Skënder Halili, edhe sot njeri nga qëndërmbrojtësit më në zë të futbollin shqiptar, Eduard Strecovi, ndër qendërsulmuesit më të mëdhenj, jo vetëm të futbollin sovjetik, por edhe botëror. Por të dy në periudhe të ndryshme kanë pasur të njejtin fat tragjik. Të dy janë shkëptutur mizorisht nga futbolli, të dy janë dergjur burgjeve komuniste. Dënimet e këtyre futbolistëve të mëdhenj janë bërë në mënyrën më djallëzore. Dhe ja se si:
DËNIMI I SKËNDER HALILIT
Ishin ditët e para të shtatorit të viti 1966. Bardheblutë ndienin ende të freskët erëmimin e fitores për të dytën herë radhazi të kampionatit të futbollit. Madje, këtë radhë drejtpërdrejt në dyluftim me “Partizanin”. Pasi të dyja skuadrat e kishin mbaruar kampionatin me pikë të barabarta, 38 secila, për të përcaktuar skuadrën kampione, duhej të zhvillohej një ndeshje e
tretë. Dhe atë e fitoi “17 Nëntori”, 2 − 1. Dy golave, së pari të Kazanxhiut dhe pastaj të Ishkës në pjesën e dytë, iu përgjigj Jashari i ”Partizanit”, me të ashtuquajturin gol të “ngushëllimit”. Dhe befas si rrufenë qiell të kthjelltë, u përhap lajmi se Skënder Halilin, qendërmbrojtësin shembullor të tiranasve, e kishin ndalur dhe e kishin burgosur. Kur kampionët po bëheshin gati të udhëtonin për në Norvegji, ku do të zhvillonin ndeshjen e parë për Kupën e Kampionëve,
sepse i kishin gjetur një shumë të vogël dollarësh amerikanë të cilësuara “kontrabandë”. Siç kam shkruar më parë, më 1958 po kështu ishte burgosur edhe futbollisti i madh sovjetik, Eduard Strelcov. Dhe ishte dënuar me 12 vjet burgim. Mirëpo Strelcovi më 1965 u lirua nga burgu dhe nisi të luante me “Torpedon”, atë që fitoi edhe kampionatin. Luajti dhe me përfaqësuesen. Ndërkohë, kjo nuk ndodhi me Qemal Voglin, edhe ai i liruar nga burgu. Ky fat
do ta priste më pas edhe Halilin?
Po përpiqem të rrëfej më poshtë dramën e këtyre dy futbollistëve.
EDUARD STRELCOVI
Skënder Halili dhe Enver Shehu, (1959).
Që në moshën 16-vjeçare nis e luan me “Torpedon”, skuadër e Fabrikës së Prodhimit të Automjeteve “Lihaçov” në Moskë. Një vit më pas, në vitin 1954, bën pjesë në përfaqësuesen sovjetike, më 1955 në dy ndeshje, qendërsulmues i saj, shënon nga tre gola; në moshën 18-vjeçare është bombardieri më i mirë i kampionatit sovjetik, më 1956, 19-vjeçar, kampion me skuadrën sovjetike të futbollit në Lojërat Olimpike të Melbërnit. Është mbiquajtur “strelec”, (në rusishte, shenjëtar), në ngjashmëri me mbiemrin e tij “Strelcov”.
Vjen kështu viti 1958, viti i botërorit të futbollit, që zhvillohet në Suedi, ku bën pjesë dhe përfaqësuesja sovjetike. Ajo do të zbresë për të parën herë në skenat e shfaqjeve të një teatri të tillë të rruzullit tonë tokësor. Dhe jo si hirushe e ndrojtur para mijëra shikuesve, por edhe para qindra e qindra milionave të tjerëve, që ulen përballë ekraneve të televizorëve, për të parë yjet e futbollit botëror. Për të parë ndër ta edhe 17-vjeçarin brazilian, Pele, dhe në skuadrën sovjetike, për të parë, veç Jashinit, i cili që aso kohe,
si portier, numërohej në botë me gishtat dorës, edhe Eduard Strelcovin, që, po të luante në Suedi, do të mbiquhej “Peleja i bardhë”, sepse e kishin parë ato vite të vezullonte edhe në stadiumet e vendeve të tjera perëndimore. Mirëpo “Pelenë e zi” e panë në Botërorin 58, por jo “ të bardhin”.
Siç e kam përmendur, atëherë edhe unë i ri, 20 vjeç djalë, mbeta i shtangur kur në numrin më të freskët të “Sovjetskij Sportit” të datës 28 maj lexova se një ditë më parë Strelcovi ishte arrestuar me akuzën e “ përdhunimit të një vajze”. Dhe së bashku me lojtarë të tjerë të kombëtares sovjetike, Boris Tatushinin dhe Mihail Ogonjkovin. Tamam disa ditë para se në Suedi të fillonte Botërori 1958.
Çështja “Strelcov” përmbante “shumë elemente kundërtore dhe, mbi të gjitha, kishte një numër dëshmish akuzuese të pamjaftueshme për të fajësuar këtë figurë kaq të zëshëm në botën sportive. Mirëpo akuzat u mbështetën nga lart”. (Citohet sipas burimeve të internetit në zërin”Eduard Strelcov”, në gjuhën ruse).
