offin e Ligës së Kampionëve.
Korçarët mposhtën mbrëmjen e sotme Milsamin e Moldavisë me rezultatin 2-0. Javën që shkoi, Skënderbeu e mposhti Milsamin me të njëjtin rezultat në Moldavi.
Ndeshjet mes të dyja skuadrave ishin të vlefshme për turin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Por rregullorja e UEFA-s e thotë qartë se skuadrat që arrijnë play-offin në Ligën e Kampionëve, por nuk mundin ta kalojnë atë fazë, shkojnë automatikisht në fazën e grupeve të Europa League.
Kështu, Skënderbeu është kualifikuar në play-offin e Ligës së Kampionëve, ku do të presë njohjen e kundërshtarit të ri. Ishte një atmosferë e mrekullueshme sot në “Elbasan Arena”, ku korçarët fituan me golat e Salihit dhe Prognit.
Pjesa e parë
Skënderbeu, edhe pse fitoi ndeshjen e parë në Moldavi 2-0, e nisi ndeshjen e kthimit si të ishte e para. Korçarët e Josës u hodhën menjëherë në sulm dhe pas shumë tentativash, në minutën 17’, Hamdi Salihi shënoi golin e parë të takimit dhe të pestin në Ligën e Kampionëve.
Ish-sulmuesi i kuqezinjve përfitoi nga një grushtim jo i mirë i portierit moldav dhe goditi me kokë topin që mbeti në ajër duke shënuar lehtësisht.
Nga ana tjetër, që nga minuta 14’, moldavët ishin me një lojtar më pak, pas daljes me kartonin e kuq të Andronic. Ky i fundit ndërhyri ashpër ndaj Eskardinjës.
Ky i fundit ndërhyri ashpër ndaj Eskardinjës. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra 1-0 për Skënderbeun, me golin e Hamdi Salihit.
Pjesa e dytë
Pjesa e dytë nisi sërish me të njëjtat ritme. Për pak minuta, ekipi moldav rrezikoi disa herë portën e Shehit, por ai ishte mjaft i saktë.
Më pas, pas disa sulmesh, Progni merr një top fantastik në krahun e djathtë të zonës moldave dhe i vetëm me portierin kundërshtar arrin të shënojë, duke dyfishuar shifrat.
Skënderbeu e kërkoi më pas edhe golin e tretë, por nuk e gjeti. Berisha ishte lojtari që ngulmoi më shumë për golin e tretë por nuk pati fat.
I gjithë stadiumi u ngrit në këmbë kur Salihi la lojën dhe kur në vendin e tij hyri Hristov. Sulmuesi shkdoran u duartrokit nga tifozeria për 5 golat e shënuar në Ligën e Kampionëve.
Kështu, Skënderbeu arriti të bënte historinë, atë histori që e nisi 5 vjet më parë.
Komentet