Skënder Tena është skulptori i parë i Vlorës. Në vitet 1960, kur u shfaq ai, nuk ka pasur të tjerë. Më vonë u formuan dhe zhvilluan talentin e tyre skulptorë si Zeqir Alizoti, Ilia Doko, Bujar Elmazi etj. Skulptori Skënder Tena ka një veprimtari të bollshme me nivel të lartë etiko – artistik. Në vitin 1982 është vlerësuar me çmim të parë nga Galeria e Arteve dhe Seksioni i Kulturës, Vlorë për veprën me titull “Kur zbrite nga Drashovica” – kompozim në skulpturë. Ka 50 punë të ekspozuara në Vlorë, në Tiranë, Lushnjë, Sarandë. Në studion e tij ka shumë vepra të paekspozuara. Një të pestën e punimeve i ka në Itali, Greqi e Amerikë. Ai ka kryer studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë gjatë viteve 1956 – 1960 dhe Akademinë e Arteve të Bukura nga viti 1970 – 1974. Krijimtaria e tij artistike, që ka filluar gjatë viteve 1960, i ka kaluar krenarisht me artin e vet 56 vite pune intensive dhe produktive të dobishme. Ajo vazhdon të jetë po aq e gjallë dhe e freskët edhe sot, pa përfillur peshën e 82 viteve mbi supe. Tena ka qenë pjesëmarrës në të gjitha konkurset artistike lokale dhe kombëtare, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, qysh nga viti 1972. Veprat e tij shquhen për mjeshtëri artistike dhe shumë prej tyre janë të vendosura nëpër galeri, në vendngjarje historike, në parqe, lulishte, shkolla, biblioteka, qendra biznesi etj. Në veprat e tij rreshtohen heronj, dëshmorë dhe personalitete të historisë sonë kombëtare e arsimit shqiptar. Skulptori Skënder Tena ka punuar edhe jashtë Shqipërisë, në SHBA, Greqi dhe Itali, duke lënë atje gjurmët e artit të tij në vepra me mermer të pranueshme për nivelin e kënaqshëm artistik. Skulptori i Popullit Skënder Kamberi ka vlerësim pozitiv për veprën skulpturore të adashit me banim në Vlorë. Ja si shprehet “Mjeshtri i Madh”: “Skënder Tena është pjesa elitare e skulpturës në Vlorë, bashkë me Zeqir Alizotin (se s’ka shumë të tjerë cilësorë Vlora. Tena matet me skulptorët e mirë në Tiranë, që janë me masë, se, kuptohet, kryeqyteti i mbledh më cilësorët. Skënder Tena është ngulmues, i dalluar e serioz në punën e tij krijuese të lavdëruar”. Skulptura e tij dallon se, nuk është thjesht arti i krijimit të statujave, busteve e veprave të tjera artistike me vëllim, duke i gdhendur në mermer, gur, dru, në metal, etj., ose duke i mbrujtur me një lëndë, por është së pari shpirti i artistit i derdhur me ndjenjë dhe dashuri për punën e tij fisnike. Një shërbim i duhur (dhe i vonuar) ndaj 56 viteve shërbim që skulptori dhe mësuesi i ka bërë Vlorës, një vlerësim i thjeshtë qytetar, (i merituar me kohë), është ky që i bëjmë atij burri të fuqishëm e të paulur të artit në Vlorë, përfillje e respekt, të cilin, i emocionuar, vetë Skënder Tena e quan gur nderi të krijimtarisë dhe dinjitetit të tij krijues.
