Ka mbetur i zhënjyer Christopher R. Hill, Ambasadori i SHBA në Beograd pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Serbisë që i ka liruar të premten katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb akuzuar për vrasjen e gazetarit Slavko Ćuruvija, një kundërshtar i Milosheviçit, në 11 prill të vitit 1999. Hill ka thënë se kjo është një ditë e trishtë për gazetarinë.
Gjykimi për vrasjen e gazetarit serb, duke iu referuar REL, nisi në qershor të vitit 2015 – gati 17 vjet pas vrasjes së tij dhe, më 2019, Gjykata Speciale në Beograd i shpalli fajtorë katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Markoviq, ish-shef i Sigurimit Shtetëror (SSH), u dënua me 30 vjet burgim; Radonjiq, ish-shef i qendrës së SSH-së në Beograd, u dënua me 30 vjet burgim si dhe ish-anëtarët e Sigurimit Shtetëror Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan me nga 20 vjet burgim. Ndërsa të premten pasdite Gjykata e Apelit në Beograd shpalli lirimin e tyre, si të pafajshëm.
Pas Ambasadorit Hill ka reaguar edhe ekspertja e njohur Ivana Stradner, e cila, midis të tjerave, shkruan se ajo shpreson se “Ambasadori Hill do ta kuptojë së shpejti se asgjë që Vuçiq i ka premtuar për vitin 2024 – nuk do ta realizojë” dhe sipas Stradner “Është momenti që SHBA të mbështesin hapur demokracinë.”
Më 11 janar 1999 në të njëjtën ditë kur u vra afër banesës gazetari serb Slavko Ćuruvija, është vrarë po pranë banesës, përpara syve të gruas dhe fëmijëve edhe gazetari Enver Maloku, shefi i QIK-ut, bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës dhe autor e bashkëpunëtor i gazetës Bota Sot.
Në Kosovën e pasluftës gjithashtu janë vrarë shkrimtari Xhemail Mustafa, këshilltari i Ibrahim Rugovës dhe bashkëpunëtor i Bota Sot, si edhe dy gazetarë të Bota Sot Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti. Gazetar i vrarë i pasluftës është edhe Shefki Popova. Sipas burimeve zyrtare në Kosovën e pasluftës rezultojnë të jenë vrarë apo zhdukur rreth 15 gazetarë shqiptarë e serbë, por dosjet e tyre janë të pazbardhura.
Emri i Bardhyl Ajetit si dëshmor i fjalës së lirë është i skalitur në Memorialin e Gazetarëve të Forumit të Lirisë që ndodhet në pikën më të lartë të Parkut të Lirisë (Freedom Park ) të qytetit Arlington, Va në rrethinat e Washington D.C., pranë rrjedhës të Lumit Potamok, por emri i tij dhe i kolegëve te tij nuk kujtohet në Kosovë as Ditën Botërore të Shtypit të Lirë, për faktin se Bota Sot ishte një gazetë e përditëshme e pavarur, që tirazhin në 200 mijë kopje në ditë e arriti si një institucion i fjalës së lirë.
Duke u kthyer tek vrasja e gazetarit serb Slavko Ćuruvija dhe gazetarit nga Kosova Enver Maloku, përveçse kanë të përbashkët ditën e vrasjes më 11 Janar 1999, të përbashkët kanë bashkë me gazetarët e tjerë edhe moszbardhjen e vrasjes.
Pafajësia që Gjykata e Apelit e Serbisë u dha të katër zyrtarëve serbë të përfshirë në vrasje, tregon se drejtësia në Serbi edhe pas 25 vitesh është në duart e atyre që e ideuan vrasjen e Slavko Ćuruvija.
Por nëse në Beograd u bë një gjykim që përfundoi me farsë, në Kosovë dosjet e gazetarëve të vrarë janë të mbuluara nga pluhuri.
Kosova tashmë ka një lidërship të ri politik, pa skeletë në sirtarë, të pakorruptuar, që identifikohet me emrat e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, ndërsa mbi sistemin e drejtësisë të Kosovës si një shtyllë që duhet të jetë e pavarur rëndon përgjegjshmëria e vrasjeve të pazbardhura të gazetarëve.
Në shtetet autokratike dhe të korruptuara, sistemi i drejtësisë është marionetë në duart e kryepolitikës, çka do të thotë që vendi nuk ka as pushtet të katërt.
Edhe në Shqipëri situata është dramatike. Një qeveri e korruptuar që arrin të kompromentojë ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, mendohet se sa e rrezikshme është si për gazetarët, fjalën e lirë ashtu edhe për sigurinë.
Në këtë situatë shumë dramatike jo vetëm për lirinë e fjalës ndaj të njëjtin qendrim me Ivana Stradner. Ka ardhur momenti final që SHBA dhe BE të mbajnë qendrime sikur u takon, sepse është në diskutim liria e Europës.
Europa Juglindore duhet të dalë nga statusi i të qënurit peng i liderëve autokratë si Vuçiq apo Dodik që kanë lidhje direkt me Rusinë apo i atyre që janë miq direkt të Vuçiqit dhe qeverisin me stil sovjetik, duke eleminuar lirinë e shtypit dhe duke korruptuar jo vetëm çdo qelizë të shtetit që drejtojnë, por edhe duke kompromentuar zyrtarë të Perëndimit, që t’i kenë si mbështetje për të zgjatur pushtetin e tyre.
As siguria e Ballkanit dhe as e Europës nuk mund të garantohet kësisoj, përkundrazi këmbanat e alarmit që lajmërojnë rrezikun kanë kohë që bien!