Analisti Genc Burimi me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zbulimin e korrupsionit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së dhe lidhjen e kryeministrit Rama me këtë çështje.
Burimi deklaroi se kjo është diçka tronditëse për SHBA-të pasi Charles McGonigal është një ish-agjent i FBI-së që ka punuar në shërbimin kundër spiunazhit dhe ka pasur shumë informata për çështjet në lidhje me Kinën dhe Rusinë.
Sa i përket lidhjes me kryeministrin Rama, Burimi tha se ai rrezikon të përballet me atë për të cilën ish-kryeministri Berisha u shpall non-grata, teksa vijoi duke thënë se kjo krijon rrezik për Ramën pasi PD duhet të kërkojë minimumi një komision hetimor ndaj tij dhe SPAK duhet që gjithashtu të angazhohet.
Më tej Burimi tha se drejtësia duhet të gjejë nga kanë dalë 225 mijë eurot, nga xhepat e taksapaguesve apo Ramës, ndërsa shtoi se ai po ashtu rrezikohet edhe nga shtypi amerikan pasi emri i tij po lakohet gjerësisht në mediat e huaja.
Burimi u ndal po ashtu në shpalljen e mundshme non-grata të Ramës, i cili sipas tij përmbush të njëjtat kritere për të cilat Berisha u shpall non-grata, ndërsa krahasoi çështjen me skandalin e ish-presidentit amerikan Richard Nixon.
“Është diçka tronditëse për SHBA-të, sa herë ka një skandal të tillë është diçka shqetësuese, për më tepër që ky ish-agjent punonte për FBI-në në shërbimin kundër spiunazhit, pra ka pasur shumë dijeni. Ai hetonte për Kinën dhe Rusinë. Në Kinë shumë spiunë kinezë që punonin për SHBA-në u zbuluan dhe është një frikë e madhe për SHBA-në. Tani i ka rënë në dorë drejtësisë amerikane e cila nuk do falë. Në një moment kur dikush vendos në rrezik sigurinë e vetë SHBA-ve drejtësia vepron menjëherë.
Rama rrezikon atë për të cilën u vu non-grata Berisha. Biden thotë që nuk do lejojë më korrupsionin sepse dëmton vetë interesat e SHBA-së. Nëse kjo vërtetohet Rama ka korruptuar zyrtarë të lartë amerikanë. Kjo e rrezikon Ramën nga ana penale e financiare, pa përmendur problemet më të mëdha me spiunazhin. Në Shqipëri Rama rrezikon sepse PD duhet të kërkojë minimuni një komision hetimor. Kur shoh sot që Dumani ka kohë për të pritur familjarët e viktimave të 21 janarit, duhet të interesohet për këtë çështje SPAK se s’bën. Edhe për 21 janarin një akuzë është, edhe kjo e njëjta. Në këtë rast drejtësia shqiptare, duhet të gjejë nga kanë dalë 225 mijë eurot, nga xhepat e taksapaguesve apo Ramës. Kjo e ka tejkaluar Ramën, rreziku i tij vjen nga drejtësia shqiptare por dhe shtypi amerikan. Emri i tij është lakuar kudo. McGonigal ka mbajtur një peshë të madhe.
Gjithçka do orientohet sipas hetimeve në SHBA. Sot për sot asgjë nuk anashkalohet nga drejtësia amerikane. McGonigal rrezikon 20 vite burg, sepse është një person që i janë besuar shumë gjëra. Kur filloi të hetohej për financimin rus të fushatës së Trump, lidhja u bë përmes këshilltarit të tij që kishte lidhje me këtë oligarkun rus Deripaska, i cili e paguante si këshilltar. Në këtë mes McGonigal po ashtu paguhet nga Deripaska përmes një përkthyesi rus në SHBA. Kemi të bëjmë thjesht me një lloj rasti ku ai pasi ka dalë në pension ka vazhduar për të marrë para. Walter Soriano është një person që ka një shoqëri që punon me shërbimet sekrete dhe u vijnë në ndihmë familjeve të pasura në botë për të ndërhyrë në drejtësi. McGonigal bën të njëjtën gjë. Nuk do kishte dalë kjo gjë e madhe Në këtë mes nga oligarku rus del dhe emri i Ramës. Ka një interes të madh edhe të shtypit amerikan.
Atë nuk e zë gjumi, ka kohë që nuk e zë gjumi atë. Kam vënë re një ftohje të amerikanëve me të. Po mendoja se ata e kishin inat për amnistinë fiskale, por paska qenë shumë më e thellë. Sot kemi dy pedale nga Amerika, kemi drejtësinë dhe mos destabilizimin e Shqipërisë. Ata nuk duan që Berisha të vijë në pushtet. Lind pyetja se kush do vijë në pushtet. 21 janarin ose e ka nxjerrë Rama vetë, ose e kanë nxjerrë amerikanët. Por nëse bie Rama është e sigurt që vjen Berisha në pushtet.
Për mua amerikanët duhet ta shpallin non-grata Ramën, pa asnjë provë kundër Berishës e shpallën. Blinken tha në bazë të atyre që thotë shtypi, e njëjta gjë këtu. I bie se Rama ka korruptuar ose është përpjekur të korruptojë një zyrtar amerikan. Në Shqipëri ai rrezikon dy gjëra, ku ka gjetur paratë dhe një proces të ngjashëm me atë të Nixon-it në SHBA. Pse iu desh Ramës të përdorte McGonigal. E përdori me mënyrën që ai dhe të tjerë të hetonin mbi ata që kishin bërë biznes me Lulzim Bashën për atë shumën 600 mijë euro të rusëve. Ajo që ka implikuar Ramën, ai do u thotë amerikanëve se e ka bërë për të qenë në krahun e tyre. Kjo është një water-gate. Kush të lejon ty si kryeministër të bësh një anketë mbi partinë rivale? Rama ka qenë shumë naiv se po mendonte se edhe nëse kapet kush do e kritikonte politikisht për kërkimin e informacionit për lidhjen e rusëve me opozitën e tij. Ramën në SHBA, jo për Rusinë, por ka të drejtë ta bëjë non-grata dhe ta gjykojë për tentativë korrupsioni të një funksionari të lartë, po nuk e bënë do habitem. Amerikanëve nuk u intereson të bjerë Rama, prandaj duan të largojnë sa më shpejt Berishën dhe të sjellin Alibeajn ndoshta pasi me të nuk do kenë probleme.
Edhe po nuk hetoi SPAK për Ramën, do shkatërrohet nga ana e komunikimit. Opozita ka një rast për ta marrë para Ramën për korrupsion, ai po tallej me rublat dhe tani i janë kthyer si një bumerang. Është afera e ditës, kalon inceneratorët, kalon paratë e gjetura te pastruesja. Rama do vijojë të ngacmohet te 21 janari për të devijuar vëmendjen. Opozita mund të bëjë një lobim të fuqishëm kundër Ramës, është një turp”, tha ai.