Disa nga punët krijuese të ekspozuara të skulptorit Skënder Tena në skulpturë janë:
- “Mësuesi i Popullit Jani Minga”, Qyteza “Studenti”, Vlorë, (ish-shkolla Pedagogjike), 1962;
- “Heronjtë e Luftës së Vlorës Kanan Maze e Zigur Lelo”, Muzeu i Kotës, Vlorë, 1970;
- “Djemtë e Revolucionit”, basoreliev, Shkolla Tregtare, Vlorë, 1975;
- “Heroi i Popullit Bajram Curri”, projekt, 1975;
- “Heroina e Popullit Zonja Çurre”, Muzeu i Tragjasit, Vlorë, 1976;
- “Vjelja e misrit”, Novoselë, Vlorë, 1977;
- “Agronomet e grurit”, Novoselë, 1977;
- “Lahutari malësor”, Galeria e Arteve, Vlorë, 1978;
- “Puthja e Flamurit Kombëtar, 1912: Isa Boletini, Ismail Qemali”, Ekspozita Kombëtare, Tiranë, (Galeria e Arteve, Vlorë), 1978;
- “Nëna labe”, Galeria e Arteve, Vlorë, 1979;
- “Kur zbrite nga Drashovica, Heroi i Popullit Selam Musai”, Galeria Vlorë, 1986;
- “Punime në mermer”, Itali, 1994;
- “Shatërvan në mermer”, Itali, 1995;
- “Spiralet-dekorative”, Biznes, Vlorë, 1998;
- “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 1998;
- “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 1998;
- “Ismail Qemali”, Bashkia Vlorë, 1999;
- “Shatërvani Gjimnazistja”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 1999;
- “Shatërvan Velat”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 1999;
- “Skënderbeu”, në studion e autorit, 2000;
- “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 2000;
- “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 2001;
- “Mësuesi i Popullit Trifon Prifti”, Shkolla 9 vjeçare Akërni-Aliban, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2001;
- “Pulëbardhat”, shatërvan dekorativ, Sarandë, 2001;
- “Pulëbardhat”, Hotel “Butrinti”, Sarandë, 2001;
- “Dritëro Agolli”, në studion e shkrimtarit të madh, 2001;
- “Tek burimi”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 2002;
- “Dëshmori Pilo Prifti”, Shkolla e Mesme e Myzeqesë së Vogël, Novoselë, 2002;
- “Shevqet Musaraj”, Biblioteka e qytetit, Vlorë, 2003;
- “Dëshmori”, Shkolla 9 vjeçare Dëllënjë, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
- “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
- “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
- “Dëshmori Uani Sota”, Shkolla 9 vjeçare Delisuf, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
- “Reliev”, Biznes, Vlorë, 2003;
- “Dashuri prindërore”, kompozim, Vlorë, 2003;
- “Baritore Shatërvan”, Tragjas, Vlorë, 2004;
- “Baritore”, Qendër Tragjas, Vlorë, 2004;
- “Nderim të rënëve policë”, Komisariati i Vlorës, 2004;
- “Peizazh”, Amerikë, 2004;
- “Vaçe Zela”, Muzeu i Lushnjës, 2004;
- “Mësuesi i Popullit Jani Minga”, Gjimnazi “Jani Minga”, Vlorë, 2006;
- “Rexhep Qosja”, Vlorë, 2006;
- “Ismail Kadare”, Vlorë, 2007;
- “Dritëro Agolli”, Vlorë, 2009;
- “Al Bano”, në studion e këngëtarit, Itali, 2009;
- “Al Bano”, klubi “AL Bano & Romina”, Vlorë, 2009;
- “David H. Sachs, shkencëtari amerikan”, Boston, 2014;
- “Formë dekorative”, projekt për Vlorën, 2015.
- “Ismail Qemali”, në proces në studion e tij, si dhe një kompozim për Luftën e Vlorës, 1920 (2016). Autori ruan me fanatizëm në studion e tij edhe në punim të vjetër, “Enver Hoxha, 1965; “Është vepër arti imja, si gjithë të tjerat, kam goxha nga mundi im artistik të kohës” – shprehet Tena.
