Harta e re gjyqësore po shkakton probleme në sistemin e dretjësisë.
Në të gjitha Gjykatat e Shkallës së Parë stoku numëron 40 mijë dosje. Përmbi 5 mijë shtetas janë ankuar pranë ILD dhe shumica janë për mos zbardhje të vendimeve. Gjyqet për pronat vazhdojnë të jenë një problem i pazgjidhur. Artur Metani, siç e kemi raportuar edhe herë të tjera, Metani më shumë po shërben si shkop nën rrota për drejtësinë se sa po i ndihmon asaj. Ai i shqyrton dosjet që i shkojnë për ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë selektive, gjë që ia shton edhe më shumë ngarkesën dhe që e ka fut sistemin e drejtësisë në ngërç.
Në një intervistë për Top Chanel, Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë tha se harta e re do kohën e vet që të përshtatet me situatën e re.
“Harta e re do kohën e vet që të përshtatet me situatën e re edhe magjistrati duhet të përshtatet me hartën e re gjyqësore. Është një proces që po e shohim në vijim, edhe për shkak të detyrimit që kemi për të ndjek problematikat që dalin në raport me të drejtat e qytetarëve nga kjo hartë e re, kështu që në çdo moment që ne do të konstatojmë një situatë për të cilën duhet të ndërhyjmë, e para do të ndërhyjmë, e padyshim do të bëhet publike“, tha Metani.
Metani thotë se ankesat janë të larta dhe më të shumta janë për gjyqtarë se sa për prokurorë, por Metani ka bërë memecin të japë një shpjegim më shterues se, pse ai si Inspektor shkaton vonesa në shqyrtimin e ankesave dhe është selektiv në shqyrtim të tyre.
“Ka më shumë ankesa për gjyqtarë se sa për prokurorë, është natyrshëm që të jetë ky proces, sepse gjykata është organi vendimmarrës i fundit pas një procesi gjyqësor, penal kryesisht. Kështu që numri më i lartë i ankesave vjen për gjyqtarë, përgjithësisht për gjykatat e mëdha në vend siç janë Tirana, Durrësi, Vlora, sepse padyshim problematika më të mëdha sociale janë në qytete që ka më shumë popullsi dhe më shumë interesa që konfliktojnë njëri-tjetrin. Po i shohim të gjitha me prioritet, duke mos i harruar edhe qytetet e vogla, edhe ankesat që vijnë për qytetet e vogla sepse drejtësia është kudo njëlloj. Për zvarritjen e hetimeve dhe gjykimit kanë të bëjnë të dyja rastet, zvarritje që kanë të bëjnë me shkaqe penale janë më ta pakta“, shtoi Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Njeriu që drejton ‘ekzekutivin’ e drejtësisë duke mos fole, duke mos dhënë shpjegime shteruese, le të kuptohet se sistemi po shkon drejt kolapsit.