Kur nga UNESCO “K’cimi…” u miratua në Listën e Trashëgimisë Kulturore, dhe duke komunikuar rreth lajmit me disa nga miqtë, njëri nga ta do ma kthente në emailin: “po, lajm i mirë, kemi filluar të mbledhim mend dhe ne shqiptarët, përndryshe serbëve ua patëm falur lahuten, dhe grekëve fustanellën”. Pakashumë kështu me këto fjalë (meqë aq saktë s’më kujtohet tani radhitja e fjalëve të emailit).
Pata buzëqeshur… edhe për “fustanellën”, por sidomos për “lahutën”, sepse e di që lahuta e ka një histori mjaft të bujshme si raport “Shqipëri – UNESCO”. Anise akoma s’është miratuar listimi i lahutës, duhet theksuar se projekte me tituj të ndryshëm janë aplikuar nga Shqipëria që nga v. 2010-2012 (psh. aplikim-kërkesat dikur nga z. Vasil. S. Tole – “Eposi i Kreshnikëve…”).
Sëfundi, në Prill 2024 dy formularë voluminoz të titulluar “Arti i të luajturit, të kënduarit dhe i bërjes së lahutës”, dhe “Ndërtimi i kapaciteteve të qëndrueshme për të mbrojtur artin e të kënduarit, të luajturit dhe të bërjes së lahutës” (me shumën si kërkesë për ndihmë monetare prej 154.846 $) i janë dërguar UNESCO-s.
Këta 2 formularë të Shqipërisë, së bashku me 60-70 tjera kërkesa nga mbarë bota, do shqyrtohen gjatë seancave të UNESCO-s në Nëntor-Dhjetor 2025. Dmth. atëherë dhe do ta dimë nëse “lahuta” pranohet apo jo. Sapo u pranua “K’cimi i Tropojës” dhe u gëzuam sa s’ka më, nëse pranohet dhe “Lahuta” vitin e ardhshëm, do jetë super-bukur. Derisa i “ngrati” zoti Tole dikur secilën herë duhej të pikëllohej për refuzimet e UNESCO-s, tani nuk i dihet, pasi aplikimet e tanishme shqiptare janë disa herë më të nivelizuara (akademikisht më kualitative) se ato të dikurshmet, sepse dhe kushtet janë më të favorshme, më të “pjekura” – janë aplikime serioze, të mirëpërgatitura nga ekspertët shqiptarë.
Formularët e v. 2024 flasin për përgatitjen e inventarizimit, për zbatimin e programeve, projekteve dhe të aktiviteteve rreth mbrojtjes së gjithçkaje sa i përket LAHUTËS. Sikur dhe për aktivitetet lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit rreth këtij elementi të trashëgimisë kulturore shqiptare. Përgjatë gjithë materies së formularëve sikur “ndjehet” fryma akademike e studimit, e seriozitetit dhe e përkushtimit. Përshkruhen qartë objektivat që synohen, përshkruhen veprimtaritë që planifikohen, flitet objektivisht për mundësitë por dhe sfidat e vështirësitë.
Në formularët flitet madje dhe për krijimin e Komitetit Drejtues për Lahutën (KSHL), i cili do përbëhej nga 11 anëtarë – 6 nga komunitetet – dhe 5 nga institucionet kombëtare kulturore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Tashmë, në bazë të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, objekti “Lahuta” klasifikohet pasuri kulturore. Mirëpo, sipas Ministrisë së EKI, ndalimi i periudhës komuniste për festimet fetare komprometoi rolin e lahutës në përforcimin e vlerave kulturore, kujtesës kolektive dhe artit. Periudha e diktaturës komuniste imponoi shfaqje të dekontekstualizuara brenda agjendave nacionaliste. Ky nacionalizim i folklorit nga viti 1945 deri në v. 1991 vazhdon të ndikojë në kuptimin e komunitetit për funksionet sociale dhe kulturore të lahutës.
