Pas publikimit të shkrimit “Era si tund malet”, ku replikoja me shkrimin “Dije apo Alogjizma pa Dije që e prejardhin Polifoninë tonë Popullore nga Sirenat dhe Muzika bizantine” i botuar në VOAL më 9 maj 2023, shkrim që e shoqëroja me citate të mara nga librat “Fjalori Muzikor, Polifonia shqiptare” dhe “Pse qanë kuajt e Akilit” të Akademikur Vasil S Tole, citate që provonin qëndrimin e tij në lidhje me origjinën e këngës sonë polifonike me iso, ku e zezë mbi të bardhë shkruhej qëndrimi i tij kundër tezës së origjinës të supozuar nga “kënga kishtare bizantine” dhe nga “kënga e sirenave”, një hamendësimi jo shkencor, mqse shkrimin e shoqëroja me foto të dy faqe librash, ku lexohej dukshëm ky qëndrim i akademikut, një numër i madh miqsh e shokësh më morën në telefon dhe më shkruan në mesenxher t’i sqaroja mbi vërtetësinë e provave që paraqita, si dhe tu dërgoja atyre, nqse kisha, të tjera. Sigurisht që i sqarova për sa shkruaja dhe u dërgova foto të tjera nga dy librat e akademikut, por kërkesën e tyre për t’i adresuar te provat e akuzës nuk e plotësova dot për arsye se akuzuesit nuk kanë paraqitur asnjë provë dokumentare, por kanë ngritur në rangun e “provës” imagjinare hamendësimet e tyre. Mqse miqtë më pyetën për tezën e kinse origjinës së këngës sonë polifonike me iso (iso-polifonike) nga kënga e sirenave, në përgjigje të tyre dhe në vijim të replikës me shkrimin e publikuar te VOAL si dhe me shkrimin “Pse mungoi akademiku Tole në simpoziumin shkencor për Polifoninë shqiptare” te F. Çaushit mbajtur në simpoziumin shkencor të shoqatës Labëria “Nderi i Kombit” më 25 mars 2023 dhe publikuar në disa organe shtypi, mendova që një shkrim ballafaques ka dhe vlerën e sqarimit.
I-Më duhet të them qysh në fillim të shkrimit se: sado që e lexova përsëri librin studimor të akademikut Tole “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit, një temë homerike me variacione” Tiranë, Uegen 2005, me gjithë vëmëndjen e shtuar në këtë lexim nuk gjeta në asnjë faqe ndonjë frazë që pohonte apo të nënkuptonte midis reshtave pranimin e autorit të origjinës së këngës sonë “polifonike me iso” (iso-polifonike) nga kënga e sirenave dhe mqse akuzuesit nuk kanë publikuar asnjë provë dokumentare të shkruar apo të folur nga akademiku mbi miratimin apo pranimin e tij të kësaj kinse origjine nga kënga e sirenave, mendova të ndjek linjën e lumit të akuzave për të dalur në “bregun” e sirenave. Akademiku Tole e thotë qysh në krye se ai : “niset nga shqetësimi i kahershëm për të zbuluar prejardhjen e tejlashtë të iso-polifonisë shqiptare, si një dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit të vetë muzikës. Në të pleksen ashti si në një temë me variacione muzikore, teza dhe hipoteza mbi këtë simbolikë dhe, për më tepër mund të gjënden motive të mjaftueshme për të gjykuar ekzistencën e iso-polifonisë qysh në kohërat e qytetërimeve antike, është preokupimi i tij, origjina e polifonisë shqiptare, asgjë tjetër.”(f.5)
Që akademiku nuk e ka shkruar apo shprehur tezën e origjinës së këngës sonë “polifonike me iso” nga kënga e sirenave, kjo është e kuptueshme dhe nga fakti se sirenat janë mitologji ndërsa kënga jonë është një realitet i prekshëm nga shqisat tonë (të dëgjimit) dhe ndjenjat tona, gjendur në të gjithë territorin që përfshin Shqipëria e Jugut.