Përse këto akuza të pamjaftueshme “mbështeteshin nga lart”, dhe sollën burgimin dhe dënimin e pamëshirshëm ndaj këtij futbollisti, i cilësuar madje sulmuesi më i mirë në historinë e futbollit sovjetik? Mos ndoshta se kishte kryer “veprimtari subversive” në dëm të shtetit sovjetik? Mos ndoshta se kishte bashkëpunuar me “agjentura të huaja”, dhe, për më keq, se kishte qenë “poliagjent”, ashtu si paranojaku Enver Hoxha akuzoi Mehmet Shehun e zhduku nga faqja e dheut?
Kurrsesi! Po atëherë, ç’kishte ndodhur?
Kam skeduar shumë artikuj studimorë, rreth dënimit të Strelcovit, të cilët janë botuar në vitet ’90 dhe veçanërisht pas viteve 2000 në Rusi, dhe, po në internet, kam parë emisione dhe dokumentarë të përcjellë nga kanale të sotme televizive ruse, ku janë analizuar të gjitha dokumentet e procesit hetimor dhe gjyqësor që ndodhen në dosjen e Strelcovit, si dhe ato që mbeten të pazbuluara deri kohët e fundit.
Të tëra dëshmojnë se ndaj këtij futbollisti të madh u thurën intriga nga më të mbrapshtat dhe më të neveritshmet, me dijeninë dhe miratimin edhe qarqeve të larta qeveritare, madje dhe me dijeninë e vetë Hrushovit, sekretarit të parë të PK të B.S dhe kryeministrit të qeverisë, në mënyrë që këmba e tij të mos shkelte asnjëherë në fushat e stadiumeve sovjetike dhe të botës.( “Si e dënuan Strelcovin”, nga Eduard Maksimovskij, ”Mir Novostei”, 12 qershor 1999, nr. 23, − 24, ”Kush e burgosi “Pelenë rus?”, nga Aleksandër Pilipcuk, ”Novosti”, 7 prill 2010, “Çështja Eduard Strelcov, ose 7 vjet “jashtë loje”, nga Svjetosllav Vasëillik, “Sport Ekspres”, në Ukrainë, 15 nëntor 2011, ”Strelcov − lartësia kritike e fluturimit”, nga Aleksei Rizhkov, “Novaja Gazeta”, 28 maj 2008).
Pra, përse u arrestua dhe u dënua Strelcovi? Sipas artikujve të mësipërm dhe intervistave televizive me personalitete të njohura të futbollit sovjetik të asaj periudhe, del se ishin disa arsye që sollën si pasojë që ndaj këtij futbollisti të madh të merrej një vendim kaq i llahtarshëm.
Arsyeja parë, ideologjike: Strelovi u dënua nga Partia, që të tjerët të dinin se ne, (pra të partisë) “nuk falim askënd, qoftë yll i futbollit”).
Arsyeja e dytë, politike: Qarkulluan zëra se Strelcovi pas përfundimit të Botërorit ’58, kishte ndërmend të mbetej në Suedi. Përse në këtë vend? Sepse që në qershor të vitit 1955 kur gjatë ndeshjes Suedi − Bashkimi Sovjetik, të zhvilluar në Stokholm, Strelcovi kishte qenë autor i tre nga të 6 golat e shënuar në portën kundërshtare, ai kishte lënë përshtypje kaq të thella, sa menjëherë nga klube vendase i ishte bërë propozimi joshëse që të mbetej në Suedi.
Kësaj i trembeshin shumë qeveritarët rusë, po të marrim parasysh se pas Revolucionit hungarez të vitit 1956, të mbytur në gjak nga tanket ruse, ishte arratisur skuadra e famshme “Honved”, me Pushkashin legjendar në krye, dhe për më tepër edhe gjatë turneut të “Torpedos” në Francë, më 1957, atij i ishin bërë propozime të tjera joshëse nga klube franceze.
Arsyeja e tretë, e brendshme: Drejtuesit e “Dinamos” së Moskës, skuadër e Ministrisë së Brendshme dhe CSKMO – së, e Ministrisë së Mbrojtjes, kishin dashur që Strelcovi të linte “Torpedon” dhe të luante më njërin prej këtyre skuadrave. Edhe ata e kishin joshur me të mira materiale. Por ai nuk kishte pranuar.
Arsyeja e katërt − femërore: Hakmarrje e Ekaterina Furcevës, ministre e Kulturës dhe sekretare e KQ të PK të BS, mbi të gjitha dhe mikeshë e ngushtë e Hrushovit, sepse Strelcovi kishte pasur guximin të mos pranonte që të lidhte jetën me të bijën e saj 17-vjeçare, e cila e adhuronte. Veç kësaj, pas një takimi në Kremlin, Strelcovi u ishte shprehur shokëve se ai nuk do të martohej kurrë me një vajzë fytyrë “majmuni’, siç ishte vajza e Furcevës. Njëra, më shumë ose më pak se arsyet e tjera, ose të tëra së bashku mund merren si bazë e dënimit të Strelcovit, ndaj të cilit u thur kurthi i mëposhtëm:
Pas ndeshjes Bashkimi Sovjetik − Poloni, të zhvilluar në stadiumin ”Dinamo” të Moskës, më 24 maj të vitit 1958, futbollistëve të përfaqësueses iu dha një ditë e gjysmë pushim, për t’u paraqitur pastaj në hotelin ku ata do të përfundonin përgatitjet e fundit për Botërorin Suedez.
Të nesërmen, Strelcovi së bashku me shokët e tij, Ogonjkov dhe Tatushin, të dy futbollistë të “Spartakut” të Moskës, u drejtuan me makinë në rrugën “Gorki”, ku i priste piloti ushtarak, Eduard Karahanov, që kishte ardhur me pushime nga Lindja e Largët, dhe dy shoqet e tij, Ina dhe Irina.
