Rrëfimi/ Korrik 1990
Lavdosh Beqo, nga Vlora, të cilin kur e dënuan qe përfshirë në “Grupin e gjimnazit Ali Demi”, ishte 17 vjeç dhe bëhet fjalë për vitin 1950. Atë vit të arrestimit të tij, ishin lëshuar provokacionet greke apo hedhjet e bandave të diversantëve, kështu dhe këta djem të rinj krijuan “aktivitetin” e tyre duke shpërndarë trakte derisa u zbuluan, u arrestuan dhe më pas u dënuan. Beqo u dënua me 18 vjet heqje lirie.
Në ciklin “Zërat e kujtesës” me intervista, shënime memuaristike me të mbijetuarit e diktaturës, me të cilët biseduan Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, Beqo kujton torturat në burg, jetën në kampet e punët e rënda. Fillimisht dënuar në kampin e punës në Maliq, Beqo pas një varg vuajtjesh përfundon në burgun e Burrelit, ku ka një situatë kujtese mjaft komplekse, jo vetëm në njohjen me personalitetet politikë të dënuar, që kishin refuzuar regjimin e Enverit, por edhe njohja dhe sjellja e dëshmive tronditëse të disa emrave të priftërinjve të dënuar. Është ndër rrëfimet më të gjata, që përshkruan me detaje gjithë kalvarin e 20 viteve burg, ndërsa jemi ndalur në disa momente që lidhen me ngjarje të panjohura, anë të errëta, dhe dëshmi të drejtpërdrejta që Beqo ka jetuar vetë. Një nga këto raste është se si arritën të burgosurit të arratiseshin, dhe cilët ishin të parët që “shpërthyen” dyert e ambasadave! Lavdosh Beqo rrëfen një anë tjetër të historisë së errët nga diktatura, në momentet më delikate të saj: Kur u hapën ambasadat, unë erdha, menjëherë në Tiranë, se kisha dy motra të martuara, këtu. Dhe mora vesh që kishin hyrë më shumë ata të Tororvicës, të kampit të Torovicës që ishte një kamp i tmerrshëm ordinerësh, ku të burgosurit janë trajtuar mizorisht. Aty në kamp mbaheshin kryesisht minorenët, që kishin bërë vjedhje. Në kampin e Torovicës kishin çuar policët më të këqinj dhe brigadier; njerëzit më të degjeneruar. Futja e tyre në ambasadë më bëri të hezitoj për të hyrë vetë, sepse mendova që trupi diplomatik nuk do t’i merrte seriozisht. Dhe pjesa më e madhe prej nesh nuk hymë në ambasadë, sepse gjykuam që do t’i nxirrnin me forcë, dhe pastaj do të na bënin ne, si organizatorë, e do të na dënonin për herë të tretë. Por, pasi pashë që ata i morën, fillova të interesohem. Dhe gjeta një rrugë tjetër që të ikja; andej nga kishte ikur nipi im, nga Kalaja e Dodës”.
Ndërsa ka rrëfyer torturat në hetuesi, si ishte afër vdekjes kur duart e tij ishin lidhur jo vetëm me pranga por edhe tela. “Kur më merrnin në pyetje natën më mbanin në këmbë të lidhur dhe hetuesi pyeste e unë s’përgjigjesha se më merrte gjumi e bija top në shesh, në çimento. Edhe në hetuesinë e dytë kështu më ka ndodhur ndërkohë që hetuesi lexonte libra. Me merrnin natën sepse hetuesit i paguanin orë jashtë orarit kur punonin në orë të vona”.