Mqse me librin ”Pse qanë kuajt e Akilit” dhe “Fjalorin muzikor, polifonia shqiptare” doli zbuluar akuza mbi kinse thënien/shkruarjen/pranimin e origjinës së këngës sonë polifonike me iso (iso-polifonike) nga koret e kishës bizantine, unë i ftoj që të na provojnë thënien/shkruarjen /pranimin e tezës së origjinës së këngës sonë nga kënga e sirenave, qoftë te libri studimor “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit, një temë homerike me variacione” qoftë dhe me shkrime, studime, artikuj të tjerë kudo të publikuar.
II- Akuza se gjasme qënka sajuar origjina nga sirenat greke e këngës sonë “polifonike me iso” është artikuluar fillimisht nga z F. Çaushi dhe pas tij e kanë marë “në përdorim” edhe persona të tjerë, por ajo që ka vlerë në këtë rast është se kjo akuzë është ngritur jo mbi fakte të shkruara apo të folura, por mbi hamendësimet e tij, ndërkohë që hamendësimet nuk përbëjnë provë. Le ti shohim më konkretisht disa nga këto komente, të servirura si zbulime:
Në shkrimin e tij të sipërcituar Çaushi shkruan: “Tole, duke injoruar krejt studiuesit shqiptarë që për 50 vjet hulumtim shkencor kanë propaganduar, se polifonia shqiptare e ka origjinën nga ky popull dhe nga ky truall, kryesisht në Labëri, ka ngulur tezën e kundërt, se polifonia shqiptare dhe ajo Labe e ka djepin tek sirenat greke”, por nuk jep asnjë referencë se te cili libër e në cilën faqe të tij e ka shkruar këtë. Sigurisht që na duhet ta pyesim z Çaushi edhe se cili studiues shqiptar ka “propoganduar se polifonia shqiptare e ka origjinën…në Labëri” dhe ku ka shkruar akademiku se kënga jonë me iso e ka origjinën te sirenat greke, sepse ne provuam që ai është shprehur kategorikisht se:” :”ajo çka do të thonim e përmbledhur me pak fjalë synon mbështetjen e origjinës iliro-epirote (shqiptaro jugore” (“Fjalori muzikor, polifonia shqiptare” SHBLU Tiranë 1999 f.51), jo vetëm një herë. Akademiku në këtë libër citon Prof. Ramadan Sokolin, i cili ka vërejtur me kohë, ekzistencën e Sirenave në mitologjinë e të parëve tanë, të njohur me emrin vendas kshetat apo floçkat e detit (me zëra shumë të bukur) dhe gjithaq ka vlerësuar si shumë origjinale dridhjet e zërit që shkaktohen me anë të lëvizjeve të nofullës tek disa vajtore bregdetare, nëpër Shqipërinë Jugperëndimore. (Shiko Sokoli Ramadan, “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991, fq. 25).
Në këtë kontekst Tole sjell edhe Kadarenë i cili mendon se përdorimi te ne i vajtoreve nuk është aspak larg korit antic, që duke qarë, vajtuar, komenton njëkohësisht edhe bëmat e virtutet e të vdekurit.
Eja, eja tek ne, o Uliks , o trim
Nderi, lavdia akeje, ndale lundrën,
Dëgjo sa mirë këndojmë.
Pra, preokupimi i akademikut është lashtësia e këndimit të polifonisë me iso, si kulturë e lidhur me vajtimin!
Më poshtë Çaushi shkruan:“Një argument përforcues për etnitetin grek të isopolifonisë, e ka dhënë vet Tole: “Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin si qënie gjysmë zogj dhe gjysmë gra”. Për hir të saktësimit duhet të jipet e plotë fraza, e cila është: “Po çfarë ishin Sirenat? Në mitologjinë e lashtë greke ato paraqiteshin si qenie gjysmë zogj e gjysmë gra. Vepra “Odiseja”, e Homerit, qe e para e cila ndihmoi që Sirenat të përkapeshin si qenie konkrete”
Pra siç shihet këtu bëhet fjalë për sirenat, paraqitjen e tyre të jashtme si gjysëm zogj e gjysëm gra dhe faktin që vepra “Odisea” e Homerit është e para vepër që na ndihmon të përkapen si qënie konkrete. Natyrshëm lind pyetja: ku flitet këtu për origjinën e këngës sonë polifonike nga sirenat?