Me propozimin që kishte bërë më parë Karahanovi, ata shkuan në vilën e këtij të fundit, që ndodhej në Tishkovë, qytet i vogël pranë Moskës. Me të mbërritur atje, Ina premtoi se do të sillte me vete dhe dy shoqe të tjera, Tamara Timoshukun dhe Marina Lebedjevën. Dhe ashtu u bë. Pastaj ata blenë vodka dhe ushqime të thata, vajtën për t’u larë në bregun e një lumi dhe pasi u argëtuan duke kënduar e luajtur volejboll, rreth orës 21.00 u kthyen në vilë.
Sipas pohimeve të Strelcovit në procesin hetimor “pinë secili më shumë se nga një litër vodkë dhe u dehën tërësisht”. Pastaj, ashtu të dehur, shkuan të flinin nëpër dhoma të vilës. Këtu nis filli i kurthit të ndyrë. Sipas dëshmive të Lebedjevës në hetuesi, (duhet theksuar
se ajo nuk ishte aspak e hijshme), Strelcovi gjatë kohës kur ishin shtrirë për të fjetur, e
kishte përdhunuar. Më pas kur ishte përmendur, ajo kishte ulëritur dhe e llahtarisur, që pa u gdhirë mirë, ishte ngritur dhe kishte shkuar në shtëpinë e saj. Kur e kishte parë të tromaksur, e ëma kishte kuptuar ç’i kishte ndodhur së bijës. (Të tëra këto pohime janë të ruajtura në procesverbalet e hetuesisë).
Edhe tre futbollistët, dhe bashkë me ta edhe piloti Karahanov, u pyetën në hetuesi rreth këtij skandali. Atëherë, nga agjentë të KGB -së Strelcovit iu kërkua të pranonte ç’kishte ndodhur, dhe të nënshkruante formalisht procesverbalet, sepse, ja, pas disa ditësh ai do të lirohej dhe së bashku me përfaqësuesen sovjetike do të nisej për në Suedi. Dhe Strelcovi 21-vjeçar, naiv, pranoi dhe e ra kështu në grackë.
Pastaj gjithë materialet që u grumbulluan nga procesi hetimor, u ndodhën në tryezën e zyrës së Hrushovit. Dhe ky burrë i madh i superfuqisë së dytë në botë, në vend që të ta trajtonte këtë çështje kaq të papritur dhe kaq delikate me gjakftohtësi, urdhëroi: ”Strelcovi të dënohet menjëherë. Dhe jo pak!”
Prokurori i përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik, Rudenko, që ia detyronte këtë post vetë Hrushovit, qepi gojën. Për mungesë provash, Ogonjkovi dhe Tatushini u liruan dhe shkuan të vazhdonin stërvitjet. Strelcovi u mbajt në burg dhe pas procesit gjyqësor u dënua me 12 vjet heqjeje lirie dhe u dërgua për riedukim në kampin e punës në Vjatllag, ndër më të tmerrshmit e kampeve të përqendrimit në B. Sovjetik.
E vërteta e këtij kurthi doli në dritë vetëm pas viteve 2000. I shestuar nga organet qeveritare sovjetike, ai pati për autor pilotin Karahanov. Ishte ai që ia vuri syrin Lebedjvës gjatë mbrëmjes, që bëri seks me të dhe pastaj kur Strelcovi flinte si i vdekur, e mori në krahë këtë vajzë, tashmë të përhumbur, dhe e vuri në shtratin e këtij të fundit. Më pas doli se ai kishte qenë agjent i fshehtë i KGB-së. Gjatë hetimeve doli gjithashtu se njollat e gjakut që u gjetën në çarçafët e shtratit ku flinte Strelcovi me Lebedjevën, ishin të një grupi të njëjtë me grupin e gjakut të Karahanovit, por menjëherë u dha urdhër që kjo pistë të mos ndiqej.
SKËNDER HALILI
Nëse Strelcovin nuk kisha si ta njihja, sepse “Torpedo” e Moskës nuk erdhi në Shqipëri për ndonjë turne, si skuadra tjetër moskovite “Spartak”, në vitet 1946 dhe ’51, Skëndër Halilin e pata njohur jo vetëm në fushat e stadiumeve, por edhe në jetë, si gazetar, radio − komentator sportiv dhe shok, ndonëse jo të afërt. Madje që fëmijë, kur luante futboll së bashku me Panajo Panon dhe kalamaj të tjerë të rrugës ”Fortuzi”. Pastaj në vitet 55 − 56 kur nisi të merrte pjesë dhe me ekipin e të rinjve të “17 Nëntorit” që drejtohej nga Xhavit Demneri, njeri i heshtur që me aq pasion, veç dy të mësipërmve, përgatiti një brez të tërë të rinjsh − Frashërin, Kasmin, Hykën, Elinin, Ishkën, Xhaçkën, Bukovikun, vëllezërit Osman dhe Ali Mema, Bytyçin, Gjokën, Dhalesin e plot të tjerë që luajtën edhe me përfaqësuesen tonë. Halili, ashtu si Strelcovi, pati një ngritje të furishme. Kampion kombëtar me të rinjtë e “17 Nëntorit”, (1956 − 58), kur ishte 18 vjeç, e pastaj ndër futbollistët më të mirë të rritur
të kësaj skuadre më 1958 − 59.