Për më tepër, në intervistën e tij do të kemi fakte, ngjarje, të dhëna e të thëna të panjohura për lexuesin e gazetës sonë dhe publikun artdashës
Pyetje: – Zotni Tena, ju jeni një emër i dëgjuar në botën kulturore – artistike të qytetit dhe më gjerë. Ju lutem, dy fjalë telegrafisht për lexuesin e mbi jetën tuaj në gjininë e skulpturës, se ne, kështu e kemi, po s’të mësuam pak biografi, nuk na zë fjala për më tutje …
Përgjigje: (qesh) – Ashtu është vërtetë, ua kam mësuar natyrën vlonjatëve, u plaka në Vlorë ndaj pa humbur kohë po ta rrëfej jetëshkrimin tim apo C.V-inë, si i thoni sot. Unë, Skënder Tena kam lindur në qytetin bregdetar të Sarandës më 10 Qershor 1935, nga prindër të thjeshtë e të ndershëm, të lidhur me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Babai im Malo Teno dhe nëna Shaniko bënë 6 fëmijë: 3 djem e 3 vajza. Arsimin 7 vjeçar e kreva në vendlindje në vitet 1950 – 1954. Pastaj më thirrën për ushtar, 3 vjet, se në atë kohë funksiononte shërbimi i detyrueshëm ushtarak për çdo mashkull të aftë shëndetësisht. Ushtrinë e bëra në Tiranë, në repartin e MKK (Mbrojtjes Kundër Kimike). E kujtoj dhe s’e harroj kohën me uniformën e blertë, se pikërisht në kohën e shërbimit ushtarak, nevojat e punës me emulacionin, kërkuan të dilnin në evidencë dhe aftësitë e mia, fillimisht si dizenjator i repartit. Kjo periudhë përbën trampolinën e talentit tim, që po merrte hov. Dhe me artin s’u ndava më dhe nuk ndahem tërë jetën. Në vitin 1960, sa mbarova Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë (themeluar në vitin 1946), emërohem mësues në Shkollën e Mesme Pedagogjike Jani Minga”, Vlorë. 7 vjet punova atje, se paskëtaj shkolla u mbyll dhe unë kalova në Shkollën 8 vjeçare “8 Nëntori” (sot “Rilindja”), e cila sapo qe çelur (1967). Bëra një vit aty e nga 1968-’69 – a më transferojnë në Sevaster. Pas Sevasterit shkoj për plotësimin e arsimit tim në ILA (Instituti i Lartë i Arteve, sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Pas përfundimit të studimeve të larta, në vitin 1975 deri sa dola në pension në vitin 1990 punova në shkollën “Lef Sallata” të qytetit. Aktiviteti im artistik s’u ndërpre asnjëherë.
Pyetje: – Vërejmë se përveç talentit të spikatur, ju punoni me dashuri të veçantë, të ndjeshme, por të padukshme. Kush ta futi dashurinë për skulpturën? Ku është burimi i kësaj prirjeje tuaj të brendshme? Prindërit? Vendlindja?
Përgjigje: – Dashuria për artin është e lindur tek unë, e pandikuar nga askush. Thjesht, ka qenë intuita ime. Nuk më ka ardhur nga prindërit pasioni, se, siç të thashë, njerëz të thjeshtë i kam patur. Ka lindur vetvetiu, ka ardhur vetë pra, por patjetër edhe qyteti im i lindjes, si kartolinë e bukur, i ka lënë gjurmët e veta në qenien time si krijues. Kam rendur shumë pas formave të bukura të njerëzve. Saranda më ka frymëzuar si vend i veçantë, se shohim me sytë e shpirtit të bukurën në këtë qytet simpatik, që të rrit bagazhin e vlerave, që duhet të bëjë të vetat njeriu. Saranda më ka bërë mirë si mjedis në formimin tim artistik, ambjenti shoqëror po ashtu, natyra pa diskutim. Në Sarandë kam një formë dekorative të ekspozuar te hotel ‘Butrinti’, titulluar “Valët dhe pulëbardha” (viti 2001). Ka dalur dhe si kartolinë dhe është pëlqyer shumë nga specialistët dhe turistët. E kanë pëlqyer shumë edhe Muntaz Dhrami e skulptorët e piktorët tanë më të shquar që e kanë parë dhe vlerësuar. Kur u përurua mjedisi i dekoruar, në vitin 2001, vetë Dhrami është shprehur: “Punimet e karakterit dekrativ, ti Skënder i ke të shkëlqyera. Të përgëzoj!” Qysh i ri më kanë pëlqyer shumë fotografitë dhe vizatoja me qejf portretet e njerëzve të njohur, Enver Hoxhën, Marksin, Stalinin, Qemal Stafën etj. Edhe sot, e bëj me kënaqësi këtë punë.