Çaushi shkruan se: “.. lënda e studimit është marrë nga poema epike e Homerit “Odisea”, për të cilën Tole shkruan “Iliada” dhe “Odisea”, përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkon aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë. Sikundër shihet polifonia shqiptare studiohet mbi një libër që flet për parahelenët ”.
Po cilët janë parahelenët? A nuk janë pellazgët aty ku u ngjiz mitologjia e lashtë prej popujve që jetojnë prej mijra vitesh në këtë zonë? A nuk kemi të drejtë të themi që në trashëgiminë e sotme shpirtërore të Shqipërisë jetojnë ende forma antike parahelene (pellazgjike) si polifonia vajtimore me iso?
Sipas Çaushit na del që veprat e Homerit, “Iliada” dhe “Odisea” të cilat i ka marë në studim akademiku, mqse janë greke, janë libra të “verdhë” dhe nuk duhen studiuar? Dikush duhet ti thotë këtij njeriu që veprat homerike “Iliada” dhe “Odisea” janë pasuri botërore dhe studiohen në të gjitha Universitetet dhe Akademitë e botës për informacionin e dëndur që ato japin për histori, njerëz, mite e legjenda: ato janë një arkivë e njerëzimit.
Çaushi nxjerr asin nga mënga : “Duke barazuar nocionin etnik të Epirit me nocionin politik të Greqisë Veriore, Tole e quan Epirin grek, ndonse kufiri i Shqipërisë së Jugut me Greqinë nuk është Qafë Bota, është Preveza e kohëve antike. Qafë Bota erdhi në vitin 1913, pas Konferencës së Ambasorëve në Londër. I vendosur për ta pushtuar edhe pjesën veriore të Epirit, Tole shkruan: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare”.
Mqse se fraza e akademikut është mbuluar me testurën nacionaliste të autorit, duke i kujtuar këtij të fundit se “Nacionalizmi është streha e fundit e batakçinjve” (sipas Oskar Uajlldit) i ftoj lexuesit ta shohim të gjithë frazën e akademikut e cila është: “Ndonëse ka mendime të ndryshme për habitatin e Sirenave, gjeografikisht është pranuar se ai gjendet diku në hyrje të portit të Sicilisë. Pavarësisht nga kjo, ne i përmbahemi idesë se pas gjithë gjasave, vendodhjen e Sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare; kjo për shkak të lidhjes që kanë në përmbajtje Sirenat vajtore me gjithë lëminë dhe rolin e tyre si paraportë e Hadit, e aq më shumë, me të kënduarën e tyre polifonike në kontekstin e parafolur”.
Le ta shohim me vëmëndje këtë frazë të gjatë: “habitati i Sirenave, gjeografikisht është pranuar se ai gjendet diku në hyrje të portit të Sicilisë”, pra sirenat greke qëndrojnë në hyrje të Sicilisë, por nuk kemi dëgjuar që u pushtua Sicilia italiane nga grekët e sirenave, siç ka “frikë” kinse-patrioti ynë: mos na marin grekët Shqipërinë e Jugut po të pranojmë se “vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare”.
A e di z. Çaushi se gjetjet e arkeomuzikës shqiptare kanë evidentuar shumë gjetje sirenash në Shqipërinë e Jugut, të cilat për ne janë modele të vajtoreve të cilat i tregojnë ato pa vegla shoqëruese dhe me sjella karakteristike vajtuese?
A e di ai që në Greqinë kontinentale gjetjet e sirenave si objekte arkeologjike janë shumë të rralla sepse ato janë lokalizuar kryesisht në Epirin e dikurshëm?