Siç kam vënë në dukje, më 1960, duke qenë gazetar i Radio Tiranës, pata bërë një
intervistë me Lukshinovin, specialist i njohur i futbollit sovjetik, i cili nga mesi i viteve ’50 kishte ndihmuar për ngritjen e futbollit tonë. Kishte pëlqyer që atëherë Halilin dhe Panon. Dhe mrekullohej kur i shihte të luanin tani pas kaq vitesh, i pari tashmë ushtar, në radhët e ““Dinamos” dhe i dyti me “17 Nëntorin”. Dhe këto përshtypje m’i shprehu pastaj me kënaqësi në atë intervistë. (Një vit më pas edhe Panoja do të thirrej ushtar në marinë dhe do të luante me “Partizanin”, që do ta mbërthente përgjithnjë).
Më 1963, ende pa mbaruar shërbimin ushtarak, krerët madhorë të Ministrisë së Brendshme, i kërkojnë Halilit të mos kthehet te “17 Nëntori”, sepse, duke luajtur përsëri me “Dinamon”, kampione e vitit 1960, do t’i krijohen kushte shumë më të mira materiale. (Ashtu si krerët e klubeve të “Dinamos” dhe CSKMO-së së Moskës i bënin të njëjtën kërkesë edhe Strelcovit). Por Halili, si futbollisti sovjetik, nuk pranon. Ai shprehet me këmbëngulje të rikthehet te shokët e tij të “17 Nëntorit, me te cilët është rritur. Ata të Ministrisë së Brendshme nuk kanë nga ia mbajnë. Por nuk ia harrojnë.
Tashmë ”17 Nëntori”, i drejtuar nga Myslym Alla, po shpërthen; jo vetëm matet denjësisht me “Partizanin” dhe “Dinamon”, por edhe i mposht. Ndër heronjtë e skuadrës është dhe Halili, qendërmbrojtës i shquar, më i shquari nga tërë qendërmbrojtësit tanë deri në vitet ‘60 dhe madje edhe sot në radhët e qendërmbrojtësve më të mirë në historinë e futbollit shqiptar.
Ndërkohë, merr pjesë në 40 takime ndërkombëtare dhe 9 takime me përfaqësuesen e Shqipërisë për turnetë përcilësuese të Euro ’64-ës dhe Botërorit ’66. Gjithnjë i shkëlqyer. Falë përdorimit të topit, kërcyeshmërisë, shkathtësisë dhe shtalartësisë, që i japin mundësi të shënojë gola dhe me kokë, cilësi këto gjithnjë në rritje.
“17 Nëntori” (1965)
Rastiste që edhe të luante, në mos keq, jo dhe aq mirë. Mbaj mend se një ditë pranvere të vitit 1965, rastësisht takuam në rrugë. Më tha se gjatë komentimit në radio të një ndeshjeje të fundit, “17 Nëntori” − “Vllaznia”, i kishin thënë se nuk e kisha lëvduar.
”Dhe më të drejtë, − vazhdoi. − Ne futbollisët duhet të kemi parasysh se nuk na ndjekin vetëm mijëra e mijëra tifozë në shkallët e stadiumeve, por edhe me qindra mijëra nga komentet e Mazrekut të Bellovës dhe të tuat. Luajmë mirë, na vlerësoni, luajmë keq, na kritikoni”.
ARRESTIMI I HALILIT DHE VAZHDIMI I TRYSNISË E DIKTATURËS NDAJ “17 NËNTORIT”
Erdhi kështu shtatori i vitit 1966. Siç e thashë, “17 Nëntori” kampion do të ndeshej në Oslo për turin e parë të Kupës së Kampionëve, (sot Liga e Kampionëve), me kampionen e Norvegjisë,”Fredrikstadt”. Futbollistët ishin grumbulluar në një hotel modest të Tiranës. Dhe ja e papritura:
“Ne ishim duke fjetur, − tregon Gëzim Kasmi, − ish-futbollist i njohur i “17 Nëntorit”, − kur befas në mëngjes herët, dëgjuam disa britma poshtë, pastaj në rrugë dhe nëpër shkallët e hotelit. Dëgjuam më pas të përmendej emri i Skënder Halilit. Asnjë nga ne nuk guxonte të hapte derën e dhomës. Nga ora 9.30 erdhën përgjegjësit e klubit dhe na dhanë lajmin se do të largoheshim nga hoteli. ”17 Nëntori” nuk do të shkojë në Norvegji për të zhvilluar ndeshjen, − na thanë”.
Kishin arrestuar Skënder Halilin. Për tri orë dore dhe 57 dollarë që kishin gjetur në shtëpi, e dënuan me një vjet burg këtë talent të rrallë. (Irfan Rama,” Lufta për shkatërrimin e “Tiranës”, ”Sporti Shqiptar”, 25 maj, 2011).
Hakmarrje e diktaturës sovjetike ndaj Strelcovit, edhe pse nuk donte të luante me skuadrat ushtarake, hakmarrje thuajse për të njëjtat arsye edhe e diktaturës komuniste shqiptare.
Sa e sa sportistë ose artistë kishin marrë gjatë turneve jashtë vendit pak dollarë për të blerë nga ato sende kinkaleri që mungonin prej vitesh në tregun tonë!? Dhe Sigurimi kishte mbyllur të dyja sytë. Mund t’i mbyllte dhe për Skënder Halilin, mund t’i jepte një paralajmërim që të mos e përsëriste, sepse ishte futbollist që nuk i duhej vetëm “ 17 Nëntorit”, por edhe përfaqësues sonë, sepse një i tillë si ai do të mungonte për vite e vite në fushat e futbollit.
