VOAL

VOAL

Sistemi amerikan i mbrojtjes nga sulmet me raketa

June 28, 2022

Komentet

Vizita e shefit të NATO-s si rikonfirmim për praninë e forcave evropiane në Kosovë

Krenare Cubolli

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, pritet ta shfrytëzojë vizitën e tij në Prishtinë, më 11 mars, për të ofruar garanci se kontingjenti evropian brenda misionit të aleancës në Kosovë, KFOR, do të mbetet aty, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të forcave ushtarake amerikane.

Kështu thotë Ivan Vejvoda, hulumtues në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, sipas të cilit vizita e Mark Ruttes në Kosovë tani është shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, administratën e re amerikane, vazhdimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe “thashethemet – të bazuara ose jo – që Shtetet e Bashkuara janë duke rishqyrtuar pozicionin e tyre në NATO”.

Shto këtu edhe “faktin që, siç thonë amerikanët, ka ende punë të pakryera në Ballkan”, shprehet Vejvoda në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që evropianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse ata do të ishin tani në gjendje të mbronin SHBA-në, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.

SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë, ndërsa prej tyre 600 janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.

As Vejvoda nuk beson se trupat amerikane mund të largohen nga Kosova, të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm. Ai mendon se KFOR-i do të funksiononte në mënyrë stabile edhe pa prezencën amerikane.

Vetë shefi i NATO-s, Rutte, ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

Misioni i NATO-s në Kosovë

KFOR-i ka zbarkuar në Kosovë në qershor të vitit 1999, nën komandën e NATO-s. Misioni i tij është që të garantojë sigurinë, lirinë e lëvizjes dhe të mbështesë zhvillimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike.

KFOR-i operon sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përmes së cilës është autorizuar prezencë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Në fillim, NATO-ja i kishte rreth 50.000 trupa, ndërsa tani i ka rreth 4.600 të tillë prej 27 vendeve kontribuuese.

KFOR-i e ka rritur prezencën në Kosovë më 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e vendit.

Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”.

“Nuk jemi në vitin 1992 dhe nuk do të lejojmë krijimin e ndonjë vakumi sigurie. E di që EUFOR-i [Forca e Bashkimit Evropian] është plotësisht i përgatitur për të garantuar ambient stabil të sigurisë”, ka thënë Rutte, duke iu referuar periudhës së shpërthimit të luftës në këtë shtet.

Ai ka deklaruar, po ashtu, se NATO-ja mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dhe që Marrëveshja e Dejtonit – e cila u ka dhënë fund luftimeve më 1995 – është themeli që duhet të respektohet.

Më 7 mars, EUFOR ka bërë të ditur se do të rrisë përkohësisht numrin e pjesëtarëve që ka, si masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në këtë shtet.

Forca e BE-së i ka rreth 1.000 pjesëtarë në këtë shtet dhe e ka zëvendësuar misionin e NATO-s, SFOR, prej vitit 2004.

Nevoja e koordinimit me aleatët

Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe udhëheqësit e saj bëjnë vazhdimisht thirrje për përshpejtim të hapave të vendit për në aleancë.

Teksa rruga deri tek anëtarësimi mund të jetë potencialisht e gjatë – për faktin që disa vende anëtare nuk e njohin shtetësinë e Kosovës – Vejvoda përmend rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët, dhe u bën thirrje vendeve të Ballkanit, në veçanti Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që të jenë të dëgjueshme.

“Kujtojmë fjalët e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, që pati thënë se ‘ai që nuk bashkëpunon me aleatët, ai nuk do të ecë përpara’. Ky paralajmërim vlen edhe tani, që nëse Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të intensifikuara me SHBA-në dhe me administratën e re, duhet të dëgjojë me kujdes, ashtu sikurse i gjithë rajoni”, shprehet Vejvoda.

Ai rikujton edhe vizitën e ish-shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, i cili u tha se bëri paralajmërime në Prishtinë, Beograd dhe Sarajevë, që liderët e këtyre vendeve të mos përshkallëzojnë situatën.

“Ndoshta mesazhi mund të ketë qenë që të mos merren vendime të njëanshme dhe nëse duhet të merren vendime në këto shtete, duhet të jenë në koordinim me aleatët”, thotë Vejvoda.

Ndonëse KFOR-i është garantuesi i tretë i sigurisë në Kosovë, prania e tij konsiderohet jetike, sidomos në pjesën veriore të vendit ku patrullon në vijën kufitare me Serbinë.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet, ndonëse FSK-ja është në proces të shndërrimit të ushtri të rregullt, dhe i ka rritur së voni shpenzimet për mbrojtje.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë do të jetë 207.8 milionë euro në vitin 2025, apo 54 milionë euro më shumë sesa vitin paraprak. REL

Kurti: Qeveria e re do të udhëhiqet nga LVV-ja dhe unë

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai do të udhëheqë sërish me ekzekutivin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti shkurt për mediat pas pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë më 10 mars.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 42.27 për qind të votave të fituara apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende. Kjo nënkupton se kjo parti nuk mund ta formojë e vetme ekzekutivin e ri, për të cilin duhen 61 deputetë.

Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se me cilat parti opozitare partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është më e përafërt.

Numri dy në LVV, Glauk Konjufca, ka deklaruar për një media italiane se synojnë që ta formojnë Qeverinë me partitë joserbe.

Partitë joserbe kanë të rezervuara 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës, aq sa kanë edhe partitë serbe. Në mesin e partive serbe, partia e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka fituar një mandat, ndërkaq nëntë të tjera i ka marrë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Konjufca ka thënë se me bashkëpunimin me partitë joserbe, përjashtohet që Lista Serbe të ketë “pushtet vendimtar”. Kjo parti ishte lënë jashtë Qeverisë edhe pas zgjedhjeve të kaluara dhe LVV-ja e formoi Qeverinë me partitë joserbe dhe emëroi Rashqin ministër, pasi Kushtetuta kërkon që një ministër të jetë nga radhët e komunitetit serb.

Konjufca, që është nënkryetar i LVV-së dhe kryeparlamentar, tha se ka pak të ngjarë që partia e tij të bashkëpunojë me partitë e mëdha shqiptare.

Edhe partitë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.

Megjithatë, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në e as me partitë që aktualisht janë në opozitë nuk ka vendosur Fatmir Limaj, kreu i Nismës, parti që në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në dhe disa parti të tjera.

Rruga për formimin e institucioneve të reja do të hapet vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë certifikuar rezultatin zgjedhor. Numërimi i votave ka përfunduar dhe tani procesi është në fazën e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nesër në Kosovë, takon Osmanin e Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën nesër, për herë të parë që kur ka marrë postin.

Lajmin është konfirmuar nga NATO-ja përmes një komunikate për media.