Prandaj akademiku Tole evidenton me të drejtë të gjitha gjetjet ndër vite të arkeologjisë shqiptare të “Sirenave vajtore” pa vegla muzikore të Apolonisë, për të cilat flet edhe Praschnikeri, Sirenat e Durrësit, Antigonesë, Vlorës etj. (Shih disa nga fotot e Sirenave te gjetura ne territorin e Shqipërisë së Jugut në fund të shkrimit dhe konkretisht: 1-Sirena e Antigonesë,2-Sirena e Bisht Pallës në Durrës, 3-Sirena e Apollonisë, 4-Sirena e Kepit të Rodonit dhe 5- Sirena vajtore e Apollonisë).
Akademiku e sqaron shkencërisht mundësinë e kësaj hipoteze, por unë dua ta kujtoj artikullshkruesin se: sipas mitologjisë shqiptare Zeusi ka lindur në Palavli, fshat i Delvinës (shih Dh. Pilika), aty pranë është mali i Kronit (ati i Zeusit), Zeusi ka qënë fillimisht në malin e Çikës ku pasi farkëtoi rrufetë, shkoi në Dodonë (e më pas në Olimp), Odiseu erdhi në Dodonë për të mësuar fatin e tij, Medea vdiq dhe është varrosur në Butrint, në fushën e Kestrinës (Vrinës) ishte habitati i amazonave, në Sarandë ishte tempulli i Afërditës dhe kodrat e qytetit quhen kodrat e Hermesit, etj dëshmi që njihen dhe shqiptohen pa patur frikë “se mos vjen dhe na i mer greku”.
Është për të ardhur keq që në këto ujra noton edhe Prof. Peçi kur shkruan: “Sirenat në Himarë, Hadi në Himarë, Chimera në Himarë, harta qenka bërë,qenka studiuar kaq mirë, perfekt përputhet dhe me hartën e pretendimeve teritoriale të Vorio Epirit”.
A e di prof. Peçi pohimin e Akademikut Çabej se: “ …lokalizimi i mitit të Uliksit në Itakë do të thotë se Uliksi është më tepër një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qënë në kontakt të përhershëm me fiset ilire-shqiptare”.
Unë i kujtoj të nderuarit profesor se te lista e mësipërme e aseteve himariote ka harruar pa përmendur edhe shpellën e Ciklopit në Himarë dhe lisat e Pilurit ku u ul Zeusi dhe i këndonte këngë Herës etj, por do shtoja me respekt se: flitet për mite dhe legjenda dhe jo për harta zbulimi ushtarakt apo strategji lufte, pse nuk e mendojmë kështu shkencën. Te kënga e sirenave studiohet tipari i kolektivitetit dhe të anonimatit te kënga/vajtimi e/i sirenave, të cilat janë të njëjta me tiparet e vajtimit dhe të këngës sonë vençe.
Mitet nuk paraprijnë operacione ushtarake, mitet përcjellin mesazhe miqësore mes popujve nga një brez te tjetri dhe pikërisht mesazhin e sirenave kërkon të zbërthejë akademiku që ju e sulmoni. Unë ju them se shumë shekuj më parë edhe Plutarku solli në Butrint legjendën (lajmin) e vdekjes së Panit të Madh, ku menjëherë nimfat e liqenit ja nisën vajtimit dhe mesazhi i këtij miti ishte se në këto treva bëhej vajtimi kolektiv dhe jo ndarje kufijsh.
III- Debat ka hapur edhe teksti: “Me këngën e tyre krijesat (sirenat) tërhiqnin në breg kalimtarët-detarë dhe i vrisnin ose i hanin . Këtë e dëshmon fakti që brigjet e ishullit të Anthemoezës (i gjendur midis Sicilisë dhe Italisë), vend ku mendohet se qëndronin Sirenat, zakonisht gëlonin nga kokalla viktimash”(f.6). “Polifonia e Sirenave vajtore, përputhet me dukurinë e vajtimit, apo qarjen për së gjalli të vetë Uliksit, që dukej se po shkonte drejt vdekjes së sigurt” (f.11).