Pyetje: – Kush të çoi në Lice?
Përgjigje: – Në Lice më ka çuar këmbëngulja ime, kërkesa që i bëra ministrit të Kulturës së asaj kohe (Ramiz Alia qe) e gushtit 1956, kur shërbeja në repartin ushtarak të Kimisë në Tiranë. Më ishte tiposur në kokë, që se s’bën unë të vazhdoja studimet për artet figurative. Pasi paraqitem në Ministrinë e Arsimit (sepse më kërkuan menjëherë, edhe pse isha ushtar), takohem me sekretarin e ministrit, të urtin Ruhi Bashari. E mbaj mend dhe sot atë mirëpritje aq të ngrohtë të atij njeriu babaxhan, i cili, në sy tim, mori në telefon Sarandën (seksionin përkatës në komitetin ekzekutiv) dhe e urdhëroi të përgatiste dhe t’i niste Tiranës dokumentet e mia. Saranda më ndihmoi dhe u jam shumë mirënjohës atyre njerëzve dashamirës, që qofshin të kujtuar për mirësitë korrekte të tyre ndaj meje (se jeta bën të vetën, po iki unë tani …)
Pyetje: – E mbani mend kur e keni krijuar skulpturën e parë? Ç’ mbresa ka lënë në kujtesën tuaj artistike?
Përgjigje: – Po, si s’e mbaj mend, ore?! Ka qenë viti 1962, kur unë realizova skulpturën e parë, Mësuesin e Popullit Jani Minga, në gips (allçi). Isha mësues vizatimi dhe bukurshkrimi në pedagogjike. Me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë busti u vendos më mjediset e ish – Shkollës së Mesme Pegagogjike, që qe krijuar në vitin 1955, nga dyert e së cilës dilnin mësues nga të gjitha rrethet, që nga Rrogozhina, Përmeti e në Konispol. (Më vitin 1967 shkolla u tjetërsua, se në ato godina u transferua Shkolla e Mesme Mjekësore e Tiranës “Jani Minga”, që pastaj u bë aq e njohur në rang Republike për kohën. Më vitin 1994, ato mjedise u shfrytëzuan për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, për Fakultetin e Infermierisë dhe atë të Edukimit, për mësim dhe strehim të studentëve. Busti i Jani Mingës që krijova unë, i rezistoi kohërave dhe sot e kësaj dite është atje, në sheshin e qytezës “Studenti”, Vlorë). E kujtoj me emocion punën time të parë, se e inaguroi vetë ish – Ministri i Arsimit, Thoma Deliana, një burrë i ditur, i drejtë, i kulturuar, aq sa i dashur e i thjeshtë, aq dhe autoritar. Shoqërohej nga korifejtë e fushës sonë Kristaq Rama, Andrea Mano e Nexhmedin Zajmi. Mori pjesë gjithë stafi pedagogjik i shkollës dhe drejtori i saj aq korrekt e vizionar Harilla Kuçuli, që u jam mirënjohës gjithë jetën për përkrahjen dhe ndihmën që më dhanë, aq të çmuar për mua në atë kohë. E si mund ta harroj atë ditë aq të madhe për mua, kur krijimi dhe respekti më morën në krahët e fluturimit…
Pyetje: – Ku mund t’i gjejmë disa nga gjurmët tuaja krijuese të asaj kohe?
Përgjigje: – Në Lice kam punuar Maksim Gorkin, gdhendje në dru, gjendet në fondin e Liceut. Edhe në ILA ka disa vepra të mia. Për shembull, në fondin e shkollës është një portret vajze, një portret minatori. Kur isha student i vitit të dytë në ILA, kam realizuar portretin e Naimit, reliev në gips; gjendet në Muzeun e Vëllezërve Frashëri. Në Lushnjë, relievin e varrezave të dëshmorëve të Lushnjës e kam realizuar në vitin 1972, me porosi nga ish – Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Lushnjës (se ashtu funksiononte atëherë). Në se ke parasysh filmin “Udhëtim në pranverë”, ky reliev del te pasazhet me këngëtaren e njohur dhe aq të ëmbël Liliana Kondakçiu. Në Muzeun e Tropojës kam një portret dëshmori, bërë në vitin 1974. Pata dhe një reliev të madh me disa plane, me pamje luftërash midis palëve osmanë – shqiptarë dhe nazistë e partizanë, një nënë etj. E punova me shumë dashuri dhe talent profesional, por nuk u vendos. Më lindën kontradikta me kryesinë e LSHA – së. Qe planifikuar ta bënte një emër i madh (K. Rama), po ta lëmë këtë bisedë … (rrudhet në fytyrë dhe, me gjithë këmbënguljen time, nuk do ta vijojë).