“Më 11 mars 2025, Këshilli i Atlantikut të Veriut, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, dhe Zëvendës-Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, znj. Radmila Shekerinska, do të vizitojë KFOR, misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë, dhe Ekipin e Këshilltarëve dhe Lidhësve të NATO-s (NALT)”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim, bëhet e ditur se sekretari Rutte do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Ata gjithashtu do të zhvillojnë një shkëmbim mendimesh me drejtorët e misioneve të Bashkimit Evropian, Ambasadorin Aivo Orav dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX), Gjeneral Major Giovanni Barbano, përfaqësuesen e posaçme të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Shefen e Misionit të UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh, dhe Kryetaren e Përkohshme të Misionit të OSBE-së, znj. Cornelia Taylor”.

Përveç Ambasadorëve nga partnerët që kontribuojnë me trupa në KFOR, Rutte do të takojë edhe komandantin e KFOR-it, gjeneral Major Enrico Barduani, dhe drejtorin e NALT-it, Brigadier General Christian Nawrat.

Vizita e Ruttes vjen disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Ai deklaroi atëherë se pret formimin e një qeverie stabile dhe funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin.

Ai theksoi gjithashtu se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është një çështje e rëndësishme, duke shtuar se nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në NATO.

Ndryshe, stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë një prej çështjeve kryesore që ka dominuar diskutimet ndërkombëtare për dekada, kryesisht për shkak të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. NATO-ja ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë.  sn

Miqtë dhe shokët, burimi kryesor nga e blejnë- Shqiptarët kanë konsumin më të lartë të kokainës në Europë, e marrin edhe në zyrë

Përdoruesit shqiptarë të drogave kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë, me 41% të përdoruesve që kanë konsumuar kokainë, përkundrejt 21% që është mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe 29% e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të sondazhit të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian EUDA (shiko grafikun Përdorimi i drogave në 12 muajt e fundit sipas substancave).

Anketa Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs) mblodhi të dhëna midis majit dhe korrikut 2024 nga persona përdorues të drogës, të moshës 18 vjeç e lart, që jetojnë në vendet e BE-së dhe jashtë saj. Në total, morën pjesë mbi 66 000 persona nga 31 vende.

Në Ballkanin Perëndimor u përgjigjën 4,442 individë të moshës 18 vjeç e lart, që përdorin droga (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi).

Analiza e përgjigjeve të të anketuarve zbuloi gjetje kyçe mbi përdorimin e tyre të drogave në 12 muajt e fundit. Të dhënat publike përfshinë gjetjet e përmbledhura të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e përgjigjeve nga individët shqiptarë për Shqipërinë u vunë në dispozicion nga EUDA posaçërisht për Monitor dhe u përpunuan nga Monitor.

Shqipëri, kanabisi dhe kokaina drogat më të përdorura

Kanabisi mbetet droga që konsumohet më shumë nga individët shqiptarë, me 56% të të anketuarve që kanë deklaruar që e përdorin atë. Përdorimi i kësaj substance është shumë pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (59%) dhe më i lartë se në Ballkanin Perëndimor (42%).

Shqipëria është e vetmja ku kokaina është substanca e dytë më e konsumuar pas kanabisit. 41% e përdoruesve të drogave thanë se kishin konsumuar kokainë në 12 muajt e fundit. kjo përqindje është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndomor dhe shumë mbi nivelin e BE-së prej 29%.

Në Ballkanin Perëndimor, substanca e dytë më e konsumuar është Benzodiazepines (pa recetë), me 22% të përdoruesve, kundrejt 5% në Shqipëri.

Në Shqipëri, substanca e tretë më e konsumuar është MDMA/Ecstasy (16%) e ndjekur nga kërpudhat dhe truflat (11%).

Kokaina mbizotëron në bare

Kokaina pudër e ka konsumin më të lartë në bare, me 75% të përdoruesve të tij shqiptarë që thanë që e pinin atë në lokale. Në shtëpi e kishin konsumuar 69% e të anketuarve, në festa ose festivale muzikore (51%), në makinë (35%), në hapësirat publike si parqe (29%), në natyrë (29%).

Kokaina kristal (crack) konsumohet më shumë në ambientet e shtëpisë (75%) dhe më pak në bare (33%).

Arsyeja kryesore e përdorimit të kokainës pudër është për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të reduktuar efektet e alkoolit (39%), për të reduktuar stresin/relaksuar (31%), për të bërë shoqëri (24%), për të qëndruar zgjuar (22%).

Kanabisi konsumohet në natyrë, për të reduktuar stresin

Ambientet e hapura janë mjedisi kryesor ku konsumohet kanabisi nga përdoruesit shqiptarë, me 67 % të përgjigjeve. Edhe shtëpia (e vetja ose e dikujt tjetër) mbetet një ambient i preferuar (61%). Në festa ose festivale muzike ishte zgjedhja për 44% e të anketuarve.

Arsyeja kryesore që i nxit shqiptarët të përdorin kanabis është për të reduktuar stresin dhe për tu relaksuar (70%), për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të përmirësuar gjumin (43%), për të menaxhuar depresionin (41%), për arsye spiritualë (31%), për varësu (24%), për të bërë shoqëri (19%).

Kanabis edhe në shkollë, kokainë në punë

17% e të anketuarve shqiptarë thanë se një nga vendet ku ata konsumonin kanabis ishte në shkolla. 11% thanë se e konsumonin në punë.

Ndonëse me përqindje të ulëta, kokaina hyn edhe në shkolla, me 4% të të anketuarve se thanë që e konsumonin dhe në shkollë.

Më i lartë është konsumi i kokainës pluhur në punë, me 20% të të anketuarve që thanë se kishin pirë kokainë në zyrë.

Edhe për kokainën kristal, 17% e përdoruesve shqiptarë thanë se e kishin marrë në punë.

Kanabis me cigare e alkool dhe kokainë me alkool e nikotinë

Përdorimi i shumëfishtë i substancave, i cili nënkupton konsumimin e dy ose më shumë substancave në të njëjtën kohë, është raportuar për të gjitha llojet e drogave. Sipas të dhënave të anketimit për Shqipërinë rezulton se 70% e të anketuare thanë se përdornin kanabis me cigare/nikotinë dhe 46% thanë kanabis me alkool.

83% e përdoruesve të kokainës pluhur thanë se e kombinonin me alkool dhe po aq me cigare/nikotinë. 26% e kombinonin kokainën dhe me bar kanabis.

Ku i gjejnë drogat shqiptarët

Një nga pyetjet e anketimit lidhet me burimin e blerjes së substancave të drogës.

Për kanabisin, 46% e përdoruesve shqiptarë thanë se e gjenin nga të afërm, ose njerëz që njohin, 31% thanë që i kontaktojnë direkt burimet përmes telefonit, email ose mesazheve.