Kështu që sot rrezikohet shumë transmetimi i njohurive, i aftësive dhe i teknikave për të luajtur, kënduar dhe për t’i bërë (prodhuar) instrumentet cilësore të lahutës. Disa dhjetra praktikues (numri i saktë i tyre i panjohur) i bien lahutës dhe këndojnë në mënyrë aktive. Mirëpo janë më të pakët ata që dinë dhe ose munden ta prodhojnë instrumentin kualitativ. S’janë mundësitë reale dhe mungojnë mjetet për t’i koordinuar përpjekjet mbrojtëse rreth elementit kulturor të lahutës. Shumica e praktikuesve janë pensionistë me të ardhura minimale (rreth 90 Euro në muaj), gjë që kufizon aftësinë e tyre për t’filluar aktivitete jashtë tubimeve të vogla familjare, të cilat gjithashtu janë në rënie pasi të rinjtë migrojnë duke kërkuar alternativa të punës dhe humbasin interesin për traditën.
Praktikuesit e lahutës gjeografikisht janë të shpërndarë dhe shpesh u mungojnë burimet financiare për t’u takuar personalisht me praktikues të tjerë. Dhe kështusoj për të zhvilluar rrjete brenda komuniteteve të tyre, por dhe me palë të tjera të interesuara, duke përfshirë programet kulturore të zyrave komunale. Mosha e tyre e shtyrë e shton urgjencën për ruajtjen e aftësive dhe të njohurive të tyre, dhe sigurimin e transmetimit te brezat e rinj.
Anëtarëve të komunitetit – thuhet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – u mungon një strukturë mbështetëse pjesëmarrëse për t’i lidhur ata me njëri-tjetrin, dhe me palët tjera të interesuara. Duhet bërë diç për lehtësimin e përpjekjes për ta transmetuar praktikën e tyre kulturore. Gjithashtu mungon ndërtimi i kapaciteteve në formate të përshtatura me preferencën e tyre për forume diskursive, të cilat mund të zhvillojnë përfshirjen e tyre në menaxhimin e masave mbrojtëse në mënyrë të pavarur përtej këtij projekti.
Përpjekjet modeste të financuara nga shteti për t’i dokumentuar praktikat e lahutës po vazhdojnë përmes Qendrës Kombëtare të Aktiviteteve Tradicionale, por efektet nuk janë të mjaftueshme. Edhe nevoja për t’i mbrojtur njohuritë dhe mjeshtërinë në lidhje me prodhimin e instrumentit është e madhe. Instrumentet me cilësi të ulët (që mund t’u shiten turistëve dhe që janë menduar për dekorim) e kërcënojnë kërkesën për instrumente cilësore – nevoja për zhvillimin e udhëzimeve në lidhje me praktikat e prodhimit të instrumenteve është evidente.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të kënduarit me lahutë është traditë muzikore e rrënjosur thellë në jetën e komuniteteve që jetojnë në rajonet veriore dhe veriperëndimore të vendit, që përfshijnë qarqet Lezhë, Shkodër, Tropojë dhe Malësi e Madhe. Me kalimin e kohës, respekti për të dhe praktikimi i saj është përhapur më gjerësisht në Shqipëri dhe në diasporë, megjithëse vazhdimësia e saj sot po përballet me probleme. Shumica e praktikuesve vijnë nga komunitete kryesisht rurale në veri dhe veriperëndim të Shqipërise dhe të gjithë e konsiderojnë këngën që shoqëron përcjelljen me lahutë si pjesë të rëndësishme të identitetit dhe trashëgimisë së tyre gojore.
Këndimi që si rregull është monofonik, i thellë, i ngiashëm me tonin e vajtimit, u jep këngëve një karakter të caktuar epik dhe të ngarkuar emocionalisht. Lahuta si traditë ka tre dimensione kyç: luajtja e instrumentit, këndimi me të dhe bërja e saj, dhe në shumicën e rasteve, praktikuesit i bëjnë të tri veprimet. Të kënduarit me lahutë bëhet në shtëpi, giatë ngjarjeve të tjera familjare e publike të komunitetit dhe nëpër festivale muzikore dhe folklorike në nivel lokal dhe kombetar.
