Sot,është 236-vjetorin e lindjes së poetit Bajron. Ai lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait,Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.
Në vitin 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze.
Në moshën 18 vjeçare, hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College).
Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.
Në Shqipërinë Jugore, në Janinë,Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria e veçant e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare).
Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Mes veprave letrare, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj.
Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërrore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:
“…I dua shqiptarët shumë.
Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqë të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë.
Nuk më rodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Bajroni në vitin 1823 u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve.
Edhe pse kishte dëshirë,nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj,më 19 prill 1824 në moshën 36 vjeçare!