Por diktatura komuniste shqiptare ishte egërsuar dhe donte të dënonte edhe vetë klubin e “17 Nëntorit”. Kështu Kasmi thirret ushtar dhe dërgohet në Skrapar për të hapur toka të reja. Emisarët e Ministrisë së Mbrojtjes nuk marrin parasysh se ai ka mbaruar arsimin e lartë. Në zbor ushtarak dyvjeçar merret dhe dërgohet në Shkodër edhe Ali m Mema. Edhe ai me arsim të lartë.
Dheja, në qershor të vitit 1967, “17Nëntori”, siç do të rrëfej më poshtë, përjashtohet së bashku me “Partizanin”, për grindje dhe sjellje të pahijshme të futbollistëve të të dyja skuadrave, kur tiranasit fitojnë ndeshjen, (2 − 1), dhe janë shumë pranë fitimit për të tretën herë radhazi të titullit kampion. Dhe kështu titulli i mbetet në derë…”Dinamos”. Por të mos harrojmë se edhe jo, është skuadër e diktaturës.
Skënder Halili, (majtas)
STRELCOVI HE HALILI PAS DËNIMIMEVE TË TYRE
Siç e kam përmendur dhe më parë, më 1965, Strelcovi u kthye dhe në fushat e futbollit të madh. Po atë vit qe ndër protagonistët që i dhanë ”Torpedos” titullin kampion të Bashkimit Sovjetik. Luajti dhe më përfaqësuesen sovjetike. Më 1968, edhe falë tij, “Torpedo” fitoi edhe kupën e Bashkimit Sovjetik. Ishte atëherë 33 vjeç. Dy vjet më pas u nda nga futbolli dhe nisi të
punonte trajner i grupeve të fëmijëve të “Torpedos”.
Ndërroi jetë më 1990, në moshën 53-vjeçare, nga kanceri në grykë, shkaktuar në
mjediset plot pluhur dhe lagështi të kampit të përqendrimit në Vjatllag. Atëherë ishte shpallur krejtësisht i pafajshëm ndaj akuzave për përdhunim. Mbi varrin e tij në varrezat “Vakanski”, në Moskë është ngritur një përmendore, në shenjë nderimi të thellë për këtë futbollist të jashtëzakonshëm, viktimë e diktaturës komuniste.
Po Halili, a luajti përsëri me “17 Nëntorin”? Kurrsesi! Edhe pse ishte dënuar një vit heqje lirie, dhe për akuza shumë më të lehta se Strelcovi, diktatura jonë “syçeltësore” nuk e lejoi të zbriste në fushat e futbollit, ku do të pritej me brohoritje, jo vetëm nga tifozët e “Tironës”, por edhe të tërë Shqipërisë. Dhe të mendosh se ishte atëherë vetëm 27 vjeç!
Sidoqoftë, ajo e lejoi të merrej me stërvitjen e ekipeve të fëmijëve. Si dhe Strelcovi. Ashtu si ky futbollist i madh sovjetik, edhe Halili ndërroi jetë nga kanceri. Por në moshën 42-vjeçare.
Një mëngjes herët, në varrezat “Vakanski” në Moskë u duk një grua e thyer në moshë. Si fshehurazi ajo u drejtua nga varri i Strelcovit dhe vuri mbi të një tufë me lule. Dhe mbeti aty si e ngrirë, kokulur dhe symbyllur. Disa që u ndodhën aty e njohën. Ishte Marina Lebedjeva. Pikërisht ajo që kishte akuzuar Strelcovin, se e kishte përdhunuar atë natë fundmaji të vitit 1958.
Vinte t’i kërkonte të falur? Tepër vonë…
“TIRANA” E GJUNJËZUAR NGA DIKTATURA KOMUNISTE
Edhe tani me kujtohet mirëfilli ajo e marte e datës 27 qershor te vitit 1967, kur sportdashës të “17 Nëntorit”, në rrugë, lulishte e kafene të Tiranes, shumë të pikëlluar shprehnin nën zë dufin nga lajmi që kishin lexuar në faqet e “Sportit Popullor” − skuadra e tyre e zemrës, pas ndeshjes së fituar kundër “ Partizanit”, ishte përjashtuar nga kampionati, kur thuajse e kishte siguruar plotësisht kurorën e kampiones.
Kisha një vit që me të ashtuquajtur “qarkullimi kuadri” dhe parullës revolucionare “Të punojmë atje ku ka nevojë atdheu”, punoja arsimtar në një shkollë të mesme të Beratit.
Historia e futbollit botëror njeh shumë skandale që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushave të futbollit − përleshje të futbollistëve në fushë dhe jashtë saj, ndërhyrje të tifozëve të njërës, a tjetrës skuadër, kërcënime dhe joshje të drejtuesve të klubeve ndaj gjyqtarëve, allishverishe, shfaqje korrupsioni që kanë sjellë si pasojë përjashtime futbollistësh, trajnerësh, drejtuesish, por kurrë përjashtimin e ndonjë skuadre nga vazhdimi i kampionatit.
Dhe kjo, sepse rregullorja e futbollit nuk parashikon veprime të tilla.
