ELBASAN- Zhdukja e tri dosjeve, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, ka çuar në dyert e policisë një prokurore të Elbasanit.
Burime nga policia thanë se mëngjesin e tri ditëve më parë, Armanda Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e tij mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ka këqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë.
“Ka dyshime të forta” – thonë burimet policore – “se fashikujt janë marrë nga punonjës të kësaj prokurorie, pa dijeninë e saj”.
Burimet sqaruan për “News 24” se nga verifikimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një konflikt të lindur mes prokurores dhe drejtuesve të institucionit të akuzës në Elbasan.
Me firmën e titullarit, Prokuroria Xhaferri është transferuar në një seksion tjetër dhe sipas ligjit, duhet të bëjë dorëzimin e dosjeve që tashmë pretendohet se janë zhdukur.
Para hetuesve ajo ka pretenduar se bëhet fjalë për dosjet tejet të rëndësishme dhe me impakt të lartë publik, e për këtë arsye këmbëngul që hetimin e këtyre çështjeve duhet ta vijojë ajo.
Për këtë arsye, ka refuzuar të bëjë dhe dorëzimin e fashikujve, të cilët më pas nuk i ka gjetur në zyrën e saj të punës, por janë marrë prej andej nga administrata e prokurorisë dhe i janë dorëzuar një tjetër prokurori.
Sa u përket emrave të personave që po hetohen për pastrim parash e korrupsion burimet policore janë të rezervuara, por i paqartë mbetet konflikti i lindur në organin e akuzës.
Për momentin po hetohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.
Komentet