Miqtë dhe shokët janë dhe burimi kryesor i gjetjes së kokainës (68%) dhe 47% përmes kontakteve direkte nga telefoni, mail ose mesazhet.

Edhe për substancat e tjera si Methamphetamine, Amphetamine, heroinë, burimi kryesor mbetet blerja nga miqtë./Monitor

Osmani thotë se Kosova i bashkohet qëndrimit të SHBA-së kundër veprimeve të Dodikut në Bosnje

Radio Evropa e Lirë

Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe rithekson mbështetjen e plotë për integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.

“Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm çdo veprim që minon themelet e Bosnje e Hercegovinës, sepse kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar palodhshëm për ta arritur—përmes sakrificave shumëvjeçare dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane”, shkroi Osmani në X të dielën.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha të shtunën se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Por, më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik – i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka mohuar akuzat – është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit nga Republika Sërpska.

Kurti: Kemi prova se Serbia ndërhyri drejtpërdrejt në zgjedhjet e 9 shkurtit

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të dielën se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, si dhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha ai.

Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë udhëhiqet nga Nenad Rashiq, i cili është ministër në Qeverinë e Kurtit, i emëruar pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë, sipas Kurtit.

Ai tha se këto raste janë shënuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por edhe në gjashtë komunat e tjera në jug të vendit.

“Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hirë të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.

Misioni vëzhdues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit rreth 4.000 vota.

Kushtetuta e Kosovës garanton dhjetë nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet e tjera joshumicë.

Ky lajm do të përditësohet

UGSHPD: 8 MARSI NË TITUJT E PROPAGANDËS SË RILINDJES SOCIALISTE

Pas shprehjes së dëshirës për mbylljen e tik-tok nga ana e një kryeministri që kërkon ta çojë në 16 vite sundimin në Shqipëri pas tre mandateve(!) të deritanishme, makineria zgjedhore e Rilindjes Socialiste bashkë me atë propagandistike po tregojnë se elita e forcës politike të Partisë Socialiste është tërësisht e shkëputur nga realiteti historik ndërkombëtar dhe ndryshimet që po kalon vendi. 12 vitet e progresivizmit të majtë politik (e majta ekstreme), janë vetëm rezistenca e një sistemi të shembur që po përshkohet nga rrjedha e forcës së fjalës së lirë, e së vërtetës dhe e lëvizjeve shoqërore për të drejtën dhe barazinë përmes ligjit.  
Zgjedhjet e 11 Majit në këtë këndvështrim po e bëjnë Ramën të jetojë ditët me xhirot më të shpejta të marrëzisë kombëtare dhe ndërkombëtare në politikë tek sa ai kërkon të kapet pas gjithshkaje që i duket se e mban në pushtet. 
Mbyllja e tik-tok rrjedhojë e censurës si fakt, ngritja e Komisionit Parlamentar i Dezinformonit dhe forca e kartonit të  mazhorancës socialiste për të kaluar qorrazi çdo ligj që hedh për zbatim kabineti i njëzëshëm i VKM-ve të kryeministrit, janë shprehja më e mirë për të kuptuar frymën që sundon si dhe propagandën elektorale me shumicë që hidhet në media, por që nuk mund të përtypet dot nga një publik qytetar është rrudhur nga shpopullimi dhe opozitar prej varfërisë dhe korrupsionit. Shqiptarët gjithashtu janë edhe një publik i tej ngopur i cili nuk reagon dot as me protestë për shkak të këtij hutim propagandistik që prodhon parti-shteti. 8 Marsi, ishte një dukuri e përditshmërisë dhe shpërtheu si pjesë e dukshme mes shifrave feministe me të cilat Rama dhe propaganda e tij bombarduan me festën.  ATSH-ja dhe pas saj të gjitha mediat nën mjegullën e festimeve për gratë, nënat dhe motrat, dhanë mesazhin elektoral i cili u copëtua në fragmente të “programit” të Rilindjes Socialiste.
Titujt e gjetur, bënë namin që prej presidentit, krye parlamentares, kryeministrit e deri tek dhjetëra funksionarë të rrethuar në veprimtari e më pas në statuse të rrjeteve sociale që sigurisht filtrohen si lajme. Glorifikimi i 8 Marsit me këtë intensitet përdorimi ditor të lajmit tregon pikërisht atë që 8 Marsi nuk është një festë e lirë. Në fund të ditës festa vetë të lë përshtypjen një dite të marrëzisë kolektive  pikërisht sepse përdoret nga propaganda shtetërore e cila edhe vetë  konceptin emancipues e lodh ashtu sikurse bllokon aksionin shoqëror.
Çfarë kohe po jetojnë shqiptarët?
Politikanë, të gjithë në fushatë elektorale dhe pushtim mesazhesh.
Kryeqyteti Tirana pas disa vitesh këtë rradhë shpëtoi nga spektakli/koncerti në shesh, por jo u siluruar në brendësi të titujve të tjerë me statuset nga mjediset e paraburgimit prej kryetarit të bashkisë Erion Veliaj i cili ndodhet në arrest prej gati një muaji (10 Shkurt).
Përveç një proteste qytetare përpara kryeministrisë gjithshka tjetër i takoi sukseseve të qeverisë e cila korrupsionin ja ka lënë në dorë drejtësisë dhe kjo shenjë e mirëqeverisjes janë për më tej sfida e një mandati të katërt ku çdo gjë shpallet vetëm si arritje, mobilizim dhe vendosmëri për ta ndjekur pas Rilindjen Socialiste, por sigurisht ende pa e ditur se çfarë drejtimi lideri i saj global Rama po ndjek.
Në dhjetëra tituj ku në shifra jepen pjesëmarrja e gruas në jetën shqiptare, rezultate të ideologjizuara në koncept dhe në formë i bëjnë publikut “të besojë” se arritje brenda tre mandateve  kërkojnë natyrshëm edhe  qeverisjen për BE-2030. Këto bashkë tregojnë se Shqipëria po i afrohet vërtetë regjimit parti-shtet të përmbysur 34-35 vite më parë.
 
