Duke komentuar testin e fundit në Shkollën e Magjistraturës, gazetarja Klodiana Lala e ftuar në “Open”, tha se ka hije të forta skandali për kapjen e sistemit të drejtësisë.
Lala: Ky është ndër skandalet më të rënda që ka përfshirë Shkollën e Magjistraturës ku formohen gjyqtarët dhe prokurorët. Është menduar si një shkollë që do të formonte gjyqtarë dhe prokurorë me një standard të lartë. Kanë qenë 411 kandidatë, pasi janë ulur në vendet përkatëse, në një moment disa nga gratë shtatzëna kanë shkuar në banjë.
Është shpërndarë teza prej 100 pikësh. Janë kaluar 411 teza dhe janë shpallur fituesit. Në mënyrë të fshehtë pa u njoftuar askush vendoset që të korrigjohen tekstet sepse Skan Troni nuk kishte punuar. Si rregull do të duhet të kishte një anulim të procesit për shkak të defektit dhe të kishte një proces të ri. Gjithë ky skandal është bërë që të futen disa emra që nuk e kishin kaluar pragun. Pas rikorigjimit janë futur edhe 41 emra të tjerë dhe në ditën e tretë janë shtuar edhe 10 emra. Për të fshehur emrat nuk është vendosur më renditja sipas pikëve por sipas rendit alfabetik. Askush nuk e kupton se cili ka marrë kaq pikë. Kjo komprometon rëndë Shkollën e Magjistraturës si institucion ku del ajka.
Daci: Duhet të japë mësim ajka që të dalë ajkë! Kur hyn kos i thartuar del kos i thartuar.
Lala: Fakti që nuk është bërë transparencë dhe çfarë më shqetëson është reagimi i z.Rakipi që tha nuk më shqetëson shumë pajisja. Si hyri kjo pajisje në Shkollën e Magjistraturës. T’i drejtohej prokurorisë për të hetuar dhe të njoftonte institucionet përfshirë partnerët ndërkombëtar. Kam dyshime që është tentuar kapja e brezit të ri të juristëve. Një gjyqtar dhe prokuror që hyn nesër në sistem ka statusin e përjetshëm. Te testet e tjera janë vlerësime subjektive. Ata kanë paracaktuar fituesit. Rakipi të dalë sa nuk është vonë, është në nderin e Shkollës së Magjistraturës dhe të anulojë këtë proces dhe të mos paragjykohet si shkolla e plepave dikur. Ekziston rreziku i lartë që të kapet sistemi i drejtësisë për 30 vjet dhe askush nuk reagon.