Mënyra me e zakonshme e mësimit te lahutës ështe duke parë e dëgjuar anëtarët e familjes ose komunitetit duke luajtur që në moshë të re. Lahuta shoqëron këndimin e këngëve epike tradicionale, si dhe interpretimet e reja më personale, të cilat po fitojnë popullaritet. Këngët më tradicionale kanë të bëjne me bëmat e vëllezërve të Eposit të Kreshnikëve, Gjeto Basho Mujit dhe Sokol Halilit, si dhe të 30 shokëve të tyre, të quajtur Agallarët e Jutbinës. Rrëfimet epike mbi ta ende këndohen ekskluzivisht me shoqërimin e lahutës. Te vjetra apo të reja, traditat e evolucionit të këngëve që këndohen me lahutë zakonisht mbartin kuptime të forta kulturore dhe kane ndikim unifikues tek të gjithë praktikuesit dhe degjuesit që e kanë për zemër këtë traditë.
Këndimi tradicional me lahutë bëhej vetëm nga burra të moshave të ndryshme. Kohët e fundit, gratë janë marrë me këtë element, të kënduarit dhe të luajturit, por jo dhe me përpunimin e instrumentit. Shfaqjet e tyre janë mirëpritur nga burrat dhe komunitetet më të gjera, të cilat e konsiderojnë ate si mënyrë të suksesshme për inkurajimin e të rinjve në transmetimin e traditës së të kënduarit me lahutë.
Trupi i lahutës bëhet me dru panje ose verri, dhe gdhendet në formë të lugët. Ajo mbulohet zakonisht me një copë lëkure deleje, për ta formuar kutinë zanore. Telat tradicionalisht jane bëre nga 30 qime të bishtit te kuajve, e sëfundmi edhe prej najloni, dhe instalohen si bosht simetrik përgjatë trupit dhe bishtit të lahutës. Lahuta akordohet me një vidë druri të vendosur në pjesën e sipërme të boshtit. Lahutari zakonisht ulet këmbëkryq dhe, duke mbështetur lahutën mbi prehër, lëviz harkun me njërën dorë dhe me gishtat e tjetrës rregullon zërimin.
Lahuta është prodhuar e vazhdon të prodhohet vetëm nga burra, duke e mësuar atë në mënyrë tradicionale. Ka gjithnjë e më pak prodhues të lahutës, ndërkohë që po rritet numri i instrumenteve me cilësi me të ulët, instrumente këto të destinuara për qëllime dekorative.
Problemet kryesore me të cilat përballet lahuta sot, siç tregojnë praktikuesit dhe anëtarët e tjerë të komunitetit të përfshirë në procesin e inventarizimit, kanë të bëjnë me nevojën për të nxitur interesin e të rinjve në trashëgimin e kësaj tradite, për t’u mësuar më mirë atyre kuptimin e këngëve epike tradicionale, dhe nevojen për t’i udhëzuar brezat e rinj se si të bëjnë lahuta cilësore në mënyrë që tingulli i muzikës të mos cenohet.
Mësimi jofornal mbetet mënyra kryesore e transmetimit të lahutës. Ekzistojnë edhe mundësi që të rinjtë të marrin mësime lahute, pavarësisht se këto janë të pakta. Shtimi i këtyre mundësive është i rëndësishëm për shkak të rënies së numrit të praktikuesve dhe nevojës për të gjetur mënyra të inkurajimit të të rinjve që të vazhdojnë të mësojnë lojën, këndimin dhe krijimin e instrumentit. Për të përgatitur këtë zë, pjesëtarët e komunitetit morën pjesë gjatë disa takimeve fokus grupesh mes viteve 2019 dhe 2023, si dhe në sesione diskutimi gjatë festivaleve. Një takim kyç u mbajt në Shkodër në Mars 2023 për ta finalizuar inventarin. Plani është që të përditësohet çdo dy vjet, me takimin e ardhshëm të anëtarëve të komunitetit për të marrë pjesë në procesin e planifikuar për vitin 2026 – thuhet në formularët dhe në dokumentet përcjellëse të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së Shqipërisë.