Nuk përfshihen këtu raste kur janë përdorur makinacione për të favorizuar një skuadër
a një tjetër, siç ndodhi në sezonin 2005 − 06 në Itali, ku, si pasojë e procesit të ashtuquajtur “calciopoli”, “Juventusit” iu hoq titulli kampion dhe u dënua të luante në kategorinë e dytë, dhe “Milani”, “Fiorentina”, “Lacio”, “Rexhina” etj., u detyruan ta fillonin kampionatin me disa pikë më pak.
Por ajo që ndodhi më 24 qershor të vitit 1967, pas ndeshjes “17 Nëntori” − “Partizani”, kur të dyja këto skuadra u përjashtuan nga vazhdimi i këtij kampionati, është një shembull i paparë dhe unikor në botë.
Deri në kampionatin e vitit 1965−66, kur “Vllaznia” ishte shpallur dy herë radhazi kampione, më 1945 dhe 1946, vetëm dy skuadra kishin fituar kampionatet në vazhdim: Këto ishin “Partizani”, i krijuar më 1946, (11 herë) dhe “Dinamo”, e krijuar më 1950, (6 herë). Dhe, siç e pamë, dy kampionatet e fundit, 1964 − 65 dhe 65 − 66 i fitonin bardheblutë. Ishte me të vërtetë një shuplakë shumë e rëndë që i jepej këtyre dy skuadrave të privilegjuara të udhëheqjes komuniste, dy skuadrave, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Thyhej kështu një mit.
Në dukje, këtu nuk kishte asgjë të keqe. Madje, po zgjerohej kështu gjeografia e kampionëve. Por udhëheqjes komuniste i pëlqente që kampionatin ta fitonte cilado skuadër, por jo “17 Nëntori”, pra, “Tirana”, shumë herë kampione që nga 1930, kur ishte zhvilluar kampionati i parë. Urrejtja kundër diktaturës komuniste ka qenë e heshtur, sepse dhuna e saj nëpërmjet armës së kësaj diktature, Sigurimit të Shtetit, ishte shumë e madhe. Kështu kjo urrejtje përpiqej të gjente shprehje në mënyra të tërthorta. Dhe një nga këto mënyra u bë futbolli.
Sportdashësit e “17 Nëntorit”, dhe këta nuk ishin vetëm tiranas vendas, por edhe mijëra e mijëra te tjerë në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj “Dinamos” dhe, veçanërisht, ndaj “Partizanit”. Këtë gëzim ata e shprehnin hapur me thirrjet, “Forca, Tirana, (Tirona)!”, sidomos në ndeshjet kundër skuadrave ushtarake të mësipërme.
Ishte një dukuri e përafërt me thirrjet e sportdashësve tiranas në vitet 1942 − 43, kur “Shprefeja”, skuadër e të rinjve të lagjeve te Tiranës, luante kundër skuadrave fashiste italiane. Kur ushtarakët fashiste thërrisnin: ”Forza, gli axurri!”, ata u kundërpërgjigjeshin me thirrjet: “Forca, të kuqtë!”, sepse fanellat e “Shprefesë” ishin të kuqe dhe të mbathurat e
Pamje nga ndeshja “Partizani” – ”17 Nëntori’ (1966)
zeza, pra, si ngjyrat e flamurit kombëtar.
Mirëpo kjo thirrje nuk u tingëllonte mirë në vesh anëtarëve të Byrosë Politike. Me
përjashtim të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, të gjithë byroistët e tjerë do t’i shihje çdo të diel në tribunën e stadiumeve. Dhe të tërë, veç Kadri Hazbiut, ishin tifozë fanatikë të “Partizanit”. Madje, gjeneral Petrit Dume kishte raste që në pushime të ndeshjes së “Partizanit” edhe të zbriste në dhomat e zhveshjes dhe të ndërhynte që të hiqej ky, apo ai futbollist që, sipas tij, nuk po luante mirë.
Një herë, siç dëshmon Miço Ndini, ish-futbollist i njohur i “Partizanit” të viteve ‘60, ky gjeneral, pas një humbjeje të kësaj skuadre me “Skënderbeun”në Korçë, arrinte me makinën e tij autobusin e “Partizanit”, që udhëtonte për më Tiranë, e ndalte atë dhe fyente futbollistët.
Po të kthehemi të “17 Nëntori”. Pas një fitoreje të skuadrës së tyre kundër ”Besës në Kavajë, në fillim të dimrit të vitit 1967, tifozët tiranas, me të ardhur në stacionin e trenit, nuk u shpërndanë, por u drejtuan në Klubin e Shtëpisë së Oficerëve, (ish-godina e MTKRS ‒ së), dhe atje vazhduan me thirrjet: “Tirona, Tirona!”. Dhe të mos harrojmë se na ato çaste në klub ndodhej pikërisht gjeneral Petrit Dume, bashkë me jerarkë të tjerë të diktaturës, të cilët, afër mendësh, mbetën të tromaksur. Që ky ishte një provokim i hapur, për këtë nuk kishte dyshim. Por, a mund të arrestohej ndokush, kur fare mirë ai mund të përgjigjej: “Nuk bëra asgjë, veçse thirra më shokët e mi: “Forca, “Tirana”!? Sigurisht që jo.
Byroistëve nuk u pëlqente dhe fakti tjetër që sportdashësit tiranas e quanin skuadrën e tyre me emrin e vjetër, “Tirana”, dhe jo “17 Nëntori”, siç u quajt ky klub pas ardhjes sëkomunisteve në fuqi, për nder të çlirimit të kryeqytetit.
Ja, pra, në këtë atmosferë zhvillohej kampionati i vitit 1967. Kasta e kuqe nuk mund të gëlltiste një fitore të dytë të “17 Nëntorit” në këtë kampionat, aq më tepër pas fitores së një viti më parë.