Por, po t’i vini re titujt e ATSH pasi ajo i pudros me ndonjë qëndrim dhe reagim nga ngjarjet politike të ditës së festës pak kampin opozitar, pjesa tjetër është hidhja me vrull nga njëri vlerësim me cilësimin e programit tek analizat propagandistike të gjithanshme të Rilindjes Socialiste si;
Begaj: Bekuar qofshin gratë shqiptare, forca e vërtetë e jetës sonë  
 
Spiropali: Shoqëria shqiptare e përmbushur, kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj 
 
Takimi për 8 Marsin, Rama ndan lule për gratë dhe vajzat 
 
Balluku uron 8 Marsin me zërin e grave që punojnë në energjetikë 
 
8 Marsi, Balla: Çdo grua meriton të festojë çdo ditë në një familje të lumtur dhe në një shoqëri të shëndetshme
 
Hasani: Gratë përbëjnë rreth 60% të stafit diplomatik shqiptar 
 
Pirdeni: Mbi 55% e kolegëve në administratën publike janë gra 
 
8 Marsi, Denaj: Gratë janë frymëzim dhe forcë e pashtershme 
 
Dita Ndërkombëtare e Gruas, politika mesazhe urimi
 
…ku tek ky titull futen në një lajm disa ministra si Hoxha, Manastirliu, Koçiu dhe kryebashkiaku Veliaj  i cili nënvizon edhe nga mjediset e burgut se;- “Është 8 Marsi dhe u lashë porosi kolegëve të Bashkisë që, të gjitha nënat, zonjat, dhe vajzat, të cilat i japin çdo ditë kaq shumë nga dashuria, përkushtimi dhe këmbëngulja e tyre qytetit, të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e transportit urban të Bashkisë së Tiranës. Faleminderit për punën tuaj të jashtëzakonshme!”. 
E përsa ky ishte kryeqyteti i parë nga vipat drejtues politik, 8 Marsi nuk u harrua edhe për peshën ndërkombëtare të lajmit përmes bashkëshortes së kryeministrit në takimin e Abu Dhabi-t 30/50*;
Linda Rama në Samitin Global të “Forbes” : Fuqia pas progresit dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt tryezës së BE (mjaft interesant nga përbërja).
 
Do të dukej tendencioz përdorimi i fjalës monitorim pas kësaj renditje të mësipërme pasi shteti në fjalë dhe në ligje ka institucione e veta që merren pikërisht me këto raporte të propagandës elektorale dhe medias në pragun e zgjedhjeve të cilat duket se janë bërë një me politikën në pushtet kundër interesave të publikut. Për vëzhgimin tonë e rëndësishme është që të shihet pesha dhe vendndodhja e këtij informacioni pasi Rilindja Socialiste dhe elita e saj jetojnë me arrogancën e parasë dhe me mekanizmin propagandistik i partisë shtet, të emulacionit-socialist të dikurshëm.
Brezi i ri i shqiptarëve sot nuk arrin dot ta kuptojë pasi kjo histori e dhimbshme e shkëputjes nga diktatura nuk u është mësuar kurrë në tekstet mësimore. Tashmë dëmi është bërë. Ajo që nuk mësohet në shkolla, është ushqyer me të kundërtën në mediat sociale. Ideologjizimi i partisë shtet i Rilindjes Socialiste që është një formacion i heshtur politik dhe me demokraci të brendëshme të vrarë në rradhët e saj, daljet në publik dhe zëri i tyre vinë vetëm nga një zë. Vetëm nga zëri i Ramës në larminë mediatike të podkastit, Moduleve të Akademisë Politike Socialiste, rubrikat sy m’sy, e në gjithë statuset e tjera të papërtuara që tregojnë krizën dhe gjendjen e tronditur të pozitave të tij dhe karriges në pushtet.
Kur mendon se edhe Gratë me Festën e 8 Marsit i shpërbekan një mandati të 4-rt, të shkon mendja tek filmi Kapedani në cilësinë e rinovuar HD ose 4K të realizuar një vit më parë ku Rama në një status ndër të tjera shkruante:-“… se historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare”.
Morali i asaj fabule 52 vjeçare të filmit Kapedanit nuk ka të bëj sot me shprehjen “na mbytën gratë”, por me humorin e ëndrrës së pushtetarëve dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore që në një ditë si kjo, u marrin frymën edhe nga ekranet qytetarëve.
Kjo që shohim me sy të parë dhe pa e futur në filtrin e fushatës elektorale siç bëjnë monitoruesit profesionist të shtetit shqiptar është pak. Edhe aty ku nuk ta merr mendja roli i gruas  në një ditë si kjo na del i lidhur me kulinarinë që të kujton më pas fluksin e turizmit, e prej këtej kuptohet se vetëm një fill i rilindësve të përkushtuar do ta gjente një titull të tillë pavarësisht se brendësia në të është tjetër gjë. Me kushtet e sotme të shoqërisë shqiptare mund të kuptohej ndryshe, edhe pse titulli nënvizon;  BBC: Falë gjysheve kuzhina shqiptare po rilind.  
Për çdo shqiptar të larguar në emigracion shkrimi nuk është as realitet i pa njohur , por edhe as ekzotikë sipërfaqësore. Kësaj propagande i duhet shpjeguar se një nënë e gjyshe veç se ruan receta dhe di të gatuaj kuzhinë shqiptare ka së pari  fëmijë, nipa dhe mbesa apo edhe me dhjetëra të afërm që bashkë me komshinjtë/gjitonët bëhen qindra mijë dhe miliona shqiptarë që i janë larguar Shqipërisë. Janë shpërndarë nëpër botë dhe për shkak të politikës dhe qeverisjes së keqe janë larg nga sa do të mund që edhe t’ua uronin festën fizikisht, pra të ishin ekonomikisht më të fuqishëm dhe politikisht të lirë.
______________
*Samiti Global Forbes 30/50 – për pjesëmarrjen rezervimi kushton nga 6,500-8,500 dollarë.
 
 
8 Mars, 2025
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Rritje e besimit për presidentin ukrainas Zelensky

Sipas një sondazhi të fundit, 67% e ukrainasve i besojnë kreut të shtetit

VOAL- Besimi i qytetarëve ukrainas te presidenti Volodymyr Zelensky ka fituar 10 pikë përqindjeje në 67%, me gjasë për shkak të mosmarrëveshjeve me Donald Trump dhe J.D. Vance në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

Kjo është sipas sondazhit të fundit, të kryer nga 14 shkurti deri më 4 mars nga Instituti i Sociologjisë në Kiev (KIIS). Sipas sondazhit, ndërsa 67% kanë besim te presidenti, edhe pse ai nuk u rizgjodh vitin e kaluar për shkak të gjendjes ushtarake, 29% e ukrainasve kanë një mendim negativ për të, përveç 4% që nuk kanë mendim. Më 4 shkurt, besimi ishte 57%, mosbesimi 37% dhe i pavendosur 6%, ndërsa më 24 dhjetor opinionet ishin përkatësisht 52%, 39% dhe 9%.

Besimi në Zelensky, shkruan Kiis, “është pak më i ulët në Ukrainën lindore”, ku vlerësimet pozitive janë 60 për qind dhe vlerësimet negative janë 36 për qind. Në rajonet e tjera të Perëndimit, Qendrës dhe Jugut norma e besimit është 66%, me kulmin 69%, shkalla e mosbesimit është midis 28% dhe 30%, pa të pasigurta. Agjencitë e lajmeve/RSI

Sot, 8 Marsi! Dita Ndërkombëtare e Gruas, historia dhe domethënia

Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 marsi festohet sot në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas.

