Bota kujtoi 20 vjetorin e Srebrenicës. Ishte turpi që Europa e lejoi të ndodhë. Të lejosh një krim të tillë, është si të marrësh pjesë në të. Srebrenica është masakra më e egër pas Holokaustit, ku u ekzekutua genocid i pastër kundër një etnie me qëllim shfarosjeje dhe pastrimi territoresh. Ata që u vranë, nuk ishin hebrej kësaj here, por myslimanë.
Për të kujtuar Srebrenicën më 11 korrik, në Potocari kishin ardhur shumë liderë botërorë. Midis tyre edhe Presidenti Bill Clinton i cili do të thoshte se Bosnja dhe Kosova ishin punët më të mira që kishte bërë. “Mos e lini këtë monument kushtuar djemve dhe burrave të pafajshëm që të jetë vetëm kujtim i tragjedisë. Srebrenica të jetë një vend i shenjtë ku të gjithë njerëzit këtu të vijnë dhe të orientohen drejt së ardhmes…”. do të thoshte në fjalën e tij Bill Clinton.
Në Srebrenicë ishte edhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç i cili në emrin e Serbisë e dënoi atë krim të tmerrshëm në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke dhe se ai, Vuçiç ndjeu neveri për të gjithë ata që morën pjesë në të.
Në një emision të CNN disa ditë më parë Christianë Amanpour do të thoshte se liderët e Bosnjes, e kishte fjalën për gjeneralin Mlladiç, që u ndante karamele viktimave përpara se t’i vriste, ishte vetëm një instrument vrastar në duart e Milosheviçit.
Në prag të 11 korrikut dhe 20 vjetorit të Srebrenicës, Këshilli i Sigurimit i KB-së në New – York shqyrtoi një projektrezolutë për Srebrenicën që e paraqiti Britania e Madhe.
Në këtë projektrezolutë, Serbia akuzohej për genocid kundër popullit mysliman të Bosnjës si dhe për përdhunim seksual, të vajzave, grave, fëmijëve dhe burrave jo vetëm në Srebrenicë, por edhe nëpër gjithë Bosnjën, si krim kundër njerëzimit. Rusia i vuri veton projekt-rezolutës të OKB-së.
Por ndërsa Rusia vendoste veton në KS të OKB-së, Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të SHBA nga njëra anë dhe Parlamenti Evropian nga ana tjetër miratuan gati në një zë rezolutat përkatëse për Srebrenicën, ku dënohej genocidi i kryer 20 vjet më parë.
John Dalhuisen, Drejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën Amnesty International në prag të 20 vjetorit të masakrës ku humbën jetën mbi 8 mijë burra dhe djem në një intervistë tek Zëri i Amerikës do të thoshte se „familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës vazhdojnë të presin drejtësi.“ Zoti Dalhuisen shtoi nevojën imediate dhe urgjente që autoritetet e Bosnje-Hercegovinës të pranojnë atë që ndodhi.
Deri tani ka varre vetëm për rreth 8000 viktima të gjetura, ndërsa fati i rreth 1 mijë viktimave të tjera është i paditur. Mbetjet e trupave të tyre ndofta nuk do të gjenden më kurrë. E njëjta situatë edhe në Kosovë. Ende nuk dihet fati i rreth 1750 të pagjeturve.
Për herë të parë Perëndimi mban një qendrim në unison ndaj Srebrenicës, ndryshe nga Rusia që me veton e saj frymëzon vetëm nacionalizmin e sëmurë që e prodhoi Srebrenicën.
Serbia tani e di se duhet të përballet me të vërtetën e Srebrenicës. Vuçiç nga ana e tij nuk e përmendi fjalën genocid, por në librin e kujtimit shkroi se e ndjen si “detyrë të përkulet para viktimave”. Qeveria serbe dëshiron të jetojë së bashku me boshnjakët dhe të rivendosë besimin, shkruante Vuçiç. Shtrirja e dorës është detyrimi i tij ndaj atyre që kanë vdekur, dhe për brezat e ardhshëm, shtonte Vuçiç.
Vetoja e Rusisë nuk mund të fshijë vrasjen e 8000 burrave e djemve boshnjakë. As nuk mund të shërbejë si mburojë për Serbinë e sotme. Ballkani nuk ka nevojë për luftë, as për protektorë të krimeve. Ballkani ka nevojë për paqe, siguri afatgjatë, bashkjetesë, shtet ligjor dhe integrim. Prandaj duhet pajtimi.
Prania e Vuçiç në Srebrenicë ishte në këtë kontekst. Të pajtimit. Ndërsa sulmi kundër tij ishte jehonë e luftës. Ishte një sulm i shëmtuar. I papranushëm. Dora e shtrirë duhet shtrënguar. Kjo nuk do të thotë se kemi harruar viktimat. Por jeta vazhdon. Pajtimi duhet për hir të gjeneratave të reja, edhe për hir të atyre viktimave. Që e shkuara të mos përsëritet më. Ata që sulmuan Vuçiçin ishin provokatorë. Nuk shërohet ashtu dhimbja. Ata burra e djem nuk kthehen më në jetë duke qëlluar me gurë. Njëra pale lyp ndjesë, pranon krimin dhe tjetra palë duhet të falë… Nuk ka rrugë të mesme. Dhe asnjëra palë të mos harrojë, por kujdesa nuk e përjashton pajtimin.
Sulmi kundër Vuçiçit ishte i mjerë. Ne ballkanasit jemi ngopur me shëmtim. Se herë Ballkani për hiç gjë ka marrë flakë. Por mjaft më. Never more Srebrenica. Never more viktima dhe deportime. Never more konflikte në Ballkan. Never more fyerje, poshtrim, hakmarrje, intolerancë në emër të fesë apo etnisë. Never more Ballkan!
Bellissima Elida bravissima per kto shkrime qe shume pak i njohim Congratulazioni !