Disa nga organizatat më të mëdha sportive në botë u tronditën nga skandale të mëdha në vitin 2015. Futbolli dhe atletika tani po ndeshen me betejën e rifitimit të besueshmërisë. Në futboll ngjarjet e jashtëzakonshme në FIFA, që janë shkallëzur gjatë gjithë vitit, kanë zhytur organizatën në krizën më të rëndë në historinë e saj 111-vjeçare.
Sepp Blatter njoftoi në mënyrë dramatike se po jepte dorëheqjen si president vetëm disa ditë pasi u zgjodh për një mandat të pestë, pasi autoritetet zvicerane dhe ato amerikane njoftuan fillimin e hetimeve për korrupsion në organizatën botërore të futbollit duke arrestuar 14 zyrtarë të FIFA-s gjatë një operacioni në një hotel zviceran në muajin maj.
Autoritetet amerikane dhe ato zviceriane ngritën akuza kundër 14 zyrtarëve të futbollit dhe drejtuesve sportiv për përfshirje në aktivitete të paligjshme në lidhje me vendimet për organizimin e Kupës së Botës në 2018 në Rusi dhe në 2022 në Katar.Sep Blatter pas dorëheqjes tha se FIFA ka nevojë për reforma.
“Zgjedhjet kanë përfunduar por sfidave të FIFA-s nuk u ka ardhur fundi. FIFA ka nevojë për një ristrukturim të thellë. Megjithëse anëtarët e FIFA-s më rizgjodhën për një mandat tjetër, ky mandat nuk duket se ka mbështetjen e të gjithëve në botën e futbollit, përkrahësve, klubeve, lojtarëve-atyre që frymëzojnë futbollin”, tha zoti Blatter.
Krahas Sep Blatter-it, edhe presidenti i UEFA-s Mishel Platini ishte në mesin e atyre që më vonë u pezulluan në një skandal gjithnjë e më të thellë korrupsioni, që paralizoi udhëheqjen e këtij sporti ndërkohë që ai po përballet me hetime penale në të dyja anët e Atlantikut.
Hetimet thuhet se do të fokusohen në një pagesë prej dy milionë frangash zvicerane që FIFA i ka dhënë Michelle Platinit në vitin 2011, pasi ai përfundoi punën nëntë vjeçare si këshilltar i zoti Blatter.
Prokuroria e Përgjithshme zvicerane tha në shtator se kishte hapur një hetim penal ndaj zotit Blatter lidhur me këtë problem dhe një marrëveshje për të drejtat televizive në Karaibe. Zoti Platini konsiderohet se është diku “në mes të dëshmitarit dhe një personi të akuzuar”, në rastin e pagesës.
Michel Platini ishte favoriti kryesor për të zëvendësuar zotin Bletter në postin e Presidentit të FIFA-s në shkurt të vitit 2016, por shpresat e tij për të drejtuar organin më të lartë botëror të futbollit janë goditur rëndë nga hetimet.
Në mesin e zyrtarëve të sanksionuar ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, i cili u pezullua pas akuzave se ishte përfshirë në një plan për rishitjen biletave të Kupës së Botës më 2014,për të nxjerr një fitim më të madh.
Presidenti i shoqatës gjermane të futbollit, Wolfgang Niersbach dha dorëheqjen për shkak të një skandali në lidhje me Kupën e Botës të vitit 2006 që ka njollosur reputacionin e federatës më të madhe të futbollit në botë.
Niersbach, i cili po hetohet për evazion fiskal, tha se ai po merrte përgjegjësinë politike për një pagesë të debatueshme prej 6.7 milion eurosh për FIFA-n që dyshohet se është përdorur në formë ryshfeti për të bindur zyrtarët e FIFA-s për të votuar në favor të Gjermanisë si organzatore e Kupës së Botës. Ai i ka hedhur poshtë akuzat.
Edhe ish-presidenti i Shoqatës Gjermane të Futbollit, Theo Zwanziger dhe ish-Sekretari i saj i Përgjithshëm Horst Schmidt janë të dyshuar për evazion fiskal. Shoqata gjermane e futbollit ka mohuar me forcë akuzat se ajo ka blerë votat për organizimin e Kupës së Botës në Gjermani në vitin 2006.
Futbolli nuk ishte i vetmi sport i goditur nga skandalet gjatë vitit 2015. Federata ndërkombëtare e atletikës këtë vit është përfshirë nga problemet e dopingut dhe korrupsionit. Presidenti i saj i zgjedhur këtë vit, britaniku Sebastian Coe po ndeshet me një krizë të marrëdhënieve publike pas akuzave se Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka dështuar në detyrën e saj për të trajtuar përhapjen e dopingut në këtë sport.
Zoti Coe ka mbrojtur përpjekjet e Federatës Ndëkombtare të Atletikës kundër dopingun dhe ka thënë se nën udhëheqjen e tij ky sport do të lëvizë drejt krijimit të agjencisë së vetë të anti-dopingut.
Agjencia Botërore e Anti-Dopingut, WADA, në vitin 2015 publikoi një raport tronditës ku thoshte se ka një përhapje të madhe të korrupsionit në Rusi, marrëveshje të fshehta nga zyrtarët rusë, përfshirë angazhimin e shërbimet e sigurimit të shtetit në mbulimin e rezultateve të testimit për doping, shkatërrimin e mostrave të testimit dhe frikësimin e personelit të laboratorit.
“Për vitin 2016, rekomandimi ynë është që federata ruse të pezullohet. Në fakt, ne shpresojmë që ata vullnetarisht do të vendosin për këtë në mënyrë që ata të sigurohen që atletët rusë të konkurrojnë në bazë të një kornize të re pune. Nëse ata nuk e bëjnë këtë, atëherë kjo duhet të rezultojë me mospjesëmarrjen e atletëve rus në Lojërat Olimpike të Rio de Zhanieros”, thotë ish presidenti i WADA-s, Dick Pound.
Laboratori i Moskës i përdorur për testimin e sportistëve për doping pushoi se punuari pas pezullimit të akreditimit nga WADA.
Ministria ruse e Sporteve tha se ishte e hapur për bashkëpunim më të ngushtë me WADA-s për të eliminuar parregullsitë e kryera nga mbikqyrësi i Rusisë për anti-doping dhe laboratori i saj i akredituar.
Toni i përgjithshëm nga Moska, megjithatë, ishte mbrojtës dhe një numër i zyrtarëve rus denoncuan raportin e WADA-s, i cili ka rekomanduar se atletët rusë duhet të përjashtohen nga garat ndërkombëtare, duke përfshirë Lojrat Olipmike të 2016 në Brazil.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi pretendimet e WADA-së për doping si “krejt të pabaza”.
Ndërsa vëmendja është përqendruar kryesisht në skandalin në Rusi, Kenia është një tjetër vend që përballet me ndëshkim të mundshëm nga Agjencia Botërore e Anti-dopingut, WADA nëse ajo nuk bënë përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e dopingut.
Disa atletë kenianë kanë dështuar në testet e dopingut në vitet e fundit, duke dëmtuar reputacionin e vendit afrikan dhe vrapuesve të saj që kanë dominuar garat botërore në vrapime të distancave të gjata.
WADA ka kërcënuar Kenian me një ndalim katër-vjeçar, nëse nuk përmirëson përpjekjet e saj për të kapur atletët që përpiqen të manipulojnë testet e dopingut.
Komentet