Kjo ditë është simbolike për rrugëtimin historik që gratë në të gjithë botën kanë bërë për të përmirësuar jetën e tyre. 8 marsi vjen si një kujtesë, se pavarësisht sa është bërë, udhëtimi është i gjatë dhe duhet bërë akoma më shumë.

Në Shqipëri kjo festa e gruas është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat. Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti.

Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada.

Fillimisht, 8 marsi u shënua në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sot protestohet dhe festohet në shumë vende të botës! Ndërsa shumë njerëz e mendojnë si një çështje feministë, rrënjët e saj qëndrojnë në lëvizjen punëtore.

Dita Ndërkombëtare e Grave nisi nga lëvizja e punës për t’u bërë një ngjarje vjetore e njohur nga Kombet e Bashkuara. Gjithçka nisi në vitin 1908, kur 15,000 gra marshuan nëpër qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar orë më të shkurtër pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës. Ishte Partia Socialiste e Amerikës që shpalli Ditën e Parë Kombëtare të Gruas, një vit më vonë. Ideja për ta bërë ditën ndërkombëtare erdhi nga një grua e quajtur Clara Zetkin. Ajo sugjeroi idenë në vitin 1910 në një Konferencë Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë. Kishte 100 gra, nga 17 vende, dhe ata ranë dakord për sugjerimin e saj njëzëri. Ajo u festua për herë të parë në 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Njëqindvjetori u festua në vitin 2011, kështu që këtë vit ne po festojmë teknikisht 109-të Ditën Ndërkombëtare të Grave. sn

“Emigrojnë” edhe bebet- Të rinjtë në diasporë po lindin më shumë, arsyet pse çiftet në Shqipëri po bëjnë të kundërtën

Të rinjtë shqiptarë në emigracion lindin më shumë fëmijë se bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri. Rritja vit pas viti e kostove për familjet e reja (çmimet e shtëpive, qiratë, shërbimet shëndetësore, tarifat e çerdheve, kopshteve, arsimit etj.) nga njëra anë dhe në anën tjetër, mungesa e mbështetjes financiare po minon planet e të rinjve shqiptarë për të lindur fëmijë. Në vitin 2024, lindjet ishin 5% më të ulëta se më 2023 dhe 35% më pak se në vitin 2011. Emigrimi i të rinjve dhe rritja e kostove të jetesës në vend janë arsye themelore sipas demografëve, të cilët rekomandojë politika urgjente pro familjes. Plakja e popullsisë rrezikon të rrisë presionin mbi politikat për të rinjtë dhe kjo mund të nxisë më tej emigracionin. Shkaqet dhe pasojat e rënies së lindjeve

Arbri dhe Suela, dy programues shqiptarë në të 30-ta, tani jetojnë në Holandë, pasi siguruan kontrata pune me të ardhura të kënaqshme.

Pas dy vitesh qëndrimi në Amsterdam, familja e re solli në jetë fëmijën e parë dhe tani ka blerë me kredi një shtëpi të madhe në periferi të qytetit. Ata po planifikojnë të lindin katër fëmijë, pasi infrastruktura dhe politikat në qytetin ku jetojnë janë shumë pro familjes.

“Po të jetoja në Shqipëri nuk besoj se do të rrisja më shumë se një fëmijë. Këtu familjet e reja kanë shumë lehtësi, që nga mundësitë për të punuar në distancë (çerdhet dhe kopshtet me orare të gjata) dhe mbështetja financiare për fëmijët”, – rrëfehet Arbri.

Familjes së re i rimbursohet deri në 50% e tarifës mujore të çerdhes, ndërsa çdo tre muaj përfiton një shumë 250 euro për fëmijën. Me rritjen e moshës së fëmijës deri në 18 vjeç, pagesat tremujore rriten në mënyrë progresive.

“Edhe në Tiranë kisha pagë të mirë, por më mungonte siguria në punë. Këtu gjithçka është ndryshe. Siguria në punë është shumë e lartë dhe lehtësitë për ata që duan të krijojnë familje janë të mëdha.

Këto më shtyjnë të zgjeroj familjen me katër fëmijë. Në Tiranë mungon tërësisht infrastruktura për fëmijët të tilla si trotuare, parqet dhe arsimi dinjitoz parashkollor, etj.” – shpjegon Arbri.

Rritja vit pas viti e kostove për familjet e reja (çmimet e shtëpive, qiratë, tarifat e çerdheve, kopshteve, arsimit etj.) nga njëra anë dhe në anën tjetër mungesa e mbështetjes financiare po minon planet e të rinjve shqiptarë për të lindur fëmijë. Vitin e kaluar në vendin tonë lindën 22,425 foshnja ose 5% më pak se në vitin 2023, raportoi INSTAT.

Të dhënat tregojnë se edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot. P.sh., në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulët se sot.

Qeveria në vitin 2019 aplikoi një bonus për bebet, 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 000 lekë për fëmijën e dytë, 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 2019-2023, rreth 40% e shumës është përfituar nga fëmijët shqiptarë të lindur jashtë vendit. Në Shqipëri ka ende të rinj më shumë se në emigracion, por ata që kanë ikur jashtë vendit lindin fëmijë më shumë se ata që jetojnë në Shqipëri.

Ilir Gëdeshi, ekspert i çështjeve demografike, thotë se të rinjtë shqiptarë në emigracion po lindin më shumë fëmijë se bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri.

Zoti Gëdeshi shprehet se rënia e lindjeve në Shqipëri, përveç emigracionit të lartë të të rinjve, shtyhet edhe nga faktorë të brendshëm si rritja e kostove të jetesës në vend.

Kostot e familjeve të reja janë rritur më shpejt te pagat mesatare, duke e bërë të papërballueshme rritjen e fëmijëve nga familjet e reja. Anisa, me profesion psikologe, ka vetëm një vajzë në klasën e parë dhe nuk mundet të zgjerojë familjen edhe me një tjetër fëmijë, pavarësisht dëshirës.

“Kostoja e pagesave për kopshtin u rrit me 100% nga lindja e fëmijës së parë kur tarifat nga 200 euro në muaj në 2018 shkuan në 400 euro në vitin 2024.

Ndërkohë paga ime dhe e bashkëshortit nuk kanë ndryshuar aq shumë gjatë kësaj periudhe”, – thotë Anisa, e cila jeton në zonën e Pazarit të Ri. Tani vajza studion në shkollë publike, por paguan rreth 300 euro për programin pas shkollës, pasi të dy prindërit punojnë dhe nuk janë në shtëpi deri në orën 17.00.

Ines Heba, pedagoge në Universitetin e New York-ut, eksperte e statistikave analizon se rënia e lindjeve në vendin tonë është pasojë e emigrimit të lartë të moshave të reja dhe rritjes së kostove në vend për familjet.