Këngën e sirenave autori e quan “polifoni” për arsye se ajo plotëson tiparet e këngëve gojore, kolektivitetin, anonimatin dhe shumëzërrëshin. Sirenat ishin tre dhe këndonin njëherësh bashkërisht (poli-shumë, foni-zëra), kënga e tyre kishte anonimatin,. Pyetje ka lindur thënia : “vajtimin prej së gjalli të Odisesë” sepse sipas Peçit: “Në traditën e popullit tonë vaji fillon kur vdekja ka ndodhur është prezente”, “Asnjëherë tek ne e kudo nuk fillon vaji për së gjalli”.
Me sa kuptoj, prof. Peçi nuk e ka vendosur citimin e tij në kontektin e librit të autorit Tole. Odiseja qahet “për së gjalli” pasi ai dhe muziktari Orfe ishin të vetmit të gjallë që, sipas Homerit kishin mundur të zbrisnin në Had për të marrë profecinë e Tirezias. Dihet se Hadi ishte mbretëria e të vdekurve ku Sirenat vajtore ishin paraportë e tij. Ato vajtojnë dhe “përkujdesen” për të vdekurit.
Akademiku Tole hedh nje hipoteze shume interesante qe lidh vend ndodhjen e Hadit (mbreterise se vdekjes) me Sirenat vajtore. Sipas tij: … lokalizimi i Hadit ka shumë rëndësi për të përcaktuar më pas vendndodhjen e Sirenave. Siç e përmendëm më lart, Sirenat janë quajtur sot e gjithë ditën si stihi të vdekjes, të lidhura ngushtësisht me Hadin. Lokalizimi i tyre me siguri ka lidhje konceptuale edhe me dukurinë muzikore të iso-polifonisë, si dukuri që lind prej vajtimit të të vdekurve. Sipas akademikut Tole: … “pa ndonjë arsye të fortë, u ndryshua vendqëndrimi i sirenave, nga Hadi, tek barbarët kimerianë, fqinjë të grekëve, në brigjet italiane të Sicilisë”.
Në lidhje me “vajtimin për së gjalli” më duhet ti them Prof. Peçit se, po, vajtohet edhe për së gjalli. Nëna vajton kur djali hyn në burg për një kohë të gjatë: “Ku do ma kalosh të ritë/Nëntë vjet e nëntë ditë” vajtoi një nënë në sallën e gjyqit në Sarandë dënimin e të birin nëntë vjet burgim. Nënat kanë vajtuar ikjen e djemve nizam: “Vallë a do më vish më”, ikjen e djemve ushtarë, ikjen e djemve në kurbet etj. Nënat kanë një shqisë të veçantë që parandjejnë dhimbjen, vuajtjen dhe vdekjen e të dashurve të tyre. E vërteta është se nuk është vajtuar me grup mortor, por nëna dhe motra gjithmon janë mbledhur kokë më kokë dhe kanë vajtuar rastet e mësipërme.
Peçi insiston: “Në ishullin e sirenave as nuk hynte ndonjë strukturë polifonike e as homofonike sepse shndrohej n kokalla, por edhe as nuk delte.. Kush ju a mësoi polifoninë Sirenave..”? Me sa duket profesori harron që sirenat ishin bijat e Muzave dhe nënat gjithmon u mësojnë vajzave të kënduarit dhe të vallzuarit dhe këtu nuk bënin përjashtim as Muzat. Çfarë thotë për këtë temë Prof. ruse Ostrova: “Së pari, ato(sirenat shën.im.T.M.) kanë një origjinë. Zëri i sirenës ishte trashëguar nga nëna-muza dhe në fillim nuk ndryshonte nga gratë e zakonshme. Por muzat-tezet, nga frika për pozicionin e tyre në Parnassus, shpërfytyruan zogjtë këngëtarë të sapoformuar, duke i kthyer në një hibrid njeriu dhe zogu”.( При копировании материала, ссылка на источник обязательна: https://shimanovskadm.ru/sq/bus-tours/nazvanie -ostrova-siren-v-odissee-plavanie-odisseya-mimo-ostrova-siren.html).