***
E thamë atje lart që, pas pranimit të “k’cimit tropojan” të sivjetshëm, nëse pranohet dhe “Lahuta” vitin që vjen, do jetë super-bukur. Kuptohet se do ishte jashtëzakonisht bukur, sepse do ndihmohej me pjesën dërrmuese të mjeteve financimi i projektit shqiptar (të planifikuar, dhe paraqitur pranë UNESCO-s). Sipas planit nga Ministra e Kulturës… buxheti total i projektit do ishte 182.842 $ – shuma e kërkuar nga Fondi i UNESCO është 154.846 $, ndërsa kontributi i shtetit shqiptar do jetë 27.996 $.
Mendoj se Shqipëria është duke e ndjekur një praktikë të mirë, të shëndetshme, konstruktive dhe konsistente të “biznesit” me UNESCO-n (le ta quaj “biznes” pasi dhe është “biznes”, madje i lodhshëm, është biznes që kërkon durim, me vite e me dekada, këmbëngulje e përkushtim). Duke filluar nga 2003, për 2 dekada tashmë Shqipëria prore ka qenë prezente në “agjendat” e UNESCO-s. Kërkesat e Shqipërisë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, deri tani i afrohen 1 milionshit.
Ka patur dhe refuzime, 2-3 herë refuzime (vitet 2012, 2014, 2015) mirëpo në shumicën e rasteve kërkesat për ndihmë monetare janë aprovuar dhe i kanë sjellur vendit rreth gjysmë milioni $. Shuma parash që do përdoreshin për ruajtjen e elementeve kulturore të Shqipërisë. Bie fjala, nga 2006 deri 2011 për qëllim të kultivimit dhe ruajtjes së Iso-polifonisë popullore, Shqipëria i ka marrë rreth ~ 150.000 $. Ana tjetër, nëse janë përdorur si duhet apo nëse është abuzuar me fondet, dhe se pjesa dërrmuese e mjeteve mund t’kenë përfunduar ndër xhepat e zyrtarëve të korruptuar, këto s’ka si i di as UNESCO as ne : )
Ndihmat monetare deri tani nga UNESCO për Shqipërinë, aprovuar gjithsej: 454.685 $ – Refuzuar gjithsej: 207.800 $ (2012, 2014, 2015) – Në pritje të aprovohen: 154.846 $ (dihet në Nëntor-Dhjetor 2025).
Nominimet e elementeve të kulturës shqiptare (projektet e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë) pranë UNESCO-s ishin të vazhdueshme (që nga 2006 me Iso-polifoninë, miratuar në v. 2008). Në disa raste është aplikuar, riaplikuar me t’njëjtin projekt, psh. projekti: “Ruajtja e Eposit Shqiptar të Kreshnikëve” (aplikuar nga Vasil S. Tole) dhe shuma prej 24.800 $ qe refuzuar në v. 2012. Por dhe në v. 2015 i njëjti projekt “Ruajtja e Eposit Shqiptar të Kreshnikëve” (rishtas aplikuar nga Vasil S. Tole) dhe prapë me shumën e njëjtë prej 24.800 $, qe refuzuar.
Po ashtu, në v. 2014 në Paris qe refuzuar kërkesa e Shqipërisë për asistencë monetare ndërkombëtare prej 158,200 $ me qëllim “Krijimin dhe promovimin e inventarit të trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipëri”. Sidoqoftë, i bie se i njëjti refuzim qe “aprovuar në v. 2018 (në Port Louis – ndihma monetare prej 213.260 $), pas kërkesës me titull paksa të ndryshuar “Inventarizimi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në komunitetet e Shqipërisë me synim ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm”. Pra e qartë, Shqipëria këmbëngulëse me “kërkesat”, refuzohet në Paris dhe çfarë pastaj, apliko rishtas, kërko dhe më shumë, miratohet në Port Louis (prandaj dhe e quajta “biznes” atje më lart : )
***
Deri tani janë miratuar 4 elemente të Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë:
2024: K’cimi i Tropojës (* LP)
2023: Transhumance*, ngarja sezonale e bagëtive (LP)
2022: Xhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit (* LMU)
2008: Iso-polifonia popullore shqiptare (LP)
Nominimet në shqyrtim:
2025: Arti i të luajturit, të kënduarit dhe i bërjes së lahutës (LMU*)
Nga kjo pritet Shqipëria t’i merr 154.846 $ (dihet në Nëntor-Dhjetor 2025)
* (RL – Representative List) – Lista Përfaqësuese (LP) dhe (USL – Urgent Safeguarding List) – Lista Mbrojtëse Urgjente (LMU)
* Transhumance – veprimi ose praktika e lëvizjes së bagëtive nga një kullotë në tjetrën në një cikël sezonal, zakonisht në ultësira gjatë dimrit dhe në malësi, në vendet malore gjatë verës.