Kostot e larta pengojnë lindjen e bebeve

Rritja e kostove të jetesës në zonat urbane dhe sidomos në Tiranë po i pengon familjet e reja të lindin aq fëmijë sa dëshirojnë. P.sh. në Tiranë popullsia ndërmjet dy censeve 2011 dhe 2023 është rritur me 7.3%, por nga ana tjetër, numri i lindjeve ka pësuar rënie me 11%. Ulja më e madhe ka ndodhur në pesë vitet e fundit.

Nga viti 2019 deri më 2024, lindjet në Tiranë ranë me 9.2%. Tirana ka një kontribut të madh në numrin e lindjeve pasi në kryeqytet projektojnë të jetojnë shumica e të rinjve shqiptarë që nuk duan të ikin nga vendi.

Në vitin 2024, në Tiranë lindën 8495 bebe, të cilat zunë 38% të totalit të lindjeve në rang vendi.

Arbana, një e re që është eksperte e komunikimit dhe mediave sociale, po rrit dy fëmijë. Kishte dëshirë të lindte edhe një të tretë, por kostot janë bërë të papërballueshme, thotë ajo.

Në krahasim me vitin 2016, kur linda fëmijën e parë, kostot janë shtuar më shumë se dyfishi. Paketa e lindjes nëse shkon në spital privat nga 1000 euro është rritur në 2600 euro aktualisht.

Gjithashtu veshjet, ushqimet dhe e gjithë infrastruktura për fëmijët është rritur më shumë se dyfishi. ”Që kur kam lindur fëmijën e dytë unë dhe bashkëshorti im, të dy me paga mbi mesataren, nuk arrijmë të kursejmë.

Madje nuk arrijmë të blejmë veshje të reja dhe të tjera gjëra për veten si më parë. Kemi kufizuar shpenzimet e argëtimit dhe daljet me miqtë, pasi vit pas viti, tarifat që nga çerdhet e kopshtet dhe kontrollet mjekësore po rriten përditë.

Kryesisht për arsye të rritjes së kostove kanë lënë mënjanë planet për të lindur fëmijën e tretë që aq shumë e kemi dëshiruar”, tha Arbana.

Pas lindjes, prindërit përballen me shpenzime të ndryshme për kujdesin e foshnjës. Pelenat (pampers) kushtojnë mesatarisht 4000 lekë në muaj. Kostot mujore për qumështin formulë, veshjet dhe produkte të tjera të nevojshme për foshnjën mund të arrijnë rreth 300 euro në muaj gjatë vitit të parë.

Ndërsa në klinikat private, një vizitë pediatrike kushton mesatarisht 3500 lekë dhe janë periodikisht të përmuajshme. Vaksinat në institucionet publike janë falas për fëmijët 0-18 vjeç, në rast se prindërit i blejnë një vaksinë kushton 6000 lekë dhe në total numri i vaksinave deri në moshën 18 vjeç është 23.

Duke u rritur, veshjet janë rreth 20% më të shtrenjta, sidomos pasi kalon grupmoshën e 0-5 vjeç, sipas hulumtimeve në terren të subjekteve të shitjeve me pakicë.

Brenda një 5-vjeçari, çmimet e kurseve private kanë pasur një ndryshim çmimi me thuajse 40%. Për kurse sportive apo muzikore, çmimet mesatare kanë qenë 3500 lekë, aktualisht janë 5000 lekë. Ndërsa rritjen më të lartë me mbi 50% e kanë shë nuar kurset e gjuhëve të huaja për fëmijët 5 vjeç e lart.

Tarifat e arsimit gjithashtu janë rritur më shumë se dyfishi. Rritja e tarifave të shkollave private në Shqipëri pas pandemisë ka qenë një trend i vazhdueshëm, i diktuar nga disa faktorë kyç. Këto përfshijnë inflacionin, rritjen e kostove operative, kërkesën në rritje për arsim privat dhe faktorë të tjerë ekonomikë e socialë.

Mësuesit në shkollat private, veçanërisht ata me përvojë dhe kualifikime të larta, kërkojnë paga konkurruese, sidomos në një treg ku emigrimi i profesionistëve ka krijuar mungesë specialistësh. Pas pandemisë, disa shkolla rritën pagat për të mbajtur dhe për të tërhequr staf cilësor, duke e reflektuar këtë në tarifat e shkollimit.

Të dhënat nga tregu sugjerojnë se në kopshtet private, tarifat janë 200 – 500 euro/muaj, shkollat fillore dhe 9-vjeçare, 3,000 – 7,000 euro në vit, gjimnazet private 4,000 – 10,000 euro në vit dhe shkollat ndërkombëtare, 8,000 – 20,000 euro në vit.

Të dhënat tregojnë se tarifat e shkollimit pas pandemisë janë rritur minimalisht me 300 euro në vit. Kostoja mujore mesatare për një fëmijë në shkollë private është 600 euro – tarifë shkolle, ushqim, transport dhe programet pas shkolle.

Për të rinjtë që duan të krijojnë familje, kostot e banesave dhe qirave pothuajse janë dyfishuar. Qiraja mesatare tani në zonat kryesore në Tiranë varion nga 300-800 euro në muaj, më shumë se dyfishi nga viti 2019 kur qiratë ishin nga 150 deri në 300 euro në muaj.

Gjithashtu çmimi i një metri katror banesë në periferi këtë vit është 1000-1200 euro, ndërsa në zonat brenda unazës së dytë, më shumë se 2000 euro, gati dyfish me para pandeminë.

2011 – 2024, lindjet ranë 34.6%, qarqet më të goditura

Numri i bebeve që lindin në vendin tonë po pëson rënie drastike nga viti në vit, duke reflektuar përkeqësimin e treguesve demografikë dhe kushteve sociale dhe ekonomike në vend.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2024, në vendin tonë kanë lindur vetëm 22.4 mijë bebe ose 5% më pak se në vitin 2023. Rënia e lindjeve u thellua më tej në vitin e kaluar, në raport me vitin 2023, kur lindjet ranë me 4.3%.

Më 2024, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,425 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore.

Ndërmjet vitit 2011 dhe 2024, lindjet në vendin tonë ranë me 34.6%. Rënia e në dekadën e fundit është përshpejtuar në krahasim me dy dekadat e para të tranzicionit.

Gjirokastra renditet në krye të 12 qarqeve për rënien e fortë të bebeve, që në vitin 2024 ishte 57% më pak në numër se në vitin 2011. Më tej, në Qarkun e Beratit numri i beve ra me 52% në të njëjtën periudhë; në Kukës me 51.3%, Korçë me 51.2%, në Fier me 47.5%, Vlorë 46%, Elbasan 45%, Lezhë 42%, Shkodër 35%, Durrës 26% dhe në Tiranë 11%.

Të dhënat tregojnë se edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot. P.sh., në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulët se sot.