Përsëri Prof. Peçi këmbngul: “Vaso (Tole) thotë: “Sirenat vajtore”. Homeri nuk e thotë “vajtore“ çfarë alogjizme: paralelisht dhe këndonin në mënyrë magjepëse dhe mallkonin dhe vajtonin”.
Kjo pyetje e Prof. Peçit ka nevojë për një sqarim më të thellë të natyrës së sirenave, ato jo vetëm që tërhiqnin detarët drejt brigjeve të ishullit të tyre, ku pas përplasjes së anijes ato i vrisnin dhe “u pinin gjakun”, por në rast se anija nuk afrohej të ishulli sirenat vdisnin: Përsëri prof. ruse Ostrova shpjegon: “Miti thotë se ato u mbytën pasi dështuan me Odiseun. Trupi i njërit prej tyre u hodh në breg ku ndodhet tani Napoli”. Në fakt :” Ai (Odisea) ishte i vetmi që nuk u ankorua në ishull, këngëtarja gaboi për herë të parë. Të dëshpëruar, vajzat e zogjve nxituan në det dhe u shndërruan në shkëmbinj”. ( При копировании материала, ссылка на источник обязательна: https: // shimanovskadm.r/sq/bus-tours/nazvanie-ostrova-siren-v-odissee-plavanie-odisseya-mimo-ostrovasiren . html), pra, sirenat sa vajtonin fatin e Odiseas aq vajtonin edhe fatin e tyre nqse anija nuk ndalonte në ishull.
Pavarësisht këtyre unë përsëri do pyesja: ku është dëshmia këtu që akademiku mbron tezën e origjinës së këngës sonë vënçe nga kënga e sirenave? Na jipni një fakt, na jipni një provë, boll dëgjuam fjalime pleniumesh për grupe armiqësore në letërsi, kulturë, art dhe Akademi.
IV-Përsa i përket sirenave ju them se sirenat nuk kanë pasaportë greke pasi ato janë mitologji. Pasi treguam egzistencën e sirenave në brigjet shqiptare ju them se:përshkrimi më i hershëm i një sirene vjen nga mitologjia siriane, ku Atargatis, (i njohur si Perëndeshë-Sirenë), ishte gjysmë–grua dhe gjysmë–peshk, hyjni e qytetit antik Hierapolis-Bambis në Siri, po ashtu hyjnia babilonase Era, përshkruhej si me “trup njeriu nga mesi e sipër, dhe në formën e një peshku nga mesi e poshtë”. Në disa legjenda nga Skocia dhe Uellsi, tregohet se sirenat u miqësuan, dhe u martuan me njerëz. Legjendat japoneze kanë një version të ngjashëm të quajtur “Kappa”, ato thonë se sirenat banojnë në liqenet, brigjet dhe lumenjtë japonezë dhe u ngjajnë fëmijëve. Në Afrikën Perëndimore, Jugore dhe Qendrore, shpirti mitik i ujit i quajtur Mami Uata(Nëna e Ujërave), përshkruhet shpesh si një sirenë apo si një krijesëne formë gjarpri. Të mos flasim për sirenat meshkuj ose “sirenat blu”.
V- Në përfundim: unë ju theksoj se gjithmon jam deklaruar kundër çdo hamendësimi mbi origjinën e këngës sonë “polifonike me iso” nga “kisha bizantine”, nga “kënga e sirenave” dhe nga çdo origjinë e jo shqiptare (pellazgo-iliro-epirote), pasi jam i bindur se origjina e saj është nga ligjërimet mortore të nënave e motrave tona, pra është vetëm shqiptare.
“Më jipni një pikë mbështetjeje të lëviz botën” thoshte Arkimendi, më jipni një provë të shemb një kinse teori origjine kënge sireash apo muzike kishtare të këngës sonë polifonike me iso, ju them unë.
Ju lutem, më jipni një provë, më jipni një fakt për sa thoni. Një, vetëm një.
Sarandë, më 19.maj 2023