I vendosur fillimisht në kampin e Maliqit, ja çfarë kujton Beqo: “ajo që ishte më interesante në atë kamp, pa llogaritur punën e tmerrshme në ujë deri në gjoks, pa llogaritur urinë, ishin policët e brendshëm. Pra në kamp kishte dy kategori policësh: të jashtëm dhe të brendshëm, megjithëse ne, nga puna në kamp, ktheheshim kur perëndonte dielli. Në atë kamp kishin sjellë edhe një kriminel që kishte qenë oficer madhor, me luftën, por kishte bërë një vrasje e s’kishin si t’ia bënin, dhe e dënuan dhe e prunë aty. Ai ishte komunist, quhej Hamdi Lemo. Në kamp ndihmonte policinë. Më kujtohet fare mirë, në kazermë, kur përdorte një shkop, të cilit i kishte vënë gozhdë në fund. Një mëngjes na zgjonte që në katër të mëngjesit, kur ishim të vdekur, dhe ai na qëllonte me të sa mundej. E ka qëlluar aq fort në kupë të gjurit Balto Vlashin nga Durrësi, aq sa e la sakat. Polici i brendshëm që quhej Njazi Sala, ishte i çmendur. I çmendur me plot kuptimin e fjalës. Mendoje që një i çmendur trajtonte 1500 të burgosur. Një polic tjetër i binte bilbilit që të zgjoheshim…kur ky Njaziu futej në kazermë e na qëllonte barbarisht. Më ka qëlluar njëherë në këmbën e djathtë sa nuk u thye, prej saj edhe sot unë mezi eci.”
Lavdoshi tregon se i ka provuar pothuaj të gjitha kampet e Shqipërisë. Nga Maliqi në Gosë të Kavajës, Ura Vajgurore, e me radhë në burgun e Burrelit…..
Në këtë burg ai ka rrëfimet më të gjata, duke kujtuar personalitetet shqiptare të persekutuara, intelektualë e priftërinj. Në këtë rast ai kujton dënimin e Dom Shtjefën Kurtit duke treguar nga rastet e rralla se si u vinte vdekja atyre që kishin marrë dënimin kapital, me heqjen e jetës. Ja si sjell në memorie këtë personazh: “Komunistët ndiqnin një taktikë: pasi të kishin arrestuar, të kishin torturuar, të kishin dënuar, në fund të thoshin: Na thuaj fjalën e fundit. Ç’ishte kjo fjalë e fundit? Sigurisht të dënuarve me vdekje u dhimbsej jeta. Por, ata e kishin bërë zakon: ia kërkonin kujtdo këtë. Dhe po të thoshe kërkoj mëshirë, ti e kishë pranuar automatikisht fajin. Disa nganjëherë tregoheshin të dobët, dhe e kërkonin mëshirën. Të njëjtën gjë bënë edhe me Dom Shtjefën Kurtin- I kërkuan fjalën e fundit. Ai u ngrit e tha: “Zotëri, unë e falënderoj Zotin që më thërret pranë vetes së tij, pikërisht nga kjo sallë e nga kjo kishë, që unë e kam ndërtuar bashkë me këta që keni mbledhur këtu, e ku unë kam shërbyer”. Dhe u ul. Nuk është aq e lehtë ta bësh këtë.. Nuk e di nëse do e kisha bërë unë, po të isha në vendin e tij…”
***
Por çfarë ndodhi? Për fat të mirë, duke bredhur nëpër Tiranë, pashë që ne na mungonin dy nga shokët tanë, që kishin ardhur edhe ata nga Vlora. Pyeta për ta dhe më treguan që “kanë ikur me aeroplan”, Si kanë ikur”? –pyeta unë i habitur. Po shesin bileta pa vizë, -më thanë.
Unë njihja një kameriere që punonte në një ëmbëltore që quhej “Besa” më dukej, që ndodhej m’u afër vendit ku shiteshin biletat, dhe shkova e takova, me një shokun tim. Ajo shkoi e foli me drejtorin, dhe drejtori më tha: “Rroni në rresht që të prisni biletën”. Ne ndenjëm në radhë dhe premë biletën. Por kishte një kusht: që po të kthenin, këta nuk mbanin përgjegjësi. Dhe pas dy orëve duhet të niseshim prej atyre të shkonim në Rinas. Ika me vrap të takoja nënën…Këtë herë e kisha lejen e nënës dhe të motrës për të ikur, sepse kam pasur edhe raste të tjera të sigurta, por, që ato të dyja nuk donin, sepse e dinin që do t’i kthenin prapë në internim.
Shkuam me autobus në aeroport, dhe bashkë me në erdhën edhe dy djem tiranas, me të cilët kisha shumë muhabet dhe të cilët më kishin kërkuar që t’i ndihmoja kur të mbërrinin atje, në Francë….