Në vitin 1950, kur u vendos regjimi i diktaturës komuniste, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) ishte vetëm 259,472 mijë.

Vitin e kaluar, lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte gati dy herë më i lartë se në vitet 1950. Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve.

Ekspertët pohojnë se politika është shumë e vonuar për të zbatuar një grup masash, të cilat duhet të kenë në fokus frenimin e emigracionit dhe evidentimin e mjeteve që mund të ndihmojnë çiftet e reja të lindin fëmijë.

Ata sugjerojnë ndërhyrje që të përmirësojnë gjendjen ekonomike të familjeve të reja. Demografët pohojnë se duhet një ekzaminim i detajuar i nevojave të familjeve të reja sipas rajoneve dhe më pas të hartohet një paketë politikash që t’i ndihmojnë ato në kostot për të rritur fëmijët.

Siç shihet nga të dhënat, Jugu i vendit ka norma më të larta të rënies së lindjeve për shkak të strukturës së popullsisë më të plakur.

Pavarësisht emigracionit të lartë të viteve të fundit, Veriu vijon të ketë popullsinë më të re në moshë edhe për shkak të tendencës për të lindur më shumë. E kundërta ka ndodhur me Jugun, ku emigracioni më i hershëm e ka plakur më shpejt rajonin.

Qytetet e Veriut, ndonëse regjistruan rënien më të lartë të popullsisë në periudhën ndërmjet dy censeve, kanë sërish një strukturë të popullsisë më të re në moshë se pjesa tjetër e vendit.

42.5% e femrave në moshë riprodhimi nuk kanë lindur fëmijë

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se ishin rreth 510 mijë femra në moshë riprodhimi (15-49 vjeç), por 42.6% e tyre nuk kishin fëmijë. Të ndara sipas grupmoshave shihet se femrat që nuk po lindin deri në moshën 30 vjeç janë më të shumta në numër se ato që lindin.

Femrat e grupmoshës 20-24 vjeç, rreth 85% e tyre, nuk i kishin lindur ende foshnjat e tyre. Më tej në grupmoshën 25-29 vjeç sërish dominojnë femrat pa fëmijë, pasi 53% e tyre nuk kanë lindur ende sipas Cens 2023. Në këtë grupmoshë numërohen 73,826 femra gjithsej ku 37,679 nuk kanë lindur bebet e tyre.

Pas moshës 34 vjeç nisin e dominojnë femrat që kanë kryer lindje. Por ende në grupmoshën 30-34 vjeç, 25% e femrave nuk kanë lindur, ndërsa 75% kanë lindur.

Në grupmoshën 35-39 vjeç, ende 15% e femrave nuk lindur asnjëherë dhe 73% kanë lindur. Në grupmoshën 40-44 vjeç, 12,4% e femrave nuk ka lindur fë mijë dhe 11% e femrave në grupmoshën 45-49 nuk kanë lindur.

Emigracioni i lartë i meshkujve dhe zhvillimi personal i femrave po ndikon në normat e fertilitetit. Në dekadat e fundit meshkujt synojnë të rrisin kapitalin e tyre duke emigruar dhe gratë nëpërmjet arsimit.

Kjo qasje ka thelluar hendekun në arritjet arsimore mes femrave dhe meshkujve duke bërë që shumë gra të zgjedhin karrierën.

Shtesa natyrore e vendit tonë është tërësisht e varur nga numri i grave në moshë riprodhimi, por ato po pësojnë rënie të shpejtë dhe për më tepër një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk preferojnë të lindin.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se në vitin 2023 në të gjithë vendin ishin vetëm 508 mijë gra në moshën e riprodhimit (15-49 vjeç) nga mbi 710 mijë që ishin në censin 2011. Numri i tyre ndërmjet dy censeve ka rënë me mbi 28%, ose më shumë se dyfishi i popullsisë së përgjithshme (14%).

Në grupmoshat e reja, me potencialin më të madh për të lindur fëmijë, rënia ishte mbi 40%.

Tkurrjen më të madhe e kanë femrat në 15-19 vjeç, të cilat janë pakësuar më shumë në numër se në vitin 2011.

Në vitin 2023 kishte vetëm 72 mijë femra nga 15-19 vjeç, me rënie 45% nga Censi 2011 kur ishin mbi 132 mijë femra të kësaj grupmoshe.

Rënia e grave në moshën riprodhuese do të ndikojë në normën e ulët të lindshmërisë në vitet në vijim dhe në reduktimin pa kthim të popullsisë. Femrat në grupmoshën 25-29 vjeç janë ulur me 21%.

Rënien më të ulët vetëm -6% e kishin femrat në grupmoshën 30-34 vjeç, teksa reduktimi mbi 30% është i pranishëm edhe në grupmoshat 40-44 dhe 44-49 vjeç./ Monitor

Presidenti Trump paralajmëron sanksione ndaj Rusisë

VOA

Presidenti Trump paralajmëroi Rusinë me sanksione të ashpra për shkak të sulmeve që po vazhdojnë ndaj Ukrainën.

Në një postim në rrjetin social Truth Social Presidenti shkruante se:

Bazuar në faktin se Rusia po ‘godet rëndë’ Ukrainën në fushën e betejës, po konsideroj mundësinë për të vendosur sanksione të fuqishme bankare, sanksione të tjera dhe tarifa në shkallë të gjerë ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare për paqe”.

Presidenti i bëri thirrje gjithashtu Rusisë dhe Ukrainës të ulen menjëherë në tryezën e bisedimeve, përpara se të jetë tepër vonë, siç tha ai.

Ndërkohë Presidenti po vazhdon të ushtrojë presion mbi Kievin për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e ralla. Të enjten ai tha gjithashtu se Moska ishte gati për një marrëveshje për dhënë fund luftës, e cila nisi me sulmin rus ndaj Ukrainës, në vitin 2022.

Presidenti Trump po ashtu u dërgoi një mesazh vendeve anëtare të NATO-s, duke i kërcënuar se “nëse nuk paguanin, ai nuk do t’i mbronte”.

Ai shpalosi vizionin e tij se si do të ndërmjetësonte paqen mes dy vendeve fqinje.

Mendoj se Ukraina dëshiron të bëjë një marrëveshje, pasi sipas meje, ata nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër“, tha ai. “Mendoj gjithashtu se edhe Rusia dëshiron të bëjë një marrëveshje, sepse sipas asaj që di vetëm unë, as ata nuk kanë zgjidhje tjetër“.

Presidenti Trump tha se do të takohej me Presidentin rus Vladimir Putin në Arabinë Saudite “ndoshta pas një muaji e gjysmë”.

I dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, koordinator i takimit

Më herët gjatë ditës, i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha se ai do të shkonte në Arabinë Saudite për t’u takuar me përfaqësues të Ukrainës për bisedime rreth një armëpushimi për të ndalur sulmin rus.

