Kontrata e super yllit të Barcelonës, Lionel Messi, në gjigantin spanjoll të futbollit skadoi të mërkurën në mesnatë, duke e lënë të pasigurt të ardhmen e tij në klub, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas faqes gjermane të të dhënave të futbollit Transfermarkt, që nga e enjtja 34 vjeçari Messi, aktualisht është pa klub.
Në maj, presidenti i Barcelonës Joan Laporta konfirmoi se bisedimet për një marrëveshje të re me kapitenin e ekipit Messi po shkonin mirë, por nuk kishin përfunduar ende.
La Liga kishte thënë se Messi duhet të paguajë 700 milionë euro (828.2 milionë dollarë) nëse do të ndërpriste kontratën e tij në mënyrë të njëanshme me Barcelonën sezonin e kaluar.
Messi nuk u ngrit kundër Barcelonës por qëndroi atje deri në përfundim të kontratës së tij, gjë që ndodhi të mërkurën në mesnatë.
Ai tani është i lirë të zhvillojë bisedime me klube të tjera si Paris Saint-Germain dhe Manchester City, të dyja këto që thuhet se i janë afruar.
Messi ka shënuar 672 gola për Barcelonën në 778 ndeshje që nga viti 2005, duke e bërë atë golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të klubit spanjoll dhe lojtarin me më shumë ndeshje në historinë e Barcelonës.
Kapiteni argjentinas gjithashtu regjistroi 305 asiste për Barcelonën, klubi i vetëm për të cilin ka luajtur në karrierën e tij profesionale.
Fituesi i gjashtëfishtë i Topit të Artë, Messi e ka ndihmuar Barcelonën të fitojë 35 tituj, përfshirë 10 të La Ligës Spanjolle dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.
Në vitin 2008, Messi fitoi medaljen e artë Olimpike me Argjentinën në Pekin.
Ai vazhdon të jetë pjesë e kombëtares së Argjentinës për të cilën ka shënuar 75 gola në 148 ndeshje ndërkombëtare.
Komentet