Pyetje: – Në çfarë gjinish janë punët e tua, Skënder? Kam dëgjuar që lëvron dhe pikturën, ë?
Përgjigje: (qesh) – Skulptura, skulptura është fusha ime e krijimtarisë. Punoj në bronx, në çimento, në dru dhe mermer. Piktura…Në fakt është e panjohur piktura ime. Ti nga e di? Në fakt, nuk e kam ekspozuar sa duhet, kam punuar pothuaj për kënaqësinë time. Kam qenë shumë i pasionuar ndaj peizazhit, kompozimit, portretit. Sinqerisht, i bëj me shumë dëshirë e shumë fuqi profesionale. Sikurse dhe krijues të tjerë, xhanëm. Pikturoj për qejfin tim. Në arkivin personal kam plot, u kam dhënë miqve, po ashtu. Më vitin 2003, kur kryetar Bashkie qe dr. Niko Veizi, hodhi idenë për një ekspozitë të zgjedhur me rastin e festave të Nëntorit, në Muzeun Historik të Vlorës. Unë u paraqita me kompozimin “Dashuri prindërore”. Atje është kompozimi im. E falënderoj atë ish-drejtues human dhe dashamirës me artistët. (As kam interes tek ai, as ai tek unë)
Pyetje: – Cili është stili yt krijues, Skënder, dallues nga të tjerët?
Përgjigje: – Forma artistike, si tipari im dallues në krijimtari, konsiston në trajtën interpretuese dhe jo në fotografimin e objektit, në forcën ekspresive, në gjendjen psikologjike jetësore e figurative. Për mua, forma ekspresive që vesh figurën artistike është tipari kryesor në një vepër arti të skulpturës. Këto kam dashur të theksoj dhe t’i jap veprës artistike në vitet 1960-2016, formën e materialit të fortë, gurit, që është një lëndë minerale e fortë dhe e patretshme në
ujë, por do punuar me kujdes se është e thyeshme. E kështu, do të vazhdoj të punoj. Sa të jem. Ndonëse u mbyllën 56 vjet, Skënder Tena rri pranë skulpturës. Kam plan e kam në dorë të ndërtoj e të gdhend në gips figurën ëngjëllore të Shenjtores Nënë Tereza.
Pyetje: – Kush është familjari Skënder Tena?
Përgjigje: – Familja për mua ka qenë domosdoshmëria dhe korrektësia e jetës njerëzore në çift. Për të pasur një familje të sinqertë dhe të shëndetshme duhet dashuri, besim dhe korrektësi. Por, martesa e parë, që u bë në vitin 1964, nuk funksionoi … Kam dy fëmijë me gruan e parë, një vajzë e një djalë. Vajza quhet Miranda Tena, ka mbaruar për merceologji, jeton e punon në Greqi. Djali, Adrian Tena ka mbaruar shkollën e mesme të pikturës dhe institutin e lartë, ushtron pikturën, jeton në Tiranë me familje e fëmijë. Familjen e dytë e kam krijuar më vitin 1977. Kjo është bashkëshortja ime e dashur, Vera nga Krutja e Lushnjes. Është jo thjesht krahu i djathtë, por gjithshka për mua. Me profesion mësuese, ka dhënë mësim në Ciklin e Ulët për pedagogji dhe ka punuar në administratë (me ardhjen e Demokracisë qe në Panaja, ku dhe doli në pension në vitin 2004). Kemi dy vajza: Arsedën, lindur në vitin 1982 dhe Aidën, lindur më 1984. Ikën të dyja me viza studenti në SHBA. Arseda ka qenë alidemiste, vazhdon Harvardin, specializim doktorature për punë kërkimore – shkencore në degët farmaceutike dhe ka marrë e merr pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të fushës në Australi, Japoni, Itali etj., ku dhe është vlerësuar me çmime. Aida përfundoi studimet në Universitetin tuaj (“Ismail Qemali”, Vlorë), mbaroi masterin në një universitet të Bostonit, ku dhe ka krijuar familjen e saj. Na ka bërë dhe një çupë si gonxhe, Meriana quhet. Ida punon në një kompani financiere në Dallas … Shkojmë e vijmë me fëmijët. Edhe në Amerikë. Vijnë ato më shpesh. Ne – më rrallë. Ndihemi krenarë e të lumtur për to, por nuk është për ne Amerika… (Ndërhyn Vera: “Këto arritje të tyre janë edhe falë kërkesave të forta për fëmijët: i rreptë, me kërkesë llogarie dhe po aq i dashur. Respektimi i këtyre normave të edukimit e kanë bërë me dinjitet në familje e shoqëri Skënderin”).