Duke parë që kjo skuadër po shkëputej nga “Partizani” e “Dinamo”, paria e Ministrisë së Mbrojtjes filloi të përdorte makinacione nga më absurdet. Pikërisht në këtë periudhë, futbollistët e “17 Nëntorit”, Ali Mema dhe Gëzim Kasmi, të dy pedagogë të kulturës fizike, u dërguan, i pari në Shkodër, (për gjashtë muaj), dhe i dyti në Skrapar, (për 18 muaj), që të kryenin zborin ushtarak. I tërë ky makinacion u krye drejtpërdrejt drejt me urdhër të gjeneral Petrit Dumes. Kështu skuadra tiranase u detyrua të luante gjatë tërë këtij sezoni pa këta dy lojtarë titullarë. E, megjithatë, valanga e“Tiranës”, (kështu po vazhdoj ta quaj tani këtë skuadër), ishte e pandalshme. Kishte fituar 3 − 2 edhe takimin e parë të sesionit 1966 − 67 kundër “ Partizanit” dhe futej në fushë që të fitonte edhe të dytin.
Dhe, ja, erdhi 24 qershori i vitit 1967. Ditë e shtunë. Përse kjo ndeshje të shtunën dhe jo të dielën, sipas kalendarit? Edhe këtu, ndoshta kishte një dredhi: të dielën “Vllaznia” priste në Shkodër “Dinamon”. Deri atë javë “Tirana” kryesonte me 33 pikë,”Dinamo” kishte 31 dhe “Partizani” 25, jashtë çdo lufte për t’u bërë kampion. Por duhej pra, me doemos që “Tirana” të mos përsëriste suksesin e një viti më parë. Duhej pa tjetër që “Partizani” të fitonte kundër “Tiranës”. Dhe atëherë të bëhej ç’është e mundur, madje, të ushtrohej në një mënyrë a një tjetër, trysni ndaj “Vllaznisë”, edhe ajo pa pretendime për titull, që “Dinamo” të fitonte. Në këtë mënyrë, si “Tirana”, ashtu edhe “Dinamo”, barazoheshin me pikë e, kësisoj, krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte kjo e fundit, me fjalë të tjera, një tjetër skuadër ushtarake, por këtë radhë e Ministrisë së Brendshme.
E vërteta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste nuk ishte kaq e lehte të realizohej, sepse në tri takimet e fundit të kampionatit “Tirana” do të ndeshej me “Tomorin ” e Beratit, ”Lokomotivën”e Durrësit dhe “Traktorin”e Lushnjës, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes së kampionatit. Mirëpo tiranasit shpartalluan çdo hamendësim të parisë së kupolës së kuqe: ata mposhtën në sy të saj “Partizanin” me rezultatin 2 − 1. Të dyja skuadrat aktivizuan në atë sezon këta futbollistë:
“Tirana”: Tafaj, Elini, Frashëri, Dhales, Gjoni, Bytyçi, O. Mema, Xhaçka, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka, (trajnerë, M.Alla e E,Shehu).
“Partizani”: Janku, Jozja, M.Gjika, S.Gjika, Dingu, Rragami, Shule, Karriqi, Shllaku, Dani, Rudi Pano, Jashari, Shaqiri (trajnerë, R.Resmja e M.Ndini).
Nuk po trajtoj kronikën e ndeshjes, (me përbërjet e skuadrave), e cila për turp, as nuk është pasqyruar në faqet e gazetës “Sporti Popullor”. Por nga fundi i pjesës së dytë, pati raste të një loje të rëndë, të shkaktuar nga lojtarë të të dyja palëve. Kjo atmosferë e nderë vazhdoi edhe pas përfundimit të takimit, para dhomave të zhveshjes. Por nuk pati përleshje, nuk pati, për më tepër, as ndërhyrje të shikuesve tifozë të njërës a tjetrës palë në fushë.
Gjyqtari mund të kishte përjashtuar futbollistë nga të dyja skuadrat, deri aq sa lejon rregullorja. Edhe lojtarët që shkaktuan përleshje, mund të ishim përjashtuar për kaq, ose aq ndeshje. Të gjitha këto mund të kishin ndodhur, përsëri duke u zbatuar rregullorja e futbollit. (Ndërkohë, “Dinamo” nuk mundi të arrinte veçse një barazim në Shkodër dhe kështu mbeti tri pikë larg “Tiranës”, e cila, duke pasur, siç e thashë edhe më sipër, ndeshje më të lehta, tashmë po çimentonte rrugën për të fituar për të dytën herë radhazi titullin kampion).
Si pasojë, pas përfundimit të ndeshjes “Tirana” − “Partizani”, në stadium shpërthyen sërishmi brohoritjet hovëzuese, “Tirona,Tirona!”, të cilat, si gjithnjë, u vrisnin veshin byroistëve. Ndaj ata u larguan të vrenjtur nga stadiumi dhe ua hipën makinave të tyre të zeza, për t’u zhdukur në Bllokun e Udhëheqësve. Megjithatë, duke shestuar diçka të ligë.
Vendimi mizor!
Dhe ja ligësia skandaloze: në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor të vitit 1967 u botua vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit të dyja skuadrat përjashtoheshin nga kampionat i vitit 1966 – 67 për shfaqje te theksuara antisportive.