Tashmë jemi në diskutime për të koordinuar një takim me ukrainasit në Riad, apo me gjasë në Xhedah”, tha Steve Witkoff. “Ajo çka duam të arrijmë është një marrëveshje-kornizë për paqe si dhe një armëpushim fillestar “, shtoi ai.

Zoti Witkoff tha se Presidenti Trump mendon se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka ndrequr gabimin pas përplasjes mes dy udhëheqësve në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar.

Ai (Presidenti) mendon se letra e Zelenskyt, (ku e quan përplasjen në takim në Shtëpinë e Bardhë, për të ardhur keq) ishte një hap i parë shumë pozitiv. Në të kërkohej falje. Kishte një pranim se Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për Ukrainën dhe një ndjenjë mirënjohjeje“, tha zoti Witkoff.

Ndërkohë të enjten Presidenti Zelenskyy ishte në Bruksel me udhëheqësit evropianë për bisedime urgjente.

Ne do të armatosemi më shpejt, në mënyrë më të zgjuar dhe më efikase sesa Rusia”, tha Kryeministri polak Donald Tusk, i cili mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mori vendim të lehtësojë rregullat mbi buxhetit, në mënyrë që vendet të mund të shpenzojnë shumë më tepër për mbrojtjen. Gjatë takimit të nivelit të lartë 27 vendet anëtare u inkurajuan të investojnë rreth 863 miliardë dollarë për mbrojtjen, gjatë katër viteve të ardhshme.

Ne jemi shumë mirënjohës që nuk jemi vetëm dhe këto nuk janë vetëm fjalë”, tha zoti Zelenskyy. “Ne e ndjejmë këtë gjë dhe kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi ai.

Macron parashikon ‘hapa vendimtarë’

Para bisedimeve të nivelit të lartë Presidenti francez Emmanuel Macron tha se anëtarët e BE-së do të “ndërmarrin hapa vendimtarë përpara”, ndërsa shprehu shqetësime lidhur me ndryshimet në mbështetjen amerikane për Ukrainën nën administratën e re Trump.

E ardhmja e Evropës nuk duhet të vendoset në Uashington apo Moskë”, tha zoti Macron.

Ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu tha të enjten se Franca po ndan informacione zbulimi me Ukrainën, një vendim që pasoi njoftimin e Shtetet e Bashkuara se kishte ndërprerë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Kievin.

Drejtori i CIA-s John Ratcliffe tha të mërkurën se për momentin Shtetet e Bashkuara nuk po ndajnë informacione zbulimi me Kievin, por shtoi se kjo gjë mund të mos zgjasë, pas pohimeve të zotit Zelenskyy, se Ukraina ishte gati për bisedime paqeje me Rusinë.

Në fillim të javës Presidenti Trump urdhëroi Shtetet e Bashkuara të pezullojnë ndihmën ushtarake për Kievin, një vendim që pasoi takimin e tij të tensinuar në Shtëpinë e Bardhë me zotin Zelenskyy javën e kaluar.

Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës informacione të konsiderueshme zbulimi, përfshirë informacione thelbësore që nevojiteshin për të goditur forcat ruse.

Arritja e një marrëveshje paqeje mund të jetë e vështirë. Ukraina ka kërkuar prej kohësh një rikthim tek kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht të para vitit 2014, përpara se Moska të pushtonte Gadishullin e Krimesë.

Aktualisht Rusia kontrollon një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të lindjes së Ukrainës, dhe është zotuar që mos i kthejë Kievit asnjë pjesë të këtij territori.

Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga ‘Associated Press’, ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’.

Zelensky u bën thirrje aleatëve për trysni ndaj Putinit, pas një sulmi tjetër të madh në Ukrainë

Një ushtar ukrainas kalon pranë një ndërtesëe banimi të dëmtuar nga sulmet ruse në qytetin e vijës së frontit, Pokrovsk, Ukrainë, më 6 mars.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve t’i bëjnë trysni Rusisë për ta ndalur luftën kundër Ukrainës, duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar, pasi Moska e kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë dhe gazit në shumë rajone ukrainase të premten.

Zelensky tha në rrjetet sociale të premten se Rusia i shkrepi gati 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe i lëshoi rreth 200 dronë kundër objekteve të ndryshme të energjisë në Ukrainë.

Gjatë sulmit u goditën edhe ndërtesat e banimit.

Zelensky nuk tregoi nëse ka të vdekur nga sulmi, i cili ndodhi në një kohë kur janë rritur përpjekjet diplomatike për bisedime për paqe. Një delegacion ukrainas do të udhëtojë në Arabinë Saudite javën e ardhshme, për t’u takuar me zyrtarët amerikanë, me qëllim për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje për paqe.

“Hapat e parë për ta vendosur paqen e mirëfilltë duhet të jenë ta detyrosh burimin e vetëm të kësaj lufte, që është Rusia, për t’i ndalur pikërisht këto sulme kundër jetës”, shkroi Zelensky.

“Kjo mund të kontrollohet në mënyrë reale. Heshtje në qiell – ndalimi i përdorimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë dhe bombave ajrore. Dhe gjithashtu heshtje në det – një garanci e vërtetë për lundrim normal”, shtoi ai.

Sulmi masiv, i 30-ti ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të gjerë nga Rusia në vitin 2022, është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për ta goditur sektorin jetik energjetik të Ukrainës. Në dy javët e fundit, sulmet ruse kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike në rajonin e Odesës.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se sulmi filloi në orën 3:03 të mëngjesit kur Rusia lëshoi raketa lundruese Kalibr nga Deti i Zi. Menjëherë pas kësaj, u dha një paralajmërim për dërgimin e një avion luftarak MiG-31K, i cili bart raketa hipersonike Kinzhal.

Forcat ruse gjithashtu lëshuan një breshëri dronësh në një sulm të koordinuar.

Zelensky tha se avionët F-16 dhe Mirage-2000, të ofruar nga Franca, u përdorën për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmit.

Si rezultat i sulmit të premten, Polonia i aktivizoi sistemet e saj të mbrojtjes ajrore dhe ngriti avionët luftarakë. Forcat e Armatosura të Polonisë thanë se, për shkak të aktiviteteve ajrore me rreze të gjatë të Rusisë, Polonia dhe aleatët e saj kanë nisur një operacion ajror për ta vëzhguar dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.

Naftohaz, kompania shtetërore e gazit në Ukrainë, konfirmoi se ky ishte sulmi i 17-të i kombinuar ndaj infrastrukturës së saj.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Roman Chumak, tha se objektet e prodhimit, thelbësore për nxjerrjen e gazit, u dëmtuan rëndë, por përpjekjet për rikuperim tashmë kishin filluar.

Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës se nuk e sulmon infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë quajtur këto sulme krime lufte.


Send this to a friend