Pyetje: – Kam një pyetje shumë delikate. Skënder, të shikoj në sy dhe e dua përgjigjen profesionalisht të vërtetë dhe do ta krahasoj a është në funksion të shijeve artistike dhe estetike të qytetarëve tanë: Ç’mendim keni për trinomin skulpturor të Skelës (dy punimet për Ismail Qemalin dhe një për Isa Boletinit)?
Përgjigje: (qesh hidhur dhe më sheh në sy) – Busti i Ismail Qemalit para korpusit qendror të Universitetit tuaj është i paarrirë artistikisht. Edhe si karakter. Monumenti “Ismail Qemali” para sheshit është me dobësi në lidhje me formën, s’ka gjetjen e duhur artistike. Është shumë e copëtuar si vepër. Në skulpturë, Plaku i Flamurit pallkon e mban në dorë. E pajustifikueshme kjo. Jo e gjetur si duhet zgjidhja kompozicionale. Po kështu nga karakteri i ngjashmërive. As “Leninit në Tetor” nuk i ngjan. Muntaz Dhrami ka ngelur i pakënaqur me këtë punim, duke u shprehur negativisht për realizimin. Isa Boletini?! Obobo, as që shihet me sy. Me dobësi të theksuar të anatomisë artistike, të formës artistike, të karakterit dhe të momentit emocional, të frymës së tij të brendshme, e cila mungon tërësisht. Nuk del fryma artistike, trimi, heroi, legjendari i Pavarësisë. Mungon karakteri i malësorit trim. Or mik! E thotë bukur kënga, historia, poezia portretin e Isa Boletinit. Atë skulpturë, më mirë të mos e kishin bërë fare, se u bë aq keq. S’kishte nevojë kush për atë bust të dobët, as Ismail Qemali, as Vlora, as Kosova, as Shqipëria. Më vjen keq miku im, paska shumë egoizëm të vogël në art. Me hatëre, me qoka e servilizma s’bëhet kurrë art!
Skuptori i njohur Skënder Tena, që sot pleqëron veprimtarisht pa u ulur, që gëzoi të tjerët, do të ndjente kënaqësi të vlerësohej me një respekt moral. Aq më tepër në këtë moshë. Nuk ka të drejtë të gëzojë ai? Kur jo pak të tjerë, dhe me shumë më pak vlera, kanë marrë dekorata në katror dhe në kub…Veçse, Skënderi kurrë nuk ka kërkuar vlerësim, se se ka patur dhe nuk e ka qejf t’u qepet dekoratëdhënësve për të marrë një medalje (patjetër me kohë të merituar). Përveç atij çmimit lokal për 70 vjetorin e Pavarësisë, as nga arsimi nuk është vlerësuar dhe nga njerëzit kompetentë të artit në hije ka mbetur. Artistët e vërtetë kanë nevojë për dinjitet, jo për dekorata.
*) autori i kësaj interviste është dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Profesor Skenderi ka qene figure fare kur bertiste ishte njesh respekt ka qene I talentuar