***
Kërkesat e Shqipërisë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s [ 2006 – 2024 ]
[2023]
– Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së Lahutës, 2023
– Ndërtimi i kapaciteteve të qëndrueshme për të mbrojtur artin e të kënduarit, të luajturit dhe të bërjes së lahutës
Shuma e kërkesës për ndihmë ndërkombëtare (dollarë $): 154.846.00 – Kërkesë për ndihmë (COM)
[2023]
Asistencë ndërkombëtare për projektin ‘Xhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit’
(A P R O V U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $) 91.092 (kontrata Dhjetor 2023 – Dhjetor 2025)
[2020]
Asistencë ndërkombëtare për projektin “Inventarizimi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në komunitetet e Shqipërisë me synim ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm”
(A P R O V U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $): 213.260.00 (kontrata shkurt 2020 – korrik 2022)
[2018]
Kërkesë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale
“Inventarizimi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në komunitetet e Shqipërisë me synim ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm”
Shuma (dollarë $): 213.260 (Port Louis, 2018)
[2018]
Kërkesë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës (NFFoGj). 50 vjet praktika më të mira në mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale shqiptare
(A P R O V U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $): 9.800 (kontrata Nëntor 2018 – Prill 2019)
[2015]
Kërkesë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale
Projekti: “Ruajtja e Eposit Shqiptar të Kreshnikëve” (Vasil S. Tole)
(R E F U Z U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $): 24.800
[ Kontributi i Shtetit Palë: 1.200 $ / Kontribute tjera (nëse ka): 14.300 $ / Buxheti total i projektit: 40.300 $ ]
Kërkesë për ndihmë (BUR)
[2014]
Kërkesë për asistencë ndërkombëtare në shumën 158,200 $ për “Krijimin dhe promovimin e inventarit të trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipëri”.
(R E F U Z U A R) Kërkesë Ndërkombëtare për Asistencë (COM) – Shuma (dollarë $): 158.200 (Refuzuar, Paris, 2014)
[2012]
Kërkesë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale
Projekti: “Ruajtja e Eposit Shqiptar të Kreshnikëve” (Vasil S. Tole)
(R E F U Z U A R) Kërkesa për Asistencë Ndërkombëtare (COM) – Shuma (dollarë $): 24.800 – Kërkesë për ndihmë (BUR)
[2011]
Kërkesë për Asistencë Ndërkombëtare nga Fondi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale
– Inventari i Iso-polifonisë popullore shqiptare (2011-2012)
(A P R O V U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $): 24.500
[2009]
– Ruajtja e Iso-polifonisë popullore shqiptare – djepi që u rrit deri në polifoninë (2009-2012)
(A P R O V U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $): 25.000
[2006]
– Ruajtja e Iso-polifonisë Popullore Shqiptare, 2006
(A P R O V U A R) Ndihma Ndërkombëtare – Shuma (dollarë $): 91.033 (UNESCO / Fondi i Trustit Japonez)
– – –
(Materialet dhe Referencat: UNESCO, faqet e Qeverisë Shqiptare – nëse t’më jetë përvjedhur ndonjë lëshim, e veçanërisht tek shifrat, dhe nëse ka mundësi për korrekturë ju lutemi ma nisni një rresht emaili, shkrimi do figurojë tek blog-faqja personale, gjërat ‘online’ e lehtë të përmirësohen)
[ Fotot ngjitur: E. Baxhaku 2023 – majtas lahutari Lulash Pllumi së bashku me gruan e tij, dhe djathtas lahutarja Lumturije Nonaj, gjatë një takimi rreth Planit të Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Lahutës, në Shkodër 2023 ]