Të dhënat që kanë implikuar drejtues të lartë të FIFA-s në skandalin e korrupsionit kanë shkaktuar një stuhi në radhët e organizatës që kulmoi me njoftimin e disa ditëve më parë se presidenti i FIFA-s Sepp Blatter do të japë dorëheqjen.
Marrëveshje të të akuzuarve me prokurorët si dhe deklaratat nga ish-zyrtarë të FIFA-s që kanë kërcënuar të nxjerrin sekrete mbi këtë skandal, i cili sipas akuzës përfshin rryshfete në mbi 150 milionë dollarë, mund të vërë para përgjegjësisë edhe vetë Blatterin.
“Në akt-paditë e ngritura nga prokurorët amerikanë, mbi 95% e të akuzuarve kanë pranuar fajësinë në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorët,” thotë profesorja e ligjit në Universitetin Amerikan, Amy Tenney.
“Në kuadër të marrëveshjeve, të akuzuarit pranojnë të bashkëpunojnë me qeverinë, të ofrojnë të dhëna që i ndihmojnë prokurorët të ndjekin zyrtarë të tjerë më të lartë,” thotë zonja Tanner.
Megjithëse zoti Blatter nuk është akuzuar deri tani, thotë profesorja Tanner, ai mbetet në shenjestër të hetimeve.
“Qeveria ka organizuar të gjitha aspektet e çështjes në një formë të tillë që me kalimin e kohës do të jetë në gjendje të kapë edhe ata që janë në krye të korrupsionit”, thotë zonja Tanner.
Çështja varet nga dëshmitë e personave të brendshëm. Kur prokurorët amerikanë njoftuan akuzat për afere korruptive, pastrim parash dhe akte të tjera penale kundër nëntë zyrtarëve të lartë të FIFA-s dhe pesë drejtuesve të korporatave javën e kaluar, ata njoftuan gjithashtu se katër individë dhe dy zyrtarë korporatash kishin pranuar fajësinë në kushte sekrete gjatë hetimeve në korrik 2013.
“Të pandehurit duhet të bashkëpunojnë me qeverinë në hetimet mbi çështjen. Kjo çështje është shembulli më i mirë i sistemit të marrëveshjeve mes prokurorëve dhe të akuzuarit për uljen e dënimit,” thotë zonja Tenney.
Ish-nënpresidenti i FIFA-s Jack Warner të mërkurën i doli në mbrojtje reputacionit të tij, duke ia hedhur fajin ish-shefit të tij.
“Blatter e di përse përfunduan punët kështu. Personi tjetër që e di përse jam unë,” tha zoti Warner para bashkëkombasve të tij në Trinidad e Tobago ku u lirua me kusht, në pritje të gjykimit.
Pengesa për Ekstradimin
Warner është një ndër dy ish-zyrtarë të FIFA-s në kontinentin amerikan që pritet të ekstradohen në Shtetet e Bashkuara. Tjetri është në Paraguaj.
Të shtatë të pandehurit e arrestuar në Zvicër javën e kaluar gjatë një operacioni në një hotel me pesë yje kanë thënë se do ta luftojnë ligjërisht kërkesën për ekstradim. Asnjë prej tyre nuk pritet të hyjë në marrëveshje me prokurorët nëse nuk ekstradohen në Shtetet e Bashkuara.
Por ka shumë punë para se të arrihet esktradimi i tyre, thotë ish-prokurori federal Jacob Frenkel, i cili tani punon për një firmë avokatie në Washington.
“Nëse të akuzuarit vendosin ta kundërshtojnë ekstradimin, procesi mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në dy vjet e gjysmë. Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë besim se ky proces do të realizohet, nuk do të thotë që është fakt i kryer,” thotë avokati.
Zoti Frenkel është dakord me zonjën Tenney se ka shumë gjasa që ekstradimi të realizohet.
“Besoj se qeveria amerikane i ka studiuar me kujdes akuzat për të minimizuar rrezikun që ekstradimi të bllokohet nga ligji zviceran, apo nga ligjet e ndonjë vendi tjetër,” thotë zoti Frenkel. za
Komentet