Ku vendim absurd ra si bombë në opinionin sportiv shqiptar. Si ishte e mundur që FSHF -ja të guxonte të merrte një vendim të tillë dhe mbi çfarë faktesh, kur vetëm disa futbollistë u grindën me njeri-tjetrin?. Vite më pas, kur jam marrë më këtë ngjarje skajësisht dramatike, kam pyetur ish-drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, madje të Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve. Por, për fat të keq, të tërë kanë ngritur supat, duke më shpjeguar se nuk mbanin mend hollësi të këtij vendimi. Atëherë jam drejtuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe kam hapur dosjet përkatëse të këtij institucioni të lartë shtetëror. Mjerisht, nuk kam gjetur as ndonjë procesverbal të ndonjë mbledhjeje të FSHS -së për këtë ndeshje, asnjë vendim, asgjë. Atëherë lind pyetja: Kush e mori këtë vendim? Kryesia e FSHF-së së Futbollit?
Por cili nga anëtarët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, a kryetarin, a kryesinë e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, do të kishte marrë guximin të ndërmerrte një hap të tillë, për të përjashtuar dy skuadra nga vazhdimi i kampionatit, aq më tepër kur njëra prej
tyre nuk ishte as më shumë e as më pak, por “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, skuadër e zgjedhur e Kupolës së Kuqe?
Është e qartë që u ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike. Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë e dinte Ramiz Alia, shefi i propagandës në Byronë Politike, ai që nuk mungonte kurrë jo vetëm në ndeshjet e “Partizanit”, por edhe të skuadrave të tjera. Madje, kur ishte gjallë, që nga Amerika ku jetoj, i kam dërguar e-mail vetë atij, (ra – [email protected]), për të ma zbuluar këtë të vërtetë përvëluese, por nuk kam marrë përgjigje.
Motivi është shumë i qartë: duke përjashtuar “Tiranën”, “de jure”, kampione,“de facto ” kampione të bëhej “Dinamo”, pra, në fund të fundit, një tjetër skuadër e diktaturës. Dhe në opinion krijohej ideja: ”Ja,bashkë me “Tiranën, përjashtohet edhe “Partizani”, pra dënimi është i barabartë për të dyja skuadrat”. Por harrohej, ose bëhej sikur harrohej, se kështu “Tiranës” iu mohua titulli kampion në një kampionat thuajse të fituar tri javë para mbylljes së tij. Kjo ishte një goditje shumë e fortë që iu dha kësaj skuadre dhe sportdashësve të saj. Ishte një luftë e filluar që në shtator të vitit 1963. Dhe ja se si:
Atëherë futbollisti i njohur i Tiranës, Skënder Halili, pas shërbimit ushtarak të kryer në radhët e “Dinamos”, nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme që të vazhdonte të luante në radhët e kësaj skuadre, edhe pse iu afruan kushte të mira pune e jetese. Ai u kthye te “Tirana” e tij e shtrenjtë, te shokët e skuadrës, te sportdashësit që e pritën krahëhapur.
Por drejtuesit e kësaj Ministrie nuk e gëlltitën “jo – në” e tij. Dhe ja, u gjet një shkas për ta rrënuar përfundimisht, siç trajtova më lart. Pastaj, kjo luftë, siç e pamë, vazhdoi me “kryerjen” zborit ushtarak jashtë Tiranës të Ali Memës dhe Gëzim Kasmit.
Sidoqoftë, një akt i tillë i mbrapshtë dhe mizor, nuk e mposhti “Tiranën”. Që ishte skuadra më mirë e atyre viteve, ajo e dëshmoi këtë duke fituar kampionatet e viteve 1968, 68 − 69 dhe 1969-70, duke shënuar kështu një nga faqet më të lavdishme jo vetëm të këtij klubi, por edhe të futbollit shqiptar.
Vite më pas kam pasur rast të bisedoj me Skënder Jarecin, ish-futbollist dhe pastaj edhe trajner i “Dinamos”. Duke rikujtuar përjashtimin e “Tiranës” nga kampionati i sezonit 1966 – 67, ai ma pati thënë: ”Në ceremoninë e përfundimit të këtij kampionati i këshillova futbollistët e mi të mos bënin të ashtuquajturin rrotullim rreth fushës me kupën në duar që nuk e meritonim. Ajo kupë dhe ai rrotullim i takonte “17 Nëntorit ” dhe vetëm atij”. Dhe kështu ndodhi. Për çudi askush nga drejtuesit e Ministrisë Brendshme nuk më kritikoi”.
I nxitur nga kjo dramë e madhe sportive, më 1997 nisa të shkruaja romanin me titull “Tirana”, dy orë para dënimit”. M’u desh të bisedoja me futbollistë të asaj kohe, portierin Elini, mbrojtësit Frashëri, Osman Mema, vëllai i Ali Memës, me portierin e “Partizanit” Janku, me Panajot Panon legjendar. Por edhe me trajnerin e “Partizanit” të atyre viteve, Refik Resmja.
“Përjashtimi i Tiranës”, – më tha Resmja atëherë, – qe një akt i shëmtuar i diktaturës. Unë u indinjova së tepërmi, ndonëse nuk më erdhi mirë që ne e humbëm atë ditë ndeshjen me të. Por “Tirana” e meritoi fitoren, siç do të meritonte dhe fitoren e atij kampionati.”
Si përfundim ,“Tirana” e some është kampione e Shqipërisë jo për të 26-tën, por për të 27-ën herë, në historinë e futbollit shqiptar, titull, siç e pamë, i mohuar nga trysnia barbare e diktaturës komuniste.