…..Pasi ndenjëm 15 ditë në atë hotel, na çuan në një qendër, ku këta që kishin marrë azilin politik, mund të bënin komplet, dhe prej aty shpërndaheshin. Mua me këtë shokun, na mbajtën në Paris; na çuan në një hotel tjetër, një hotel shumë të mirë dhe na dhanë nga një dhomë secilit. Kemi ndenjur dy vjet atje. Pas dy vjetësh drejtoresha na tha: Nuk na japin më fonde për ju. Meqë kam përshtypje shumë të mira jam interesuar, që t’ju çoj në një nga azilet më të mira që ka Franca. Për fat të mirë, ata kanë pranuar t’ju marrin. Unë i thashë: Mirë ky (për shokun tim) që është i moshuar, por unë, nuk kam mbushur akoma gjashtëdhjetë vjetët”. Atëherë ajo tha: Do ta rregulloj unë punën tënde.
Dhe të nesërmen, vjen një mjek, gjoja për të vizituar. Dhe ai bëri një raport, ku thuhej që “ky nuk është i aftë për asnjë punë”. Raporti ishte i shkruar mirë, i firmosur dhe vulosur. Dhe raportin ma dha mua në dorë, dhe më tha: “Me këtë raport do të të pranojnë atje”. Mirëpo ne, kishim zënë një mik atje, një mësues të gjuhës angleze, që ishte në pension. Ia tregova atij raportin dhe pasi e lexoi më tha: Nesër që në mëngjes, që në orën tetë, takohemi për kafe.
Të nesërmen, po më priste në kafe dhe ikëm të dy. Ai përpara unë mbrapa, nëpër Paris, që ishte një botë tjetër. Përfundimisht, ai më çoi në zyrën ku jepeshin pensionet. Ky i njohuri im, me sa duket, e njihte atë zonjën që ishte shefe aty. Dhe ajo e pyeti: pse jeni munduar?. Kam një mik shqiptar për pension – e sqaroi ai. Ajo më pa mua, dhe dalloi se isha i ri akoma për pension 58 vjeç. Po mirë e ka mbushur moshën ky, e pyeti. Jo, nuk e ka mbushur. Është emigrant politik, por ka këtë – i tha dhe i dha raportin në dorë asaj zonjës. Ajo e mori dhe e pa. Atje ishte shkruar: ky ka bërë 20 vjet burg dhe është i paaftë për punë. E vuri letrën mbi tavolinë (e kam parasysh si sot) i vuri menjëherë firmën, vulën dhe m’u drejtua mua. “Keni librezë banke”? Nxora dhe i dhashë librezën. E mori numrin e librezës dhe më tha: Ik se do të të vijë pensioni në shtëpi. Pra, vendosi aty për aty; nuk më kaloi fare në komision. Prej asaj dite, mua më filloi pensioni. Bile, dhe sot e kësaj dite, e kam ruajtur atë librezën e parë.
Pastaj unë pata edhe një shans tjetër: ndër gazetarët e parë të huaj që hyjnë në Shqipëri ishin dy francezë, një profesor universiteti, historian, gazetat bashkë me një profesoreshë. Ata shkuan në Gradisht për të vizituar kampin e internimit dhe kanë marrë si shoqërues Fatos Lubonjën. Kanë filmuar kampin, nevojtoret përjashta, kazermat, dhe aty kanë njohur edhe të internuarit duke filluar nga Kurt Kola, familja Dosti, familja Kupi e të gjithë të tjerët me radhë…Ishte duke perënduar, kur Fatosi dallon një korçar, i cili kishte qenë dy herë i burgosur me mua, dhe e fton që të japë intervistë për gazetarët e huaj. Ai heziton: Ik ore, prapë do të shkoj unë në burg?! Ishte fillimi; nuk kishin dalë akoma këta “trimat” që rrëzuan komunizmin. Pastaj i thotë Fatosit: Po këta kanë Lavdoshin në Francë, që i di të gjitha. Dhe Fatosi ua përcjell gazetarëve.
Kur kthehen gazetarët në Francë, shkojnë në Ministrinë e Emigracionit kërkojnë dhe gjejnë kontaktin me mua, dhe kanë 25 vjet që ata njerëz mua nuk më ndahen. Jemi bërë miq. Pastaj kanë ardhur herë pas here në Shqipëri, kanë shkuar edhe në Burrel, siç jua thashë më parë, kanë parë burjet në Korçë, Vlorë, dhe bashkë kemi qenë edhe kur takoi Nexhmijen Hoxhën, për intervistë, gjatë kohës që ajo ishte në burg.
Si mendoni ju pse e lejoi Ramiz Alia ikjen tuaj dhe shumë të tjerëve në atë kohë?
Unë kam të plotë deklaratën e bërë nga Ramiz Alia. Kam ndjekur me vëmendje, edhe lëvizjen e studentëve këtu në Shqipëri. Dhe më ka bërë përshtypje, jo ajo që shfaqin këtu, por ajo që kam parë në Francë, sepse disa nga ata të nomenklaturës kanë sjellë atje gazetat që i kanë mbajtur të fshehta dhe në atë gazetë që kam parë unë atje, në lidhje me mbledhjen që ka bërë Ramiz Alia me studentët, një natë, njëra nga vajzat student të grevës, në momentin që po dilnim i hodhi dorën në qafë Ramizit dhe i tha: “Ne nuk jemi me ata reaksionarët. Ne jemi me partinë. Por duam ca kushte të tjera. Pra bëhej fjalë për kushte ekonomike, dhe jo për kushte politike. Dhe me ngeli peng që nuk e mora vesh, se kush ishte ajo vajzë. Por, nuk kam ndërmend të merrem me këtë temë më, sepse kam vuajtur në atë vend që përputhet me idealet e mia. Cili ishte qëllimi? Këto punë nuk është se ndodhën atë ditë. Më kujtohet një zviceran që unë e kam njohur rastësisht, në një familje angleze, i cili kur i thashë që kam ikur nga Shqipëria, më tha: Ke bërë shumë mirë. Në atë vend, çështjet do të jenë shumë të komplikuara. Ai më tha që përveç marrëveshjes së Jaltës, është bërë edhe një marrëveshje tjetër në Maltë, midis Rusisë dhe Amerikës, ku SHBA ka pranuar që rusët të tërhiqen nga Europa Lindore, por me kusht, që në këto vende, do të vinin vetëm qeverisja të majta. Kjo është kontrata.
Ramiz Alia kur deklaronte që ne nuk jemi Evropa Lindore d.m.th. nuk jemi si Rumania, se s’kemi punë me ta, kishte gjashtë a shtatë muaj që kishte marrë urdhër: “bëj përgatitjet për ta dorëzuar!
Nga kush?
Nga ruset. Nga kush tjetër?! Sepse rusët e kishin bërë marrëveshjen. Edhe Nexhmije Hoxha kështu tha, kur e pyeti ky gazetari francez. “Mirë moj motër, – i tha francezi, i keni pasur armiq, dhe i internuat. Po me fëmijët ç’patët?
“Jo, i tha Nexhmija, – nuk i kemi internuar fëmijët.
“Po si nuk i keni internuar?!! Ti i internojë babanë, dhe nënën dhe i merrje edhe shtëpinë. Ku do të rrinin fëmijët?
Ajo s’u përgjigj dot.
Më në fund i tha: Ne kemi vepruar ashtu si gjithë porositë e tjera. Ne njëlloj i merrnim urdhrat nga Rusia.
Tamam kështu tha Nexhmije Hoxha?
Po po, këtë e tha hapur. Bile, jo vetëm një herë. E tha disa herë në disa raste. Ata e parashikuan këtë që po ndodh sot. Jo se ishin të mençur. Dhe asgjësimin e grupeve të diversantëve nuk e bënë vetëm komunistet shqiptarë, po e bënë me ndihmën e KGB-së. Ishte KGB që i lajmëronte me saktësi, disa ditë para se të hidheshin me kuadrate se ku do të ndodheshin dhe këta i asgjësonin pa vënë këmbët në tokë akoma. Dhe ikja jonë, si edhe me eksodet masive, bënte të mundur të largoheshin njerëz që kanë një farë influence, që më në fund, pushteti të ishte i qetë në duart e tyre.
Komentet